Shqipëria firmos me BE-në programin më të madh për kërkimin shkencor
Horizon 2020, 1 korrik 2014
Ministrja e Arsimit dhe e Sportit Lindita Nikolla, ka firmosur sot në Bruksel programin më të madh për kërkim dhe zhvillim, “Horizon 2020”.
Programi i BE-së për Kërkim dhe Inovacion, i cili premton arritje të mëdha në kërkimin shkencor, ofron financime prej 80 miliardë eurosh për një periudhë 7-vjeçare (2014-2020), përveç financimeve që do të mund të sigurohen prej investuesve privatë.
Nikolla tha gjatë ceremonisë se qeveria e Shqipërisë do të ofrojë mbështetjen maksimale për të gjithë iniciativat e bashkëpunimit ndërmjet studiuesve shkencorë vendas dhe atyre ndërkombëtarë.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit ka qenë dhe mbetet e përkushtuar tërësisht për të mbështetur institucionalisht çdo iniciativë dhe projekt kërkimor të përbashkët që do të ndërmerret për adresimin e sfidave që lidhen me zhvillimin e kërkimit shkencor dhe me ndërtimin e kapaciteteve për këtë zhvillim”, tha ministrja e Arsimit.
Nikolla gjithashtu theksoi se progresi shkencor është një parakusht për arritjen e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor të Shqipërisë, dhe se shoqërisë sonë do t’i duhet të ketë universitete, të cilat bazohen gjerësisht te kërkimi shkencor, duke mbështetur vendin për arritjen e objektivave të sipërpërmendura.
“Në këtë kuadër qeveria aktuale e Shqipërisë ka inkurajuar forcimin e partneriteteve ndërmjet institucioneve kërkimorë shqiptarë dhe evropianë dhe e ka shndërruar këtë në një prioritet për qeverisjen tonë. “Horizon 2020” na ofron një kuadër të fuqishëm për forcimin e këtyre partneriteteve dhe për përmirësimin e cilësisë së kërkimit shkencor”, tha ministrja Nikolla.
“Horizon 2020” do të sjellë bashkë tre programe të ndryshme (FP7, CIP dhe EIT); do të bashkojë kërkimin me inovacionin dhe do të fokusohet tek sfidat shoqërore që ka sot BE-ja.
Gjithashtu do të ketë një akses më të thjeshtë se programet paraardhëse për kompanitë, universitetet dhe institucionet në të gjithë shtetet evropiane e më tutje.
Ndryshe nga FP7, “Horizon 2020” do të ketë tri shtylla kryesore:
1.“Shkencë –Ekselencë”,
2.“Lidership industrial”,
3.“Sfidat shoqërore”.