Bilanci i brishtë i 300 ditëve
Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 8 qershor 2014
Qeveria zgjodhi fundjavën dhe zonën turistike të Dajtit për të analizuar punën e saj përgjatë 300 ditëve. Rezultati zyrtar i mbledhjes ishte i pritshëm: qeveria është e kënaqur me veten dhe mendon se ka shënuar suksese të mëdha. Opozita u dëgjua të thotë se mandati 1 vjeçar prodhoi vetëm varfëri e zhgënjim. Një sjellje dhe përfundim që çdo qeveri dhe opozitë i ka bërë vetes së saj dhe palës tjetër prej një shekulli, si në ditët e mira ashtu edhe në ditët e këqija të jetës së shqiptarëve.
Ndaj lajmi nuk është ky. As premtimi se kabineti aktual do sillej ndryshe nga paraardhësit, as retorika e sukseseve apo anasjelltas, retorika e denigrimit en block. Lajmi kryesor mbetet mungesa e institucionit, mekanizmave dhe mjeteve legale, institucionale, publike dhe civile për të analizuar dhe vlerësuar ecurinë e shtetit përgjatë një viti. Në vitet e para të shtetit funksional e kishim një bilanc të tillë, madje të shkruar dhe dokumentuar përmes raporteve dhe botimeve serioze. Në diktaturë gjendja e shtetit ishte sekret shtetëror, në demokraci gjendja e shtetit nuk njihet si koncept dhe as praktikë pune, ndaj vlerësohet subjektivisht në formë paralele dhe të kundërt, si nga ata që janë në pushtet, ashtu edhe nga ata që janë në opozitë.
Në formatin qytetar dhe profesional analiza e 300 ditëve meriton vëmendje dhe përbën një rast ideal vlerësimi, reflektimi dhe programimi për të ardhmen. Përgjatë 300 ditëve të fundit mazhoranca në pushtet ka shënuar disa suksese të mëdha, por edhe dështime të mëdha. Ajo ia doli të marrë ftesën e statusit kandidat për në BE, ia doli të rivendosë autoritetin e ligjit në zona problematika si Lazarati, ia doli të vendosë në eficencë sistemin e taksave dhe tatimeve, ia doli të ndalojë rënien ekonomike dhe të sigurojë kredi e hua të tjera për pagesat e të vjetrave, siç ia doli në disa përpjekje për vendosjen e kontrollit mbi territorin, prishjen e ndërtimeve simbol të lidhura me pushtetet apo në rikthimin në prioritet të procesit të legalizimit.
Krahas tyre qeveria nuk ka arsye të ndjehet krenare pas 300 ditësh në disa drejtime të tjera themelore: ajo nuk arriti të miratojë asnjë reformë të rëndësishme institucionale e ligjore në parlament, nuk arriti të dërgojë asnjë zyrtar apo dosje të rëndësishme korrupsioni përpara drejtësisë, braktisi konceptin e administratës publike duke zëvendësuar militantët e palës tjetër me militantët e vet, krijoi pritshmëri të mëdha në premtime e retorikë pa pasur bazë e aftësi reale për mbajtjen e tyre, parcelizoi pushtetin sipas raporteve partiake brenda koalicionit, si dhe bëri të veten duke imituar sistemin e dominimit mbi institucionet dhe jetën publike.
Ecjet e dyzuara dhe paralele ishin dhe mbetën tipar kryesor i 300 ditëve, klimë që megjithëse gjen shpjegim në realitetin dhe traditën shqiptare, përbën hendek të madh ndaj prishmërive të mëdha për reforma të thella dhe ndryshim sistemi, mentaliteti dhe trashëgimie. Konkretisht, mazhoranca fitoi kredenciale me fushatën sensibilizuese në disa shtete evropiane në raport me integrimin, por humbi shansin e madh të saj dhe Shqipërisë në jetësimin e projektit amerikan për shkatërrimin e mbetjeve kimike.
Ajo ndryshoi elitat politike duke investuar tek një brez i ri politik dhe administrues, por për nevoja ditore riktheu retorikat e vjetra politike deri në vlerësime anakronike ndaj diktaturës dhe diktatorit. Ajo krijoi një klimë parlamentare pozitive, dëshmoi respekt ndaj opozitës, përdori retorikë më liberale në debatet politike, por në thelb, sa herë u pritën vendime me rëndësi, pra duhej një vendimmarrje politike direkt, ajo ndryshoi qëndrim dhe imitoi mazhorancën e djeshme arrogante dhe kërcënuese përmes kartonëve parlamentarë.
Ajo veproi mirë kur largoi nga pozitat drejtuese një numër zyrtarësh të korruptuar të djeshëm, por gaboi kur në disa raste publike bëri emërime me standarde të njëjta, përfshirë individë me precedentë në raport me ligjin. Ajo premtoi tu japë fund sektorëve monopol në biznes dhe ekonomi, por përgjatë 300 ditëve ndryshoi kurs duke i shndërruar partnerët e djeshëm të pushtetit në partnerë të rinj të pushtetit të ri. Ajo premtoi më shumë vende pune, më shumë investime, më pak fjalë dhe më shumë vepra konkrete, por në fakt, përgjatë 300 ditëve u panë më shumë fjalime e retorikë sesa akte e rezultate konkrete.
E ndodhur përballë një opozite që humbi një vit kohë për të kuptuar se ka rënë nga pushteti dhe që pritet të humbasë edhe një vit tjetër kohë për të kuptuar përse ka rënë nga pushteti, mazhoranca ishte komode në shifra, pushtet, përfaqësim dhe liri veprimi. Kërkimi i përgjegjësive tek sektorë të tjerë, SHISH apo Presidenti, gjyqësori apo prokuroria, etj, ishin dhe mbeten alibi pa sens, për sa kohë vetë qeveria është pjesë e vendimmarrjes së këtyre institucioneve dhe ajo ka të gjitha votat që mundësojnë çdo vendimmarrje reformatore në vend, përfshirë ato kushtetuese.
Gabimet fillestare të mazhorancës, – përpjekja për të ardhur në pushtet pa pasur një plan konkret reformash në data e prioritete pas ardhjes në pushtet, përfshirja në qeveri e disa prej figurave të qeverisë së kaluar diktuar prej aleancave politike, bindja e verbuar se 1 milion “shuplakat” janë të përjetshme dhe pa kthim drejt saj apo krijimi i një distance gjithnjë e më të madhe midis pushtetit e qytetarëve, sidomos atyre kritikë, – mori shumë energji, kohë, investime dhe përbëjnë një bazë e mirë nga duhet të nisë reflektimi dhe projektimi i 300 ditëve të ardhshme.
Përgjatë 300 ditëve dy palët politike bënë të kundërtën e asaj që vendosi elektorati: mazhoranca në retorikë, vlerësim dhe aksion politik u soll edhe më tej si opozitë dhe opozita si mazhorancë. Tani palët kanë kohën dhe mundësinë të kuptojnë rolin dhe përgjegjësinë e tyre brenda sistemit qeverisës dhe në raport me shtetin, qytetarët e shoqërinë. Nuk ka dilemë se rotacioni politik ishte pozitiv, se gabimet e sotme janë më të pakta sesa gabimet e pushtetit të djeshëm, – por nëse vendosim të krahasohemi jashtë tyre e të përzgjedhim jo midis dy ofertave negative, por midis modelit tonë dhe atij që duhet të ketë Shqipëria, – bilanci i mazhorancës së sotme mbetet i brishtë, nota vlerësuese është minimalisht kaluese, progresi i Shqipërisë mbetet minimal dhe shanset e rilindjes mbeten afër utopisë.
Çfarë mund dhe duhet të ndryshojë? Në politikë mjaftojnë pak gjëra që të duket ndryshimi, siç mjaftoi ndërhyrja e Policisë në Gjirokastër për të kthyer besimin tek partnerët ndërkombëtarë. Vendi ka nevojë për një axhendë publike të konsultuar në prioritete dhe afate përgjatë 6, 12 dhe 24 muajve të ardhshëm. Vendi ka nevojë për reformë të thellë në sistemin e drejtësisë dhe qeverisjes, për ndarje të qartë të politikës nga bota informale dhe kriminale; për dialog e bashkëpunim pa kusht midis palëve politike që kanë mandatin e detyrimin për vendimmarrje politike; rikthimin e besimit tek institucionet përmes funksionimit të tyre me integritet, profesionalizëm dhe pavarësi; për më shumë shtet dhe më pak pushtet, më shumë institucione të forta sesa liderë të fortë politikë, më shumë konsultim me qytetarët për vendimmarrje sesa me partnerët e Gjirit të Lalzit, më shumë punë dhe më pak fjalë. A janë të realizueshme? Po, lehtësisht. Mjafton vullneti politik, vizioni i duhur i lidership-it dhe potencialet profesionale në jetësimin e tyre.
Ky vend nuk ka vuajtur asnjëherë në 100 vite për qeveri e pushtet, por ka vuajtur në shumicën e 100 viteve për qeverisje të mirë dhe qytetare. Një emër më shumë, një mandat më shumë, një batutë më shumë nuk lënë shumë gjurmë në histori, ndaj nëse ende kërkohen gjurmë në histori kjo arrihet së pari duke u çliruar nga trashëgimia historike e sundimit dhe duke krijuar modelin e parë real të demokracisë liberale, funksionale dhe të qëndrueshme për shtetin e qytetarët. Një mision përtej 300 ditëve të shkuara apo 300 ditëve dhe 3 viteve të ardhshme.
Nëse ende i besohet proverbit se dita njihet në mëngjes dhe dita që kemi përpara u ngjason mëngjeseve shqiptare, plot me tituj propagandistik gazetash dhe telefonata denigruese militantësh, – atëherë ne rrezikojmë të jetojmë të njëjtën ditë në periudha të ndryshme, – një rreth vicioz prej të cilit duhet të dalim me kurajë, vizion, përgjegjësi dhe integritet. Ky mbetet mesazhi qytetar për mazhorancën dhe opozitën e 300 ditëve që na ikën dhe mijëra ditëve që po vijnë në një vend që përgjatë një shekulli më shumë ka mbijetuar sesa ka jetuar normalisht.