Nevoja për konsensus dhe reforma territoriale

Nga Agron Haxhimihali, botuar në Mapo Online, 19 qershor 2014

Artikulohet shpeshherë nga të zgjedhur të lartë politikë se përfaqësuesit vendorë nuk janë të aftë të kryejnë asnjë prej funksioneve të dhëna prej tyre me ligj, duke theksuar në këtë mënyrë nevojën e reformës territoriale. Por, shpeshherë, këto komente janë bazuar në paragjykime dhe jo në ndonjë studim serioz qeveritar apo nga institucione të pavarura. Për këtë arsye, Shoqata e Komunave, në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ka kryer një studim në komunat e vendit për të identifikuar shërbimet që këto njësi vendore mundet të kryejnë dhe cilat kanë vështirësi ato të performojnë në standardet që kërkohen nga qytetarët.

Sipas këtij studimi, komunat e vogla dhe të mesme, ato që kanë nën 10 mijë banorë, nuk kanë mundësi t’u ofrojnë qytetarëve të tyre shërbime që lidhen me kanalizimet e ujërave të ndotura dhe kullimit, ndërsa komunat e mesme dhe të mëdha kanë probleme për sa i përket çështjeve si planifikimi urban dhe ai i mbetjeve. Por, pavarësisht madhësisë së tyre, komunat kryejnë mjaft mirë një sërë funksionesh që lidhen me rendin publik, shërbimet shëndetësore parësore dhe po kështu ato të arsimit të ulët. Nga ana tjetër, më shumë se 70 për qind e të anketuarve janë të qëndrimit se këto komuna arrijnë të kryejnë pozitivisht funksione si ndër­timi dhe mirëmbajta e rrugëve ven­dore, ruajtja dhe promovimi i vlerave kulturore dhe historike, ruajtja e rendit publik, mbrojtja civile, arsimi parauniversitar, kujdesi i shën­detit parësor, por dhe funksione të tjera të përbashkëta, si gjendja civile dhe qendra të regjistrimit të bizneseve. Por dihet që tërë këto funksione të komunave nuk janë shoqëruar ndonjëherë me decentralizim të plotë. Në vetvete decentralizimi garanton një formë më të mirë qeverisjeje demokratike dhe u lejon qytetarëve të jenë më pranë vendimmarrjes duke siguruar efikasitet në politikat zhvillimore. Por teksa si një koncept teorik, decentralizimi është bindës dhe i përshtatshëm në praktikë, kanë dalë vështirësi në fuqizimin e pushtetit lokal dhe në sigurimin e pjesëmarrjes aktive të njerëzve në qeverisjen e komuniteteve lokale, pasi decentralizimi politik (demokratik) është ndjekur nga një decentralizim fiskal shumë i vonuar.

Ndaj duket se qeveria e thekson më tepër se duhet nevojën për reformë territoriale, ndërkohë që problemi është decentralizimi i pushtetit dhe jo vetëm reforma territoriale, pasi kemi njësi vendore me territor të madh, por performojnë shumë pak, siç dhe kemi njësi vendore me territor të vogël, por që performojnë mirë. Sipas ministrit Çuçi, kriteri bazë për reformën territoriale ka qenë krijimi i zonave funksionale ku janë ofruar dy alternativa, një me 39 njësi vendore e tjetra me 47 njësi, nga 385 që kemi aktualisht. Po sipas ministrit Çuçi, varianti i parë bazohet në hartën e ish-rretheve të dikurshme të vitit 1992 dhe varianti me 47 njësi shkon përtej këtyre, duke u nisur nga viti bazë 1992, por duke identifikuar brenda territoreve zona funksionale të reja që mundet të jenë jashtë territorit të rrethit, por që kanë ndërveprime institucionale, biznesi, njerëzore shërbime etj. Reforma territoriale kërkon një qartësim të funksioneve të reja që do të shoqërojnë njësitë e reja vendore. Variantet e ofruara nga qeveria me 39 apo 47 njësi vendore janë vetëm një pjesë e kësaj reforme. Ky variant i komprimon më shumë se ç’duhet njësitë vendore dhe kjo mund të sjellë një frymëmarrje me probleme përsa i përket afrimit të shërbimeve në zonat periurbane dhe komunat e largëta. Një variant do të ishte që zonat urbane, ose 65 bashkitë aktuale, të zgjerohen dhe bashkohen me zonat rurale që kanë pranë apo komunat satelitore. Pjesa tjetër të mbeten komuna rurale, të cilat konkurrojnë me njëra-tjetrën. Në vitin 2012, SIDA ka financuar një studim mbi reformën territoriale në Shqipëri për llogari të Shoqatës së Komunave të Shqipërisë. Ky studim midis 5 opsioneve rekomandon që Shqipëria të ketë një numër prej 80 njësish të qeverisjes vendore të nivelit bazë, bashki dhe komuna.

Duke qenë se studime të ndryshme ofrojnë dhe alternativa të ndryshme të reformës territoriale, duket që është me rëndësi që për ta bërë sa më efikase dhe legjitime reformën afatgjatë, është me rëndësi që autoritetet lokale të vendosin vetë nëse janë ose jo dakord me ndryshimet e reja territoriale. Është me rëndësi që komuniteti duhet të respektohet dhe trajtohet me të njëjtën rëndësi siç trajtohen kriteret teknike paraprake. Zagorinë, një komunë e vogël 60 km larg Gjirokastrës, nuk mundet ta integrosh lehtësisht në hartën e një njësie tjetër vendore, pra ajo mund të rrijë ashtu siç është, si entitet dhe identitet më vete. Kjo kërkon padyshim rishikim të kompetencave dhe detyrimeve që ajo do të ketë.

Duhet theksuar që shoqata jonë ka qenë pro reformës territoriale dhe ka bërë propozimet e saj vite më parë. Ne si shoqatë, që pas vitit 2005 kemi studiuar për një ndarje të re territoriale, që e kemi ndarë me qeverinë e mëparshme dhe aktuale dhe kemi qenë në pararojë për këtë reformë të rëndësishme shtetërore. Por reforma e re e propozuar ka probleme, pasi ka disa elementë që ne nuk jemi të qartë, duke shtruar dy pyetje me rëndësi: cili do të jetë modeli i qeverisjes vendore në Shqipëri? Pra do të kemi një nivel, dy nivele apo të ndërmjetme, dhe si do të prekë reforma qarqet? Së dyti, a mundet të ketë reformë, e cila do të zgjidhë problemet e pushtetit vendor pa një proces gjithëpërfshirës? Dihet që komunat që i përkasin opozitës nuk janë pjesë e konsultimeve dhe nuk japin kontributin e tyre në konsultimet për propozimet e bëra. Ndaj ne mendojmë se qeveria duhet të bëjë më shumë përpjekje për të përfshirë opozitën dhe të gjithë aktorët e shoqërisë civile gjatë kësaj periudhe dhe të mos shmangë zërin e të zgjedhurve vendorë, si ata të majtë, ashtu dhe ata të djathtë, pasi ata i njohin problemet e tyre lokale më mirë se çdo autoritet tjetër.

*Drejtor Ekzekutiv, Shoqata e Komunave të Shqipërisë

 

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi