Si duhet gjykuar Banka Qendrore?

Nga Besart Kadia, botuar në Mapo Online, 6 gusht 2014

Shqipëria ka hyrë në krizën e saj të parë reale në rolin që duhet të ketë Banka Qendrore në të ardhmen dhe raportin e saj me publikun dhe politikën. Krizë kjo, që në mënyrën sesi do të zgjidhet, do të ketë pasoja jo për një guvernator, por për politikat ekonomike të vendit tonë në vitet që vijnë. Ndaj, nxitimi kolektiv në trajtimin e Bankës Qendrore si një institucion si gjithë të tjerët, me kërkesën për dorëheqje, me akuza personale apo jo, do të ketë pasoja afatgjata për reputacionin dhe efikasitetin e politikave monetare në vend dhe për pasojë në mirëqenien e të gjithëve ne. Shpesh thuhet se Banka Qendrore është shumë e pavarur dhe ajo abuzon me fuqinë që ka dhe për këtë arsye Parlamenti duhet të ndërhyjë për ta ndaluar këtë, sidomos kur mendojmë për vjedhjen e bërë nga disa punonjës të Bankës Qendrore.

Në mungesë të një tradite të mirëkonsoliduar të politikave monetare, publiku i gjerë nuk e di se çfarë dështimesh kanë ndodhur në vitet 1960-1970 me politikat monetare në SHBA apo Europën Perëndimore kur politikanët, në mënyrë konsistente, mendonin se në kohën kur papunësia ishte e lartë dhe politikat fiskale ishin të ezauruara, atëherë mundej dhe duhej të shfrytëzohej ulja e normës së interesit apo rritja e sasisë së parasë në ekonomi për të stimuluar rritje të ekonomisë. Por ky besim fals se Banka Qendrore mund të ndikonte në papunësi dhe rritje ekonomike, çoi në fakt në papunësi të lartë dhe në norma të larta të inflacionit në fund të viteve 1970.

Në teoritë e ekonomisë në fakt fiton Friedman dhe dekada e 1980-ës shërbeu për të konfirmuar  idetë e tij se, inflacioni është gjithnjë një fenomen monetar dhe impakti i tij në ekonominë reale është i shkurtër, dhe së dyti, ndërmjetësimi i politikanëve në politikat ekonomike do të çonte medoemos në inflacion të lartë. Sipas Friedmanit, e vetmja gjë që duhej të bënte Banka Qendrore ishte kontrolli i inflacionit dhe jo ekonomia reale. Kjo pikëpamje është edhe rekomandimi monetarist për raportet Bankë Qendrore–qeveri, ku përderisa Banka Qendrore është e aftë të kontrollojë vetëm inflacionin, atëherë ajo duhet të jetë e pavarur nga qeveria, që i bën presion për të stimuluar në mënyrë të përhershme ekonominë.

Studime të ndryshme tregojnë se sa më të pavarura të jenë Bankat Qendrore nga politika, aq më e ulët është norma e inflacionit në një vend dhe pavarësia e një banke qendrore është e bazuar kryesisht në karakteristikat ligjore të statutit të saj si më poshtë: Së pari, pavarësia është më e lartë kur drejtuesit kryesorë të bankës janë të mbrojtur nga presioni politik, në sensin e pavarësisë së emërimit dhe kohëzgjatjes në detyrë. Së dyti, pavarësia e Bankës Qendrore është më e lartë kur qeveria nuk mund të anulojë vendimet e politikës monetare apo të marrë pjesë në vendimmarrje. Së treti, pavarësia është më e lartë kur mandati ligjor e përcakton qartë objektivin për politikën monetare. Së katërti, pavarësia (sidomos ajo financiare) është më e lartë kur ligji kufizon financimin e qeverisë nga Banka Qendrore.

Vendet në zhvillim, ku futet edhe Shqipëria, kanë bërë progres të padiskutueshëm drejt pavarësisë ligjore të bankave qendrore, por duhet bërë kujdes që pavarësia të mos minohet nga presionet qeveritare. Kështu, Banka Qendrore e Polonisë e ka indeksin total të pavarësisë afërsisht 0.9 (të lartë) e megjithatë, guvernatori i kësaj banke ka patur raste që është sulmuar me pa të drejtë nga qeveria.

Pavarësi, por deri ku?

Pavarësia e Bankës Qendrore nuk duhet të bjerë ndesh me kërkesat për llogaridhënie institucionale dhe personale në një shoqëri demokratike. Rasti i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Italisë, z. Antonio Fazio, është shumë instruktiv. Në vitin 2005, Antonio Fazio u hetua për lidhje jo të ligjshme në një marrëveshje për shkrirje bankash private. Meqë evidenca u përforcua bindshëm, u kërkua dorëheqja e tij nga disa personalitete italiane dhe europiane. Megjithatë, sipas ligjit, Guvernatori i Bankës së Italisë ka të drejtë të qëndrojë gjithë jetën në detyrë. Dorëheqja u dha eventualisht, por ky rast solli në vëmendje se pavarësia më e lartë seç duhet mund të bëhet mburojë e korrupsionit.

Në dilemë të tillë është dhe publiku vendas, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale, protestave, thirrjeve për ndërhyrjen e politikës, po tregon se ata janë të frikësuar se pavarësia që gëzon sot Banka e Shqipërisë në përzgjedhjen e stafit, në pagat ndaj punonjësve të saj etj., ka çuar në një mburojë ndaj korrupsionit dhe favorizime, të cilat mund të lejojnë drejtuesit e saj të kalojnë të pandëshkuar. Publiku me të drejtë revoltohet se si një njeri i vetëm të mund të arrinte të vidhte në katër  vite  afërsisht 7 milionë dollarë dhe kërkon që politika të ndërhyjë për të larguar drejtuesit e Bankës Qendrore. Por për analogji, njëzet vite të shkuara, në vitin 1994, në Mbretërinë e Bashkuar, katër punonjës të Bankës së Anglisë kishin katër vite që vidhnin monedha me thasë nga Banka Qendrore me vlerë totale 800 mijë dollarë. Banka e Anglisë denoncoi punonjësit dhe gjykata vlerësoi se ata duhet të ripaguanin Bankën Qendrore me interes për dëmin e shkaktuar, duke evidentuar dështimet në sistem dhe forcuar masat që të mos përsëritej në të ardhmen.

Në të vërtetë, çështja e llogaridhënies së bankave qendrore të pavarura, është zgjidhur qoftë duke kufizuar mandatin, qoftë duke kërkuar llogaridhënien e tyre ndaj publikut. Në Shqipëri, qeveria i ka caktuar Bankës së Shqipërisë objektivin e inflacionit prej 3% dhe i ka lënë në dorë vetëm instrumentet e politikës monetare. Pra Banka ka vetëm “pavarësi instrumentesh” dhe jep llogari para publikut dhe qeverisë për performancën e politikës monetare. Gjatë krizës më të fortë të vitit 2008, publiku ynë hyri në panik të përhapur nga mediat që çuan, në mënyrë krejt të papërgjegjshme, gati në panik bankar që do të kishte pasoja të parikuperueshme në rast se BSH nuk do të kishte ndërhyrë në kohë me lehtësimin e kreditimit ndaj bankave të nivelit të dytë si dhe ndryshimet ligjore për mbrojtjen e depozitave. Që atëherë, pavarësisht rënies së remitancave nga 1.1 miliard euro në 420 milionë euro, kursi i këmbimit ka mbetur stabël, duke sjellë besueshmëri dhe rritur konfidencën te tregtarët dhe investitorët vendas. Norma e inflacionit gjithashtu ka mbetur në objektiv, ndryshe për shembull nga sa mund të themi për Serbinë, e cila vetëm vitin e shkuar e kishte normën e inflacionit afërsisht 10%. Raporti i fundit i Progres-Raportit të Qershorit 2014 nga Komisioni Europian, thotë se stabiliteti makroekonomik është i garantuar falë politikave të duhura monetare të Bankës Qendrore.

Të gjitha këto tregojnë se Banka Qendrore i ka arritur objektivat dhe funksionin e saj për të garantuar stabilitet financiar dhe monetar të vendit. Nëse ka ndonjë gjë që duhej të irritonte me të drejtë turmat do të ishte në atë rast kur Banka do t’i devijonte këtij funksioni, gjë që nuk ka ndodhur. Sulmet e fundit, të pafundme nga media, politika apo publiku ndaj guvernatorit aktual të Bankës nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë gërryer besueshmërinë ndaj institucionit më të rëndësishëm ekonomik në vend. Në rast se politika përgjigjet me presione ndaj Bankës Qendrore, siç ka ndodhur në vende të tjera, atëherë ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse kërkojmë të ndikojmë në politikat ekonomike pikërisht nga ata politikanë prej të cilëve ne duhet të ruhemi. Nëse është evidentuar një vjedhje në këtë institucion, kjo përbën një vepër penale dhe ndëshkimi ndaj atyre që kryen këtë krim duhet të jetë i shembullt për të tjerë. Por histeria e sulmeve ndaj individit dhe familjes së atij që përfaqëson institucionin e Bankës së Shqipërisë nuk është aspak për një shoqëri të qytetëruar dhe mature (e cila pret me durim akuzat e prokurorisë dhe vendimet e gjykatës), por përkundër i sjellin asaj vetëm dëm me dëshirën për të bërë vetë gjyqtarin dhe prokurorin në këtë çështje, që provokon padashur destabilitet. Kjo tendencë për revolucione morale të bën të mendosh që dëshirojmë të qeverisemi nga pushteti popullor dhe jo nga pushteti ligjor.

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi