Investimet e huaja dhe sfidat e shtetit shqiptar
Nga Armer Juka, botuar në Panorama Online, 8 gusht 2014
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 31 korrik 2014 ligjin që i jep fund mosmarrëveshjes tregtare më të madhe në historinë e vendit. Në këtë mënyrë, pa kaluar derën e gjykatës, merr fund saga 5- vjeçare e marrëdhënies së tendosur dhe problematike midis qeverisë shqiptare dhe shoqërisë çeke “CEZ” a.s. Shumë bojë është shpenzuar dhe do të vazhdojë të shpenzohet mbi përgjegjësitë e këtij dështimi spektakolar për të dyja palët. Përtej këtij debati legjitim, për vendin tonë shtrohet një çështje tjetër më e madhe, më e rëndësishme dhe me implikime më afatgjata. Në fund të fundit, CEZ është vetëm dosja më e famshme ndërmjet morisë së konflikteve, gjyqësore apo jo, që ballafaqojnë institucionet publike me investitorët e huaj. Përthithja e investimeve të huaja direkte është një nga detyrat dhe sfidat kryesore të çdo shteti. Investimet e huaja sjellin rritje ekonomike, punësim, zhvillim teknologjik dhe një modernizim të gjithanshëm. Mirëpo shqiptarët jo gjithmonë kanë parë këto përfitime në disa prej investimeve të bujshme të realizuara në vendin tonë. Përtej specifikave të secilit rast, një vështrim i përgjithshëm mjafton për të konstatuar pamjaftueshmërinë e masave dhe përpjekjeve të ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të garantuar suksesin e investimeve të huaja. Marrëdhënia midis një shteti pritës dhe një investitori të huaj ka shumë të përbashkëta me raportin që vendoset midis dy të dashuruarve. Në fillim është periudha e joshjes. Pas saj vjen një fazë tjetër më formale që fillon me martesën dhe vijon me jetën bashkëshortore. Nganjëherë mjerisht marrëdhënia përfundon me divorcin e palëve. Sa i takon subjektit tonë, Shqipëria ka bërë mjaft gjëra pozitive për të qenë tërheqëse për investitorët e huaj: nga shërbimet me një ndalesë për hapjen dhe licencimin e një biznesi të ri deri në vendosjen e një barre të ulët tatimore. Por, megjithëse tashmë e aftë për të fituar shikimin dhe zemrën e shumë bizneseve, Shqipëria ende nuk është pjekur mjaftueshëm sa për të përfituar maksimumin e asaj që i takon nga marrëdhënia me investitorin e huaj. Së pari, është martesa. Mënyra mbretërore për realizimin e një investimi të huaj në vendin pritës është nënshkrimi i një kontrate me autoritetet shtetërore, përgjithësisht në formën e një partneriteti publik-privat, koncesioni apo privatizimi. Është pikërisht në çastin e negocimit dhe hartimit të kësaj kontrate që përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për vitet dhe, nganjëherë, dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Sjellja e autoriteteve shtetërore nuk ka qenë gjithnjë në lartësinë e detyrës. Të lumtur si një fëmijë se një “investitor i fuqishëm” po vjen në Shqipëri, drejtuesit kanë nxituar të nënshkruajnë çfarëdolloj marrëveshjeje që i është paraqitur mbi tryezë. Rezultat i kësaj kanë qenë kontrata pa rregulla loje të qarta, të drejta dhe të ndershme. Pas martesës vjen jeta bashkëshortore. Një kompani e huaj që merr një koncesion apo që privatizon një ndërmarrje shtetërore, merr përsipër detyrime të qarta sa i përket nivelit të investimeve, punësimit, mbrojtjes mjedisore dhe të tjera. Përgjatë zbatimit të kontratave, përsëri mbikëqyrja e autoriteteve ka qenë mjaft e ulët duke toleruar mospërmbushjen e detyrimeve nga investitori i huaj. Për pasojë, njerëzit janë zhgënjyer dhe zemëruar me shumë kompani të huaja, të cilat perceptohen më tepër si plaçkitëse të pasurive kombëtare sesa si sipërmarrës që sjellin zhvillim dhe punësim. Së fundi ndodh që martesa nuk ecën dhe palët ndahen. Pavarësisht çasteve të bukura të kaluara bashkë, secila palë mbron dhe duhet të mbrojë në mënyrë egoiste interesat e saj. Gjyqet ndërkombëtare janë të gjata, të vështira dhe, nganjëherë, nervozuese. Shpesh janë në lojë vlera financiare qindra-milionëeuroshe. Të bësh arbitrazh ndërkombëtar pa organizimin dhe resurset e nevojshme njerëzore dhe financiare, është – sikundër u shpreh një avokat në një rast – “si të shkosh në luftë mbi një biçikletë me një pushkë uji kundër një ushtrie me tanke, avionë dhe automatikë”. Morali i fabulës është i thjeshtë: Investitorët e huaj kanë ekspertë të spikatur, avokatë të rrahur me vaj e me uthull dhe, shpeshherë, seli diplomatike që nuk përtojnë t’u dalin zot, me apo pa të drejtë, “të përkëdhelurve” të tyre. Nëse Shqipëria dëshiron të jetë një vend i hapur dhe i zhvilluar, nuk mund t’u shmanget këtyre realiteteve të ashpra ku pleksen pazgjidhshmërisht interesat tregtare me kalkulimet gjeopolitike. Përfaqësimi i Shqipërisë në marrëdhënien me investitorët e huaj është pjesë e “përfaqësimit të jashtëm” të vendit dhe meriton një vëmendje të ngjashme me shërbimin diplomatik. Pa një ndryshim mendësie dhe reformim rrënjësor të strukturave administrative përgjegjëse, Shqipëria rrezikon të përmbushë pa dashje ankthet e diktatorit që denonconte kërcënimin kapitalist.