Decentralizimi i sistemit shëndetësor, domosdoshmëri

Nga Shefqet Deliallisi, botuar në Panorama Online, 13 korrik 2014

Decentralizimi i pushtetit përbën një parim bazë të demokracive të konsoliduara. Ai siguron një qeverisje më demokratike, më efikase, më transparente dhe një pjesëmarrje më të mirë të komuniteteve në jetën publike. Në përpjekjet për përmirësimin e sistemit të shërbimit shëndetësor përqendrimi vetëm në reformën financiare nuk mjafton. Shumë i rëndësishëm është decentralizimi, që jo vetëm do të lehtësonte funksionimin e këtij sistemi, por do të bënte të mundur miradministrimin dhe pakësimin e shpenzimeve për të. Sistemi ynë shëndetësor, në aspektin e decentralizimit, është shumë mbrapa. Fatkeqësisht ky parim kaq i rëndësishëm vazhdon të mos merret në konsideratë, madje për të as që flitet fare. Pushteti vendor vazhdon ta ndjekë funksionimin e sistemit shëndetësor thjesht si një vëzhgues pasiv. Për çdo problem ai ngre sytë nga “qielli”. Ministria e Shëndetësisë, e cila nga një institucion politikëbërës dhe monitorues, që në fakt duhet të jetë, ofron drejtpërdrejt dhe shërbim, madje duke u mbingarkuar tej mundësive, duke u marrë edhe me punë rutinë, si mungesën e X medikamenti, aparature etj., në X spital, apo deri në emërime të drejtuesve në çdo cep të vendit. Për herë të parë me decentralizimin në sistemin shëndetësor u njoha në vitin 1994, gjatë një trajnimi në Francë për drejtimin e spitaleve, më tërhoqi vëmendjen një fakt. Çdo spital kishte një këshill administrativ (organi më i lartë drejtues) në krye të të cilit qëndronte kryetari i bashkisë. Pozicionimi i tij nuk ishte aspak honorifik. Lidhej direkt me faktin se spitali dhe shëndetësia në përgjithësi, përbënte prioritet për bashkinë. Në të vërtetë, është e domosdoshme që shumica e shërbimit shëndetësore të prodhohet dhe shpërndahet lokalisht. Një sistem shëndetësor i centralizuar ka shumë disavantazhe: më shumë mundësi për kosto të lartë, më shumë rigiditet burokratik, moral të ulët të personelit që siguron shëndetin dhe pamundësi për të siguruar diversitetin e nevojave lokale. Ndërsa decentralizimi, avantazhin kryesor ka lehtësimin e zbatimit të reformave dhe nismave krijuese rajonale, rritjen e barazisë në shëndet. Pushteti vendor është më afër problemeve, është më i interesuar për territoret e tij, mund të marrë pjesë si një financues alternativ i sistemit shëndetësor. Çfarë thotë eksperienca botërore? Në Gjermani, Ministria e Shëndetësisë ka vetëm funksionin e mbikëqyrjes ligjore. Shumica e vendimeve në lidhje me politikat shëndetësore dhe vendimet shumë të rëndësishme të rimbursimit bëhen nga komisioni i përbashkët rajonal, në të cilin përfaqësohen ofruesit (mjekët dhe spitalet), siguruesit, kohët e fundit dhe pacientët. Në Spanjë Ministria Shëndetësisë koordinon çështjet e përgjithshme shëndetësore kombëtare, merret me legjislacionin, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe marrëveshjet. Që nga viti 2002, organizimi i sistemit shëndetësor në Spanjë kontrollohet nga 17 rajone autonome. Çdo rajon ka departamentin e shëndetësisë, përgjegjës për fushat kryesore si planifikimi shëndetësor, shëndeti publik dhe menaxhimimi i shërbimeve shëndetësore. Çdo rajon, sipas kritereve demografike dhe gjeografike, ka një spital të përgjithshëm, që ka për qëllim kryesor sigurimin e afërsisë së shërbimeve për përdoruesit. Në Suedi, në vitin 2007, m’u dha rasti të njihesha nga afër me organizimin e sistemit shëndetësor suedez. Në Suedi, Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale jep direktivat politike, ndërsa zbatimi është i decentralizuar në 21 rajone ose këshillat e qarqeve. Burimet financiare sigurohen kryesisht nga taksat vendore, edhe pse ka disa grante të qeverisë qendrore, dhe rreth 15% krijohet nga tarifat e pacientëve. Dihet që Suedia ka një sistem shëndetësor nga më të mirët në botë, dhe rolin kryesor në të e luante pikërisht pushteti vendor. Sistemi shëndetësor suedez operon në tri nivele politike dhe administrative: qeveria qendrore, këshillat e qarqeve dhe bashkitë. Të gjitha, direkt të zgjedhura nga populli. Ministria e Shëndetësisë, që ishte dhe e Çështjeve Sociale), ishte përgjegjëse për kujdesin shëndetësor, sigurimet shoqërore dhe çështjet sociale. Roli i saj ishte krijimi i principeve bazë të shërbimit shëndetësor. Nëpërmjet ligjeve, akteve dhe urdhëresave, Ministria bën të mundur sigurimin e shërbimit shëndetësor cilësor, të barabartë dhe lehtësisht të arritshëm për të gjithë. Detyrë e Ministrisë ishte dhe përgatitja e termave të referencës për komisionet qeveritare dhe draft-propozimet për legjislacion të ri në Parlament. Dhe… vetëm kaq. Më tej, për gjithçka tjetër që lidhej me kujdesin shëndetësor, fjalën e ka pushteti vendor. Më konkretisht, në Suedinë me 8.8 milionë banorë operonin 20 qarqe, me popullsi nga 60 000 në 1.8 milion (ne sot kemi 12 qarqe me popullsi nga 210 000 Kukësi, në 951 000 Tirana). Zgjedhja e këshillave të qarqeve bëhej e drejtpërdrejtë, çdo katër vjet, në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare. Ishin pikërisht këshillat e qarqeve në Suedi përgjegjësit kryesorë për sigurimin e shërbimit shëndetësor dhe sigurimin e standardeve të larta në shëndetin publik. Rreth 89% e shërbimit shëndetësor realizohet nëpërmjet tyre. Ishin ato përgjegjëse për të gjitha planifikimet e shërbimit shëndetësor. Ishin ato që vendosnin për alokimin e resurseve. Ishin ato që përgjigjeshin për spitalet, qendrat shëndetësore dhe institucionet e tjera shëndetësore. Madje, edhe institucionet shëndetësore private kishin kontratë me to për shërbime të veçanta. Çdo qark kishte një spital (ekuivalent me 12 spitalet rajonale që kemi ne sot). Përsa i përket financimit, 71% e gjithë kësaj veprimtarie financohej prej taksës proporcionale 10% mbi të ardhurat, që mblidhej nga qarku (taksë vendore). Tjetër burim i rëndësishëm ishte granti nga qeveria qendrore, rreth 19%, dhe rreth 15% krijohej nga tarifat e pacientëve. Rol të rëndësishëm në kujdesin shëndetësor kishin dhe bashkitë, të cilat ishin përgjegjëse për kujdesin shëndetësor në banesë, për të moshuarit dhe njerëzit e pamundur, duke lehtësuar barrën financiare të spitaleve, që siç dihet është e konsiderueshme. Pse më tërhoqi vëmendjen përvoja e Suedisë? Për faktin se duket e aplikueshme, mbasi ne kemi disa struktura pothuajse të njëjta. Sigurisht që kjo reformë nuk është e lehtë, mbasi paraprakisht duhet plotësuar infrastruktura ligjore sipas kërkesave të Kushtetutës, Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, Strategjisë Kombëtare të Decentralizimit dhe objektivave në kuadrin e MSA-së. Por ç’përfaqëson qarku ynë? Mbas një periudhe të gjatë ai u rikthye në skemën e organizimit të pushtetit, si nivel i qeverisjes vendore. Në të përfshihen disa bashki dhe komuna të një territori kompakt. Në përputhje me Kushtetutën formohet këshilli i qarkut, si organ përfaqësues i komunitetit, që përbëhet nga kryetarët e bashkive, komunave dhe anëtarë të këshillave përkatëse, në raport me numrin e banorëve të çdo njësie. Si nivel i dytë i qeverisjes vendore, ka si funksion bazë hartimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve rajonale, ndjekjen e programeve sektoriale dhe harmonizimin e tyre me politikat shtetërore në nivel qarku. Ndryshe nga Suedia, siç thamë, zgjedhja e këshillave bëhet në mënyrë indirekte, në fakt, në kundërshtim me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, duke krijuar mangësi si në përfaqësimin e njësive vendore, ashtu dhe në ndërtimin e këtyre këshillave, dhe duke sjellë shmangie thelbësore nga rezultatet zgjedhore në territorin që mbulon. Sipas mendimit tim, por jo vetëm, qarku si njësi e qeverisjes vendore është e pashfrytëzuar sa duhet, ka një strukturë dhe funksion jo shumë qartë, që shpesh e ka bërë të diskutueshme edhe ekzistencën e tij. Për këtë arsye mendoj se hapi i parë që duhet të hidhet është ndryshimi i ligjit për qarkun. Duhet një mënyrë e re si për zgjedhjen, në përputhje me Kartën Europiane të Qeverisjes Vendore. Duhet një mënyrë e re për mënyrën e ndërtimit të tij. Duhen ndryshuar kompetencat, sigurisht duke marrë dhe përgjegjësinë për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe fakti që sistemi elektoral proporcional rajonal në bazë qarku, që ne kemi zbatuar në zgjedhjet e fundit, e ka ridimensionuar pozicionin e qarkut duke krijuar kushte të favorshme për një decentralizim rajonal të vërtetë. Sigurisht që decentralizimi do të ndihmonte për të arritur më të mirën e mundshme, në kontekstin e potencialit ekonomik të vendit tonë. Për çdo reformë është e rëndësishme që fillimisht t’i jepet përgjigje pyetjes “çfarë do të bëhet?” e më pas “kur do të bëhet?” Për decentralizimin e sistemit shëndetësor është koha për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve me shpejtësi, mbasi jemi pikërisht në kohën e duhur për të hedhur piketat edhe për decentralizimit të sistemit shëndetësor, në kuadrin e reformës decentralizuese territoriale të dëshiruar nga të gjithë…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi