Demokraci vs stabilitet?

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 17 gusht 2014

Më 1991 kur Tirana u mbush me flamuj dhe thirrje pro amerikane Sekretari i Shtetit Xh.Bejker mbajti një fjalim zhgënjyes për elitën e vjetër politike, por frymëzues për brezat e rinj të Shqipërisë. Mesazhi i fjalimit ishte: “Liria punon. Më në fund jeni të lirë të mendoni atë që doni. Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj”. Njëzet vjet më vonë Bejker u ftua të komentoi mesazhin e tij të parë dhe ai shtoi “duhej të kisha shtuar edhe një tjetër mesazh: Po, liria funksionon, por funksionon kur qytetarët ruajnë një respekt të zjarrtë për të, por edhe për shtetin ligjor që ofron kuadrin për një demokraci të rregullt”. Në dy rastet Bejker ka të drejtë dhe se parimi amerikan i demokracisë funksionale bazohet në vlera të tilla frymëzuese dhe të sprovuara në historinë e tyre.

Në vitet 90 partitë politike shqiptare premtonin të njëjtat gjëra, madje slogani kryesor i ndryshimit ishin “liria dhe demokracia”. Më pas partitë vijuan lojën e tyre brenda kuadrit konkurrues dhe u bënë shumë më pragmatiste. Sot në programet e partive më shumë se për demokraci flitet për stabilitet dhe qëndrueshmëri. Nëse në fillimet e pluralizmit demokracia mjaftonte në mbajtjen gjallë të aspiratave dhe ushqente klimën e ndryshimeve, sot koncepte të tilla quhen të tejkaluara, demode, dhe vendi i është lënë modelit të qeverisjes stabel, stabilitetit financiar, stabilitetit politik, stabilitetit institucional. Arsyeja duhet kërkuar më shumë në terrenin shqiptar sesa në teoritë politike.

Argumentet që përdoren janë: demokracia e viteve 90 nuk mjaftoi për të parandaluar ngjarjet e vitit 1997, demokracia në partitë politike nuk mjaftoi për të parandaluar krijimin e oligarkëve politike dhe ekonomike më 2004-2005 dhe 2012-2013, demokracia si premtim nuk mjaftoi për të parandaluar ngjarje si ato të 2 prillit, 14 shtatorit apo 21 janarit! Më shumë se argumente duken si alibi. A nuk ishte kriza zgjedhore e votës 1991 qëçoi në ngjarjet e 2 prillit? A nuk ishte kriza zgjedhore e votës më 1996 që ushqeu krizën e vitit 1997?

A nuk ishte kriza zgjedhore e votës më 2011 qëçoi në 21 janarin? A nuk janë zgjedhjet e lira dhe të besueshme pika më e dobët e demokracisë shqiptare? Gjithçka që vijon më pas, – zgjedhja e presidentit, qeverisë, parlamentit, prokurorit, gjykatave, guvernatorit dhe njëduzine zyrtarësh preferencial të oligarkisë politike, – është produkt indirekt i një sistemi ku ende vota nuk është e fshehtë, e drejtë, e besueshme dhe e garantuar. Pra, burim i një demokracie të munguar, i shpërdorimit të lirisë dhe i një klime, siç Bejker thotë, ku mungon respekti i zjarrtë qytetar për lirinë dhe ku nuk kemi institucionet garantuese për demokracinë funksionale.

Më 2003 kryetari i KE Prodi i këshilloi shqiptarët: “stabilitet, stabilitet, stabilitet”. Nga pikëpamja e Brukselit ai kishte të drejtë. Sapo ishin bërë zgjedhjet, mazhoranca ndodhej në krizë, parlamenti në krizë, opozita me njërën këmbë në rrugë dhe institucionet funksionale në letargji. Më 2012 sekretaria Klinton këshilloi diçka të mesme: demokraci funksionale dhe stabilitet institucional, duke apeluar për qytetarë të përgjegjshëm, institucione të forta dhe transparencë nga udhëheqja politike. Duken slogane, por nuk janë të tilla. Janë sfidat e Shqipërisë.

Pas 24 vitesh nuk mjafton më as premtimi për demokraci pa stabilitet dhe as stabiliteti pa demokraci. Janë pjesë të së tërës dhe mungesa e njërës, e bën të pavlerë tjetrën. Historia na jep të drejtë. Më 1920-24 kishim demokraci por jo stabilitet, më 1925-1939 kishim stabilitet por jo demokraci, diktatura komuniste siguroi stabilitet në burgun e madh dhe bunkierin izolues ku na futi, vitet e tranzicionit janë dëshmi se mungesa e njërës, e pengon tjetrën të ecë.

Përderisa na pëlqen të krahasohemi me të tjerët, e të njëjtës traditë politike, le të shohim çfarë ndodh në Turqi, apo vende të tjera me ndikim në kulturën tonë politike. Një individ populist merr gjithçka, nuk pyet për parime e vlera, por rrëmben postet, pushtetin dhe shtetin. Alibia për tëështë stabiliteti, viktima e tij është demokracia. Të njëjtat tipare gjejmë në Ballkan dhe deri në Lindjen e Mesme, në modelet ish sovjetike të demokracive të reja, dhe në shumicë, edhe në mentalitetet drejtuese dhe dominuese në Shqipëri. Apeli i famshëm i militantes nga Berati, nuk duam bukë por duam unitetin e udhëheqjes, – pra pushtet stabel prej të cilit përfitojmë, – është dhe mbetet teori e suksesshme dhe dominuese në Shqipëri.

Personalisht e shoh ndryshe trendin e prioriteteve: demokracia është primare, e pazëvendësueshme, afatgjatë dhe reformatore. Stabiliteti nuk i garanton këto cilësi. Shqipëria ka vuajtur e vuan për demokraci funksionale, një komponent i të cilës është stabiliteti institucional, ndërkohë që e anasjelltë, oferta në emër të stabilitetit është e pamjaftueshme dhe justifikim për një demokraci të munguar, të brishtë dhe burim mosbesimi. Demokracia ka vlerën e zemrës tek njeriu, stabiliteti ka vlerën e aftësisë për të ecur tek njeriu. Pa zemër nuk jetohet, ai që nuk ecën mund të jetë shekullor në jetë dhe ka model inspirues edhe ministrin e sotëm të financave të Gjermanisë.

Shqipëria, siç shprehet një ministër rilindas kulture, është një fshat i madh dhe idetë e mëdha novatore historikisht nuk vijnë nga fshati dhe as mbijetojnë aty. Idetë vijnë nga elitat, ata që shohin tek pushteteve të radhës, nga ata që mendojnë përpara se të flasin dhe nga modelet inspiruese që na këshillojnë modelet pozitive të miqve dhe aleatëve tanë. Siç bëri Bejker, Prodi, Klinton dhe emrat e burrështetasve të mëdhenj që kanë vizituar Tiranën.

Alibitë përjashtuese në emër të stabilitetit pa sistem vlerash demokratike, pa respekt për votën dhe sovranitetin qytetar, pa transparencë dhe përgjegjësi, – nuk janë vlera të demokracisë, por janë e mbeten alibi të oligarkisë, modele ruse dhe orientale që duhen refuzuar me të njëjtën forcë, vullnet, vizion e kurajë siç më 1990, u refuzua oferta e regjimit në ikje për zëvendësimin e pluralizmit politik me stabilitetin izolues të byroistëve dhe bllokut të paprekshëm dhe të partisë – shtet që mendon për pushtetin, jo për qytetarët dhe interesat e vendit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi