Çfarë i sjell Francës Shqipëria europiane

Nga Albert Doja, botuar në Mapo Online, 23 qershor 2014

Më 27 qershor, të 27 krerët e shteteve të Bashkimit Europian takohen për të vendosur të ardhmen e Europës. Ndër vendimet e rëndësishme politike për t’i dhënë Europës një vizion të ri strategjik, duket se zgjerimi është pjesë e asaj zone kritike apo të kritikuar që duket se deri tani duhej shmangur. Në këtë axhendë, pranimi i kërkesës së Shqipërisë për vend kandidat deri vonë është parë me skepticizëm të paktën nga pesë vende anëtare themeluese të Bashkimit Europian, duke përfshirë edhe Francën. Arsyet janë komplekse dhe jo gjithmonë të qarta, me gjithë progresin e Shqipërisë në rrugën e reformave të nevojshme. Megjithatë, arsyet nuk janë pa lidhje me politikat e brendshme në Europë dhe në Francë, sidomos me rritjen e partive anti-europiane në zgjedhjet e fundit. Në të vërtetë, si shoqëria shqiptare edhe shoqëria franceze ndodhen në një udhëkryq të rëndësishëm, ndonëse të ndryshëm, por që kërkon njëlloj zgjedhje të guximshme. Sigurisht, si Franca edhe Shqipëria kanë pikat e tyre të forta siç kanë edhe të metat e tyre, por në të dyja rastet këto janë kurdoherë të pandashme dhe gjërat duhen parë çdo herë e në çdo rast me shumë kujdes.

Shoqëria shqiptare po përjeton transformime radikale, pothuajse në çdo fushë, çdo aspekt, çdo detaj, që në radhë të parë flasin më shumë për vitalitetin dinamik me të cilin ndërmerren transformimet se sa për rezultatet e tyre. Ç’është e vërteta, në të njëjtën kohë shoqëria shqiptare po përjeton edhe shkatërrime radikale pothuajse në të gjitha fushat, sidomos për sa u përket vlerave morale dhe sociale. Me sa duket kjo lidhet me traditat e pakonsoliduara mirë për shkak të atij tranzicioni të pafund e problematik në kërkim të vetvetes që shoqëria shqiptare ka filluar para njëqind vjetësh dhe që vetëm është përshpejtuar këto njëzet vitet e fundit. Një gjë është megjithatë e sigurt. Shqipëria është vendi më europianist në kontinent, vendi më entuziast për idenë e Europës. Të gjitha sondazhet e fundit kanë treguar mbështetjen jashtëzakonisht të gjerë për idenë e Europës, deri në 77 për qind të popullsisë. Dhjetë vjet më parë, kjo ishte 97 për qind. Po edhe për sa kohë? Sidomos përballë mosbesimit te vendeve themeluese të Bashkimit Europian si Franca?

Aktualisht, në fakt edhe Franca po përballet me sfida të mëdha e serioze. Këto lidhen sa me përshpejtimin e proceseve transformuese në mbarë botën dhe në Europë që venë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje pozitën e Francës si lider në gjenerimin e ideve dhe vlerave, aq edhe me problemet e brendshme sociale e ekonomike që gërryejnë gjithnjë e më shumë kohezionin e saj social e kulturor. Në këto kushte, përpara sfidash të tilla, vështirësitë apo pamundësitë transformuese duket se çojnë në një paralizë të brendshme që nuk është larg konvertimit në një shkatërrim të vërtetë vlerash. Shumë pak ka ndryshuar, me sa duket për shkak të rezistencës së përgjithshme për të ndryshuar. Mbase kjo e ka origjinën e vet në vlerat e qëndrueshme mbi të cilat vetë Franca është ndërtuar.

Megjithatë, është e pamundur të mbash anë në mes të gjithë pikave të forta dhe të metave të njërit apo tjetrit vend pa shkaktuar një farë paragjykimi ideologjik pothuajse në të gjitha rastet. Për më tepër, nuk është as e dobishme të bësh kështu kur je mësuar të njohësh nga afër dhe të vlerësosh e të duash shumë nga cilësitë europiane të shqiptarëve dhe të francezëve. Të dy popujt kanë pas tyre një kulturë dhe një histori të pasur me kontribute ndaj Europës. Megjithatë, ka një dallim të madh në mes të Francës dhe Shqipërisë. Në rastin e Shqipërisë, dëshira e saj e patundur për t’iu bashkuar Europës duket ndonjëherë se vihet në pikëpyetje nga një e kaluar herë bizantine, herë otomane dhe herë sovjetike, çka për disa kohë duket se e ka larguar nga Europa. Por, më e rrezikshme është kur ajo largohet prej Europës nga vetë Europa, sidomos nga Franca. Sepse ka njëfarë mendimi të papërgjegjshëm, nxitur nga grupe anti-europiane të indoktrinuar prej ideologjive ekstremiste, qofshin fetare apo nacionaliste, që kërkojnë vazhdimisht ta paraqesin Shqipërinë si “jo-Europiane”. Kjo është absurde dhe nuk është e rastit që shqiptarët vetë, kudo që ndodhen, në Shqipëri, në Kosove, në Maqedoni apo gjetiu, as nuk e ndjejnë nevojën për të “provuar” europianizmin e tyre. Qartë dhe pas as më të voglin dyshim, gjeografia dhe historia e tyre i kanë destinuar në Europë. Nëse pjesa europiane e Francës njihet, pjesa europiane e Shqipërisë shpesh është injoruar, për të mos thënë është mbajtur fshehur. Nëse dihet sesi Shqipëria ka shërbyer si mburojë për mbrojtjen e Europës duke ndalur dyndjen otomane në shekullin e pesëmbëdhjetë, mund të thuhet se ajo ka shërbyer edhe si shkarkim i komunizmit të Europës në shekullin e njëzetë.

Megjithatë, situata e tanishme globale është e tillë që asnjë gabim nuk mund të lejohet më. Bota është bërë në mënyrë fare të qartë një teatër i konfrontimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm që kërkojnë të ndikojnë në të gjitha drejtimet. Jo vetëm Europa është gjithnjë e më shumë nën një presion konkurrues, por tjetërsimi i Shqipërinë nga përjashtimi do të ishte vetëvrasës për vetë idenë e Europës dhe të ardhmen e saj. Historia na kujton, nëse është e nevojshme, se ngurrimi i Europës në Ballkan ka çuar në katastrofën europiane, së cilës këtë vit sapo i kemi përkujtuar njëqindvjeçarin. Në të vërtetë, fati i trazuar i Shqipërisë dhe i Ballkanit mund t’i kujtojë Europës e sidomos Francës, të paktën disa prej fantazmave të saj egocentrike, rëndësinë strategjike të vlerave të paqes mbi të cilat është ndërtuar projekti Europian. Sidomos në një situatë të tillë kur në të gjitha vendet e tjera Europiane, përfshirë Francën por përveç Shqipërisë, ne jemi dëshmitarë të një rigjallërimi të skepticizmit nëse nuk themi një armiqësie të hapur kundrejt ndërtimit Europian. Por nëse duam vërtet të ndërtojmë projektin europian, atëherë na duhet të zgjedhin mirë radhët me kë kamp jemi. Mbyllja në vetvete nuk mund të jetë kurrsesi mënyra më e mirë për të përforcuar e përgatitur Europën të përballet me sfidat e sotme dhe të nesërme, si në Francë edhe në Shqipëri. Prandaj, miratimi i një qëndrimi të favorshëm nga Franca dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian për pranimin e aplikimit të Shqipërisë si vend kandidat do të ketë një avantazh të dyfishtë. Nga njëra anë, kjo do t’i japë Shqipërisë një terren të shëndoshë për të konsoliduar dinamikën europiane të zhvillimit të saj. Nga ana tjetër, kjo do t’i japë Francës një dinamizëm më entuziast për të përmbushur vullnetin e saj për të qenë vend promotor i Europës, si dhe vetë Europës për të përmbushur fatin e vet.

*Autori është Profesor i Sociologjisë dhe Antropologjisë në Universitetin e Lilës, Francë, dhe Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Shkrimi është botuar fillimisht në Courrier des Balkans.

 

    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi