Dekretim apo refuzim/ Të gjitha ligjet që presin firmën e Nishanit

Sipas Mapo Online, 11 gusht 2014

Jo të gjitha institucionet e larta shtetërore kanë marrë pushimet. Për institucionin e Presidentit ky muaj pritet të jetë nga më intensivët, të paktën për pjesën e juristëve të këtij institucioni, të cilët do duhet që të argumentojnë dekretet që pritet të shpallë kreu i shtetit për një sërë ligjesh tepër të debatuara në momentin e miratimit nga Kuvendi. Bëhet fjalë për 4 ligje që u miratuan në seancën e fundit plenare të sesionit të shkuar parlamentar; atë për Reformën Territoriale, Për Policinë e Shtetit, ndryshimet në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”, si dhe marrëveshjen me CEZ. Megjithëse këto ligje kanë vetëm pak ditë që kanë mbërritur në tryezën e Presidentit dhe ky i fundit ka 21 ditë kohë për të vendosur për to, burime pranë tij kanë bërë të ditur se me shumë mundësi ato do kthehen për rishqyrtim në Kuvend. Kështu, sa i përket ligjit “Për miratimin e ndarjes së hartës së re territoriale të vendit”, burimet bëjnë të ditur se vendimi i kreut të shtetit do jetë refuzues, dhe kjo me argumentin se gjatë miratimit të tij nuk është respektuar e drejta e popullit për t’u pyetur. Ndërkohë që ligji “Për Policinë e Shtetit” po ashtu pritet të ketë të njëjtin fat, për shkak se në të parashikohen të krijohen institucione që dublojnë organin e Prokurorisë, siç është rasti i Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo edhe ndryshimi i mënyrës së emërimit të drejtorit të Agjencisë së Ruajtjes së Personaliteteve. Ligji i tretë që pritet të kthehet nga Presidenti në Kuvend është ai që përfshin disa ndryshime të bëra në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”. Gjatë diskutimit në parlament ai ngjalli shumë debate, sidomos sa i përket parashikimit të pezullimit të anëtarit të KLD-së kur ndaj tij ka procedim penal, apo edhe pika që parashikon momentin e shkarkimit të anëtarëve të këtij organizmi të zgjedhur nga Kuvendi. Sa i përket ligjit me të cilin u miratua marrëveshja me CEZ, argumenti që pritet të përdorë Presidenti në kthimin e ligjit në Kuvend do të jetë ai se, me anë të kësaj marrëveshjeje janë cenuar interesat ekonomike dhe financiare të shqiptarëve. Përveç këtyre katër ligjeve, mësohet se në dyshim është edhe ligji që përfshin disa ndryshime në ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”, të ndryshuar”, kjo për vetë faktin se këto ndryshime i hoqën KLD-së, pra rrjedhimisht Presidentit si kryetar i saj të drejtën e zgjedhjes së drejtorit të kësaj shkolle. Me interes pritet vendimi i Presidentit për dekretimin e ligjit me anë të të cilit u miratua Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, e cila në fakt parashikon një dublim të kompetencave në këtë fushë mes Presidentit si kryetar shtetit dhe Kryeministrit si kreu i ekzekutivit. Por, pavarësisht informacioneve që vijnë nga burimet pranë Presidentit, në mënyrë zyrtare ky institucion ka bërë të ditur dje se të gjitha nismat e mësipërme “janë duke u shqyrtuar” dhe se “do të ketë një qëndrim brenda kohës që ka në dispozicion për dekretim”. Duhet theksuar se për këto ligje, kreu i shtetit duhet të ketë minimalisht jo më pak se dy javë kohë për t’u shprehur, megjithëse ai në rast se është i bindur për argumentet që do të japë, mund ta shpallë dekretin më shpejt në kohë. Por në çdo rast, kreu i shtetit mund ta kthejë vetëm një herë ligjin për rishqyrtim, pasi në rast se Kuvendi vendos të miratojë të njëjtin variant, atëherë këto ligje kalojnë automatikisht për botim në Fletoren Zyrtare. Kthimi nga ana e Presidentit në këtë rast do të kishte vetëm efekt në vonesën e hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve, pasi për t’u shprehur dhe një herë Kuvendi do duhet të presim shtatorin, kur të çelet sesioni i ri parlamentar.

Ligjet për dekretim te Presidenti:

 Për Reformën Territoriale

Për Policinë e Shtetit

Ndryshimet në ligjin për KLD

Marrëveshja me CEZ

Për Shkollën e Magjistraturës

Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Republikës

Ligji për armët, Presidenti e kalon në heshtje

Përveç rikthimit të ligjeve për rishqyrtim në parlament, kreu i shtetit ka nisur të ushtrojë jo rrallëherë edhe të drejtën e tij të kalimit të ligjit në heshtje, si një shenjë e pakënaqësisë që mund të ketë për një nismë të caktuar, por që nuk përmbush kushtet për ta konsideruar atë të papranueshme. Pasi ka kaluar gjatë muajve të parë të këtij viti rreth 5 nisma të tilla në heshtje, Nishani duket se ka vendosur ta ushtrojë këtë të drejtë edhe në një ligj tjetër që pret prej disa javësh për t’u dekretuar në tryezën e tij. Bëhet fjalë për ligjin “Për armët”, i cili megjithëse ka plot një muaj që është miratuar në Kuvend, nuk është dekretuar ende nga Presidenti. Ky ligj që mban numrin 77, nuk gjendet në listën e ligjeve të dekretuara nga Presidenti, megjithëse lista ka shkuar deri te ligji me numër 91. Duke llogaritur afatin që nga momenti i miratimit e deri tani, si dhe faktin se ai nuk është në listën e ligjeve të dekretuara, mund të arrijmë në përfundimin se Presidenti nuk e ka ushtruar të drejtën e tij të dekretimit duke e kaluar në heshtje. Gjithsesi duhet pritur kjo javë për të parë nëse ky ligj do botohet apo jo në Fletoren Zyrtare, çka do vërtetonte se Presidenti e ka lënë atë të kalojë në heshtje. Ligji “Për armët” parashikon heqjen e të drejtës për t’u pajisur automatikisht të zyrtarëve të lartë për shkak të detyrës, si dhe u heq të drejtën forcave të sigurisë që të gjuajnë me armë në protesta.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi