Reforma apo luftë sterile për pushtet

Nga Arben Braçe, botuar në Balkanweb, 12 korrik 2014

arbenmeçajShoqata për Gjuhën Gjermane rreth viteve 2000 zgjodhi shprehjen “bllokim i reformave” si shprehjen e vitit. Pavarësisht se çfarë nënkuptohet me fjalën reforma, pasi ky nocion nuk është më kompakt, gjuhëtarët nga Manhaimi, ashtu sikurse miliona bashkëkombës të tyre, ishin të mendimi se, atë vit, mjaft prej atyre që duhej të kishin ndodhur në politikën gjermane, në të vërtetë nuk kishin ndodhur. Pra politika shumë e kërkuar nuk kishte ndodhur. Ajo çfarë pritej të bëhej prej kohësh nuk ishte bërë.
Në analogji me realitetin gjerman shprehja “bllokim i reformave” nuk besoj se mund të jetë përdorur më shumë në ndonjë pjesë tjetër të globit sesa në Shqipëri. Në qoftë se në Gjermani është shpallur shprehja e vitit, tek ne padyshim kjo duhet të ishte shprehja unike kampion e viteve të demokracisë së gjatë tranzitore shqiptare. Po pse jemi kampionë dhe kaq të apasionuar me shprehjen “bllokim i reformave”?! Sepse tradicionalisht politikën tonë e preokupojnë më shumë çështjet e pushtetit sesa çështjet konkrete, ose thënë më shkoqur reformat.
Po t’i referohemi realitetit dhe të analizojmë tërë strukturën e reformave të propozuara nga qeveria do të vëmë re se pothuajse për asnjë reformë deri tani nuk ka konsensus. P.sh për të zgjidhur problemin e rëndësishëm të reformës territoriale në fillim dhe në fund të thirrjes së drejtuar opozitës përmendet në mënyrë pezhorative fakti se pozita e ka maxhorancën e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë. Pra ka pushtetin e nevojshëm për të bërë një reformë të tillë. Për reformën në fushën e drejtësisë dhe kryesisht atë të gjyqësorit dhe të KLD-së, ultimatumi është pushteti i Parlamentit duke qenë se edhe këtu është pushteti i nevojshëm për bërjen e një reforme të tillë. Për zhvillimin e reformës në TOB, imponohet një kontratë e jashtëligjshme ku vetë shteti me anë të pushtetit të tij bën intriga në dëm të interesave të tij dhe artistët që e drejtojnë këtë reformë bëjnë intriga në dëm të artit të tyre duke kanceluar elitën artistike kombëtare sikurse është bërë me administratën shtetërore. Administrata brenda një gjenerate edhe mund ta marrë veten, por dëmi në art do të kërkojë shumë më tepër kohë që të rigjenerohet në qoftë se edhe TOB, së shpejti do të konvertohet në vende pune për militantët e partive politike. Për zhvillimin e reformës arsimore ndodh e njëjta situatë. Sugjerimet e një pjese të konsiderueshme të elitës akademike dhe shkencore nuk merren në konsideratë duke përmendur edhe këtu faktin se janë votat dhe pushteti i duhur për të kaluar një reformë të tillë. Për të zgjidhur problemin e financimit të pensioneve, ngrihet mosha e daljes në pension, çka bën që gjithnjë e më shumë të rinj të mbeten pa punë. Po kështu edhe në reformën në shëndetësi e atë të legalizimeve, etj.
Pra në tërësi askund dhe në çdo reformë deri tani nuk kemi asnjë projekt të përgjithshëm në të gjitha reformat e ndërmarra dhe secili i sillet rrotull problemit të vet dhe me të drejtë ndodh ajo çka quajmë edhe ne Shqiptarët në formë zhargon shumë më tepër se gjermanët, “bllokim i reformave”. Aktualisht përgjegjësja për zgjidhjen e problemeve është qeveria, por nga ana tjetër ajo nuk është në gjendje që të vërë re sesi vetë personat e caktuar prej saj për zgjidhjen e problemeve i vënë bërrylat njëri-tjetrit, sikurse edhe brenda një maxhorance dhe institucioni specialistët nuk dinë se cilat janë shqetësimet e kolegëve të tyre. Por tek ne është gati dhe shpjegimi i përcaktuar se në çdo rast është opozita ajo që bllokon duke anashkaluar faktin e rëndësishëm se qeveria shpenzon më shumë se 90% të energjive të saj për të qëndruar në pushtet dhe lufta bëhet vetëm për pushtetin në vetvete dhe në këto kushte politikës nuk i mbetet më pothuajse fare hapësirë për të zhvilluar lirshëm reformat.
Natyrisht aty ku duhen marrë vendime politike, llogaritë për pushtetin janë të pashmangshme, pasi për vënien në jetë të vendimeve nevojitet pushteti, pra shumica. Por duhet të mbajmë në konsideratë që sot në kohët moderne llogaritë për pushtetin kanë ndryshuar shumë. Ndikimi mbi opinionin publik nëpërmjet mediave dhe zgjedhësve mund të futë në lojë krijimin e aleancave të fuqishme. Shembull i freskët është tek ne edhe situata e krijuar me rastin e çmontimit të armëve kimike të Sirisë. Ose rasti i debatit të Tony Blair-it për reformën arsimore i cili përfshiu pothuajse gjithë opinionin publik britanik i cili mori me vete edhe opozitën në një reformë të tillë. Nga ana tjetër mund të ndodhë edhe që për hir të reformave të ndiqet një politikë e caktuar, megjithëse ajo redukton pushtetin e madje e rrezikon atë. Politika e lindjes e ndjekur po nga Tony Blair gjatë ndërhyrjes në Irak nuk u ndërmor jo sepse kështu rezultonte e këshillueshme nga llogaritjet, por sepse Tony Blair dhe qeveria e tij ishin të mendimit se ajo duhej provuar për hir të paqes dhe të demokratizimit të jetës politike në vendet e lindjes. Në këtë rast një qeveri rrezikoi ekzistencën e saj për hir të një politike të konsideruar të drejtë dhe të nevojshme. Në një vendim politik nuk është asnjëherë e qartë qysh në fillim se cilat këndvështrime do të jenë vendimtare, pasi argumentet pro çështjes dhe kalkulimet për pushtetin janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Raporti mes te dyjave nuk është asnjëherë i njëjtë. Shpesh synimet për pushtet nuk luajnë asnjë rol sikurse kemi të bëjmë me rastin e tatimit mbi vlerën e shtuar, një taksë kjo për të cilën paguajnë një pjesë e vogël e biznesit, ndërsa në raste të tjera sikurse është fushata elektorale këto synime natyrisht janë mbizotëruese. Pra aty ku mbetet vetëm njëra, çështja ose llogaria e thjeshtë për pushtet, në një mënyrë ose në tjetrën largohemi nga politika, pra nga përpjekja për të realizuar reformat e shumëpritura dhe të dëshiruara.
Në këto kushte ai që redukton politikën në luftë sterile me dhe për pushtet, që distancohet nga pyetja si duan dhe duhet të jetojnë njerëzit, atij i mbetet vetëm një gjë; një shesh beteje ose shesh loje ku bëhet fjalë vetëm për rangje dhe medalje, për shuarjen e urisë për pushtet; i mbetet pra një treg kotësish, përtej çdo morali; një teori e gabuar kjo tashmë që shërben si instrument legjitimues i një politike të pasuksesshme.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi