Pakti i munguar për Shqipërinë Evropiane

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 1 korrik 2014

Hose Manuel  Barroso u prit me nderime në Tiranë, mbajti fjalim në parlament, mori dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar dhe kudo dha mesazhin: bashkëpunoni për projektin e Shqipërisë në BE. Është mesazhi që çdo delegacion, zyrtar, OJF dhe zë ndërkombëtar i adreson prej vitesh klasës politike në Shqipëri. Dhe jo rastësisht. Në vigjilje të vizitës së tij, për trupin diplomatik, median dhe VIP-ët e imponuar të politikës dhe jetës publike mbërritën tri ftesa me objekt festimin e vendimit të BE-së për Shqipërinë.
Opozita organizoi koncert festiv, mazhoranca bëri pritje zyrtare dhe kreu i shtetit një pritje tjetër zyrtare. U ftuan të njëjtit persona, në tri evenimente, për të njëjtën temë dhe motiv. Mjafton ky detaj shqiptar për të dëshmuar se sa pak është kuptuar mesazhi i BE ndaj Shqipërisë dhe sesa larg ndodhet Shqipëria politike e institucionale nga standardet e anëtarësisë së plotë. Imagjinoni të ndodhë e njëjta gjë në Paris, Londër, Berlin, Romë, Bruksel apo edhe Lubjanë e Zagreb! Janë modele të largëta për ne, por nëse i referohemi synimit tonë për anëtarësim në BE, janë modelet ku duam të arrijmë, pra janë standarde të njëjta për çdo vend.
Siç theksoi mesazhi i kancelares Merkel dy ditë më parë në Berlin dhe ai i Presidentit të KE-së dje në Tiranë, dhënia e statusit të vendit kandidat duhej të jetë një pikë kthese, reflektimi dhe ndryshimi në mentalitet, sjellje dhe akte konkrete nga klasa politike shqiptare, moment për angazhime, reforma dhe rezultate konkrete, politikë institucionale dhe investim për shtetin e së drejtës. Në kontrast të thellë me këtë mesazh e pritshmëri evropiane, politika shqiptare vijon të bëjë atë që di të bëjë më mirë prej më se dy dekadash: të refuzojë mesazhet emancipuese, të refuzojë standardet dhe vlerat më të mira të demokracisë, duke menduar vetëm për atë që i intereson më shumë, komoditeti personal, politik dhe elektoral.
Në Tiranë nuk pati festime në rrugë dhe as deklarime patetike si në rastin e “miracle of freedom”, por edhe këtë herë politika vijoi të festojë ndaras, etiketoi palën tjetër duke fajësuar tjetrin për vonesat dhe duke tentuar ta konsiderojë vendimin e Brukselit si arritje personale. Në dallim nga 2008 këtë herë nuk pati mitingje dhe fjalime populiste në rrugë, por në rrjetet sociale, nuk pati muzikë pop dhe folk në koncerte masive por kostume luksoze dhe muzikë elitare nga orkestrat më moderne të Tiranës , – dallimet e vetme midis Shqipërisë së vitit 2008 dhe asaj të vitit 2014.
Të tjerat, mbetën të njëjta. Qeveria premtoi se do ta konsiderojë arritje të gjithë politikës dhe shoqërisë, por edhe ketë herë shpesh e humbi seriozitetin institucional duke përdorur ligjërim me batuta rrugësh dhe këngëtarë të muzikës pop. Ajo gaboi kur fillimisht ia atribuoi meritën vetëm partneritetit PS-LSI. E para e ardhur në pushtet pas një mandati keq-qeverisës të palës tjetër, e dyta në pushtet si gjatë keqqeverisjes me palën tjetër ashtu edhe në vitin e parë të ri-lindjes. Përpjekja e saj më pas për sjellje institucionale formale dhe nuk solli rezultat, edhe për shkak se të gjitha palët adresuan ftesa duke ditur paraprakisht refuzimin e tyre. Opozita vijon të sillet pa strategji dhe identitet të qartë politikë. Në vend të vlerësimit të arritjes për Shqipërinë, ndjesë dhe reflektimit për përgjegjësitë e saj dhe politikës, bëri të kundërtën, – tentoi ta konsiderojë vendimin e Brukselit rezultat të qeverisjes së saj të dikurshme dhe të vetmit person që iu adresuan meritat ishte ai i cili një vit më parë u votua personalisht me më shumë 1 milion vota kundër.
Palët e tjera politike imituan partitë e mëdha, zërat e tjerë publikë nuk u ndjenë dhe kështu, dita e rëndësishme e historisë së re shqiptare erdhi dhe iku si çdo ditë tjetër e këtij tranzicioni, – e dominuar nga retorikat, propaganda dhe pushteti absolut i partive dhe liderëve të tyre mbi shtetin, median dhe shoqërinë qytetare. Në kontrast me to, pati deklarime të ardhura nga shtetet anëtare të BE, vende mike dhe politikanë me investime të dukshme mbështetjeje për Shqipërinë, mesazhi i të cilëve ishte i njëjtë: nuk është meritë, por shans për ndryshim dhe se nuk është fundi por fillimi i një procesi ndryshimesh i cili përballet me sfida akoma më të mëdha.
Referuar praktikës së vendeve të tjera ish komuniste e të njëjtës fazë politike, – Kroacisë, Sllovenisë, Hungarisë, Polonisë, Bullgarisë dhe deri Rumanisë, – momente të tilla janë kaluar përmes një politike të re në formë e përmbajtje, përmes paktit të forcave kryesore politike për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, përmes akteve konkrete anti-korrupsion dhe reformave të thella në çdo sektor shtetëror e publik.
Kjo ishte ajo që pritej edhe në Shqipërinë e vitit 2014. Pritej që Presidenti ose Kryeministri të inicionin takimin e liderëve politikë me një axhendë reformash të thella, dhe që opozita të dallonte në këtë axhendë sfidat e mëdha për të cilat duhet konsensus e bashkëveprim afatgjatë, për të bërë alternativën konstruktive të qeverisë në aspektet e tjera të qeverisjes, në politikat ditore dhe standardet sesi do zbatohen reformat e mëdha. As njëri, as tjetri dhe as opozita nuk ndërmorën asnjë nismë të tillë, ata thjeshtë vijuan të jenë të njëjtët që ishin më parë, si në ditën kur Shqipëria lutej për statusin kandidat, ashtu edhe në ditën kur Evropa i dhuroi asaj statusin e vendit kandidat.
Pati festë, pati muzikë, pati fishekzjarrë, pati shampanjë e fjalime, pati parada kostumesh të shtrenjta dhe fotografi në mjedise luksoze, pati batuta e luftë politike në median e vjetër dhe të re, – por në qershorin e vitit 2014 Shqipërisë do t’i mundojë ajo për të cilën ajo ka më shumë nevojë se kurrë: përgjegjësia dhe pakti politik për Shqipërinë Evropiane! Tej fasadës së festave dhe grindjeve provinciale për pushtet dhe para nuk ka ende strategji dhe as tregues se elitat politike janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje përfundimtare për reformën në drejtësi, për reformën territoriale, për reformën e pronësisë mbi tokën, për shtetin e së drejtës dhe institucionet efektive e të pavarura, për median e lirë dhe konkurruesen e garantuar, për një sistem zgjedhor më përfaqësues dhe sidomos për luftë konkrete kundër korrupsionit.
Midis dhjetëra pyetjeve ato që mbeten thelbësore në këtë fazë janë: çfarë e pengon qeverinë dhe opozitën të bashkëpunojnë për shtetin dhe demokracinë dhe më pas të vijojnë konkurrencën politike për tu dhënë alternativën më të mirë qeverisëse qytetarëve dhe vendit? A kanë ata vullnet për reforma reale? A kanë ata gatishmëri të sakrifikojnë interesat e ngushta ditore në funksion të një stadi të ri për demokracinë e shtetin? A kanë ata ide, vizion dhe përgjigje të qarta për sfidat me të cilat përballet vendi? A duan ata që Shqipërinë të bëhet pjesë e BE-së? A kanë mësuar ata nga gabimet e të kaluarës dhe a janë të gatshëm të mos përsërisin të njëjtat gabime? Janë pyetje që meritojnë përgjigje dhe me siguri, çdo qytetar e ka një përgjigje në mendjen e tij.
Por në Shqipëri nuk vendosin qytetarët. Ata janë pa përfaqësim, pa mundësi imponimi përmes votës, pa shumë alternativa zgjedhjeje dhe pa mekanizma që u garantojnë demokraci funksionale. Ata janë dhe mbeten viktima dhe pengje të politikës, viktima dhe pengje të një sistemi vendimmarrës jo-transparent dhe para-demokratik, viktima dhe pengje të një mentaliteti sundimtarësh të largët për modelin e sotëm evropian dhe me tregues vazhdimësie nga periudha e sundimit otoman, – me dallimin e vetëm se njëherë në katër vjet vetë qytetarëve u pëlqen të mendojnë ndryshe.
Zgjidhja? Projekti evropian i Shqipërisë është zgjidhja afatgjatë, dhe mesazhet zyrtare të Brukselit e qartësojnë axhendën e veprimeve dhe reformave që duhen ndërmarrë. Në aspektin afatshkurtër zgjidhja mbetet e brishtë dhe e kufizuar: nëse ka zëra qytetarë e liberalë në radhët e mazhorancës apo opozitës parlamentare, nëse kemi drejtues institucionesh kushtetuese me integritet dhe përgjegjësi, nëse kemi ende aktorë të shoqërisë civile me parime civile brenda saj, nëse kemi ende media apo zëra publikë që shohin tej politikës së ditës, le të bashkohen virtualisht në nismën për të iniciuar paktin politik afatgjatë për Shqipërinë Evropiane.
Këtë pret Brukseli, këtë presion partnerët evropianë që na votuan, këtë presin qytetarët, kjo përbën interesin madhor të gjithsecilit dhe kjo është ftesa e vetme që të gjithë do të mirëprisnin sot, – përfshirë diplomatët, media, institucionet protokollare dhe VIP-ët e imponuar të politikës. Gjithçka tjetër veç kësaj përbën një deja vu, dhe një shans tjetër i shpërdoruar për Shqipërinë.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi