Digitalizohen pozicioni gjeografik i pronave dhe rregjistri i kthimit dhe kompensimit të pronave
Ministria e Drejtësisë, 11 korrik 2014
Sot është prezantuar “Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Global, ALBPOS”, i organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Sistemi ALBPOS është i ndërtuar nga 16 stacione marrëse satelitore, të vendosura pranë zyrave lokale të regjistrimit në të gjithë vendin.
Implementimi i këtij sistemi zgjidh përfundimisht mospërputhjen e të dhënave të pozicionimit gjeografik të pronave, problemet hartografike të ndeshura deri tani dhe i paraprin krijimit të një harte unike për gjithë territorin. Ky sistem do të ndihmojë në përcaktimin e saktë me koordinata të kufijve administrativë të njësive vendore.
Projektet janë prezantuar nga drejtori i Hipotekave Ilirjan Muho, i cili theksoi se sistemi ALBPOS fillimisht do të jetë pa pagesë dhe kostoja do të përballohet nga ky institucion, por në të ardhmen përdoruesit do të paguajnë një tarifë për mirëmbajtjen.
“Sistemi ALBPOS të jetë në shërbim të përdoruesve pa pagesë në muajt e ardhshëm, kostoja e mirëmbajtjes do të mbulohet nga të ardhurat e zyrës qendrore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, por në të ardhmen përdoruesit do të paguajnë një tarifë për shërbimet, me synim që shpenzimet mund të mbulohen nga të ardhurat”, ka deklaruar drejtori i Hipotekave. Muho gjithashtu ka shpjeguar se ky sistem do të shërbejë për shumë qëllime, dhe sipas tij do të ndihmojë në hedhjen e të dhënave. Ky sistem do të përdoret nga agjencitë e tjera publike.
Digjitalizimi i regjistrit të kthimit dhe kompesimit të pronave
Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit te Pronave (AKKP), finalizoi këtë javë punën e nisur në muajin Nëntor të vitit 2013 për realizimin e Regjistrit Themeltar të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nga viti 1993 deri më sot. Bëhet kështu realitet zotimi i Qeverisë për krijimin e një data-base të unifikuar të të gjitha dosjeve dhe vendimeve, që gjenden në arkivën e AKKP-së, duke i dhënë fund situatës së papranueshme në të cilën ndodheshin ambjentet e kësaj arkive. Data-baza regjistron të dhëna bazë për 42.979 vendime. Publikimi në faqen zyrtare web të AKKP do të rrisë transparencën në raport me të gjithë ata qytetarë, trashëgimtarë ligjorë të subjekteve të shpronësuar. Ky regjistër do të pasohet nga faza e dytë e llogaritjes së faturës së kompensimit, një detyrim që Sheti Shqiptar ka marrë përsipër edhe në Planin e veprimit paraqitur KE-së.