Banka e të gjithëve

Nga Fatos Çoçoli, botuar në Shqiptarja.com, 7 gusht 2014

Për fat të keq, pak kush nga qytetarët tanë e njeh sa duhet funksionimin e një banke qëndrore. Misionet dhe detyrat e saj të shumta.Është e vërtetë që detyra të saj janëedhe prodhimi(printimi) i parasë kombëtare, ruajtja e gjendjes(stokut) të saj, apo grumbullimi e asgjësimi i parave letër të tejpërdorura. Kur me këto detyra abuzohet, akoma dhe më keq, vidhet një pjesë e gjendjes sëkëtyre parave, kjo është shumë e rëndë për vendin. Siguria e tij financiare preket.

Nga skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë humbim të gjithë. Pse ajo është pronë e Shtetit, dhe, si e tillë, e publikut. Duhet normalisht të jetë banka e çdo shqiptari, t’i shërbejë atij me devotshmëri, ta sigurojë atë për depozitat që qytetari mund të ketë në bankat tregtare, për vlerën e këmbimit të lekut, e me rradhë. Por a i ka kryer Banka e Shqipërisë këto detyra? Sërisht, për fat të keq, duket se banka jonë qëndrore nuk i ka kryer këto detyra, misionin më të rëndësishëm të saj.

Nuk ka qenë pranë qytetarit në asnjë rast. Në marrëzinë kolektive të shqiptarëve në piramidat financiare të viteve 1995-1997, ishte institucioni më i pagojë publik, kur duhet ta ngrinte zërin me të madhe. Dhe qytetarët humbën mbi 1 miliardë euro kursime në atë marrëzi. Në shpërthimin e krizës së përbotshme financiare e ekonomike pas tetorit 2008, banka jonë qëndrore la qetësisht që deri në mars 2009 të “mërgoheshin” nga sistemi bankar 600 milionë euro, duke mos kundërvepruar menjëherë që të rriste sigurimin shtetëror të depozitave të popullatës. Rritja nga 750 mijë lekë të reja në 2.5 milionë lekë të reja erdhi në mars 2009 si kofini pas të vjeli, pas dëmit të kryer.

Nuk uli menjëherë dhe fort interesin e parasë në treg, duke i lënë kreditë shumë të shtrenjta dhe të paafrueshme për biznesin dhe qytetarin. Lejoi bankat tregtare të bënin para vetëm duke i blerë bono thesari qeverisë, me përqindje interesi(quajtur ndryshe nivel maturimi) shumë të larta, në kurriz të kreditimit të ekonomisë dhe qytetarëve. Deri sot ka bërë shumë pak ose asfare për të ulur kostot e kalimit të parave të qytetarëve dhe biznesit nga një bankë tregtare në tjetrën. Për të shtuar fitimet, bankat tregtare i mbajnë këto kosto(përqindje mbi paratë e kaluara) ende shumë të larta, ndërkohë qëështë detyrë e një banke qëndrore t’i detyrojë bankat e nivelit të dytë që t’i ulin këto kosto shërbimi bankar.

Banka e Shqipërisë, banka jonë qëndrore i ka lejuar bankat tregtare filiale të bankave të huaja të kalojnë çdo vit para të depozituesve shqiptarë në bankat e tyre mëma, në nivele miliarda euro. Kur këto para është në të mirë të ekonomisë sonë të qëndrojnë këtu dhe të shndërrohen në kredi për biznesin dhe qytetarët. Disa llogaritje jo-zyrtare tregojnë se në tre vitet më të vështira të krizës(2009-2012) rreth 5 miliardë euro i ikën vendit kësisoj. Vetëm vitin e kaluar Banka e Shqipërisë “u kujtua” të rrisë fondin e sigurimit të parave të eksportuara jashtë nga bankat tregtare, si masë për të vështirësuar dërgimin e depozitave jashtë vendit. Kreditë e këqija po i marrin frymën sistemit bankar dhe Banka e Shqipërisë rri e vështron, pa asnjë veprim konkret për të zhbllokuar gjendjen.

Nga moskryerja e detyrave të tilla dhe shumë të tjerave gjatë gjithë këtyre viteve, ekonomia jonë dhe të gjithë ne kemi humbur ndoshta me dhjetëra herë më shumë para se sa të 7 milionë dollarët e vjedhur nga Thesari i Shtetit në Linzë. Dikush ose disa duhet të ndihen përgjegjës për këto veprime dhe mosveprime në dëm të interesave të vendit dhe të qytetarit. Është koha që një strukturë që duhej të ishte e përgjegjshme për fatet financiare të vendit, si Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë, ta thoshte të vetën. Ta thoshte troç se ligji për Bankën e Shqipërisë i vitit 1997 është i vjetëruar dhe duhet përmirësuar ndjeshëm. Se detyra qëndrore ligjore e bankës qëndrore nuk duhet të jetë vetëm kontrolli i inflacionit, por ruajtja me fanatizëm e qëndrueshmërisë monetare e financiare të vendit.

Se pavarësia e kësaj banke qëndrore në caktimin e pagave dhe shpërblimeve të drejtuesve të saj dhe të vetë anëtarëve të Këshillit nuk duhet të shkelë me këmbë ndjeshmërinë popullore për nivelin e pagave publike. Se ligji duhet të ndryshojë dhe të mos jetë vetë Banka që edhe të caktojë, edhe të shpërblejë audituesin e saj të jashtëm të pavarur. Por si mund ta bëjnë këtë anëtarë të Këshillit të Bankës së Shqipërisë, kur secili prej tyre merr shpërblim e dieta nga Banka më shumë se sa një ministër i Shqipërisë?! Kur Guvernatori paguhet në vit tri herë më shumë nga ç’merr Presidenti i Republikës?! Si munden këta t’u bëjnë atentat parave që fusin në xhepat personalë? Atëhere, do të duhet dikush tjetër ta bëjë.

Personalisht ndjej keqardhje për shqetësimin në formën e gati linçimin publik të anëtarëve të familjes së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, për shkak të përgjegjësive të tij publike. Por kjo gjendje me Bankën e të gjithë neve duhet të ndryshojë një orë e më parë. Kuvendi në mbledhjet e tij të para të shtatorit 2014, duhet të kërkojë me ngulm rishikimin e ligjit të Bankës së Shqipërisë të vitit 1997, si një ligj që ka kontribuar ta nxjerrë këtë bankë publike jashtë moralit publik, si një ligj që nuk e detyron bankën qëndrore t’i shërbejë qytetarit dhe ekonomisë së vendit , ashtu si një bankë e tillë duhet t’i shërbejë. Nëse nuk e bën këtë, Kuvendi, jo vetëm struktura drejtuese e Bankës së Shqipërisë, duhet të llogarisë indinjatën dhe zemërimin popullor për sjelljen jashtë moralit publik të bankës qëndrore të vendit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi