Shqipëria me pagën minimale më të ulët në Europë
Studimi i Qendres per Kerkime Ekonomike, 5 korrik 2014
Studimi më i fundit i Qendrës shqiptare për Kërkime Ekonomike ka treguar se 29% e punësimit të përgjithshëm është informale dhe Shqipëria ka ende pagat minimale më të ultat në Europë.
Eksperti i Organizatës Botërore në Gjenevë, Denid Vaugham Whitchead, tha se rritja e pagës minimale është prioritet dhe megjithëse qeveria aktuale ka një defiçit të madh, ky hap nuk duhet të shihet si pengesë.
“Na duhen shifra të besueshme për të kuptuar situatën reale në Shqipëri mbi pagën dhe punësimin. Rritja e pagës minimale lidhet me konsumin e përditshëm dhe kjo tregohet edhe në shifra. Një problem tjetër mbetet që një pjesë e madhe deklaron pagën minimale e në fakt paguan më shumë. Paga minimale në Shqipëri është më e ulta në Europë, më e ulët se në Bullgari apo Rumani, ndaj dhe është e nevojshme të kemi rritjen e saj, siç po ndodh në shumë vende. Paga minimale rritet duke pasur parasysh edhe varfërinë ekstreme të vendit. Çmimet rriten, ndërsa pagat jo, ndaj këtu kërkohet që të ndërhyhet”, tha Denid Vaugham Whitchead.
Kriza ekonomike ka bërë që të thellohet edhe më tej hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, ose më saktë të varfërit janë bërë edhe më të varfër, ndërsa të pasurit janë pasuruar edhe më shumë.
“Kemi rritje të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, këtë e tregojnë edhe statistikat. Gjatë krizës, të pasurit janë pasuruar më shumë, ndaj kërkohet një politikë e caktuar për të pasur një shpërndarje edhe më të drejtë. Nëse rritet paga minimale zvogëlohet hendeku mes atyre që janë në majë dhe atyre që janë në fund. Ndaj, një rol të rëndësishëm kanë taksat” , tha Denid Vaugham Whitchead.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Erion Veliaj, deklaroi se vendosja e taksës progresive synon pikërisht ngushtimin e këtij hendeku dhe se aplikimi i saj çon realisht në rritjen me 10% të pagave neto për mbi 90% të të punësuarve, të cilët marrin paga të ulta dhe të mesme.