FMN: Rritje e qëndrueshme ekonomike
Raporti i FMN, 24 korrik 2014
Viti që po mbyllet dhe dy vitet e tjera në vazhdim parashikohen me rritje të qendrueshme progresive të ekonomisë shqiptare.
Raporti më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për “Perspektivën Ekonomike Globale”, parashikon që vendi ynë do të mbetet në nivelin e rritjes ekonomike 2 për qind, parashikim i dhënë dhe nga institucionet tona financiare. Por ky është një sinjal pozitiv për vendin tonë, duke patur parasysh treguesit e rritjes globale në këtë raport që shihen me një tendencë rënëse, sidomos në vendet me të cilat ne kemi shkëmbime tregtare. Sipas treguesve të raportit rigjallërimi në 2% në vitin 2014, vjen dhe si shkak i rishikimit të parë të marrëveshjes së zgjeruar me Shqipërinë dhe kërkesën për modifikimin e kritereve të performancës. Duke vlerësuar këtë ecuri, raporti citon se në vitin 2015, ekonomia do të zgjerohet me 3.3%, për t’u përshpejtuar më pas mbi 4%, duke filluar nga viti 2016.
Megjithatë parashikimet optimiste të FMN-së zbehen nga Banka Botërore e cila ngre si shqetësimin nivelin e lartë të borxhit publik. Aktualisht ky borxh është në shifrën e 72 përqindëshit të Prodhimi Kombëtar, ndërkohë që për BB, niveli i duhur duhej të ishte 40 përqind.
Zona e euros, rimëkëmbja e dobët
Rimëkëmbja në zonën e euros mbetet e dobët, dhe inflacioni mbetet shumë i ulët. Parashikimet e FMN-së për zonën e euros mbeten pothuajse të pandryshuara, 1.1% për vitin 2014 dhe 1.5% për vitin 2015. Megjithatë këto shifra fshehin diferencat midis vendeve. “Në thelb, ne i kemi rritur parashikimet tona për Gjermaninë, dhe i kemi ulur për Francën. Në periferi, i kemi rritur parashikimet tona për Spanjën, dhe ulur për Italinë”, thekson raporti. Që rimëkëmbja të forcohet, Eurozona ka ende nevojë për një veprim të fortë në të dy anët, atë të kërkesës dhe furnizimit: Në shumicën e vendeve të euros, normat e papunësisë e kalojnë së tepërmi vlerën e tyre të ekuilibrit, dhe inflacioni në mbarë euron është shumë i ulët. Kështu, politikat nga ana e kërkesës janë shumë të rëndësishme. Teksa ekziston një hapësirë e vogël fiskale, politika monetare duhet të vazhdojë të mbështesë aktivitetin. Masat e fundit të ndërmarra nga Banka Qendrore Evropiane janë të mirëseardhura. Është shumë herët për të vlerësuar efektet e tyre, dhe në qoftë se inflacioni vazhdon të mbetet i ulët, do të duhen të merren parasysh edhe më shumë masa. Politika monetare nuk mundet gjithsesi të zgjidhë gjithçka e vetme. Rishikimi i cilësisë së aktiveve aktualisht nëproces në bankat evropiane është shumë e rëndësishme për rivendosjen e besimit ndaj bankave, si dhe në përmirësimin e ndërmjetësimit. Dhe duke u fokusuar përtej kufizimeve të kërkesës, duhet të ndërmerren masa strukturore për të rritur normat shumë të ulëta të rritjes. Këto masa ndryshojnë midis vendeve, duke variuar nga reformat për të rritur punësimin mes të rinjve, tek masat që rrisin konkurrencën në sektorët jo të tregtueshëm, e deri tek shpenzimet për infrastrukturën.
Rritja globale, parashikimi ulet me 0.3 për qind
Sipas raportit, parashikimi i rritjes globale për vitin 2014 u ul me 0.3 për qind në 3.4 për qind, duke reflektuar si ecurinë e tremujorit të parë të dobët, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe një perspektivë më pak optimiste për disa tregje në zhvillim. Me një rritje disi më të fuqishme që pritet në disaekonomi të përparuara vitin e ardhshëm, parashikimi i rritjes globale për vitin 2015 mbetet në 4 për qind. Rritja botërore pritet të ‘rigjallërohet’ nga tremujori i dytë i vitit 2014, teksa disa nga nxitësit që theksojnë dobësitë e tremujorit të parë të tillë si korrektimi i inventarit në Shtetet e Bashkuara, duhet të ketë vetëm efekte të përkohshme, dhe të tjerët duhet të neutralizohen nga politika, duke përfshirë edhe Kinën. Por pengesat e tremujorit të parë do të neutralizohen vetëm pjesërisht. Rreziqet mbeten një shqetësim, thekson raporti. Rritja e rreziqeve gjeopolitike ka të ngjarë të rrisë më tej çmimet e naftës. Rreziqet e tregut financiare përfshijnë norma më të larta afatgjata të SHBA-së nga sa pritej dhe rikthimin e përhapjes së rrezikut të kohëve të fundit dhe ‘tkurrjen’ e paqëndrueshmërisë. Rritja globale ka gjasa të rezultojë më e dobët për më gjatë, duke marrë parasysh mungesën e ‘vrullit’ të fuqishëm në ekonomitë e zhvilluara pavarësisht normave shumë të ulëta të interesit dhe lehtësimit të masave të tjera të rimëkëmbjes. Në disa nga ekonomitë më të mëdha në zhvillim, efektet negative të rritjes së kufizimeve nga ana e ofertës dhe shtrëngimi i kushteve financiare gjatë vitit të kaluar ka të ngjarë të zgjasin më shumë. Në shumë ekonomi të zhvilluara dhe në zhvillim, reformat strukturore janë urgjentisht të nevojshme për të mbyllur boshllëqet e infrastrukturës, forcojnë produktivitetin, dhe nxisin rritjen potenciale.