Debati i kapitalizmit: Fundi i produktivitetit

Sipas DW, 7 korrik 2014

Që nga shekulli XIX të ardhurat dhe pasuria janë zhvilluar në mënyra të ndryshme dhe në dëm të klasave të ulëta dhe të mesme.

Studiuesi francez i ekonomisë Thomas Piketty arriti pas shqyrtimit të një sasie të madhe të dhënash historike në përfundimin se në një ekonomi që rritet ngadalë pasuritë ekzistuese rriten më shpejt se pagat. Hendeku mes të pasurve dhe klasës së mesme thellohet dhe fajin e ka kapitalizmi.

Kurse laureati i Çmimit Nobel Edmund Phelps thotë se është gabim ta bësh kapitalizmi përgjegjës për çdo gjë. “Në vendet perëndimore një pjesë e madhe e ekonomisë do të jetë gjithmonë në duart e privatëve. Nëse këtë duam ta quajmë kapitalizëm, atëhere dakord” -tha Phelps për DW. Por sistemi është vetëm kuadri brenda të cilit veprojnë individë të panumërt. Edmund Phelps që i ka kaluar të tetëdhjetat jep mësim në Universitetin Columbia të Nju-Jorkut dhe ka shkruar shumë vepra të rëndësishme ekonomike. Në vitin 2006 ai mori Çmimin Nobel në Ekonomi. 

“Është për të ardhur keq që disa njerëz mendojnë, që pabarazia e pasurisë ofron tani mundësinë unike për t’ua shpërndarë të hollat njerëzve të varfër që rrojnë prej pagave”, thotë Edmund Phelps. Nuk duhet vetëm që të pasurve t’u prekësh pasurinë, se herët a vonë prej kësaj do të preket edhe klasa e mesme.

Pasuria po shtohet me forcë, të ardhurat mezi

Megjithë kritikat edhe Phelps nuk e mohon se të ardhurat dhe pasuria janë zhvilluar në mënyra të ndryshme dhe në dëm të klasave të ulëta dhe të mesme. Por ky zhvillim ka ndodhur me kalimin e kohës. “Në shekullin XIX ekonomia në Britaninë e Madhe dhe në SHBAështë rritur shumë shpejt, më vonë dhe në Gjermani dhe Francë,” shpjegon Phelps. Në atë kohë të ardhurat ishin rritur shumë më tepër se pasuritë. Kurse sot ndodh e kundërta. “Pasuritë janë rritur shumë në proporcion me të ardhurat, sepse produktiviteti rritet shumë ngadalë,” thotë Phelps.

Megjithatë shumë njerëz kanë sipas Phelps një lloj neverie ndaj risive që mund të ofrojnë përsëri më shumë produktivitet. Si shembull ai sjell shërbimin e taksisë Uber, një app për smartphone përmes të cilit çdo njeri që ka makinë mund të ofrojë shërbimet e tij si taksi. “Njeriut nuk i duhet më të ketë makinën e vet,” – thotë Phelps, “se ti gjithmonë mund të marrësh dikë në telefon dhe ai të çon me makinë aty ku do.” Për këtë arsye shoferët e taksive dolën në rrugë për të demonstruar.

Shumë njerëz duket se nuk kanë interes për përfitimet e shërbimit të ri. “Ata mbështesin shoferët e taksive – dhe në këtë mënyrë edhe mënyrën tradicionale të prodhimit dhe të shitjes së automobilëve.” Javët e fundit në Evropë kanë dalë në demonstrata pro taksive tradicionale dhe kundër shërbimitUber mijëra vetë. Sipas Phelps sinjali i tyre: jo ndryshimeve, pro mbrojtjes së sistemeve të vjetra. Në të njëjtën kohë bizneset tradicionale kursejnë edhe tek rrogat për shkak se ata nuk kanë produktivitet.

Produktiviteti vetëm nëpërmjet risive

“Punë tërheqëse, sfiduese dhe të dobishme mund të ketë vetëm nëse firmat provojnë diçka të re, kur ato shpikin gjëra të reja apo reagojnë ndaj shpikjeve të tjera”, thotë Phelps. Dikur sistemet e vjetra nuk mund të gjenerojnë më rritje. Por krijimi i diçkaje të re, nuk pranohet nga shoqëria. Rezultati: paralizë dhe stanjacion.

Në të gjitha vendet e zhvilluara produktiviteti po rritet “aq pak së të merren mendtë” thotë Phelps. “Kjo i shtyp të rinjtë që dikur fillojnë t’i urrejnë punët e tyre. Dhe kjo paralizon gjithashtu klasën e mesme.” Ajo nuk do të arrijë kurrë mirëqenie, nëse e gjithë shoqëria është kundër shpikësve dhe novatorëve.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi