Barroso: Forcimi i sistemit gjyqësor – rëndësi kritike

Gjykata e Krimeve të Rënda

Kryeministri Rama dhe Presidenti i KE Jose Manuel Barroso vizituan sot Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila është ngritur me kontribute të Komisionit Evropian, ku dhe u takuan me drejtues të saj, si dhe prokurorë e gjyqtarë, pjesë e kësaj strukture.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama tha:

Besoj që Bashkimi Europian, përmes Komisionit ka bërë në gjithë këto vite, shumë për vendin tonë dhe kontributet e drejtpërdrejta për ndërtimin e kapaciteteve dhe të institucioneve kanë qenë të shumta. Por, fakti që Presidenti Barroso ka zgjedhur të vizitojë pikërisht këtë institucion, të ndërtuar fizikisht me kontributet e KE, besoj është më shumë sesa simbolik dhe lidhet drejtpërdrejtë me sfidën e jashtëzakonshme që kemi të gjithë së bashku për të kaluar nga një fazë e një drejtësie primitive, në një fazë të re të një drejtësie europiane.

Për të kaluar në një fazë ku drejtësia sot është problemi më i madh me të cilin na identifikojnë miqtë dhe partnerët tanë europianë, në një fazë ku drejtësia të jetë një sfidë  e fituar, falë së cilës ne të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian.

E kam thënë edhe në raste te tjera. Po e përsëris dhe këtu para jush, që do të mbetet e paharrueshme për mua, ndër të tjera në takimin me Kancelaren Merkel edhe ajo pjesë e takimit ku Kancelarja më ka parë në sy dhe më ka thënë: Dakord, Shqipëria mund të jetë kështu siç thua ti, mundet që vërtetë ta fitojë statusin e vendit kandidat dhe ne me siguri do ta mbështesim Shqipërinë për ta marrë statusin e vendit kandidat, por dua të më shohësh në sy dhe të më thuash se vërtetë beson me drejtësinë që është sot në Shqipëri, Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian?

Sigurisht, që të gjithë bashkë ne që jemi këtu mikpritës të Presidentit të Komisionit e dimë që  përgjigja është JO! Shqipëria me këtë gjendje të sistemit të drejtësisë, nuk mund të bëhet dot anëtare me të drejta të plota në Bashkimit Europian. E kjo është një sfidë e përbashkët përmes një reforme, asaj në drejtësi që duhet të adresojmë të gjithë së bashku. Ta adresojmë si një reformë që nuk është  një reformë e koalicionit qeverisës, por është një reformë e shoqërisë. Nuk është një reformë e një pale, por është reformë e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, pa të cilët sistemi nuk mund as të ndryshojë dhe as të funksionojë. Një reformë ku roli i drejtpërdrejtë i gjyqtarëve, i prokurorëve dhe i autoriteteve të pushtetit gjyqësor është absolutisht i patjetërsueshëm.

Një reformë për të evidentuar problemet dhe pastaj, për të ndërmarrë të gjithë hapat e domosdoshëm, që të kalojmë në një fazë të re të jetës së sistemit të drejtësisë.

Unë jam i bindur, që kjo reformë është një sfidë që ne do ta fitojmë sëbashku, edhe falë mbështetjes së Bashkimit Europian, falë ekspertizës së Komisionit të Venecias, falë ekspertizës së misionit EURALIUS dhe falë të gjitha atyre pjesëve të tjera që pa asnjë dyshim do të plotësojnë mozaikun e kontributeve për këtë reformë, në një proces ku askush nuk do ta bëjë për ne, atë që ne na takon të bëjmë për Shqipërinë dhe gjeneratat e tjera: krijimin kushteve që drejtësia të japë drejtësi, që drejtësia të mos jetë një pazar, që kush ka para blen mallin që do dhe kush nuk ka para kthehet me gisht në gojë në shtëpi dhe që çekiçi i gjyqtarit të mos jetë një armë për të marrë jetë, në bashkëpunim me kriminelë, që falë atij çekiçi ridalin në rrugët e qyteteve tona dhe rivrasin njerëz, por të jetë instrument përmes të cilit, populli bën drejtësi dhe merr drejtësi.

Dua që t’i shpreh Presidentit, një falenderim të veçantë për zgjedhjen që bëri duke ardhur të vizitojë këtë institucion. S’ka dyshim që Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda përbëjnë edhe një arsye për të besuar se institucione funksionale të drejtësisë nuk janë utopi, por janë të mundura. Ashtu sikundër, jo pak prokurorë e gjykatës përbëjnë një bazë të mjaftueshme mbështetjeje, që reforma të bëhet realitet dhe që njerëzit e drejtësisë të mos identifikohen me horrat, që nën togën e zezë të gjyqtarit janë për këtë shoqëri edhe më të rrezikshëm se vetë kriminelët. Pasi përmes një mandati, që ua jep Kushtetuta dhe ligji, shkelin Kushtetutën e ligjin, për të lehtësuar rrugët e krimit dhe duke u bërë bashkëfajtorë në krim.

Ne do të fillojmë intensivisht punën për këtë reformë. Të gjithë do të jenë të ftuar të marrin pjesë për të dhënë kontributin e tyre. Padyshim, hapat duhet të jenë të shpejtë, duhet të jenë të vendosur dhe duhet të jenë të atillë, që të shkëputemi një herë e përgjithmonë nga kjo fazë e historisë së sistemit të drejtësisë, që është një turp i përbashkët.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Komisionit Europian solli në vëmendje rëndësinë që ka për Bashkimin Europian sundimi i ligjit, ç’ka e dëshmon edhe kontributi në realizmin e këtij projekti kaq të rëndësishëm dhe kyç për shoqërinë, Gjykata e Krimeve të Rënda. “Forcimi i sistemit gjyqësor ka një rëndësi kritike në vijimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE pas marrjes së statusit kandidat”, theksoi presidenti i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso pas vizitës në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas tij marrja e statusit ishte rezultat i punës së bërë në të gjitha fushat, përfshi edhe reformën në sistemin gjyqësor.
“Javën e shkuar kishim një lajm të mirë për Shqipërinë në veçanti për integrimin e Shqipërisë në BE. U arrit një moment historik kur Shqipërisë ju dha statusi kandidat. Dhënia e statusit është rezultat i përpjekjeve të vetë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse ishte pikërisht puna e bërë në të gjitha fushat duke përfshirë edhe reformën në sistemin gjyqësor dhe përpjekjet pozitive që u bënë në luftën kundër krimit. Ndaj jam kaq i kënaqur që gjendem këtu sot për të vizituar Gjykatën e Krimeve të Rënda që ka një rol kaq të rëndësishëm për të luajtur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“E kam kuptuar që kompetencat e kësaj gjykate janë zgjedhur më tej duke mbuluar edhe korrupsionin nga zyrtarët e niveleve të larta. Ne na duket që kjo lloj pune do e vejë theksin në punën e mëtejshëm të këtyre veprave penale. Ne po ashtu besojmë që gjykata të jetë efikase duhet bashkëpunim i përforcuar mes institucioneve. Gjykata duhet të punojë dhe bashkëpunojë me agjensitë e zbatimit të ligjit dhe ILDKP. Gjykata më vete nuk do të funksiononte sepse ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.”- u shpreh Barroso.
Më tej ai theksoi se investimi që BE ka bërë në sistemim gjyqësor në Shqipëri, një investim që kap shifrën 150 milionë euro është dëshmi e rëndësisë që Bashkimi Evropian i jep çështjes së integrimit të Shqipërisë. “BE është krenar që ka kontribuar në këtë projekt të rëndësishëm për shoqërinë. Natyrisht që kjo ndihmë që kemi dhënë në fushën e sundimit që deri tani kap shifrën 150 milionë euro asistencë financiare është dëshmi e rëndësisë që u japim këtyre çështjeve dhe angazhimit të Shqipërisë dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Në të gjitha takimet që kam bërë në Tiranë kam theksuar rëndësinë kritike që ka fuqizimi i pushtetit gjyqësor në vend.”- vijoi më tej Barroso.
Ai theksoi se Gjykata dhe gjyqësori është tepër i rëndësishëm në konsolidimin shtetit të së drejtës në vend. “Dëshiroj t’ju uroj suksese të mëtejshme në punën tuaj. E di që puna juaj për konsolidimin e shtetit të së drejtës do jetë në vazhdim.”- përfundoi presidenti i Komisionit Europian.

Nga ana e tij, Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, siguroi se përvoja e deritanishme e këtij institucioni është një garanci për vijimin e mëtejshëm të rezultateve.

 Ndërsa, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, u shpreh se në vitet e fundit ka pasur disa përmirësime në sistemin e drejtësisë, por në disa drejtime situata është ende problematike.

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi