Antikushtetutshmëria e hartës qeveritare
Nga Artan Hoxha, botuar në Mapo Online, 7 gusht 2014
DISKRIMINIMI – CENI ME I RENDE ANTIKUSHTETUES I HARTES QEVERITARE
Harta qeveritare me 61 …bashki u miratua me forcën e kartonit të supermaxhorancës së përforcuar dhe me pesë votat e PDIU. Ndërsa komisioni parlamentar dhe seanca plenare u morën goxha me çështjen e ca fshatrave në zonën Delvinë-Sarandë apo me çështjen “Himara” të sajuar reciprokisht nga PS-PBDNJ për propagandë patriotike, çështjet e qindra fshatrave, dhjetëra komunave e komuniteteve qeveria dhe supermaxhoranca e saj i trajtoi cekët dhe njëanshmërisht.
Ndërsa e nisi me idenë e shndërrimit të 36 rretheve të sotme në 36 superbashki, qeveria ndërroi befas kurs, shkëputi nga këto 36 rrethe 22 pjesë dhe përfundoi me 58 bashki, pa llogaritur ato 3 minoritare. Ndërsa 58 qytetet-bashki të sotme i përcakton si qendrat administrative të superbashkive të reja që krijohen nga bashkitë e sotme me ca komuna përreth, 7 prej 65 qyteteve-bashki të sotme harta qeveritare ua mohon këtë mundësi.Ç’kanë më shumë Maliqi, Roskoveci, Libohova, Këlcyra, Poliçani, Ura Vajgurore, Cërriku, Përrenjasi, Selenica, Klosi, Fushë-Arrzi dhe të tjera qytete që zgjerohen me komuna dhe bëhen bashki të reja krahasuar me Fushë-Krujën, Sukthin, Rubikun, Mamurrasin, Levanin, Orikumin, Leskovikun, që nuk u jepet kjo mundësi?
Pse Divjaka me disa komuna ndahet nga Lushnja dhe Velipoja me disa komuna jo? A nuk janë të dyja këto zona mjaft të ngjashme e me potencial për turizëm e bujqësi? A nuk ka ngjashmëri mes Maliqit e Belshit dhe Maqellarës e Zadrimës? Shembuj të tjerë kam dhënë në shkrime të mëparshme dhe janë dhënë edhe nga të tjerë, ndaj nuk po zgjatem, por krahasime të këtilla mund të bëhen për të 22 bashkitë e hartës qeveritare që iu shtuan variantit me 36+3 bashki dhe t’u gjesh të paktën 22 raste të tjera të ngjashme, komuniteteve të të cilave iu mohua mundësia të vetëqeverisen. Qeveria i zbatoi si deshi, sa deshi e ku deshi kriteret kushtetuese “të nevojës dhe interesit të përbashkët ekonomik dhe të traditës historike”, që janë baza për caktimin e kufijve (neni 108/2) e, për pasojë, komunitetet që i plotësojnë këto dy kritere po aq, në mos më shumë e më mirë se disa të tjera, nuk do të vetëqeverisen. Këto komunitete u diskriminuan dhe ky është ceni më i rëndë antikushtetues i hartës qeveritare.
KUSHTETUTA NJEH BASHKI DHE KOMUNA – HARTA QEVERITARE VETEM BASHKI
Ekzistenca e njëkohshme e bashkive dhe komunave si njësi bazë të vetëqeverisjes vendore (neni 108/3) nuk është lajthitje gjuhësore e Kushtetutës. Çështja e termit bashki apo komunë është ngritur në atë kohë. Komisioni parlamentar për Kushtetutën u pyet pse dy terma sinonime. Përgjigjja ka qenë se dy termat, ndonëse sinonime nga këndvështrimi gjuhësor, janë përdorur në periudha të gjata historike për dy realitete të ndryshme, respektivisht urban dhe rural, dhe ruajtja e të dy termave shpreh njohjen e këtyre dy realiteteve e pra, edhe të së drejtës vetëqeverisëse të komuniteteve përkatëse.
Në ligjin organik për qeverisjen vendore bashkitë dhe komunat kanë edhe funksione e kompetenca të njëjta – qofshin këto ekskluzive, të përbashkëta apo të deleguara – edhe disa funksione e kompetenca të ndryshme që diktohen nga dy realitete të ndryshme. Sa për ilustrim: në fshat zgjidhet kryeplaku dhe kryesia e fshatit, pasi fshati, si rregull, është komunitet historik, ndërsa në lagjet e qyteteve administratorët emërohen nga kryetari i bashkisë, pasi lagjet e qyteteve, si rregull, ose nuk kanë identitet historik, ose ky ka humbur; komunave u janë deleguar funksione si ujitja/kullimi bashkë me pronësinë mbi sistemin vendor të këtij rrjeti apo role të caktuara në zhvillimin bujqësor e atë pyjor bashkë me pronësinë apo administrimin e aseteve përkatëse, e kjo s’ka kuptim për qytetet-bashki të sotme, përveçse kur përfshijnë edhe zona rurale, ndërkohë që këtyre (jo të gjithëve) u janë deleguar disa role e funksione specifike për zonën urbane.
Natyrisht që Kushtetuta nuk ndalon bashkimin në një njësi qeverisëse të një qyteti me disa fshatra dhe bashkime të këtilla kemi edhe sot, por harta qeveritare me 61 bashki fut gjithçka në një thes dhe iu kërkon 61 superkomuniteteve të merren me gjithçka. Çështja bëhet problematike veçanërisht në rastin e qyteteve të mëdha, të cilave iu shtohen edhe hapësira shumë të gjera rurale. Kështu, bashkisë së re Tiranë, që shtrihet në lindje deri në Shën Gjergj prapa malit të Dajtit, në jug deri në Kërrabë e në perëndim deri në Pezë, do t’i duhet të merret edhe me çështjet tipike të një komuniteti heterogjen dhe të madh metropolitan, edhe me çështjet tipike të komuniteteve thuajse homogjene, me identitet historik dhe interesa ekonomike kryesisht bujqësore. Kjo do ndodhë edhe me Elbasanin, Shkodrën, Fierin, Korçën, Vlorën, Beratin, Durrësin. Afërmendsh që bashkime të këtilla hartografike, të pamenduara apo të keqmenduara, do të prodhojnë pasoja negative, disa të imagjinueshme që sot e të tjerat ende të paimagjinueshme. Njëherazi kemi të bëjmë edhe me antikushtetutshmëri të hartës qeveritare për këtë shkak. Vetëm bashki apo bashki dhe komunë nuk është çështje termi, por çështje e lidhur me të drejtën për t’u vetëqeverisur të komuniteteve, kufijtë territorialë të të cilëve përcaktohen “mbi bazën e nevojave e të interesave të përbashkëta ekonomike dhe të traditës historike” dhe ky parim, me koherencë, shfaqet edhe në përdorimin e dy termave nga Kushtetuta për dy realitete – urban e rural – realitete të cilat, ndonëse në disa raste mund të bashkohen, në mjaft raste të tjera janë të pabashkueshme mes tyre në një njësi të vetme vetëqeverisëse.
HARTA QEVERITARE E BEN DE FACTO TE PAKUPTIMTE EKZISTENCEN E QARQEVE QE NJIHEN DE JURE NGA KUSHTETUTA
Që nga viti 2000 kur u krijuan për herë të parë 12 këshillat e qarqeve dhe administrata e tyre e deri më sot, roli i qarqeve ka mbetur i dobët dhe i paqartë, ndërkohë që Kushtetuta shprehet po aq qartë për rolin e tyre sa edhe për bashkitë dhe komunat (neni 110/2). Gjatë gjithë këtyre viteve qarqet janë rrekur të gjejnë hapësirë veprimi, por nga poshtë ajo u zu nga roli i mirëpërcaktuar i 65 bashkive dhe 308 komunave e nga sipër nga roli i mirëpërcaktuar i ministrive dhe degëve të tyre territoriale. Më në fund qarqet kanë arritur të gjejnë një farë roli koordinues për komunat përbërëse, pra fare modest e sa për të justifikuar minimalisht ekzistencën dhe rolin e tyre kushtetues, ndërkohë që, me orientim të qeverisë qendrore, qarqet frynë tej mase administratat e tyre dhe buxhetet.
Sa për bashkitë e mëdha e të mesme të sotme, këto as që kanë dashur e as që duan t’ia dinë se ekziston një organ vendor me emërtim qark, pasi nuk ia kanë nevojën dhe i konsiderojnë qarqet barrë dhe pengesë. Kur në kushtet e sotme me 65 bashki dhe 308 komuna mezi u arrit një farë roli për qarqet, mendoni se sa pa kuptim do të bëhet roli i 12 qarqeve në kushtet e 61 superbashkive, të cilat natyrshëm do të kërkojnë më shumë kompetenca se ato të sotme, ndërsa 12 qarqet, që ruhen nga harta qeveritare siç janë aktualisht, do të vazhdojnë më kot të punësojnë njerëz e shpenzojnë fonde.
Edhe sikur qarqet të bëhen 4-5, kjo jo vetëm nuk e zgjidh problemin, por edhe e komplikon atë. Një zgjidhje do të ishte delegimi në qark i kompetencave që sot ushtrohen nga drejtoritë rajonale të ministrive, por s’do të ketë vullnet për këtë, siç nuk ka pasur gjithë këto vite, ndërsa kjo kërkon edhe ndryshim të Kushtetutës lidhur me përgjegjësitë ekzekutive të ministrit (neni 102/4). Për shkak të këtyre lidhjeve mes çështjeve u sugjerua që në fillim, krahas hartës, një reformë e plotë decentralizuese që ndryshon edhe qeverisjen vendore, edhe qeverisjen qendrore. Natyrshëm, e gjitha kjo kërkon ndryshime kushtetuese. Ndaj, harta qeveritare me 61 bashki, nëse nuk do të shoqërohet me ndryshme kushtetuese, do ta bëjë të pakuptimtë ekzistencën e qarqeve, për rrjedhojë, iu mohon de facto këtyre institucioneve të drejtat kushtetuese aktuale duke e bërë hartën qeveritare antikushtetuese edhe për këtë shkak.
SONDAZHET DHE TRYEZAT QEVERITARE NUK JANE MARRJE E MENDIMIT TE POPULLSISE SIPAS KUSHTETUTESE
diskutuar dhe e miratuar në vitin 1998, Kushtetuta njohu gjendjen e ndarjes administrative të asaj kohe që daton që më 1992 dhe është në fuqi, me fare pak ndryshime, edhe sot, pra me 65 bashki dhe 308 komuna. Këtë ndarje njohu edhe ligji organik i qeverisjes vendore i vitit 2000 si produkt konsensual i Strategjisë konsensuale Kombëtare për Decentralizimin. Në këtë ligj zbërthehet në detaje përcaktimi kushtetues i marrjes së mendimit të popullsisë që banon në to si i domosdoshëm para ndryshimit të kufijve (neni 108/2) si dhe të grupeve të ndryshme të interesit dhe të institucioneve të ndryshme, nën qeverinë apo të pavarura prej saj.
Duke njohur ndarjen aktuale me 65 bashki dhe 308 komuna dhe me këto përcaktime mbi procesin e ndryshimit të kufijve, Kushtetuta dhe ligji organik, më së pari kanë parasysh një ndryshim konkret e rast-për-rast të kufijve, si një ngjarje e rrallë në kohë e si përjashtim nga rregulli. E, ndërsa bëhet fjalë për kalim fshatrash nga një komunë në tjetrën apo për bashkime të dy a disa komunave, gjerësia dhe thellësia e konsultimeve, e ballafaqimit të opsioneve, e shprehjes së pozicioneve dhe argumenteve të grupeve të ndryshme pro dhe kundër ndryshimit të kufijve janë në përmasa të mëdha. Detyrimi për këtë gjerësi dhe thellësi konsultimesh në çdo rast konkret, të veçantë e të rrallë që i paraprin vendimmarrjes së Kuvendit me 84 vota, është garancia më e fortë dhe më e vërtetë mbi qëndrueshmërinë e kufijve vendorë – parim ky thelbësor i Kushtetutës dhe i Kartës Europiane për Autonominë Vendore – dhe jo thjesht 84 vota të Kuvendit, të cilat mund të arrihen edhe pa bërë fare konsultime të këtilla, duke bërë gjoja konsultime, apo konsultime të cekëta, të ngushta e të nxituara. Në fakt, ka vende europiane që nuk e kanë fare kushtin e një votimi me shumicë të cilësuar të ligjit territorial nga parlamenti i tyre, e kjo s’do të thotë se parimi europian i garancisë së kufijve dhe ndryshimit të tyre vetëm pasi është marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në është i pambrojtur në këto vende. Natyrisht, Kushtetuta nuk pengon kryerjen edhe të një reforme të njëkohshme në të gjithë territorin, por me kushtin që gjerësia dhe thellësia e konsultimeve me çdo komunitet të jetë e njëjtë sikur ndryshimet të bëheshin rast-përrast, veçmas dhe të shtrira në kohë, përndryshe do të humbte tërësisht kuptimi kushtetues i garancisë së kufijve vendorë, pasi me taktikën e ndryshimit në front të gjerë të kufijve e me konsultime në dukje voluminoze në tërësinë e tyre, por të ngushta e të cekëta për secilin rast e komunitet të veçantë do të anashkalohej garancia kushtetuese për konsultime të gjera e të thella rast-për-rast.
Me fjalë të tjera, kur ndryshon njëherazi kufijtë e 373 bashkive dhe komunave, metodat, instrumentet, volumi i punës së kryer për marrjen e mendimit të popullsisë në secilën njësi, debati i zhvilluar dhe vëmendja e dedikuar për çdo njësi vendore duhet të jenë po aq sa të konsiderohet i kryer në përputhje me Kushtetutën në rastin kur do të ndryshohet kufiri vetëm mes dy komunave. I gjithë procesi qeveritar zgjati 10 muaj, por nga tetori deri në fund të prillit u fol vetëm në parim, me propagandë të shfrenuar dhe mbi asgjë konkrete. Pesë variantet konkrete të hartave qeveritare, nga ai me 27+3 deri tek ai me 60+3 bashki, patën më pak se një muaj jetë përgjatë majit dhe u diskutuan shpejt e ngushtë vetëm brenda maxhorancës e në ndonjë seminar aty-këtu.
Dy variantet bazë të qeverisë, me 36+3 dhe 44+3 bashki, iu shpërndanë për mendim bashkive dhe komunave në fillim të qershorit me një shkresë të thatë e një hartë nga pas, si dhe për këto dy variante u bë një sondazh përgjatë gjysmës së dytë të qershorit dhe gjysmës së parë të korrikut. Në dy-tri javët e fundit të korrikut, bazuar në interesat politike dhe pasi perceptoi rrezikun e kundërshtisë masive, qeveria kapërceu si pehlivani te varianti me ekstrem dhe diskriminues i saj, ai me 63 bashki, variant i hedhur në kosh e që mbeti i pakonsultuar, nga i cili eliminoi dy dhe, me 61 bashki, e miratoi hartën më 31 korrik në Kuvend. Për këtë variant u bë me nxitim edhe një mikrosondazh orientues vetëm për 14 bashkitë shtesë mbi variantit me 47 bashki.
Sondazhet treguan se 14+8 komunitetet e pyetura preferonin shumë më tepër ndarjen më të vogël krahasuar me variantin bazë qeveritar me 36+3 bashki. Mbi 20 komuniteteve të tjera, me diskriminim, nuk iu dha një mundësi e këtillë për t’u shprehur përmes këtij sondazhi. Debati parlamentar u fokusua vetëm në disa fshatra me minoritet grek apo komunitet çam, si dhe për çështjen e stisur “Himara”, ndërkohë që mbi 20 komunitete, të informuara cekët e në minutë të fundit, dolën në protesta, por për këto as që u kujtua ndokush në Kuvend e le më për shumicën e heshtur që me siguri nuk di gjë se ç’po ndodh konkretisht me kufijtë e bashkisë/ komunës së tyre. Në rastin më të mirë, konsultimet qeveritare u kryen sa për të konfirmuar vendimet e paracaktuara, dhe jo për të marrë mendimin e popullsisë së 65 bashkive dhe 308 komunave, të gjitha të përfshira në ndryshimin e kufijve.
Kuptohet qartë se sa të cekëta, sa të ngushta, sa përjashtuese, sa të deformuara e sa të manipuluara ishin konsultimet e kryera nga qeveria për hartën me 61 bashki, duke rënë ndesh me parimin bazë e garantues të Kushtetutës për qëndrueshmërinë e kufijve dhe detyrimin e marrjes paraprakisht të mendimit të popullsisë që banon në secilën njësi të sotme vendore. Këto katër cene kushtetutshmërie dhe pasojat negative e të rënda që ato do të sjellin e shndërrojnë këtë hartë nga historike në antidemokratike. Harta duhet ribërë me metodën e duhur për një qeverisje vendore që sipas nenit 13 të Kushtetutës, “ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore”.
NENET REFERUESE NË KUSHTETUTË
Neni 13
Qeverisja vendore në Republikën e Shqipërisë ngrihet në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore.
Neni 108, pikat 2 dhe 32.
Ndarjet administrative- territoriale të njësive të qeverisjes vendore caktohen me ligj mbi bazën e nevojave e të interesave të përbashkëta ekonomike dhe të traditës historike. Kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë me parë mendimi i popullsisë që banon në to.3. Komuna dhe bashkia janë njësi bazë të qeverisjes vendore. Ato kryejnë të gjitha detyrat vetëqeverisëse, me përjashtim të atyre që me ligj u jepen njësive të tjera të qeverisjes vendore.
Neni 110, pika 22.
Qarku është njësia ku ndërtohen e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore.
Neni 102, pika 44.
Ministri, brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë….