Rrotacioni politik dhe Thesari i Shtetit
Nga Eduard Zaloshnja, Blog, 18 korrik 2014
Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, në Thesarin e Shtetit u futën mbi 2 herë më shumë lekë sesa në të njëjtin 6-mujor të para një dekade. Në 2014-ën, të ardhurat e 6-mujorit të parë ishin 175 miliardë lekë, krahasuar me 86 miliardë të 2004-ës. Ky dyfishim i të ardhurave është i kuptueshëm, sepse gjatë kësaj dekade, është rritur ndjeshëm vlera nominale e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Por sidoqoftë, nuk është i shpjegueshëm vetëm me PBB-në. Sepse rritja 10-vjeçare e vlerës nominale të PBB-së (rritje që përmbledh si rritjen reale edhe inflacionin) ka qenë vetëm 70%. Në fakt, në qoftë se rritja e të ardhurave në Thesarin e Shtetit do të kishte ndjekur thjesht rritjen e vlerës nominale të PBB-së, në 6-mujorin e parë të këtij viti, në të nuk do të futeshin 175 miliardë lekë, por vetëm 145 miliardë.
Që të analizohet dyfishimi i të ardhurave në Thesarin e Shtetit gjatë dekadës së fundit, duhen zbërthyer zërat e detajuar të tyre dhe analizuar një nga një. Por një analizë e tillë nuk është objekt i këtij shënimi. Ndërlidhja statistikore e të ardhurave shtetërore me ndryshimet politike, siç e nënkupton edhe titulli, është në fakt objekti i shënimit.
Për t’i bërë të krahasueshme shifrat e rritjes së të ardhurave nga viti në vit, i kam zhveshur ato nga ndikimi i rritjes nominale të PBB-së. Kështu , p.sh., në qoftë se rritja bruto e të ardhurave në një vit të caktuar ka qenë 15% dhe rritja e PBB-së ka qenë 5%, atëherë rritja neto e të ardhurave (për shkaqe politiko-administrative) ka qenë 10%.
Në vitin 2005, rritja bruto e të ardhurave të 6-mujorit janar-qershor, krahasimisht me një vit më parë, ishte 9%, ndërsa rritja neto ishte zero. Në 6-mujorin e parë të 2006-ës (pas rrotacionit politik), rritja bruto , krahasimisht me një vit më parë, ishte 13%, ndërsa rritja neto ishte rreth 5%. Deri në qershorin e 2013-ës, pati vetëm ulje neto të të ardhurave 6-mujore – madje në 6-mujorin e parë të 2013-ës, pati edhe ulje bruto prej 5%. Përjashtim bën periudha janar-qershor 2008, kur hyri në fuqi paketa e re fiskale e qeverisë Berisha. Në atë 6-mujor, patëm rritje të të ardhurave bruto 28% dhe neto 17%, krahasuar me një vit më parë.
Në 6-mujorin e parë të 2014-ës (pas rrotacionit politik), u rikthye përsëri rritja e të ardhurave në Thesarin e Shtetit – si bruto edhe neto. Kështu, gjatë këtij 6-mujori u futën bruto 14% më shumë lekë në Thesarin e Shtetit (mesatarisht 1.2 milion dollarë në ditë), krahasuar me një vit më parë, ose mbi 10% neto.
Ndërlidhja statistikore e të ardhurave shtetërore me ndryshimet politike del qartazi në pah nga kjo seri e thjeshtë kohore e 6-mujorëve të parë të dekadës së fundit. Pas rrotacionit politik të 2005-ës, administrata tatimore-doganore e rifreskuar solli një rritje neto 5% të të ardhurave 6-mujore. Pas futjes në fuqi të paketës së re fiskale në 2008-ën, pamë një rritje neto 17% të të ardhurave 6-mujore. Dhe pas rrotacionit politik të 2013-ës, shoqëruar edhe me ndryshimin e paketës fiskale, pamë një rritje neto 10% të të ardhurave në 6-mujorin e parë të këtij viti.
Nëse e shkuara përsëritet në të ardhmen, rritja dramatike e të ardhurave do të vazhdojë deri në fund të 2014-ës — bash si në 6-mujorin që sapo kaloi. Paskëtaj, mund të regjistrohet një rritje graduale, që thjesht do të ndjekë rritjen nominale të PBB-së — ndoshta deri në rrotacionin e rradhës…