Rrugëtimi ballkanik drejt BE-së, sfidat dhe problematikat

Botuar në Gazeta Dita, 25 qershor 2014

Kur Europa e pas luftës së dytë botërore, përpiqej të bashkohej në një frymë solidariteti bashkëpunues për t’i lënë pas konfliktet e së shkuarës, sigurisht që projektohej modeli i një gjenerate në paqe dhe në zhvillim ekonomik. Edhe perspektiva ballkanike drejt kësaj Europe të bashkuar, ekspozohet si mbartëse e së njëjtës filozofi reflektuese, pajtim historik dhe paqe solide. Në të dyja rastet diplomacia e përtej Atlantikut, shfaqet si faktor inkurajues dhe përkrahës i këtyre politikave bashkëpunuese.

Problematikat dhe sfidat e vendeve të Ballkanit 

Specifika ballkanike e karakterizuar nga një izolim i konsiderueshëm ndër vite i shkaktuar prej rrethanave të ndryshme politike, ka komplikuar imazhin e saj përballë shoqërive evropiane. Luftërat dhe konfliktet e vazhdueshme në rajon, si edhe problematikat shoqëruese ndër vite të tyre, kanë kontribuar në rritjen e një perceptimi negativ, duke i ndërlidhur shpesh këto kombe dhe popullatat e tyre me etiketime qytetarie reduktuese.

Nga ana tjetër edhe realiteti, nuk ka favorizuar aspak këtë lloj perceptimi. Të dala nga regjime komuniste, me një demokraci të brishtë në zhvillim dhe me një sërë luftërash dhe konfliktesh ndëretnike, vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse të vogla në madhësi dhe popullsi, mbartin bagazhe tejet të rënda historike. Të pozicionuar ekonomikisht më dobët[1] se gjithë vendet e tjera të BE-së, vendet e Ballkanit shfaqin një nivel papunësie të lartë, i cili shoqërohet me një emigracion të lartë dhe ikje të elitave intelektuale drejt vendeve që u krijojnë mundësi për standarde më të mira jetese.

Rrugëtimi drejt BE-së, është gjithashtu specifik. Përveç Kroacisë, e cila arriti të bëhej anëtare e BE-së, në korrik 2013, kemi një ndarje në grupe të vendeve ku Serbia dhe Mali i Zi, duket se po përparojnë drejt rrugës së aderimit në BE. Grupi tjetër, i përbërë nga Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina, duket se janë bllokuar për arsye të ndryshme. Maqedonia është penalizuar nga bllokimi i marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë, për hir të problematikës së emërtimit të saj. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina, e ngecur në një vështirësi funksionimi politik dhe gjetje konsensusi për avancim drejt BE-së, shfaqet tërësisht e paralizuar. Shqipëria me marrjen e statusit kandidat dhe me mundësinë e hapjes së negociatave në një periudhë të favorshme, mund t’i bashkëngjitet grupit të parë tashmë të distancuar. Kosova si rast përjashtimor, pavarësisht faktit se 5 nga vendet anëtare të BE-së nuk pranojnë njohjen e saj, nëpërmjet progresit në marrëdhëniet e normalizimit Beograd-Prishtinë, arriti të shënojë një hap historik nëpërmjet vendimit të Këshillit të qershorit 2013, që autorizoi hapjen e negociatave për nënshkrimin e MSA-së.

Serbia

Arritja e Marrëveshjes me Kosovën mbi Normalizimin e Marrëdhënieve dhe miratimi i Plan-Veprimit, e çoi Serbinë drejt hapjes së negociatave për aderim vitin e kaluar (qershor 2013). Sipas raporteve të Komisionit Europian, Serbia respekton mjaftueshëm kriteret politike dhe i ka kushtuar një vëmendje të veçantë përmirësimit të shtetit të së drejtës. Sfidat serbe përballë integrimit të mëtejshëm shtrihen në fuqizimin e shtetit të së drejtës, reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në administratën publike, pavarësi të institucioneve kyçe, lirinë e medieve, luftë kundër diskriminimit dhe ruajtjen e minoriteteve. Serbia kërkohet gjithashtu të jetë e angazhuar në ndjekjen e mëtejshme të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe vënien në jetë të gjithë marrëveshjeve që burojnë nga dialogu, duke përfshirë dhe bashkëpunimin me EULEX. Progres i mëtejshëm nevojitet në plotësimin e kritereve për përshtatjen e fushave të ndryshme të legjislacionit në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Mali i Zi 

I jepet statusi i vendit kandidat në vitin 2010 dhe negociatat e aderimit janë hapur në qershor të vitit 2012. Hapja e kapitujve është kryer pas realizimit qeveritar të planeve të veprimit që kanë përmbushur kriteret e hapjes së tyre. Mali i Zi po ashtu si edhe Serbia plotëson mjaftueshëm kriteret politikë të aderimit në BE. Sfidat malazeze në këtë rrugëtim, shtrihen në reformën e administratës publike me synim rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike, përforcimi i mëtejshëm i shtetit të së drejtës, liria e shprehjes, ruajtja e të drejtave të minoriteteve, etj. Hapja e kapitujve të mëtejshëm për adaptim të legjislacionit të BE-së, varet nga realizimi i kritereve të kërkuara dhe plotësimi i detyrimeve përkatëse ligjore.

Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina

Ndonëse si Serbia dhe Mali i Zi kanë një progres të dukshëm në rrugën drejt BE-së, me hapjen tashmë të negociatave, situata nuk shfaqet e tillë për Maqedoninë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Maqedonia, ka marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2005. Që prej vitit 2009, Komisioni Europian vlerëson se vendi ka përmbushur në mënyrë të kënaqshme kriteret politike duke rekomanduar në këtë mënyrë hapjen e negociatave. Por, problemi i emrit i ngritur nga Greqia është bërë shkak për bllokimin e hapjes së negociatave. Ajo nuk pranon që Maqedonia të mbajë këtë emërtim, nën pretendimin se me këtë emërtim, Maqedoni, është gjithashtu një rajon grek. Athina duke pretenduar se zotëron të drejtën unike për këtë emërtim, nuk konsideron asnjë kompromis të mundshëm në këtë drejtim. Nën të njëjtin vullnet shfaqet dhe politika e brendshme maqedonase, duke e shndërruar këtë problematikë, po ashtu si edhe politika e brendshme greke, në përkthime interesash momentale nacionaliste. Problemet dypalëshe janë shndërruar në problematikën kryesore të ngecjes së perspektivës evropiane për Maqedoninë.

Por, bllokimi grek i Maqedonisë nuk është risi në përplasjet dypalëshe ballkanike, gjatë aderimit për në BE. Sllovenia gjithashtu arriti të bllokojë Kroacinë për rreth një vit, nën pretendimin e një territori të vogël detar dhe tokësor. Kjo shkaktoi një angazhim të madh nga ana e BE-së për të mundësuar gjetjen e një rrugëzgjidhje, por sigurisht që ekspozoi problematikat e mundshme, që mund të dalin gjatë anëtarësimit ballkanik. Tensione të tilla shfaqen edhe me qëndrimet serbe dhe kroate përballë politikave të BH, duke ndikuar me retorikat përkatëse, përballë realiteteve të komuniteteve shtet-formuese.

Bosnjë-Hercegovina, duket se është e bllokuar në një ngecje, duke mos avancuar më tej. Vendi ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit në vitin 2008 dhe ratifikimi i saj është bërë në vitin 2011. Por MSA, nuk ka hyrë ende në fuqi pasi, BH nuk ka plotësuar kërkesat për aplikimin e vendimit të dhënë nga GJEDNJ në lidhje me çështjen “Sejdic-Finci” (diskriminim kundrejt qytetarëve të bazuar në origjinën etnike). Situata në Bosnjë shfaqet më problematike se në të gjithë vendet e tjera të Ballkanit, kjo për hir të kompleksitetit funksionues politik dhe divergjencave mes palëve. Axhenda evropiane e Bosnjës nuk ka avancuar aspak dhe forcat politike në vend konsiderohen se nuk bëjnë përpjekje për ndërtimin e një dialogu politik me synim integrimin në BE. Progresi drejt perspektivës evropiane, është gjithmonë i nënvlerësuar nga problemet momentale politike dhe etnike që mbisundojnë. Mos zbatimi i vendimit mbi çështjen “Sejdic-Finci” dhe mos vënia në jetë e Mekanizmit të Koordinimit të BE-së, janë dy pika që sipas Komisionit Europian mund edhe të rrezikojnë dhënien e fondeve të para-aderimit, duke humbur në këtë mënyrë, mjete të rëndësishme financimi për avancim të mëtejshëm.

Kosova

Po ashtu si edhe Serbia, Kosova shënoi një moment historik në integrimin e saj drejt BE-së, me hapjen e negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, pas vendimit të Këshillit të qershorit 2013. Kjo u mundësua pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Serbinë mbi Normalizimin e Marrëdhënieve.

Raportet e Komisionit vlerësojnë se, Kosova ka realizuar reforma të rëndësishme politike dhe se i është përgjigjur prioriteteve afatshkurtra në lidhje me shtetin e së drejtës, administratën publike, ruajtjen e minoriteteve. Në muajin prill, Komisioni i rekomandoi Këshillit të përmbyllte një marrëveshje kornizë, që i lejonte Kosovës të marrë pjesë në programet e Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë Kosova njohu një sërë anëtarësimesh në programe dhe institucione të ndryshme: në dhjetor Kosova u bë anëtare e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim; në qershor, ajo nënshkroi një marrëveshje-kornizë me Bankën Europiane të Investimeve  dhe Banka e Zhvillimit të Këshillit të Europës pranoi gjithashtu aderimin e saj; në shkurt, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal vendosi modifikimin e statuteve të tij, për t’i lejuar Kosovës pjesëmarrjen në të me të drejta të plota.

Prioritet i axhendës politike kosovare, ngelet liberalizimi i vizave. Sfidat e mëtejshme evropiane me synim nënshkrimin e MSA-së, sipas Komisionit Europian, mbeten: shteti i së drejtës, sistemi gjyqësor, administrata publike, reforma elektorale, të drejtat themeltare, mbrojtja e minoriteteve, çështjet që lidhen me tregtinë dhe tregun e brendshëm, si edhe çështjet sanitare, që lidhen me tregtimin dhe shitjen e produkteve shtazore.

Shqipëria 

Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, sfida e radhës për Shqipërinë ngelet hapja e negociatave për aderim. Në këtë mënyrë, vendi do t’i bashkëngjitet grupit të përparuar tashmë drejt rrugëtimit evropian dhe vullneti politik për kryerjen dhe realizimin e reformave, që burojnë nga kriteret që do të prezantohen, do të jetë përcaktues i përshpejtimit të progresit evropian.

Konkluzionet e sotme të Këshillit të Punëve të Përgjithshme të BE-së, pasqyrojne sfidat e mëtejshme për qeverinë shqiptare. Ato fokusohen në përpjekjet për të siguruar zbatim të plotë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të prioriteteve kyçe, kryesisht në: fuqizimin e pavarësisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë së gjyqësorit, reforma në  administratën publike, luftë kundër krimit të organizuar, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikave anti-diskriminuese në fushën e minoriteteve si edhe zbatimi i të drejtave të pronës.

Këshilli përsërit në konkluzionet e tij se, dialogu i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës mbi reformat që lidhen me BE, do të vazhdojnë të ngelen një faktor i rëndësishëm në progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Frenimet hezituese brenda BE-së 

Zgjerimi evropian drejt Ballkanit perëndimor, ndonëse është në proces e sipër, shfaq shenja hezitimi brenda BE-së, për hir të një sërë arsyesh komplekse, që ndërlidhin interesat e brendshme të vendeve të ndryshme të BE-së. Ndonëse vullneti politik i BE-së, drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor është i konfirmuar, këto shenja hezitimi, që konkretizohen në shtyrje dhe bllokime avancimesh, nëpërmjet një sistemi votimi me konsensus, apo me mungesën e qartë të një date të saktë anëtarësimi, nuk janë shumë inkurajuese, duke bërë që edhe ritmi i reformave të pësojë ngadalësim dhe të mos jetë shumë motivues.

Sigurisht që realitetet ballkanike, si vende me një ekonomi jo shumë të zhvilluar, me një papunësi të lartë, me një shkallë emigracioni të konsiderueshëm, me probleme të mbartura nga konfliktet dhe luftërat, me një korrupsion dhe krim të organizuar në nivele shqetësuese, shndërrohen në një mekanizëm frenimi për shumë nga këto vende anëtare, të cilat edhe përballen me një emigracion të lartë nga këto vende.

Por, është e rëndësishme të theksohet edhe vlera e një memorie historike, pasi edhe Europa e pasluftës, Europa e viteve ’50, e cila u bashkua nën frymën idealiste të krijimit të paqes dhe bashkëpunimit ekonomik, nuk ishte aspak Europa e ditëve të sotme, apo Europa e kritereve të forta që kërkon. Gjithashtu, edhe integrimi i Spanjës së periudhës së post-Frankos apo i Portugalisë së post-Salazarit, nuk ishin në perfeksion të modelit të kërkuar. Këtu nuk po përmendim aspak, dështimin thuajse total të një vendi anëtar të saj, Greqinë, me parametra aspak pozitivë në të gjitha këndvështrimet e një përqasje demokratike.

Por, ashtu si Europa e gërmadhave të pas-luftës, u bashkua për t’i krijuar mundësinë gjeneratave të ardhshme të jetojnë në paqe dhe zhvillim ekonomik, edhe perspektivës Ballkanike, nuk i duhet bllokuar ky horizont. Nën këtë perspektivë evropiane u mundësua edhe nënshkrimi i Marrëveshjes historike të Normalizimit të Marrëdhënieve Serbi-Kosovë. Sigurisht, që kjo nuk do të thotë se mungesa e kësaj perspektivës do të fusë rajonin në luftë dhe konflikt, por një gjë është e sigurt se kjo perspektivë do të garantojë lënien mënjanë të nacionalizmit, si faktor i rëndësishëm destabiliteti dhe gjenerimi të vazhdueshëm konfliktesh, për të avancuar drejt një së ardhme së bashku, në paqe dhe bashkëpunim politik dhe ekonomik./im.ta/

[1]Eurostat : PBB për banor në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është më e ulët se mesatarja e BE-së 28, (100).   Mali i Zi (42), Serbia (36), Maqedonia (35), Shqipëria (30) dhe Bosnjë-Hercegovina (29). PPB për banor është një indikator i nivelit të aktivitetit ekonomik. 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi