Kuvendi miraton Strategjinë e Sigurisë Kombëtare
Kuvend, 31 korrik 2014
Sot Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 84 vota (në mungesë të opozitës) projektligjin “Për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë” (Teksti i Plotë i Strategjisë)
Hartimi i SSK-së është ndërtuar mbi një proces ndërinstitucional, gjithëpërfshirës dhe të hapur, gjatë të cilit janë analizuar me hollësi të gjitha elementet përbërëse të sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Gjatë këtij procesi është marrë në shqyrtim tërësia e avantazheve krahasuese të Republikës së Shqipërisë, dobësive të saj institucionale, mundësive që i ofrohen vendit nga mjedisi strategjik aktual dhe rreziqeve që i kanosen atij, duke i vendosur ato në një projeksion dhjetëvjeçar, sa parashikohet të jetë jetëgjatësia e vetë SSK-së. Njëkohësisht, janë konsultuar një mori materialesh të ndryshme, ku përfshihen strategjitë e vendeve të tjera të rajonit dhe NATO-s, dokumente zyrtare të prodhuara nga institucionet e Republikës së Shqipërisë, analiza të organizatave think-tank, shqiptare dhe ndërkombëtare, si dhe dokumente strategjike të organizatave ndërkombëtare, të hapura e të klasifikuara.
Gjithashtu, gjatë hartimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, 2014, grupi ndërinstitucional i punës është konsultuar me Qendrën e Studimeve për Çështjet e Sigurisë Evropiane “George C. Marshall”. Kjo e fundit ka mbështetur duke dhënë sugjerime për metodologjinë e hartimit të SSK-së dhe për strukturën e dokumentit.
Tipar themelor i dokumentit është orientimi i qartë drejt veprimit. Kjo qasje pasqyrohet në vendosjen e tetë “domosdoshmërive strategjike”, të cilat do të orientojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë gjatë dekadës së ardhshme. Zbatimi i tyre nga institucionet shtetërore është me rëndësi themelore për arritjen e qëllimeve të kësaj strategjie.
Qasja e re në zbatimin e SSK-së, 2014, që sjell ky dokument është proaktive dhe e integruar, çka pritet që të garantojë ndërveprueshmërinë e të gjitha institucioneve të vendit. Në këtë kuadër, është e domosdoshme që sistemi i sigurisë kombëtare në Republikës së Shqipërisë të konceptohet, të planifikohet dhe të financohet si një i tërë. Përmbushja e këtij objektivi kërkon ndryshime ligjore dhe institucionale, ndërmarrja e të cilave përbën pjesë integrale të zbatimit të kësaj strategjie