Disa rreshta për pagën minimale

Nga Bardhi Hajdarasi, botuar në  Shqip, 4 korrik 2014

Konferenca e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që zhvilloi punimet dje në Tiranë, u ndal në mënyrë të posaçme te politikat e pagave. “Në politikën e pagave, sidomos në sektorin jobuxhetor dhe atë privat, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka negociuar në mënyrë të vazhdueshme me punëdhënësit e punëmarrësit për të realizuar një mirëkuptimin social, me qëllim që paga të jetë vërtet një element i rëndësishëm për nxitjen e aktivitetit ekonomik dhe një faktor i rëndësishëm për uljen e varfërisë – tha dje Erion Veliaj, ministër i MMSR.

Duke e vlerësuar të lavdërueshme këtë qasje të ministrit (për herë të parë në këto nivele), dua të theksoj se debati për çështje të tilla të ndjeshme është një e mirë publike, në fakt, që mund e duhet t’u shërbejë edhe administratorëve publikë, përveçse aktorëve të interesit. Po shtoj edhe unë disa fjalë për këtë çështje, duke qenë se përfaqësuesit e punëdhënësve nuk shfaqën ndonjë qëndrim të tyre në këtë konferencë ndërkombëtare, të cilat sigurisht që janë thënë në Shqipëri në kontekste të tjera.

PAGA MINIMALE DHE PAPUNËSIA

Pa dashur të teorizojmë lidhur me korrelacionin mes rritjes së pagës minimale dhe punësimit dua të kujtoj se një sërë studiuesish të njohur në fushën e tregut ndërkombëtar të punës kanë argumentuar tashmë se ka një lidhje të zhdrejtë mes rritjes së pagës minimale dhe punësimit. Kujtoj se ende nuk ka një politikë të njehsuar europiane të rritjes së pagës minimale. Kujtoj gjithashtu që Gjermania ka që nga viti 2004 që debaton lidhur me aplikimin e pagës ligjore minimale, (ndërsa vetëm dje ka miratuar pagën minimale orare, prej 8,5 eurosh) apo Britania e Madhe e ka vlerësuar futjen e një page ligjore të barasvlefshme me humbje masive të punës.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, 18 nuk kanë një rrogë minimale ligjore (midis të cilave Danimarka, Gjermania, Finlanda, Italia, Austria, Suedia dhe Qiproja). Në shumicën e vendeve të tjera paga minimale është nën 50 për qind të të ardhurave mesatare bruto mujore, (si në Luksemburg dhe Irlandë).

Por edhe në ato shtete të BE-së, ku ekziston një ligj i pagës minimale, zhvillimi i vërtetë i pagave karakterizohet nga dy prirje thelbësore. Në njërën anë, pagat kanë lënë prapa rritjen e produktivitetit. Nga ana tjetër, kjo ka kontribuar në dobësimin e konsumit privat dhe ka çuar në nivel të ulët zhvillimin ekonomik dhe të punësimit. (Schulten / Bispinck / Schäfer, 2006). Ekspertë ndërkombëtare kanë konkluduar se rregullimi politik i pagave ka një efekt negativ në punësim. Që do të thotë se nuk ka konkurrencë të përsosur në tregun e punës, si në tregje të tjera. Nëse shteti ndërhyn në funksionimin e tregut me vendosjen e një page minimale dhe kjo është më e lartë se paga ekuilibër, kërkesa për punë bie. Si rrjedhojë, shënohet rritje e papunësisë, e cila dëmton veçanërisht grupet profesionale në segmentin e pagave të ulëta.

Pavarësisht këtyre rekomandimeve teorike e shkencore, në Shqipëri paga minimale zyrtare në shkallë vendi është rritur në mënyrë anormale. Nuk ka pasur asnjëherë, asnjë studim të tregut të punës dhe të karakteristikave sektoriale të tij, sa herë është propozuar dhe është rritur paga minimale në shkallë vendi. Nuk ka ndodhur askund si në Shqipëri që paga minimale të ndryshojë tri herë brenda të njëjtit vit kalendarik, sikundër ndodhi pesë vjet më parë. Ka ardhur koha që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të kërkojë atë që sot është bërë domosdoshmëri në Komisionin Europian: Krijimin e një komisioni të pavarur me përfaqësues të biznesit, akademikë dhe përfaqësues të sindikatave, që të analizojë efektet e pagës minimale dhe të pagave të ulëta në nivel kombëtar dhe sektorial. Një institucion i tillë do të kishte përparësi për të qenë në gjendje të ndërmjetësonte në mes të përfaqësuesve të interesave të ndryshme dhe të kontribuonte në arritjen e një konsensusi. Kjo do të rriste fizibilitetet politike e qëllimet afatgjatë të krijimit me ligj të një niveli pagash minimale të studiuara në përputhje me Kartën Sociale dhe qëllimet e Strategjisë së Lisbonës, për sa i përket rregullimit të pagave minimale.

PAGA MINIMALE DHE SEKTORI I PËRPUNIMIT AKTIV

Biznesi që punon me mall të porositësit, me FASON, është i kategorizuar si biznes eksportues dhe që punon kryesisht, ose vetëm, për partnerë të huaj. Kjo marrëdhënie të punuari me material porositësi është e ndërtuar vetëm për shkak të krahut të lirë të punës dhe produkt i vetëm i saj është krahu i punës, i cili merr vlera atëherë kur produkti i realizuar shkon në destinacionin e tij, që është porositësi i huaj. Në momentin kur kostoja e prodhimit rritet për shkak të rritjes së pagës minimale, e shoqëruar dhe me rritjen e taksave të punës, klienti i huaj do të detyrohet të largohet drejt tregjeve më të lira. Arsye për këtë transferim është dhe fakti se, transferimi i kapitalit, në rastin e industrive të tekstilit dhe këpucëve, është lehtësisht i realizueshëm dhe me kosto relativisht të ulët. Nga ana tjetër, ashtu siç është theksuar dhe herë të tjera për rastet e rritjeve të pagës minimale, (për shkak dhe të faktit se kjo industri nuk mund të operojë me çmimet e saj në treg), efektet negative të rritjes së pagës dhe të taksave të punës, nuk mund të kalohen në rritjen e çmimit të shitjes, por përballohen nga fitimi i subjektit përkatës.

Për të argumentuar këtë fakt, po marrim një shembull hipotetik: Në një situatë hipotetike të një biznesi fasonist me 50 punëtorë, në momentin aktual të taksës së tatimfitimit prej 15%, pagesa e tatimfitimit mesatarisht, sipas studimit të bërë nga DHKPVK, është rreth 4.500.000 lekë në vit, në nivelin e pagës minimale prej 22 000 lekësh, që presupozon se fitimi vjetor është 30 000 000 lekë. Në rast se do të shkohet në nivelin e pagës minimale prej për shembull 23 000 lekë, atëherë do të kishim një rritje të shpenzimeve për 1 vit në shifrën

17.340.000 lekë. Për shkak se kontrata është me të huaj, negociimi i vlerës së punës është pothuajse i pamundur dhe në shembullin tonë, ashtu siç ndodh dhe realisht, këto shpenzime do të prekin fitimin e ndërmarrjes. Për pasojë, fitimi i ndërmarrjes do të shkojë: 30 000 000 – 17.340.000 = 12.660.000 lekë.

Në këtë nivel fitimi, jo vetëm biznesi nuk ka interes më që të punojë, por dhe shteti nuk ka interes, sepse pjesa e tatimfitimit që i paguhet shtetit, do të jetë më pak.

PSE ARGUMENTOJ MOSRRITJEN E PAGËS MINIMALE?

Ja arsyet: 1. Në shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason) në totalin e zërave të kostos rreth 80% e zë zëri paga, 10% amortizimi e 10% kosto të ndryshme të aktivitetit. Kjo do të thotë që rritja e pagës minimale do të çojë në mënyrë automatike në rritjen e kostos dhe në ulje të fitimit.

2. Shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason) janë të kondicionuara në lidhje me çmimin për punën e kryer nga porositësi, pasi vlera e punës në koston totale të prodhimit për njësi, zë një peshë specifike rreth 25%. Në këtë mënyrë, porositësi është superior dhe kërkon vetëm të blejë vlerën e punës aty ku është më lirë.

3. Shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason) realizojnë një marzh fitimi mesatarisht nga 4% deri në 6%, që, me rritjen e kostos për x % nga rritja e pagës minimale, do të çojë në uljen e marzhit të fitimit me rreth x %. Kjo do të thotë mungesë investimesh, mungesë të rritjes së biznesit, pamundësi për përmirësim të procesit teknologjik, pamundësi përshtatje me teknologjitë e avancuara, mungesë likuiditetesh etj.

4. Në shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason), duke qenë se pjesën më të madhe të të punësuarve e zë kategoria femër, ka një lëvizje të punonjësve (largime të mundshme) me një koeficient shumë të lartë. Në këto kushte, këto shoqëri, në mënyrë të përhershme kanë një numër të konsiderueshëm punonjësish të rinj, të cilët nuk japin rendimentin dhe cilësinë e duhur. Që një punëtore në këto shoqëri të arrijë të cilësohet e kualifikuar, i nevojitet të paktën një periudhë kohore prej rreth dy vjetësh. Kjo do të thotë që në këto shoqëri një pjesë e konsiderueshme e pagës nuk kthehet në prodhim.

5. Shoqëritë që punojnë me material porositësi (fason), për natyrën e procesit teknologjik, kanë një numër të konsiderueshëm të punësuarish dhe efektet financiare nga lëvizjet e pagave apo të detyrimeve për t’u paguar, janë shumë më të ndjeshme në krahasim me sektorë të tjerë.

6. Në kushtet e një krize globale, e një konkurrence të tregut aziatik apo edhe europian, shoqëritë me fason aktualisht janë shumë të rrezikuara ndaj falimentimit. Sot tregu aziatik po ofron një kosto shumë të lirë të fuqisë punëtore dhe, jo vetëm kaq, por edhe me lehtësira ndaj investitorëve të huaj.

7. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në marrëdhëniet midis punëmarrësit dhe punëdhënësit në përcaktimin e pagës, por duhet të krijojë lehtësira për këtë biznes me qëllim forcimin dhe rritjen e tij, që në mënyrë automatike krijon mundësi për perfeksionim, garanci, cilësi dhe siguri për porositësin, fitim, që do të thotë rritje edhe të nivelit të pagës. Por kjo rritje duhet të bëhet në mënyrë të lirë, sipas rregullave të tregut dhe jo e imponuar nga shteti.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi