Në një qeverisje normale ka si suksese, ashtu dhe dështime
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 14 korrik 2014
Të mos na e robërojë zemrën mburrja, paraja, pushteti
Me një fjali sa të thjeshtë, po aq njerëzore, Papa Françesku na këshillon: “Të mos na e robërojë zemrën mburrja, paraja, pushteti”. Natyrisht, për paranë dhe pushtetin nuk ka nevojë për komente e shembuj; ato janë të shumtë dhe të përditshëm kudo në botë, por ato janë po aq tipikë dhe të vrazhdë edhe në Shqipërinë e sotme. Por, edhe historia për mburrjen nuk është e paktë! Kështu, p.sh., dy mijë vjet më parë, mburrja më e madhe e kohës ishte ajo e sintetizuar në fjalinë e thjeshtë: “unë jam qytetar romak” (“civis romanus sum”). Deri diku, sot, këtë lloj mburrje, edhe pse shumë më pak të tretshme dhe të pranishme në sistemet demokratike, e ndeshim tek politikanë e përfaqësues të ndryshëm në sjelljen, veprimet, pohimet e tyre. Për çudi, nuk mungojnë rastet kur mburrja shfaqet edhe tek politikanë e qeveritarë të ndonjë vendi me përmasë e popullsi modeste, me probleme serioze në qeverisje, sidomos në ruajtjen dhe mbrojtjen e kohezionit social brenda tij. E tillë është, p.sh., mburrja e disa qeveritarëve kryesorë maqedonas për shtypjen me forcë të protestave të shqiptarëve në ngjarjet e fundit në Maqedoni! Kurse, në Shqipëri, mburrjes së përfaqësimit të “një milion shuplakave” po i shtohet, në administratë, edhe thënia: “unë jam një rilindës”!…
Në përgjithësi, lëvdatat, vetë-lëvdatat dhe mburrjet e përsëritura janë shpesh shprehje apo mishërim i kompleksit të inferioritetit. Njerëzit me të vërtetë të aftë, përfaqësuesit politikë dhe shtetërorë me kapacitete reale nuk mburren apo nuk kanë pse të mburren për sukseset e tyre. Për ta flasin, sigurisht, jo llafet, por veprimet dhe rezultatet konkrete të arritura. Për më tepër, kur teprohet me vlerësime apo shtohen mburrjet për një rezultat të arritur, perceptimi dominues që krijohet është ai i pasigurisë dhe dobësisë, për veten dhe vlerën e punës së bërë. Nuk është e rastit shprehja se “pak maja e mbrun gjithë brumin”.
A ka dështime?!
Edhe pse tranzicioni shqiptar, ka qenë tejet i stërzgjatur dhe me ngërçe të pajustifikueshme, ai, përgjithësisht, është shoqëruar me mburrje të pakuptimta nga të dy krahët e politikës. Ndërkohë, Serbia, që vonoi proceset demokratike në Ballkan dhe gjakosi popujt e ish Jugosllavisë, përshpejtoi procesin e integrimit europian, duke arritur në dyert e BE-së para Shqipërisë. Kaq mjafton për të mos u marrë më shumë me mburrjet dhe dështimet e qeverisjeve, në historinë shqiptare të pluralizmit, qofshin ato si “suksese përmbysëse” në 300 apo 100 ditët e parë, apo si “ndryshime parimore” në muajt e parë apo ditët e parë të qeverisjes. Në fakt, vetë shifrat e “teknologjisë digjitale” të mbulimit lidhen ngushtë me mburrjen, lëvdatat dhe vetë-lëvdatat.
Pra, mburrja dhe vetë-lëvdatat kanë qenë e mbeten, jo pak, karakteristika tipike të qeverisjeve shqiptare, apo të daljeve publike të përfaqësuesve të tyre, madje, në media apo blogje të komanduara prej tyre, janë përdorur edhe “cilësorë” me peshë të historisë e krenarisë kombëtare e botërore. Disa nga këto veçori i ndeshim dhe tek qeverisja aktuale, sidomos tek administrata e saj. Konkretisht, mburrja ndjehet gjatë prononcimeve maratonike (më të gjatat në historinë e pluralizmit), ndërhyrjeve e fjalimeve të përditshme, deklarimeve e reagimeve në kuvend, në konferenca të llojllojshme, në panele të mirë organizuara apo të sajuara, në dalje për çështje sekondare, në opinione në media të mirë orkestruara, në vlerësime të ndryshme në media sociale si Facebook, Twitter etj. Madje, po të kërkohet dhe të analizohet me kujdes, vlerësimet e bëra mbi procese e zhvillime që nuk ecin si duhet, ose ato u vishen qeverive të mëparshme, si dështime e gabime, si mangësi e mossuksese, ose ato lihen në harresë dhe nuk përmenden fare. E thënë ndryshe, në përgjithësi, nuk parapëlqehet ose nuk pranohet as dhe dështimi më i vogël në qeverinë aktuale. Për më tepër, as mund të imagjinohet që të pranohet diçka e tillë dhe në një të ardhme të afërt; përndryshe do të ndihej dhe ndryshimi. Ky është dhe një modelim nga sipër!…
Por jo vetëm rozë!
Të paktën në publik (me përjashtim të një mesazhi të kapur, por të mohuar), shefi i qeverisë e sheh vetëm “bardh” punën e ministrave. Mesa duket, ai as nuk ka menduar, as nuk ka guxuar të mendojë për ndryshime të domosdoshme në kabinetin qeveritar. Kjo, edhe pse ndjehen bllokimet, “gjumi”, “hapja e gojës” apo “fërkimi i syve” në mjaft sektorë!…
Po e nisim me sigurinë publike, që u shoqërua me ndërhyrjen e suksesshme dhe pa viktima në të ashtuquajturën “kështjellë” të Lazaratit. Në paraqitjet kryeministrore apo ato të ministrit të brendshëm ngrihet në qiell puna e këtij dikasteri, pra dhe e policisë me të cilën ka ndodhur përmbysja, kurse, nga ana tjetër, nuk pranohen aty ndryshimet e konsiderueshme numerike. Po ashtu, ndërkohë që flitet vetëm për suksese policore dhe ritëm rilindjeje, dështimet e mossukseset, ngathtësia e mosveprimi, vonesat dhe të metat iu vishen ose drejtuesve të mëparshëm, ose prokurorive e gjykatave. Në këtë kuptim, hyrja në Lazarat ishte një shprehje apo mishërim vullneti politik, por fuqia e cilësia, kapaciteti e maturia për pjesën tjetër të veprimtarisë policore mbetet shqetësuese si dhe më parë. Edhe respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut mbetet një problem tjetër, veçanërisht çështja e respektimit të së drejtës së jetës, që cenohet dhe nga gjuha “tekanjoze” e politikës, shpesh dhe e epërme e saj.
Në rastin e ndryshimeve të pritshme në arsim, edhe pse ka reagime të rëndësishme të universiteteve publike dhe trupave akademikë të tyre, në shumicën e rasteve ato lihen mënjanë. Madje, tentohet të harrohet apo të mos vendoset qoftë edhe ndonjë pikëpyetje minimale e tyre për reformën e propozuar, pikërisht kur universitetet private flasin në “superlativa”. Tamam, sikur kjo reformë jonë është përgatitur nga kolosë të mendimit universitar botëror apo sikur ajo do t’i shërbente Finlandës apo ndonjë vendi të ngjashëm me të! Kjo, edhe pse më parë, mjaft specialistë me zë në fushën e arsimit dhe shkencës, në grupin e partisë për programin mbi reformën arsimore kanë polemizuar në opozitë me tezat kryesore të qeverisjes “Berisha”, që duken si jo pak të huazuara në rastin konkret.
Edhe Ministria e Shëndetësisë, apo shërbimi shëndetësor pretendojnë se kanë bërë çudira, ndërkohë që pakënaqësitë e ankesat ndeshen çdo ditë, orë e minutë në gojën e qytetarëve. Me probleme rezulton dhe çmimi i ilaçeve, ndërkohë që janë rriten shqetësimet për cilësinë reale të tyre.
Po të njëjtën stil mburrje e vetëlavdërimi e ndeshim dhe tek ministri të tjera, apo tek drejtori kryesore të shtetit. P.sh., me tepricë janë panelet e deklaratat për cilësinë e re të kushteve të pushimit, apo për rolin dhe intensifikimin e vetë turizmit, sidomos për të reduktuar varfërinë dhe për të fuqizuar ekonomitë individuale dhe ato lokale. Por, a po ndodh kështu? Dëshira mund të jetë e tillë, por, ama, ose mungojnë ndërhyrjet serioze të qeverisë qendrore, ose ato, edhe pse nuk janë penguese, nuk mund të klasifikohen fare si mbështetëse. P.sh., a mund të quhet mbështetëse qeveria për turizmin në Pogradec? A mund të justifikohet ajo, sot, pas afro një viti në qeverisje, me situata që gjenerojnë “depresion”, si në rastin e rrugës tepër të dëmtuar dhe tejet të “pudrosur” (pluhurosur) Lin-Pogradec?! Për një gjë të tillë, në sezonin turistik, duhet të kërkojnë falje jo vetëm kryeministri, por, të paktën, dhe dy ministra të kabinetit të tij.
Në fushën e turizmit, radhë të parë, përveç parapërgatitjes, duhet rritur kujdesi dhe organizmi, propaganda, marketingu, etj. Në fakt, shumëllojshmëria e përzgjedhjes, larmia në qendra e pika të ndryshme turistike duhet të lidhen ngushtë me “zemrat” përkatëse të atraksionit dhe tërheqjes njerëzore (qoftë ai në buzëdeti, në buzë-liqeni, në lumenj, male e pyje, në aventura e sporte të rrezikshme, në përdorim parashutash, motorësh uji, varka të ndryshme me pedale, vela e motor; lëvizje me biçikletë, me kalë, mushkë e gomar, me shfrytëzim të trashëgimisë kulturore, të jetës urbane të natës, etj.). Po aq e rëndësishme është përkujdesja ndaj infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës së saj. Me vlerë janë pastërtia e cilësia e akomodimit; përdorimi i prodhimeve bujqësore e blegtorale karakteristike, përgatitja e specialiteteve ushqimore e pijeve karakteristike të zonës, veprimtaritë e ndryshme kulturore e sportive, koncertet e festivalet. Por, a mund të pranohet sot, që në vend të marketingut turistik, të ndërhyhet me shkatërrime e hedhje në erë godinash e lokalesh në prag ose në pik të turizmit? Po me rëndësi janë dhe probleme të trafikut, parkimit, sigurisë, ruajtjes, përkujdesjes shëndetësore e mjedisore, etj.
Një çudi e vërtetë është dhe dikasteri i financave e drejtoritë përkatëse, që flasin vetëm për suksese në mbledhjen e të ardhurave dhe ndërkohë vazhdohet të kërkohet me teprim mbështetje nga institucione financiare, pa rritur fare investimet. Po ashtu, jo vetëm konsiderohet sukses dhënia e borxheve si “shprehje besimi” e këtyre institucioneve, por po rritet kështu borxhi publik thjesht për shlyerje borxhi! Pas kësaj “shpikje” apo “teknologjie rilindëse”, ajo që pritet për vitin 2014 është një rritje ekonomike prej 1-2%, që, në thelb, jo vetëm nuk e favorizon biznesin e vogël, por as e ndihmon shtresën e mesme të popullsisë, madje duke goditur, mbi të gjitha, standardin e jetës së qytetarit të zakonshëm. Pra, a mund të mburremi, në kushtet e sotme, me një rritje ekonomike prej 1-2%? Aspak. Një parashikim i tillë flet për një ekonomi ende të sëmurë, që do të pasqyrohet në mënyrë drastike tek njerëzit e shumtë me të ardhura të ulëta, pra dhe tek konsumi. Problemi bëhet akoma më shqetësues nëse do të vazhdohet me një ritëm të tillë të dobët ekonomik, apo më keq, do të vazhdohet me një rënie ekonomike në nivel global, që në një mënyrë apo tjetrën pasqyrohet dhe në ekonomitë e veçanta. Dhe, ndërkohë, ne gënjejmë veten për stabilitet ekonomik deri në vitet 20-të apo 30-të! Por, ndryshe flet opozita apo mjaft zëra me peshë të analizës ekonomike-financiare. Sidomos problemi i borxhit publik, në nivelin aktual apo mbi të, e kërcënon stabilitetin ekonomik, ashtu dhe rritjen ekonomike, aq më keq po të pompohet kjo e fundit nga rritja në shpenzimet publike! Krahas “kurthit” të borxhit publik, me sa shihet, po ecet në drejtim të kundërt për taksën e korporatave, për koncesione të tjera të lidhura me taksat e të ardhurave, dividendin, pagesat për magazinim dhe taksim në porte e aeroporte, për detyrimet doganore, etj. Jo nxitës është dhe ngurtësimi në rroga në sektorin publik, apo shtrëngimet në fushën e pensioneve.
Së fundi, pa vazhduar më tej, një këshillë dashamirëse: pasqyrimi vetëm rozë i realitetit apo vetë qeverisjes e shton skepticizmin dhe pakënaqësinë e qytetarit, besimin e tij tek qeverisja, drejtimi dhe administrata e saj.
Por jo vetëm zi!
Siç e prekëm dhe më sipër, ndryshe flasin partitë opozitare, sidomos eksponentët kryesorë të PD-së. Sipas tyre, dështimet janë të mëdha, madje të rrezikshme për të ardhmen politike, ekonomike e sociale të vendit, për vetë zhvillimet demokratike e kombëtare, për vetë standardin e demokracisë. Në vlerësimin e tyre, janë evidente disa emërime të dyshimta, skandalet e njëpasnjëshme, keqpërdorimet e parasë publike, shkelja e ligjeve dhe e dispozitave kushtetuese, dështime të shumta në fusha të ndryshme për dikasteret e kabinetit Rama. Por, dhe ky pozicionim “nga qielli”, vetëm me akuza dhe nxirje të gjithanshme, është i padrejtë. Ai gjeneron jo vetëm apati, paralelizma e zhgënjime të dukshme tek qytetari shqiptar, sidomos në kostumin e konsumatorit; por dhe prodhon ngërç, hezitime e tërheqje tej investuesit të huaj, për të cilat ka nevojë aq shumë ekonomia shqiptare.
Një problem në vete është dhe media, analiza politike, mjaft struktura të ndryshme të shoqërisë civile, që në vetvete duhet të luanin rolin e korrigjuesit, auditit e kontrollorit social. Në këtë kuptim, a nuk duhet të luftohet dhe të hidhet poshtë retorika boshe, në gjirin e politikës e medias, të paktën për të mos pasqyruar qeverisjen boshe apo për të mos heshtur ndaj mungesës së transparencës në qeverisje. Në këtë kuptim, a është administrata Rama më transparente se ato të mëparshme? Diku po, diku jo! Kështu, p.sh., rasti i shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri foli për të kundërtën. Madje, në atë rast, u shmangën edhe institucione përgjegjëse të sigurisë, si ai i presidentit të republikës, kryetarit të kuvendit, komisionit parlamentar të sigurisë, vetë qeverisë si organ kolegjial, etj. Pra, në këtë rast mund të flitet për një situatë sekreti të pakuptimtë, jo më për promovim të premtuar në binomin: hapje qeverie – liri informacioni. Madje, në atë rast, informacioni nuk u zhduk apo nuk humbi tek zyrtarët e administratës, por qëndroi apo u fsheh tek sirtarët e qeverisë. Transparencë kërkohet edhe për emërimet. Sidomos ajo është absolutisht e nevojshme në rastin e abuzimeve në emërime me precedentë penalë, në skandale të ndryshme apo në situata konkrete kritike…
Shtojmë gjithashtu se, një pasqyrim zi i realitetit, një reflektim abuziv mbi vetë qeverisjen, mund të ngazëllojë militantin fanatik, por jo qytetarin neutral që lufton, punon dhe kërkon të ecet përpara, që e parapëlqen dhe e uron bashkëveprimin normal pozitë-opozitë, shëndoshjen e tij. Këtë duhet ta ketë parasysh dhe drejtimi i sotëm opozitar për të ngjallur besim edhe tek ky shtresimi i fundit.
Thjesht histori për ta kujtuar
Së fundi, po i mbyllim këto radhë të shpejta mbi mburrjen apo vetë-lëvdatën, sidomos atë politike e qeverisëse, me historinë e thjeshtë të mëposhtme:
“Përplasja asgjësuese midis minjve dhe nuselalave është e hershme. Midis tyre lufta e tyre është e pandërprerë, por, natyrisht, në shumicën e rasteve, kanë qenë minjtë ata që kanë dalë humbës, sepse nuselalat ishin më të shkathëta dhe të mirë organizuara. Minjtë, të përgjysmuar nga një sërë betejash të humbura, u mblodhën dhe vendosën të mos sulmonin më si kope por me njësi apo reparte, në krye të çdo njërit prej tyre të caktohej një mi komandant. Kështu, të organizuar në njësi të tilla mundësia e suksesit do të ishte më e madhe. Të zgjedhurit në postet e komandantit, duke u mburrur, për të bërë dallimin nga minjtë ushtarë, kërkuan veshje të veçantë dhe helmetë me ca brirë të dukshëm. Por, kjo uniformë speciale, pikërisht për veçim e mburrje, rezultoi vdekjeprurëse në përplasjen pasuese. Aty, kur minjtë ushtarë e panë pisk, ata ia mbathën me vrap drejt vrimave të tyre. Ndërsa, komandantët mburracakë, për shkak të helmetave me brirë, nuk arritën të futeshin në vrima; ata u kapën nga nuselalat dhe u bënë ushqim i tyre”…