Mbi Reformën në Arsimin e Lartë – Aplikimi Universitar

Nga Hysen Binjaku, botuar në Mapo Online, 19 qershor 2014

Që vendi ka nevojë për një Reformë të Arsimit të Lartë, madje jo vetëm të arsimit të lartë, shumë e ngutshme është një Reformë edhe në Arsimin Parauniversitar, nuk ka askush mëdyshjen më të vogël. Për të realizuar Reformën është ngritur një Komision gjithëpërfshirës ekspertësh. Komisioni ka kohë që punon; ka nxjerrë një produkt, i cili është hedhur për diskutim në grupet e interesit. Diskutimet janë të shumta, ka argumente dhe kundërargumente për aspekte të ndryshme të trajtuara në këtë material të parë të Komisionit. Një ndër aspektet e reformimit të arsimit të lartë, i trajtuar edhe nga Komisioni i Reformës, është“ Rekrutimi i Studentëve” ose, e thënë ndryshe, “ Pranimet e reja në Institucionet e Arsimit të Lartë”.

 A. Analizë e propozimeve të Komisionit për pranimet e reja në IAL

 1. Aplikimi universitar i kandidatëve

Ndryshimet që propozohen nga Komisioni i Reformës për aplikimin e çdo kandidati janë:

1) Përcaktimi i tri zgjedhjeve. Në aplikimin aktual, me Formularin A2, kandidati/ja përcakton dhjetë zgjedhje. AKAU kërkon të përcaktohen tri zgjedhje. Pyes, përveç zvogëlimit të numrit të zgjedhjeve, çfarë ndryshon në esencë?! Le të kujtojmë, tri zgjedhje përcaktonte kandidati/ja, kur aplikonte për studimet e larta, edhe para vitit 1990. Ndryshimi i vetëm është se aplikimin nuk e bënte në një agjenci por në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit. Mos duhet të pranojmë që aplikimi para 1990 ishte më i mirë se ai që është sot?!

2) Aplikimi nëntë (9) muaj përpara se kandidati të mbarojë shkollën e mesme.

Aplikimi aktual, me Formularin A2, i kërkon kandidatit të aplikojë pak ditë përpara se të mbyllet viti i fundit i shkollës së mesme. Sipas AKAU, aplikimi duhet të bëhet nëntë (9) muaj përpara se aplikanti të mbarojë shkollën e mesme, domethënë para se ai të fillojë vitin e fundit të shkollës së mesme, ekzaktësisht pasi ka përfunduar vitin e dytë të kësaj shkolle. Nuk shoh, tek ky ndryshim,ndonjë përmirësim standardi, përkundrazi, shoh disa defekte.

Le të supozoj më këtë rast: Një kandidat, nëntë (9) muaj përpara se të mbarojë shkollën e mesme, bazuar në rezultatet shumë të mira të dy viteve të para, beson se mund të arrijë, në përfundim të shkollës së mesme, një numër të konsiderueshëm pikësh, të mjaftueshme për të qenë fitues në një nga Programet e Studimit nga më të kërkuara në një nga IAL e vendit. Aplikon tek AKAU duke përcaktuar tri kërkesa, nga ato që rëndom, quhen shumë të kërkuara.

Ç’mund të ndodhë?

Gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme, për njëmijë arsye, ky kandidat nuk ka rezultatet e dy viteve të para, për pasojë, pikët e grumbulluara nuk janë të mjaftueshme për asnjërën nga tri kërkesat që ka përcaktuar në aplikim. Çdo të bëhet me këtë kandidat?! Nëse i qëndrohet asaj që parashikohet në draft (nesër do jetë ligj) ky kandidat e humbet të drejtën për të ndjekur studimet e larta (të paktën për një vit, deri sa të aplikojë vitin e ardhshëm).

Mundësi tjetër: Një kandidat, nëntë (9) muaj përpara se të mbarojë shkollën e mesme ka menduar të studiojë jashtë vendit dhe nuk aplikon pranë AKAU. Në qershor, kur mbaron maturën, rrethanat e krijuara (mund të jenë shumë të tilla) nuk i japin mundësinë që të ndjekë studimet jashtë vendit. Si i bëhet?! Ai nuk ka aplikuar para nëntë (9) muajsh, do të lihet ky kandidat, edhe pse e ka meritën, të mos fillojë studimet e larta?

2. Përcaktimi i nivelit minimal të pikëve që duhet të fitojë kandidati

Në draftin e Komisionit të Reformës thuhet: Niveli minimal i pikëve që duhet të fitojë kandidati përcaktohen me VKM, ndërsa çdo IAL harton kritere shtesë.

Nëse pranohet varianti i draftit të paraqitur nga Komisioni i Reformës, domethënë që aplikimi Universitar do të bëhet nga AKAU, atëherë përse është i nevojshëm përcaktimi i nivelit minimal të pikëve që duhet të fitojë kandidati?

Mendoj se tjetër gjë mund të përcaktohet me VKM, dhe ky është kontingjenti i kandidatëve që do të fillojnë studimet në çdo Program Studimi në çdo IAL e vendit, shtetërore apo private. Ky kontingjent përcaktohet pasi më parë, nga AKAU, të jetë bërë verifikimi real për çdo IAL nëse kërkesat për kontingjent përputhet me kapacitetin pritës që ka IAL sipas standardeve të njohura. Duke qenë kontingjenti i përcaktuar sipas standardeve dhe meqenëse fituesit renditen duke filluar nga numri maksimal i pikëve të fituara nga kandidatët, nuk ka nevojë, madje nuk ke as se si të përcaktosh që më parë, se sa do jetë numri minimal i pikëve. Është tjetër gjë nëse vetë çdo IAL vendos si kriter shtesë një numër minimal pikësh për kandidatët që kërkon të rekrutojë.

B. Alternativë për pranimet e reja në IAL

1. Ç’punë ka shkolla e mesme me pranimet e reja në shkollat e larta?!

Procesi i përfundimit të shkollës së mesme në vetë -vete kërkon zhvillimin e atyre provimeve që sot njihen si Provime të Detyrueshme dhe vetëm kaq. Të tilla provime, historikisht, janë bërë në përfundim të shkollës së mesme, por asnjëherë nuk është “mobilizuar” një armatë e madhe njerëzish, deri edhe policë, për ruajtjen e nxënësve që të mos kopjojnë, për ruajtjen e mësuesve dhe drejtuesve të shkollës që të mos u japin kopje nxënësve.

Problemi nuk është pajisja e nxënësve me diplomën e shkollës së mesme, por procesi i pranimeve të reja në shkollat e larta shtetërore që, për mendimin tim, i është bërë barrë shkollës së mesme, barrë të cilën ajo as nuk e ka mbajtur dot dhe as nuk ka arsye përse ta mbajë. Le ta lëmë shkollën e mesme të bëjë detyrën. Detyrë e shkollës së mesme është që të dëshmojë se nxënësit që dalin nga ajo derë janë “të pjekur”.

2. A është efektiv procesi i pranimeve të reja në shkollat e larta të vendit?

Në konceptin “Matura Shtetërore” është përfshirë edhe Procedura e Pranimeve të reja në shkollat e larta shtetërore të vendit ose ajo që quhet “Meritë – Preferencë”.

Parimi “Meritë-Preferencë” aplikohet formalisht për një kategori të madhe Programe Studimi, sidomos ato që rëndom konsiderohen pak të kërkuara. Në vite të tëra, statistikat e regjistrimeve në shkollat e larta shtetërore të vendit tregojnë se janë shumë programe studimi në disa Fakultete dhe Universitete, të cilat nuk plotësohen me kontingjentin e studentëve të parashikuar (kupto: kuotat) edhe pse afatet e regjistrimeve shtyhen e shtyhen, ndonjëherë shkojnë edhe deri në fund të semestrit të parë, edhe pse bëhen thirrje për të plotësuar formularët e aplikimit edhe për ata që “marrin” provimet e shkollës së mesme në vjeshtë (merret me mënd se ç’kontingjent është ky!).

Pra, boll që kandidati (maturanti) ta ketë shënuar këtë program studimi në një nga Formularët e Aplikimit, pra, të ketë shënuar “Preferencë” dhe, pavarësisht nga “Merita”, ai është automatikisht i regjistruar në këtë program. Me fjalë të tjera nuk hyjnë në punë pikët e grumbulluara nga mesatarja, provimet e detyrueshme dhe provimet me zgjedhje, për të cilat harxhohen gjithë ato energji.

Parimi “Meritë – Preferencë” do të kishte njëfarë kuptimi për disa programe studimi në disa fakultete dhe shkolla të larta shtetërore, për ato programe që rëndom quhen shumë të kërkuara. Mirëpo, numri i studentëve që regjistrohen në këto programe nuk besoj se është më shumë se 20% e numrit të përgjithshëm të studentëve që regjistrohen në vitin e parë në të gjitha shkollat e larta të vendit (shtetërore dhe private) si dhe në shkollat e larta jashtë vendit. A do ta vlente barra-qiranë që për një numër kaq të kufizuar kandidatësh të bëhet gjithë ajo zhurmë, gjithë ato provime me zgjedhje, gjithë ato formularë e përllogaritje, gjithë ato zvarritje dhe vonesa në regjistrime, gjithë ato dyshime dhe akuza për fiktivitet etj?! 

3. Si mund të bëhet aplikimi universitar?

Mendojmë se, në drejtim të forcimit të cilësisë në arsimin parauniversitar dhe universitar, do të kishte ndikim për mirë rishikimi i pranimeve të reja në shkollat e larta shtetërore dhe private, pra, në të gjitha IAL e vendit. Ajo që propozoj mund të jetë: kombinim i “Preferencës” me “Konkurrimin”, dhe konkretisht:

1)Të “çlirohet” Matura Shtetërore nga “Procedura e Pranimeve të reja në shkollat e larta të vendit”, që do të thotë, të hiqen provimet me zgjedhje dhe pikëzimi në Maturën Shtetërore. Aplikimi për në shkollën e lartë të bëhet pasi kandidatët të kenë marrë Diplomën e Shkollës së Mesme dhe jo nëntë (9) muaj përpara se të mbarojë shkollën e mesme.

2) Jo kushdo që merr Diplomën e Shkollës së Mesme mund të aplikojë për të filluar studimet e larta. Të vendoset një“dysheme” për nivelin e njohurive që duhet të ketë kandidati aplikant për në shkollën e lartë, shtetërore apo private qoftë. Kjo “dysheme” mund të ishte mesatarja e shkollës së mesme. Kriteri i mesatares, si masë “paraeliminatore” për aplikim, nuk mund të jetë i vetmi për aplikimin në një Program Studimi të caktuar, ai duhet të shoqërohet me të tjerë kritere specifike. Një kriter specifik mund të jetë një “dysheme” për notën e grup lëndëve që janë bazamenti i programit të studimit. Kjo dysheme duhet të jetë qartësisht mbi “dyshemenë” e mesatares së përgjithshme. Si shembull: nëse një kandidat kërkon të aplikojë për Inxhinieri ai duhet të ketë nga shkolla e mesme, në lëndët Matematikë, Fizikë, Kimi e ndonjë tjetër, notë të lartë, të themi mbi tetë (8); nëse një kandidat kërkon të aplikojë për Gjuhë –Letërsi, ai duhet të ketë nga shkolla e mesme, në lëndët Gjuhë Shqipe, Letërsi e ndonjë tjetër, notë të lartë, të themi mbi tetë (8) e kështu me radhë.

3)Kriteri i notës mesatare dhe kriteri specifik për Programet e Veçanta të Studimit duhet të përcaktohen nga MAS ose një institucion tjetër shtetëror dhe të jenë të njëjta, të detyrueshme për të gjitha IAL e vendit, shtetërore apo private qofshin. IAL, për Programet e tyre të Studimit, mund të vendosin edhe kritere të tjerë shtesë, por asnjëherë në kundërshtim me kriteret e përgjithshme që janë të detyrueshme për të gjitha IAL.

4) Para se të fillojë aplikimi, i cili bëhet nga vetë kandidati pranë IAL ku dëshiron të nisë studimet, kundrejt kritereve, rregullave dhe dokumentacionit të para miratuar nga strukturat përkatëse, nga MAS ose një institucion tjetër shtetëror duhet të jenë bërë të njohura kuotat e pranimeve të reja për çdo program studimi në çdo IAL, shtetërore apo private qoftë.

Kuotat e pranimeve të miratohen jo sipas dëshirës së njërit apo tjetrit IAL, por të përcaktohen në bazë të standardeve të mirënjohura, siç mund të jenë: hapësira në ambiente, stafi akademik, laboratorët etj. IAL mund të regjistrojë në një Program Studimi më pak studentë sesa kuota e miratuar, por në asnjë rast më shumë se kjo kuotë.

5) Nëse në një Program Studimi të IAL, në përfundim të periudhës së përcaktuar për aplikim, rezulton se kanë aplikuar më pak ose aq sa është kuota e parashikuar, ky aplikim konsiderohet regjistrim përfundimtar, aplikantët tashmë konsiderohen studentë të vitit të parë.

6) Nëse në një Program Studimi të IAL, në përfundim të periudhës së përcaktuar për aplikim, rezulton se kanë aplikuar më shumë se sa është kuota e miratuar, atëherë aplikantët i nënshtrohen një TESTI të organizuar nga IAL përkatëse.

Mund të bëhet pyetja: Përse TEST dhe jo regjistrim i bazuar në rezultatet e shkollës së mesme, duke filluar regjistrimi nga ai/ajo aplikante që ka mesataren më të lartë e duke zbritur deri sa të plotësohet kuota e përcaktuar? Ka një arsye të fortë për këtë. Problem i madh dhe shumë i diskutueshëm në pranimet e reja në Arsimin e Lartë, sipas parimit “Meritë – Preferencë” që aplikohet prej disa vitesh, është mos përputhja e njohurive reale të aplikantëve me vlerësimin me notë (apo pikë), thënë ndryshe, fiktiviteti i notave. Në këto kushte, Testi është ai që përcakton më të mirët ndër “më të mirët që kanë aplikuar”. Kështu, një rrugë dhe dy punë: zgjidhen vërtetë më të mirët që kanë aplikuar, ndërkohë do të ulet ndjeshëm fiktiviteti, mjaft i përfolur për disa shkolla apo dhe më gjerë. 

*Prof.asoc. Dr. Hysen Binjaku, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi