A mund të vazhdohet me këtë të majtë?!

Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 11 gusht 2014

Nuk më la përshtypje të mirë libri i Jean Montaldo: “Miterani dhe 40 hajdutët” (“Mitterand et les 40 voleurs”). Aty, sipas tij, synohej që të demaskohej korrupsioni në piramidën politike franceze. Megjithatë, më pëlqeu “përkufizimi” i tij, diku në libër, si “surrealistë” për socialistët francezë, në sajë të “ëndërrimit” emocional, mungesës së logjikës apo kontrollit në shpalosjen e vizioneve të tyre (“Socialistë? Unë do të thosha më shumë surrealistë”). Ndoshta, edhe sepse më pëlqeu “rima”, krahasuar me thënien e famshme të socialdemokratit të orëve të para, të të ndjerit Pjetër Arbnori (“Ju nuk jeni socialistë, por specialistë!”); shprehje kjo që u përdor më shumë në kontekstin e hedonizmit, korrupsionit e abuzimit me pushtetin, lojërave në qeverisje …Paralelisht me librin e Montaldos, në “orë meditimi”, kam lexuar edhe një libër të veçantë të Jacque Julliard, me titull: “Për një nisje me këmbë të majtë” (“Pour repartir du pied gauche”). Aty ai trajton disa koncepte të së majtës, në përgjithësi, apo të së majtës franceze, në veçanti. Tepër interesante janë dhe disa propozime për ndryshime të domosdoshme të këtyre koncepteve. Krahas 20 tezave kryesore të autorit për një konceptim të ri të socializmit (por jo thjesht si reformim të së majtës!), tepër përshtypje më bëri dhe artikulli i Jean-François Kahn, i përfshirë në libër në kuadër të debatit të nisur, së bashku me reagime e kontribute të disa figurave të tjera politike si: Luc Ferry, Marcel Gauchet, Aquilino Morelle, Alain Callé, Jean Peyrelevade, Jean- Louis Bianco, Henri Weber, Denis MacShane, Jean-Luc Mélenchon, François Hollande. Sidoqoftë, nisur prej këtyre tezave e reagimeve, po përpiqem edhe unë të përmbledh më poshtë disa shqetësime dhe ide të tyre apo mendime të miat, tashmë jo për të majtën në tërësi, por për perspektivën shqiptare të saj. NJË

MUTACION QË DUHET PASQYRUAR

Me gjithë kohën e shkurtër të instalimit të pluralizmit dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri, edhe te ne po ndodh një mutacion i kapitalizmit, me “pisllëqet” dhe “ndrojtjet” e veta. Në fakt, në vendet e zhvilluara të Europës, kapitalizmi social-liberal i pasluftës iu nënshtrua ndryshimeve tepër pozitive në garën e tij me komunizmin. Por, sot, ai është zëvendësuar në këto vende me neokapitalizmin. Edhe në Shqipëri, në fillimet e tranzicionit (sidomos në kushtet që prona dhe veprimtaria prodhuese në masë jo të vogël ishin shtetërore) pati një shtrirje të shpejtë e kaotike varianti primitiv i liberalizmit kapitalist. Kjo fazë e parë e kapitalizmit, shoqëruar me një egërsi jo të vogël sociale, tani po zëvendësohet, gradualisht, nga një neoliberalizëm kapitalist me ngjyra shqiptare, me më shumë makutëri, aty – këtu dhe me ngjyrim mafioz. Në thelbin e vet, ky lloj kapitalizmi i ri johuman (neokapitalizmi) në raport me kapitalizmin social e liberal, në kuptimin e rendit ekonomik-social, mund të krahasohet, qoftë dhe figurativisht, me ndryshimin midis stalinizmit lindor dhe socializmit perëndimor europian. Sidoqoftë, sot, kudo në botë, në vend të mbajtjes së një ekonomie të përzierë, relativisht të rregulluar e disiplinuar, mbështetur në një frymëzim social-demokrat apo ruzveltian (“rooseveltian”), po fuqizohet përqendrimi ekonomik, shoqëruar me dobësim të fuqisë blerëse reale, “dopimit” konsumator e kreditimit hipotekar. Kjo është e theksuar, sidomos në vendet e zhvilluara; madje kapitalizmi i mëparshëm industrial është shndërruar aty, sot, në variante të neokapitalizmit financiar e spekulativ. Po ashtu, në vend të nxitjes dhe mbështetjes së parimeve të liberalizmit si: konkurrenca, pluralizmi, iniciativa private e autonomia individuale, shumëllojshmëria dhe shpërhapja e pronësisë, rritja e investimeve prodhuese, mbështetja e shpirtit të ndërmarrjes etj., kanë marrë terren përafrime të tjera si: “përthithja” financiare dhe përqendrimi në korporata, shoqëruar me sinteza deri të dyshimta; kontrolli politik e përqendrimi në rritje në fushën e mediave deri te kontrolli politik i tregjeve; ndërhyrje e shtrëngime të dukshme dhe të padukshme në fushën e konkurrencës, sipas interesave individuale, shtetërore apo ngjyrosjeve partiake; financimi virtual e zëvendësimi i shpirtit të ndërmarrjes prej logjikës spekulative etj. Shumë nga këto elemente, diku me doza më të forta, diku me doza më të dobëta, ndeshen dhe në Shqipëri. P.sh., kontrolli partiak i mediave ka qenë dhe mbetet një “sëmundje” tipike shqiptare. Për më tepër, etja e madhe për fitim, pabarazia në rritje në shpërndarje, vetë abuzimet e tepruara në mjaft fusha (përfshirë dhe sigurinë në punë apo problemet e rënduara mjedisore e ekologjike), janë dëshmi konkrete të makutërisë, përfshirë dhe pritmërisë negative mbi punësimin, në humbjen (jo hapjen) e vendeve të punës nesër. Sidomos ky shqetësim po bëhet serioz për Shqipërinë, pavarësisht mega-premtimeve elektorale mbi punësimin! Pra, parë me këtë sy (realist jo surrealist!), edhe në Shqipëri, zmadhimi i tortës së fitimit për një grup shumë të vogël individësh, krahas korrupsionit, po shndërrohet në një bumerang të zhvillimit, pra dhe të rritjes së armatës së të papunëve.

DALLIM GJITHNJË NË RRITJE

Në shumë vende të zhvilluara, financimi i ekonomisë me skema të sofistikuara, sidomos futja e produkteve apo derivateve toksike, ka prekur vetë dimensionin moral të pasurimit. Absurditeti bëhet më i madh me derdhjen e kapitaleve në ekonominë virtuale, karakteristikë kjo tipike e krizës së fundit globale. Paralelisht, kalimi i skajshëm nga ekonomia industriale në atë të shërbimeve, nga epërsia e prodhimit tek ajo e financës, po prek raportet e brendshme dhe të jashtme në nivel lokal, rajonal e ndërkombëtar. Për të penguar “trashjen” e këtij procesi, duhet të “metrizohet” kreditimi, të rehabilitohen mjaft iniciativa të mëparshme planifikuese apo disiplinuese të rregullimit ekonomik. Po ashtu, ky proces me pasoja për stabilitetin ekonomik ka cenuar anën humane, vetë kohezionin social. Pasqyrë e tij, në emër të konkurrencës, janë dhe dy dinamika të kundërta (jo sociale dhe etike): 1) pagesat tepër të larta të drejtuesve në krye të bizneseve (CEO-ve) dhe 2) pagesat tepër të ulëta në nivelet e mëposhtme. Po ashtu, logjika neokapitaliste ndaj asaj së mëparshme kapitaliste ka si bosht: rritjen e përfitimit të aksionerëve në kurriz të mosrritjes së të ardhurave të prodhuesve. Por, për fat të keq, si në mjaft vende ish-komuniste, edhe në Shqipëri po thellohet diferencimi midis të pasurve dhe të varfërve; me fjalë të tjera, po ndërtohet një shoqëri e pabarabartë kastash, me tipare antisociale. Po ashtu, po kalohet nga një situatë naive oligarkike në atë të oligarkisë “hereditare”, jo patjetër të lidhur në origjinë me një veprimtari të ligjshme. Nuk mungojnë dhe prurjet me origjinë kriminale e politike-kriminale! Kjo po çon në ndryshime të mëtejshme në shpërndarjen e të ardhurave dhe të pasurisë midis anëtarëve të shoqërisë shqiptare. Madje, ky problem po e “sëmur” realisht Shqipërinë. Për më tepër, të ardhurat për frymë, lidhur me pabarazinë në shpërndarje, shfaqin aty një dallim të dukshëm në krahasim me mesataren botërore. Konkretisht, koeficienti Xhini (me vlera midis zeros, që pasqyron barazinë e plotë midis njerëzve dhe njëshit, që flet për pabarazi të plotë ku një person i vetëm ka gjithçka), që në shumicën e vendeve ndryshon në intervalin nga 0.25 në 0.6 (p.sh., Suedia ka koeficientin më të ulët rreth 0.25), në rastin e Shqipërisë, ndryshe nga llogaritje të mëparshme, vlerësohet tashmë rreth 0.60. Kjo gjë, në vetvete, e rrit probabilitetin e paqëndrueshmërisë politike, sidomos në kushtet e një klase të mesme vështirë të dallueshme dhe të një ndryshimi shumë të madh mes të pasurve dhe të varfërve.

NEVOJA PËR KONCEPTIM TË RI (JO NDRYSHIM “KOLORI”)

Pabarazia në shpërndarje është ritheksuar vitet e fundit. Kështu, industrialisti Ford (para luftës) dhe bankieri Morgan (pas luftës) kanë folur për një diferencë pagese punonjës-padron në raportin 1 me 20, deri 1 me 30 herë. Ndërkohë, sot, ky raport kap vlera 1 me 400, 1 me 600 ose deri 1 me 1000 herë. Ky ndryshim i madh, në kushtet e neoliberalizmit (neokapitalizmit) pasqyron një radikalizëm të turpshëm të hierarkisë së vlerave! Deri diku ai pasqyron dhe nuancimin midis kapitalizmit europian (kontinental) me pretendim social dhe atij të orientimit anglosakson. Në kushte të tilla, nevojitet fuqizim i zërit sindikalist; depolitizimi e departitizimi i mëtejshëm i organizimeve sindikale; kurse në kushtet shqiptare dhe shmangia e korruptimit në nivelin e tyre të drejtimit! Kjo bëhet akoma më e domosdoshme sepse hapja e liria ekonomike, vetë procesi i globalizimit, në një mënyrë apo tjetrën, prekin dhe interesat legjitime të shtresimeve të varfra, përfshirë dhe sigurinë në punë (të konstatuar qartë në rastin e aksidentit të 3 punëtorëve te HEC-i i Qafë-Mollës). Mosreagimi i fortë shtetëror (i perceptuar edhe si mbyllje sysh e mungesë vigjilence të strukturave të specializuara të shtetit, në ndonjë rast dhe korruptim të tyre) dhe ai sindikal flasin për dobësi në qeverisje dhe apati të strukturave sindikale. Prandaj, si nevojë urgjente del rimëkëmbja e sindikalizmit, fuqizimi dhe ngritja e tij në aktivitete të reja, përfshirë ato të profesioneve të lira dhe të pavarura, në organizimet në bujqësi etj. E thënë ndryshe, shtrirja me shpejtësi e koncepteve neokapitaliste kërkon dhe gjetjen e reagimeve adekuate, përpunimin e përafrimit të duhur si kundërvënie ndaj kësaj shtrirjeje. Madje, në këtë këndvështrim, në kushtet e Shqipërisë, pretendimet, brenda të së njëjtës skemë, për rilindje apo “formulat për ringjallje” duken si të pakuptimta. Nevojitet një përafrim tjetër për një të majtë me nuanca sa globale, po aq dhe lokale (po aq shqiptare). Ajo nuk duket se mund të arrihet me “këllqet” e së ashtuquajturës e majtë aktuale. Aq më tepër që mjaft pasanikë të Shqipërisë, sot, janë bashkuar e janë bërë pjesë përbërëse të grupimit socialist. Për më tepër, jo për ide! Madje, problemi po trashet në vite, sipas shprehjes popullore “Shih rrushi rrushin e piqet!” (d.m.th. dhe prishet!). Kjo pasqyrohet jo vetëm në cilësinë e sotme të Kuvendit, por, mbi të gjitha, konstatohet në mbylljen e syve para individëve me “CV” të dyshimtë! Në këtë kuptim, shkatërrimi i bujshëm i “skemës piramidale të diplomave universitare të pavlefshme” nuk është as gjë para piramidës aktuale parlamentare dhe asaj elektorale!… Pra, nisur nga evolucioni aktual në nivel botëror e lokal, si urgjencë e kohës është përcaktimi dhe organizimi i një të majte të re shqiptare. Natyrisht, duke mos lejuar apo duke shmangur çdo lloj nacionalizmi e internacionalizmi “budallenjsh”! Për të arritur aty dhe aleancat duhen parë me kujdes. Madje, duhet kërkuar një konceptim i ri mbi “qendrën” politike apo vetë “centrizmin”; aq më tepër që deri tani janë praktikuar dy projekte me qendër: “shtetin” apo “paranë”. Të dyja këto projekte, në të vërtetë, duken që kanë dështuar ekonomikisht dhe moralisht, aq më shumë në Shqipëri. Veçse, synimi e dëshira për të gjetur një zgjidhje midis këtyre dy dështimeve mund të prodhojë dhe ndonjë dështim të ri. Sepse “sinteza” e dështimeve nuk është patjetër zgjidhje, aq më pak e vërtetë. Në këtë kuptim, p.sh., nuk mund të jetë “sintezë” apo një “mes” i tillë e vërteta midis partizanëve e pushtuesve (dhe kolaboracionistëve), midis forcave të rezistencës në vende europiane dhe atyre SS, midis stalinistëve dhe antistalinistëve, enveristëve dhe antienveristëve etj. Pavarësisht se në mjaft raste vendosja në qendër (apo siç thotë populli “mesi i artë”) nënkupton kooperim e ndërthurje, qoftë dhe të natyrës pasive. Por jo patjetër që në atë “mes” ndodhet e vërteta apo zgjidhja, sepse kjo e fundit mund të gjendet kudo, pse jo dhe diku në një hapësirë tjetër,  prandaj dhe duhet zbuluar, qoftë dhe duke u shpikur ajo. Pikërisht refuzimi dje i etatizmit burokratik dhe të centralizuar apo i kapitalizmit kaotik fillestar e krijoi këtë hapësirë, veçse termi i parë i alternativës u eliminua në kohë në përfitim të hegjemonizmit të termit të dytë, që sot ka marrë një pamje tipike neokapitaliste. Prandaj, në kërkim të këtij modeli i ri, duhen ripërcaktuar pikërisht termat e alternativës. Parë me këtë sy, për të ndërtuar modelin e një neosocializmi në kushtet globale neoliberale nuk mund të kërkohet shpëtimi tek e kaluara, as nuk bëhet fjalë për kthim te social-demokracia e dikurshme apo te zhvillimi i modernitetit fals të të ashtuquajturit socializëm aktual, që në rastin shqiptar gati-gati nuk ka asgjë socialiste në drejtim e konceptim. Por, për të arritur te diçka tjetër, ku nuk ka pse të lihen mënjanë ëndrra dhe shpresa utopike të marksizmit, reformizmit, ekologjizmit, republikanizmit e liberalizmit progresiv, në mënyrë të veçantë në ballafaqimin intensiv midis humanizmit social e barbarisë individuale e kolektive.

NJERIU NË QENDËR

Në radhë të parë duhet të vendoset në qendër të gjithçkaje njeriu, vetë individi si qenie njerëzore në të gjitha përmasat e tij personale e kolektive, dhe jo shteti apo paraja, që konsiderohen tashmë si praktika të pasuksesshme. Veçse, njëlloj siç u kalua nga tribalizmi në skllavëri, nga skllavëria në feudalizëm, nga feudalizmi në kapitalizmin primar etj., në të gjitha këto transformime çdo sistem i mëvonshëm ka qenë, në fakt, një utopi e sistemit të mëparshëm. Njëlloj edhe demokracia dhe republikanizmi i sotëm kanë qenë utopi të dikurshme në situata absolutizmi, diktature ose monarkie; prandaj po rezulton i domosdoshëm përfytyrimi dhe projektimi i utopive të reja si realitete të së nesërmes. Në këtë kuptim, edhe ekologjizmi duhet të jetë një dimension i ri i vendimmarrjes politike, i një politike utopike apo alternative reflektuese të ndryshimeve të pritshme. Madje, në këtë kuptim, edhe ekologjia është politikë; por, natyrisht, jo duke ndërtuar “utopi” penguese ndaj rritjes ekonomike, as maltusianizëm reaksionar; por integrim të imperativit ekologjik të kohës me zhvillimin e qëndrueshëm. Po ashtu, dhe revolucioni, edhe pse në vetvete nuk është politikë, ai pasqyron një moment të politikës, një mjet, mënyrë e rrugë të bërjes politikë. Veçse, revolucioni si thyerje, si hop e ndryshim i shpejtë, shpesh sintetizon edhe shkatërrimin, një kthim brutal prapa; ndërkohë që një revolucion i ashtuquajtur “smart” mund të perceptohet si kompozim sistemi rreth një ideje të re në bazë të pritshmërisë dhe perspektivës. Parë me këtë sy “smart”, neoliberalizmi mund të shihet deri si një kundërrevolucion! Nga ana tjetër, opsioni i reformizmit dhe ideja e revolucionit janë shpesh të pajtueshme, sepse çdo reformizëm që synon një kompozim të ri rreth një qendërzimi të tjetër, mund të identifikohet dhe si një revolucion “smart”. Bile, një revolucion i tillë, në kuptim “kopernikan”, është tërësisht reformist në brendësinë e tij. Së fundi, për të ecur përpara nuk nevojitet patjetër pozicioni “kundër”, i cili pas njëfarë kohe mund të kthehet dhe në pengesë. P.sh., pas zgjedhjeve në kongresin e PS-së, në vitin 2005, u projektua në drejtim si pozicion ai “anti-Nano”, por shpejt u kuptua se një “armë” e tillë nuk të çonte gjëkundi në afat gjatësi. Edhe “anti-berishizmi” i sotëm pas një qeverisje njëvjeçare socialiste nuk mjafton më, ai jo vetëm është shpenzues në retorikë, por është dhe pa bukë. Ai nuk është zgjidhje, siç nuk vlen as krahasimi me të kaluarën, sepse vlerësimi në qeverisje lidhet me shkallën e realizimit të premtimeve të bëra, të dhe vetë ritmeve të zhvillimit. Por dhe këtu duhen veçuar dy nivele: alternanca dhe alternativa. E para ka bazë politike. (P.sh. sistemi ynë ka bazament kushtetues parlamentar, por ai deformohet në kohë duke u shndërruar vitet e fundit në një sistem gati kancelarik apo, më parë (deri më 1997) në atë gati presidencial. Në këtë kuptim, alternanca ka lidhje me sistemin konkret, së bashku me deformimet përkatëse me natyrë kancelarike apo ato të mëparshme me natyrë presidenciale). Kurse alternativa është një realizim konvergjencash rreth një projekti transformimesh social-politike, në kundërvënie ndaj statu quo-së. Veçse, jo për të menduar e ndërtuar një “mes të artë”; as që të luftohet ekonomia e tregut, por, mbi të gjitha, të atakohen thonjtë e neokapitalizmit në të, me rregullime e ekuilibrime me terma më të avancuar të barazisë e qytetarisë, humanizmit e solidaritetit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi