Letër e hapur për 140 deputetët e Parlamentit

Nga Romeo Gurakuqi, botuar në Panorama Online, 31 korrik 2014 

Të nderuar përfaqësues,
Sot, ju deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, jeni thirrur për të votuar disa ligje të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe interesat e publikut të gjerë, ligje që kanë të bëjnë me vendosjen e disa themeleve të administrimit të ardhshëm, përforcimit të themeleve të sigurisë publike dhe krijimit të strukturave bazë të përfaqësimit. Siç po ndodh rëndom në këtë vend, janë projekte që në vend që të arriheshin me pjekuri, maturi dhe konsensus të gjerë, po ofrohen me ngut, pa konsultim të rretheve të specialistëve, pa një zemërgjerësi dhe largpamësi ndaj popullit dhe komuniteteve krahinore dhe fetare, në kushtet e mungesës së opozitës, që jeton në një botë të sajën, jashtë realitetit të popullit opozitar.
Projektet ju janë paraqitur në ditët më të rënda që po kalon besimi i publikut te shteti, kur ka ndodhur një prej skandaleve më të rënda financiare në institucionin që duhej të ishte më i sigurti i këtij vendi, 35 ditë pas vrasjes së njeriut më të rëndësishëm të financës shqiptare, vrasje që frikësoi jo vetëm popullin e thjeshtë, por para së gjithash atë dhe ata që do të duhet të mbronin qytetarin, shtetin dhe liritë, në një ditë kur pushteti i tretë i këtij vendi, Drejtësia, është vënë dhe po tentohet të mbahet nën domen nga një dorë e padukshme që kontrollon numrat e pozitës dhe opozitës, ekonominë e vendit, kontrollin shtetëror të pasurisë dhe që përcakton deri edhe mënyrën e votimit dhe rezultatet spektakolare të kolegjeve gjyqësore, votimeve parlamentare, një dorë që bën sikur ndërmjetëson mes palëve, por që fshehtas gllabëron lirinë dhe ligjin, një dorë që ka paracaktuar deri edhe mënyrën se si do të duhet të ndahen zonat administrative të Shqipërisë.
Nuk duhet të harroni se një shtet me demokraci dhe liri të deformuar, marrë për t’u qeverisur, do të mund të fillonte të korrigjohej me promovimin dhe fillimin e zbatimit të një tërësie reformash në sistem. Të gjithë ne, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, kemi pritur me ankth këto 300 ditë:
1. Një reformë konstitucionale që do të përforconte demokracinë parlamentare, operimin e shtetit të se drejtës, që do të ndihmonte  trajtimin barabar para ligjit të  të gjithë shtetasve, të ndante e kontrollonte pushtetet në mënyrë të pavarur.
2. Një reformë të partive politike që do t’i transformonte ato nga organizata klienteliste dhe familjare, në parti të mirëfillta demokratike, pa konflikte interesi.
3. Një reformë administrative që do t’i zbuste dhe eliminonte gradualisht dallimet krahinore, do të respektonte komunitetet etnografike tradicionale, do të zbuste shpërndarjen e pabarabartë të pasurive dhe hapte poret zhvillimore të xhepave të varfërisë të një “Shqipërie tjetër”, të panjohur për Tiranën zyrtare dhe ndoshta për pjesën më të madhe të juve aty.
4. Një plan të qartë për reformimin e sistemit të drejtësisë, jo përmes vënies së këtij sistemi nën kontrollin e Ekzekutivit apo Legjislativit, që kanë ndërtuar një piramidë shkëmbimi interesash në shtet, por përmes hapjes së rrugëve për ndryshim të burimeve njerëzore, ndryshimit të elitave të Drejtësisë me njerëz të rinj me patentë të qartë të sigurisë dhe pasurisë, dhe shmangies së konfliktit të interesave mes familjarëve në dy ose tre pozita të larta në shtet.
5. Një vendosje serioze nën garancinë publike të transparencës së institucionit të kontrollit të pasurisë dhe institucionit të kontrollit financiar shtetëror.
6. Një reformë të shërbimit policor, të shërbimit të hetimit policor që do të duhej të përqendrohej në modernizimin, informatizimin, rritjen e aftësisë së hetimit shkencor dhe kontrollit elektronik të territorit, duke shkurtuar numrin e policëve në terren, por duke rritur forcën reaguese të forcave të specializuara policore, në mbrojtje të jetës së qytetarit, institucioneve shtetërore dhe biznesit.
7. Një vendosje nën kontroll e sistemit bankar qendror dhe dytësor, përmes mbylljes së të gjitha kanaleve dhe mundësive të pastrimit të parave të krimit të organizuar.
8. Një rimëkëmbje të ekonomisë përmes nxitjes së biznesit, eliminimit të klientelizmit, përforcimit dhe jo dobësimit të klasave të mesme, nxitjes së prodhimit bujqësor dhe sidomos atij blegtoral, dhe një seri politikash sociale etj. E radha e prioriteteve mund të vazhdonte edhe më tej.
Por kjo ka qenë radha e veprimeve të menduara nga ne, publiku me ideal kombëtar e shpresë, për të pasur një rilindjeje ideale të Shqipërisë europiane. Kjo sepse grupimi politik socialist erdhi me premtimin për shkatërrimin e “regjimit të një kaste oligarkësh”, “për ripërtëritjen e demokracisë, lirisë, ndërtimit të një shteti për të gjithë”, nën ligj dhe liri, me kauzën e europianizmit dhe të një shteti serioz gjithëpërfshirës, të reformave të thella strukturore, konstitucionale, ekonomike, politike, krahinore dhe, mbi të gjitha, me divizën e vendosjes së rendit publik.
Mirëpo u çuditën që në fillesë, sepse nga pikëpamja e njësisë politike u nisën ta bëjnë një hap të tillë me një pjesë të kastës së oligarkëve të pushtetit të djeshëm, madje pjesën më të korruptuar dhe më antishtet dhe sërish mendojnë se janë duke e bërë dhe mund ta bëjnë. Nga pikëpamja e taktikave politike dhe reformative, hapat e ndërmarrë janë një shmangie nga një linjë e studiuar liberiste dhe liberale. Zakonisht, në vendet e demokracisë liberale qeveria ndërhyn në tregun e lirë për ta çliruar atë nga prirjet monopoliste dhe duart e padukshme të së keqes. Ajo çfarë vërehet sot nuk është shkatërrimi i monopoleve klienteliste, për t’i dhënë frymëmarrje dhe barazi shansesh të gjithë tregut, sa ndrydhja e tregut në tërësi dhe zhvendosja e dorës monopoliste; ajo çfarë vërehet sot nuk është aq kontrolli rigoroz i politikave fiskale, monetare dhe bankare, sa përpjekja për ta zhvendosur establishmentin pararendës financiar drejt vetes, pa kontrollin e ligjshmërisë së brendshme të këtij sistemi, pa dashur të kuptojnë shmangien e saj në pararendje, gjë që u pasua me ngjarje të jashtëzakonshme, kërcënuese për sigurinë financiare të vendit. (Edhe pse në dukje bëjnë sikur nuk kuptojnë, ata më 26 qershor dhe më 26 korrik kanë kuptuar gjithçka: kanë kuptuar limitet deri ku duhet të shkojnë, rrugicat nga duhet të ecin, hapësirat bulevardeske nga nuk duhet të orientohen. Shteti nga këto ditë është operues deri në një nivel të caktuar nga baza e shoqërisë, përtej të cilit nuk do të duhet të ngjitet dhe ka frikë të ngjitet. Ata do të duhet të jenë vetëm interpretë të botës së padukshme dhe asnjëherë dhe kurrë më ëndërrues të përfaqësimit të njëmendtë të botës së publikut shqiptar). Në pikëpamje të politikave fiskale, në vend të stimulimit të klasave të mesme, ndodhi e paimagjinueshmja: rikthimi i kërkesës maksimaliste të Robespierit dhe e jakobinëve për tatimin progresiv të të ardhurave dhe pasurisë, e pangjashme për një demokraci liberale bashkëkohore, por e denjë për Francën revolucionare të viteve 1792-1794. Në pikëpamje të respektimit të lirive individuale, duke rendur pas nevojave të militantizmit politik majtist, krahinor, familjar dhe klanor, u kopjuan taktikat e viteve 2011-2014 të qeverisë demokratikase: u shkatërrua konsensusi pararendës i arritur me sponsorizimin e BE, për krijimin e një administrate profesioniste, u pezulluan kodet ligjore, u tentua të veprohej në mënyrë antikushtetuese, duke krijuar një zinxhir të pafund thyerjesh të administratës, trazimesh të jetës qytetare dhe intelektuale, duke rritur rëndë tensionet sociale në vend, tensione që vazhdojnë t’i peshojnë mbi krye Shqipërisë në krizë ekonomike. Ju të nderuar deputetë të pozitës politike zyrtare, nuk duhet të harroni se sovraniteti pozitar mund të ushtrohet vetëm brenda disa kufizave të caktuara, të cilat nuk mund t’i shkapërceni mbasi aty është e mishëruar LIRIA për të GJITHË, e garantuar nga Kushtetuta.
Për fat të keq, sërish po ndodh i njëjti cikël që përsëritet çdo rifillim pushtetesh në Shqipëri: e gjithë propaganda parazgjedhore për rindërtim shtetëror dhe korrigjimi të parametrave të demokracisë dhe lirisë, përmes reformave kushtetuese dhe demokratizuese, çmontohet shumë shpejt, në të kundërtën: në krijimin e një qeverie të mbyllur, me këndvështrime sektare, klienteliste që zëvendëson gradualisht klientelën e krijuar nga pararendësja, duke përthithur pjesët fluide të paraardhëses, duke krijuar rishtazi segmentin e vet të pushtetit, i cili, në qoftë se nuk është në gjendje të gllabërojë menjëherë hapësirën e klientelës pararendëse, përpiqet të zhvendosë gjithnjë e më në periferi atë, dhe punon për përforcimin e hapësirës së vet sunduese në vend, duke kontrolluar të gjitha pushtetet. E kemi parë këtë qartësisht, me kristalizim gjithnjë e më të qartë në segmentet kohore 1994-1997, 1999-2005, 2007-2013. Po e shohim edhe sot, në një mënyrë shumë më të kamufluar, por në një përmasë të frikshme për Shqipërinë, në ditët kur ajo do të duhej të gëzohej më shumë së asnjëherë për shkak të pozicionit të ri në Europë.
Qytetarët e thjeshtë të këtij vendi jetojnë në një realitet që nuk arrin të perceptojë dot botën e politikës, të pushtetit dhe të opozitës, të përzierë me biznesin e madh, monopolistët, një pjesë të medias dhe bankat: një botë që urren lirinë, ligjin, rregullin, seriozitetin, përparimin e vendit, deformon leximin e kushtetutës, lejon cenimin e laicitetit të shtetit përmes mosveprimit ose veprimit të fshehtë, sfidon nevojën për reformim konstitucional, hesht përballë vrasjeve të njerëzve shumë të rëndësishëm të pakicës së biznesit serioz, qytetar dhe intelektual, frikësohet përballë më të fortëve të mafies regjionale dhe shfren gjithë inatin vetëm ndaj njerëzve të varfër të këtij vendi që çdo ditë  mendojnë të largohen nga sytë këmbët nga kjo Republikë e pabesë e injorantëve dhe e oligarkëve.
Kjo botë e përforcuar nën pushtetin demokratikas-integrist, që ka qenë më tipiku deri tani në ushqimin e një shkatërrimi të tillë të pangjashëm të demokracisë, lirisë, ligjit, rendit, sistemit të drejtësisë, krijimit të klientelave, konfliktit dhe trafikut të interesave, zhbalancimit institucional dhe deformimit të demokracisë në përgjithësi, po përjeton një moment risistemimi në rrethanat e reja kur pjesa integriste e pushtetit të djeshëm është rimodeluar serish në pushtetin socialist pas shtatorit 2013, dhe ka ruajtur e zgjeruar hapësirën e vet të ndikimit në shtet. Ky proces risistemues dhe rishpërndarës ka rezultuar i dhunshëm dhe tragjik për shkak të nevojave për të mbajtur pushtet dhe për të krijuar pushtet, hapësirë dhe linja dhe struktura të reja që shkatërrojnë ose mënjanojnë të vjetrat.
Oligarkia e djeshme krijoi rrethe të mbyllura, duke shmangur konkurrencën e lirë, veçoi një pjesë të popullit nga përfaqësimi duke ndërtuar një sistem zgjedhor proporcional regjional, shkëputi përfaqësuesit e popullit nga interesat publike. E njëjta gjë po ndodh edhe sot, madje me një intensitet dhe me vendosmëri jakobiniste në njërin segment të pushtetit dhe krejtësisht e ashpër dhe pa rregulla logjike për arsye thjesht klienteliste, në segmentin tjetër të pushtetit. Produkt i gjithë këtij kaplimi është heshtja, frika, indiferentizmi i imponuar, manipulimi propagandistik.
Të nderuar deputetë, është e vështirë të përcaktohet sot me saktësi çfarë ndodh në pushtetin e sotëm, përderisa transparenca është e pacertifikuar dhe opozita ndodhet nën gjumin e kontrolluar. Por indikacionet strukturore tregojnë se brenda maxhorancës aktuale ka një dyzim të qartë strukturor, programor, domenial dhe një operim me standarde plotësisht diferente në projektimin administrativ, përgjegjshmërinë ndaj publikut, krijimin e kulturës shpjeguese ndaj sjelljeve dikasteriale.
Mbyllja e sesionit e gjen vendin në një ditë të vështirë: reforma kushtetuese, ajo e partive politike dhe e sistemit zgjedhor të harruara; reforma e sistemit të drejtësisë e mbetur në tentativë dhe e impostuar në kahun e kundërt me parimin themelor të shtetit të së drejtës; reforma policore, ajo e Byrosë Nacionale të Hetimit dhe ajo e Gardës Kombëtare, e kontrolluar me një pikatore të fshehtë përmes një ish-kryehetuesi të diktatorit dhe e shtrënguar të mbetet vetëm në nivelin e ndërrimit të stafeve dhe stimulimit të përgjegjësisë, por pa njohur as shkëndijën e parë të modernizimit, dixhitalizimit dhe forcës së reagimit të shpejtë. Forca e ndryshimit policor është kufizuar vetëm në një sukses të dukshëm të luftës kundër prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, kontrollit në një masë të madhe të territorit, seriozitetit të shefit të dikasterit të punëve të brendshme dhe një liste varësish seriozë, por efikasiteti dhe reagimi i shpejtë, zbulueshmëria e krimeve të rënda dhe mbrojtja e jetës së qytetarit janë ende larg dhe kanë nevojë për mbështetje financiare urgjente. Logjika qeverisëse më ngjan të jetë logjika e një optimumi të mjaftueshëm minimalist, e kontrollit të disa parametrave themelorë të programit, pa u futur në rrugën e zhbërjes së ekonomisë informale, pa filluar procesin e korrigjimit të hapësirave të kontrollit të pastrimit të parave, kontrollit të transfertave bankare, kontrollit të pasurisë së zyrtarëve. Ngjan më shumë të jetë një përpjekje për të kontrolluar mundësinë e hapit dhe vendosjen e një kontrolli mbi shtetin për arsye grupi, me shumë se sa për arsye të interesave të  përgjithshme publike.
Nga ana tjetër, me kauzën e shkatërrimit të politikës së djeshme të forcës po sendërtohet një pol i ri selektiv i forcës dhe kontrollit të gjerëve në shtet, jo aq në shërbim të publikut, sa në shërbim të përforcimit të shtyllave të mbajtjes së strukturës aktuale governative. Reforma administrative për të cilën sot, ju të nderuar deputetë, jeni thirrur për të votuar, është një prej shtyllave deformuese të botës shqiptare dhe e elektoratit të cilin përfaqësoni, që nesër do ta deformojë edhe më tej demokracinë, përfaqësinë dhe do të mbajë më tutje në heshtje lirinë e pakicave. Që Shqipëria të mund të bëhet një demokraci dhe një shtet i vërtetë europian duhet të ndërtohen kushtet që e mundësojnë, mbrojtjen dhe përfaqësimin më të mirë të pakicave, në të gjitha hallkat e administratës, Legjislativit, diplomacisë dhe qeverisjes, mbasi këto janë provat më të sigurta se një vend është i lirë, gjë që ndryshimi administrativ i projektuar, orvatet ta vdesë.
Mirëpo ka pak përpjekje serioze për të dalë nga shoqëria konfliktuale drejt shoqërisë konsensuale. Demokracia e shumicës e kuptuar si tirani e shumicës është një keqkuptim i madh i të gjithë majtistëve shqiptarë që e kanë qeverisur këtë vend për 23 vite, që bëjnë vazhdimisht gjithçka për kontrollin e të gjitha pushteteve, duke shkelur mbi ndarjen e institucioneve. Politika introverse e veprimit dhe e lojës së pushtetit të mbyllur brenda rrethit strikt të majtë dhe ultra të majtë, këshillimi mbi një optikë bardh e zi, karakteristikë e ekstremizmit në përgjithësi dhe veçanërisht e tipit të ekstremizmit të majtë që prodhoi ky vend në vijimësi edhe gjatë post diktaturës, po mbetet edhe më tutje një karakteristikë e jetës sonë politike. Përgjithësisht pushtetet në këtë vend janë armiqësuar me realizmin, të vërtetën dhe mbi të gjitha me kritikën dhe oponencën konstruktive, jo partiake, dhe kjo do të thotë të dëmtosh edhe demokracinë dhe të shkurtosh afatin e qeverisjes tënde mbi binarët e lirisë dhe interesit të publikut, t’ia dorëzosh vendin kastës së oligarkëve, njëlloj sikurse dikur iu dorëzuan fashizmit liberalët italianë në vitet 1920.
Të nderuar deputetë të shumicës, është në nderin tuaj sot të ndaloni veprimin mbi forcën e kartonit, sidomos për projektligjin mbi reformën administrative dhe këtë duhet ta bëni për interesat e stabilitetit të Shqipërisë së nesërme, interesat e Shqipërisë së varfër, elektoratit që ka pritur një tjetër qasje teknike, e cila do t’i hapte rrugët e zhvillimit jo përmes kursimit të 75 milionë dollarëve në vit, por përmes investimit të 1 miliard dollarëve në vit për zhvillimin e Dukagjinit, Kurveleshit, Mirditës, Himarës, Malësisë së Gjakovës, Shpatit, Malësisë së Madhe dhe Lunxhërisë, Pogonit, Hasit, Lumës, Gollobordës dhe Dropullit etj., si njësi administrative të njohura nga projektligji, që sot ua mohon me dinakëri.
Të nderuar deputetë të opozitës, ajo çfarë ju përfaqësoni është, as më shumë dhe aq më pak, por vetëm një organ sovran i popullit, po aq vital sa edhe qeveria. Ndaj vendi juaj sot është në Parlament për të mbrojtur jo kauzën e partisë suaj të dëmtuar rëndë, por kauzën publike, që është nën kërcënim. Reforma administrative kështu e ndërtuar do jetë shkatërrimi i jetëve të njerëzve të varfër të Shqipërisë, krahinave më të varfra, mohimi i të drejtave të komuniteteve krahinore dhe kulturore, një ndarje që do përjetësojë kastat e djeshme dhe ato të sotme. Ndaj qenia e juaj sot larg sallës së Parlamentit është tërësisht e pajustifikuar, e padrejtë dhe përkundrejt interesave të një Shqipërie tjetër. Ju duhet të ndalni sot pushimet e Parlamentit dhe do të duhet të kërkoni që ky institucion të vijojë punën gjatë muajit gusht për zgjidhjen e administrimit të vendit, kontrollin e njëmendtë të sistemit të drejtësisë nga ligji, kontrollin e financave dhe Bankës Kombëtare që skandalizoi shoqërinë dhe dëmtoi imazhin e Shqipërisë europiane. Këtë ju duhet ta bëni duke bashkëpunuar me pjesën idealiste dhe shteformuese të pozitës. Shqipëria sot është e sëmurë rëndë ndaj Parlamenti nuk mund të pushojë me tre kartonë të ngritur, ndërkohë që publiku pret reagim demokratik për shkak se Respublica dergjet.

*Universiteti Europian i Tiranës. Instituti i Historisë Bashkëkohore


Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi