Vlerësimi i Moody’s: Shqipëria stabël
Vleresimi i riskut, 13 gusht 2014
Agjencia e vlerësimit të riskut të kreditit “Moody’s” e ka vlerësuar edhe një herë si të qëndrueshme ekonominë shqiptare në raportin më të fundit të saj. Agjencia ka konfirmuar “notën” B1 për borxhin e qeverisë. “Konfirmimi i këtij vlerësimi për borxhin e qeverisë reflekton faktorët pozitivë që kanë balancuar dobësitë që në të kundërt do të ushtronin presion për rënie”, thuhet në raportin e Moody’s. Në këta faktorë pozitivë vlerësohet plani i ngushtë i bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe statusi kandidat i vendit për në BE, që shërben si një ankorë për reformat institucionale.
Një efekt të rëndësishëm në konfirmimin e ekonomisë si të qëndrueshme duket se luajnë masat fiskale të marra nga qeveria. Agjencia e vlerësimit të riskut “Moodys” e vë theksin pikërisht në këtë pikë. “Ndikimi parësor për konfirmimin si stabël të Shqipërisë është i lidhur me masat konsoliduese fiskale të adoptuara nga administrata e re përmes një programi trevjeçar nën FMN-në. Këto masa mundësojnë një përgjigje fillestare për përkeqësimin e theksuar të pjesës fiskale në vitin 2013, sidomos sa i përket mbledhjes së të ardhurave, pjesë ku Shqipëria ende vazhdon të performojë më poshtë se mesatarja e fqinjëve”, thuhet në raportin e Moody’s.
Agjencia “Moody’s” i rikthehet në raportin e saj edhe pjesës së shlyerjes së borxheve të prapambetura, të përmendur edhe në raportin e majit të këtij viti. Kështu, njohja e borxhit dhe vijimi i pagesave nga ana e qeverisë shihen nga agjencia si një zgjidhje e mirë me impakt pozitiv, pasi u mundëson kompanive që të paguajnë detyrimet që kanë ndaj bankave. Gjithsesi, nga ana saj agjencia e vlerësimit të riskut pret që borxhi publik të arrijë në 74 për qind këtë vit, çka është një shifër në rritje, dhe më pas të fillojë ulja e tij në mënyrë graduale.