Rreziku nga rënia e çmimeve: dezinflacioni
Sipas TCH: Intervistë me Adrian Civici, 10 korrik 2014
Prej disa muajsh ekonomia po përballet me një rrezik të ri. Ekonomistët e përkufizojnë atë me termin dezinflacion, një situatë e zgjatur ku rritja e çmimeve është e ulët dhe me tendencë në rënie.
“Në këtë situatë veprojnë inflacioni i ulët i importuar nga BE dhe faktorët e brendshëm që lidhen me drobitjen e kërkesës së brendshme dhe uljen e konsumit, apo me politikat monetare e financiare në Shqipëri”, deklaron ekonomisti Ardian Civici.
Në qershor inflacioni vjetor ra në 1.5 për qind, ose 0.5 pikë përqindje poshtë objektivit minimal të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse rritja e ulët e çmimeve mund të duket një lajm i mirë për konsumatorët, ekonomistët thonë se nëse instalohet për një kohë të gjatë ajo është e rrezikshme për ekonominë.
“Sepse ulja dhe pamundësia për të shitur për bizneset do të thotë bllokim i aktivitetit, punë nën kapacitete, gjë që ka ndodhur në vitet e fundit, dhe nga ana tjetër investimet e reja nuk janë aspak të inkurajuara sepse presin që kjo spirale të mbarojë dhe të fillojë spiralja e kundërt”, nënvizon Civici.
Përballë rënies së çmimeve dhe për të nxitur ekonominë, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë agresive duke e ulur normën bazë në minimumin historik. Por sipas Civicit, parandalimi i spirales së deflacionit mund të kërkojë edhe ndërhyrjen e qeverisë përmes shpenzimeve më të larta.
“Edhe ne mund të jemi pak më tolerantë në këto momente, sa i përket stimulit fiskal, investimeve publike, apo politikave buxhetore. Ndoshta edhe përsa i përket borxhit të jashtëm që t’i japim ekonomisë stimul për të mos e lënë në rrëshqitjen e gjatë të inflacionit të ulët, që më vonë mund të jetë e vështirë të rekuperohet”, thekson Civici.
Në Europë deflacioni është shndërruar në kërcënimin kryesor të ekonomisë. Dy muaj më parë Banka Qëndrore Europiane ndërmori një paketë masash ekstreme deri në instalimin e normave negative të interesit. Por sërish çmimet kanë vazhduar të tkurren, duke përvijuar mbi ekonominë e brishtë europiane, rrezikun e një krizë të re, nga e cila nuk është imune as Shqipëria.