Një shans i madh për të mos u humbur
Nga Preç Zogaj, botuar në Panorama Online, 5 korrik 2014
Lulzim Basha, Partia Demokratike, aleatët e saj dhe gjithë kavaleria e shoqatave që kanë një lidhje apo derivim nga struktura politike e opozitës, zyrtarizuan kësaj jave, në përfundim të një cikli konferencash, qëndrimin e tyre konstruktiv për reformën territoriale-administrative. Nuk më kujtohet të ketë ndodhur ndonjëherë më parë gjatë këtyre njëzet e tre vjetëve që opozita të jetë investuar kaq shumë, me gjithë kapacitetet dhe think-tankun e saj, jo thjesht për ta kundërshtuar, por për t’u ballafaquar me variantin e qeverisë, jo për t’iu bërë barrikadë, por për t’u përfshirë në proces, jo për të dhënë një shfaqje mediatike, por për të shtrirë me mirësjellje dhe lutje fisnike dorën e bashkëpunimit. “Ta bëjmë së bashku, pa paragjykime, me konsensus”, ishte filli që përshkonte tekstin e gjerë të rezolutës përfundimtare të opozitës. Kjo është një ngjarje politike që meriton të analizohet e promovohet. Në mungesë të kohës dhe rreshtave, unë dëshiroj të nënvizoj elementin e respektit dhe mirësjelljes ndaj palës qeveritare nga ana e opozitës dhe zotit Basha në gjithë artikulimin dhe komunikimet për këtë reformë. Mirësjellja e ndërsjellë është elementare për të shërbyer e shpresuar një marrëveshje. Duket kaq e thjeshtë, por në kulturën tonë politike mirësjellja dhe edukata nuk janë akoma standardi dhe bazamenti i marrëdhënieve politike mes gjithë faktorëve politikë, institucionalë dhe shoqërorë në vend. Shumë shanse janë sakrifikuar pikërisht nga gjuha e ashpër, nga paragjykimet, nga paaftësia për të ndërtuar një komunikim politik normal me palën kundërshtare. Ndaj bën përshtypje pozitive dhe regjistrohet si vlerë çdo investim për një kulturë të re të komunikimit politik. Edhe kur kjo diktohet nga një rrethanë konkrete apo nga pragmatizmi i momentit. Gur-gur bëhet mur, thotë populli.
Është e qartë se dora e zgjatur e bashkëpunimit për reformën administrative-territoriale është dora që nuk dëshiron të mblidhet grusht në sheshet e protestave në skenarin e padëshirueshëm të mosmarrëveshjes me qeverinë; toni dhe qasja konstruktive e konferencave të opozitës është përpjekja in ekstremis për të evituar një skenar të tillë, që do të hidhte në erë dialogun politik në vend dhe do ta fuste në qorrsokakun e të panjohurave vetë reformën në fjalë. Përtej zhbirilimeve të kësaj natyre, që janë pjesë e kureshtjes dhe sportit të politikës, ma merr mendja se për qeverinë duhet të ketë rëndësi fakti se opozita është pro reformës dhe po kërkon të japë kontributin e saj konform vizionit të saj, duke parashtruar vetëm një kërkesë të palëvizshme: konsensusin në Kuvendin e Shqipërisë.
Praktikisht, topi për një reformë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale është si asnjëherë tjetër në fushën e qeverisë. Ndërsa po përfshihet në proces, opozita i ka dhënë një shans qeverisë për ta futur reformën në binarët e qëndrueshëm të demokracisë, konsensusit dhe ligjit. Pse e themi këtu? Pse është shumëfish e këshillueshme dhe e domosdoshme që shumica të investohet me fleksibilitet të shtuar për konsensusin dhe gjithëpërfshirjen pikërisht tani kur dora e zgjatur dhe dera e hapur e opozitës ka fshirë nga fusha e lojës dyshimet e deridjeshme?
Së pari, kjo reformë, kështu siç është paraqitur nga qeveria, nuk ka qenë pjesë e kontratës elektorale të koalicionit të majtë me qytetarët në zgjedhjet e vitit 2013. Askush nuk mund ta dijë si do të kishin votuar shqiptarët po t’u ishte thënë se pushteti vendor në Shqipëri “do të mblidhet” me një të rënë të lapsit në dyzet rrethet e kohës së komunizmit. Por një gjë është e qartë për çdo njeri: është tepruar e po teprohet shumë duke mos i pyetur zgjedhësit për asgjë, duke u premtuar atyre atë që nuk do të bëhet e duke bërë atë që nuk u është zënë fare në gojë. Sjellje të tilla legalizojnë hipokrizinë në politikë, përjashtojnë zgjedhësit nga qeverisja reale, i poshtërojnë ata duke u zhvlerësuar votën. Nuk është e mundur që një reformë kaq e gjerë, kaq radikale dhe kaq e rrallë, siç është reforma administrative-territoriale, të bëhet duke injoruar e anashkaluar plotësisht shprehjen e zgjedhësve me votë.
Edhe një ligj i thjeshtë që miratohet me shumicë të thjeshtë, nuk është e drejtë të nxirret nga mënga siç nxjerr prestigjatori zogun. Jo më një ligj që formalisht kërkon shumicë të cilësuar, ndërsa tradicionalisht, për vetë rëndësinë dhe impaktin që ka në gjithë territorin dhe popullsinë e vendit, nuk i mjafton as shumica e cilësuar, por kërkon konsensus të gjerë politik dhe publik.
Së dyti, edhe sikur fjala vjen të kishte qenë pjesë e kontratës elektorale të partive të shumicës, këto parti nuk kanë fituar një shumicë të cilësuar prej 84 deputetësh nga zgjedhësit shqiptarë. Në rastin ekstrem, ka ligje të tjera që mund të votoheshin me një shumicë të krijuar nga trafiku i deputetëve, por jo reforma administrative-territoriale. Të votosh këtë reformë me një shumicë të fabrikuar do të thotë të mos e vulosësh, por ta njollosësh atë.
Së treti, reforma në fjalë është nga të paktat, në mos e vetmja që ka implikime kushtetuese të pashmangshme. Pika dy e nenit 108 të Kushtetutës e thotë qartë se kufijtë administrativë-territorialë të njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i banorëve që banojnë në to. Është vërtet shumë e çuditshme që shumica e sotme i ka hyrë detit me këmbë me reformën e saj deri sot të njëanshme, duke pretenduar të zëvendësojë këtë dispozitë të qartë e të drejtpërdrejtë me artifice nga ato që duan të kapin veshin e djathtë me dorën e majtë.
Për të gjitha këto tri arsye madhore, konsensusi politik mes shumicës dhe opozitës ka qenë dhe është minimumi për t’i dhënë legjitimitet dhe qëndrueshmëri kësaj reforme.
Është momenti që shumica ta konsiderojë dhe ta japë konsensusin që kërkon opozita. Opozita nuk mund të abuzojë me konsensusin, siç ka dyshuar shumica, sepse në këtë mënyrë do të digjte veten për sot dhe për nesër. Ashtu siç komprometohet shumica duke mos e dhënë, po ashtu do të komprometohej opozita duke e keqpërdorur. Qeverisë në këtë rast do t’i lindte e drejta ta tërhiqte konsensusin duke dalë e larë për vete.
Është momenti që shumica t’i përgjigjet vullnetit të opozitës me vullnetin e saj, etikës së opozitës me etikën e saj. Këtu nuk mund të lihet jashtë analizës faktori kohë, që shumica e ka shqetësim legjitim dhe ka të drejtë ta përdorë në qëndrimet e saj. Ajo ka avancuar me variantin e saj dhe ka vendosur disa afate, që ndërsa nuk duhen trajtuar si tabu, nuk është e drejtë as të injorohen. Në këtë rast, shumica mund të gjejë mënyrat më të përshtatshme për të shkuar drejt konsensusit me “procedurë të përshpejtuar”, siç thuhet. Kryetari i komisionit parlamentar për reformën, Bashkim Fino, një deputet dhe politikan i kredituar përgjatë viteve në zgjidhjen e ngërçeve politike, nuk ka arsye të ndihet i zhgënjyer e ca më pak të nxitohet të lexojë në qëndrimin e opozitës një manovër për shtyrjen e zgjedhjeve vendore! Në të kundërtën, ka arsye të bëhet protagonist i gjithëpërfshirjes, duke qenë se rruga duket më e hapur se kurrë dhe opozita është më afër bashkëpunimit se asnjëherë tjetër më parë. Opozita nuk nxori një hartë të saj dhe nuk shfaqi paragjykime për hartat që kanë qarkulluar, përfshirë ato të qeverisë. “Le t’i mbajmë në xhep edhe këto”, tha Lulzim Basha për hartat e qeverisë, duke shpalosur pikëpamjen e tij dhe të opozitës se duhet bërë ligji i pari, pastaj harta bashkangjitur. Ky opsion u shpreh, por nuk më duket se u vu si kusht “o kështu, o s’ka”. Qëndrimet konstruktive kërkojnë reagime konstruktive. Nëse mendon se po i kërkohet shumë, qeveria fare mirë mund të avancojë propozimin për të ecur me ligjin dhe me hartën paralelisht, sikurse mund të dalë më një kalendar të saj fleksibël për afatet.
Janë të gjitha mundësitë për të gjetur gjuhën. Qeveria dhe shumica parlamentare kanë në fushën e tyre një shans që nuk duhet ta djegim. Nëse do të ketë marrëveshje, efektet pozitive do të ndihen në ecurinë politike të vendit në tërësi. Por nëse nuk do të ketë marrëveshje për një reformë që e ka të domosdoshme, për të mos thënë të detyrueshme marrëveshjen, jeta politike do të bëjë hapa të tjerë prapa në humbëtirën e luftës së ftohtë dhe konfliktualitetit. Antistrofa e këtij zhvillimi të padëshirueshëm është sot një fjali e vetme: Dëgjoje shefin e opozitës, zoti Kryeministër.