Gjykatë e Lartë apo Kasacion?
Nga Niazi Jaho, botuar në Shqiptarja.com, 18 qershor 2014
Para disa ditësh lexova te faqet e një të përditshme një shkrim, që bënte fjalë për ndryshime të mundshme në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese, në KLD dhe në organin e Prokurorisë. Më vonë, po në një nga mediat tona lexoj: “Rikthehet pas 18 vitesh Gjykata e Kasacionit”, që ia dedikonte këtë masë një projekti të Ministrisë së Drejtësisë për Gjykatën e Lartë.
Në të parin jepeshin në përgjithësi disa të dhëna, që të shtynin të mendoje se çfarë do të prekë reforma në organet e mësipërme kushtetuese të kësaj fushe, ndërsa në të dytin – çfarë masa po përgatiten të merren për një funksionim më të mirë posaçërisht të Gjykatës së Lartë, çka do të reflektohet edhe në Kodin e Procedurës Penale dhe në atë të Procedurës Civile, që ndodhen në procesin e reformimit.
Informacioni në shtyp sigurisht që shërben për të njohur zhvillimet e reja në këtë drejtim, por vështirë që të të japë një tablo të qartë dhe të saktë, se cila do të jetë reforma që do të shtrihet dhe zbatohet në organet e drejtësisë dhe në prokurori. Rrjedhimisht, edhe mendimet që do të shprehen në këto rradhë, për ndonjë çështje të veçantë, nuk janë produkt i ndonjë studimi, aq më pak të thelluar. Kështu, ato janë të diskutueshme dhe, bashkë me trajtimin e çështjeve të tjera, do të duhej t’i nënshtrohej ndonjë diskutimi dhe debati gjithëpërfshirës.
Te ne, sistemi i drejtësisë dhe prokuroria që funksion pranë këtij sistemi kanë aktualisht shumë probleme. Disa prej tyre kërkojnë zgjidhje të shpejtë, por cilësore. Ndërsa ka nga ato që mund të fillojnë të shqyrtohen, por do të kërkojnë ndërhyrje më së pari në Kushtetutë. Kam përshtypjen që synimi i reformës në drejtësi duhet të jetë sidomos lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Ajo është e domosdoshme të godasë këto dy fenomene, ekzistenca e të cilave nuk të justifikon të flasësh për shtet të së drejtës. Këtë e pranojnë, direkt apo indirekt dhe në mënyra të ndryshme, edhe vetë drejtuesit e këtyre organeve. Në pamundësi të trajtoj çështje, që që nuk i njoh me hollësi, ndoshta është më mirë të ndalem (disi me rezerva) vetëm te ato që ngërthejnë ndryshimet në Gjykatën e Lartë.
Është menduar që asaj t’i ndryshojë emërtimi, nga Gjykatë e Lartë në Gjykatë e Kasacionit, e cila ka shqyrtuar në kohën e vet më pak çështje dhe ka marrë më shumë vendime unifikuese. Mirëpo, logjika normale fillimisht hap dy paranteza: së pari, po të jetë e nevojshme mund të ndryshohet emërtimi aktual i Gjykatës së Lartë, por sigurisht po qe se do të bëhet ndërhyrje në Kushtetutë; së dyti, nuk duket të kjo ketë patur pengesa për të dhënë vendime unifikuese.
Më herët është thënë se, Gjykata e Lartë ka 12 mijë dosje të pashqyrtuara, tani përmendet shifra 10 mijë. Kjo është shqetësuese, sepse në rradhë të parë reflekton negativisht ngaqë vazhdon pritja për zgjidhjen e ankesave, kurse në rradhë të dytë (por jo për nga rëndësia) ngaqë cenohet parimi i shqyrtimit të çështjeve brenda një afati të arsyeshëm. Atëhere, përse ndodh kjo? Këtë do të na e thotë Gjykata e Lartë. Trupa gjykuese e saj sigurisht që e di, ndoshta edhe e ka analizuar, por mirë do të qe të kishte një informim për publikun.
Pra, si do të mund të eleminohet një gjendje e tillë? Janë shprehur apo mërmëritur mendime, sipas të cilave, në Gjykatën e Lartë nuk duhet të ankohen disa çështje penale dhe civile të thjeshta, të cilat ia paskan rritur ngarkesën organit epror të gjyqësorit të juridiksionit të zakonshëm. Rrjedhimisht, momenti qenka të reflektohet në ndryshimet që po i përgatiten Kodit të Procedurës Penale dhe atij të Procedurës Civile. Hë për hë nuk e dimë se sa është numri i këtyre ndryshimeve dhe nuk jemi të sigurt, aq më pak optimistë, se sa do të zgjidhen drejt çështjet përkatëse nga dy instancat më të ulta të gjyqësorit. E shprehim këtë dyshim, sepse (siç kemi dëgjuar) janë prishur dhe ndryshuar çështje të tilla “të thjeshta” edhe nga vetë Gjykata e Lartë. E pra, realizimi i së drejtës së shtetasit mendoj që është prioritar!
Lehtësimi i Gjykatës së Lartë nga një ngarkesë e tillë, gjithashtu është e rëndësishme, por mund të zgjidhet me mjete dhe mënyra të ndryshme, përfshi përsosjen e organizimit, forcimin e kontrollit, rritjen e përgjegjisë, angazhimin më të madh në punë etj. E theksoj këtë edhe për faktin, se ka pasur dhe ka zvarritje edhe në shqyrtimin e çështjeve që kanë filluar. Nëse mbas marrjes së të gjitha masave të domosdoshme dhe të mundshme do të konkludohet që volumi i punës do të jetë i papërballueshëm, atëhere mendoj se zgjidhja nuk duhej kërkuara te pakësimi i çështjeve të ankuara, por te organizimi i brendshëm, reduktimi i afateve të shqyrtimit dhe, po të jetë nevoja, deri te shtimi i kuadrit. Natyrisht, kjo do të kërkonte më së pari një analizë të gjithanshme, të thelluar, objektive dhe kritike.
Ka mendime që në të ardhmen, kur të dalë nevoja e ndërhyrjeve në Kushtetutë, të rishikohet edhe neni 131 (gërma ‘f’) i saj mbi “gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor…”, me qëllim që në ‘të të përfshihet edhe shqyrtimi i cenimit të të drejtave të tjera themelore. Për disa kjo mund të duket e papranueszhme, ndërsa për të tjerë një nevojë me synim: mbrojtjen më të mirë të parimeve që garantojnë të drejtat e shtetasve.
Gjithashtu thuhet, se Gjykata e Lartë ka marrë, për shkak të volumit të madh të punës dhe sidomos të mijëra çështjeve të pashqyrtuara (në pritje të rradhës), më pak vendime unifikuese se sa duhej të miratonte; se Gjykata e Kasacionit miratonte më tepër vendime të tilla, meqë shqyrtonte më pak çështje të ankuara. Nuk e di se sa i saktë do të ishte ky tregues, as se sa i drejtë do të qe numri i vendimeve unifikuese në raport me atë të çështjeve të shqyrtuara.
Por sidoqoftë, rritja e vëllimit të shqyrtimit të çështjeve, që shpesh është shoqëruar me prishjen dhe ndryshimin e atyre të atakuara (me rekurs), mund të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte në shtimin e miratimit të vendimeve unifikuese. Megjithatë, vetë Gjykata e Lartë mund të analizojë se si e ka kryer detyrën e saj: “Për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çeshtjet e caktuara gjyqësore”.
Reforma në Drejtësi është e gjerë dhe e thellë. Disa projektligje janë miratuara, ndërsa disa të tjerë janë në përgatitje. Kjo fazë, pra përgatitja, nuk mund të mos jetë shumë e rëndësishme, ashtu sikurse është e nevojshme dhe e vyer asistenca e Komisionit të Venecias. Megjithatë, pa nguruar aspak në ndryshimet që duhen bërë, mendoj që asnjë lloj nxitimi nuk duhet lejuar në dëm të cilësisë. Përfshirja në diskutimet dhe debatin rreth këtyre ndryshimeve, pa dyshim që kërkon efektivitet dhe vlerësim maksimal, duke shmangur çdo lloj formalizmi. Ndërkohë që arnimet, për hir të nevojës së shpejtësisë së ndryshimeve, nuk mund dhe nuk janë të dobishme, sikurse nuk është e rekomandueshme paqëndrueshmëria në fushën e hartimit dhe zbatimit të legjislacionit. Dhe në këtë drejtim, shembujt negativë nuk na kanë munguar.
Gjithashtu, gjithëpërfshirja kërkon konkretizim. Ajo nuk duhet të kufizohet në pak kuadro dhe, akoma më keq, në shfaqje mendimesh pa studim të gjerë e të thelluar të problemeve të marra në konsideratë. Po ashtu, teknika ligjore ka rëndësinë e vet; formulimet e dispozitave ligjore duhet të jenë jo vetëm të padubluara, por edhe të plota dhe të qarta. Kjo do të lehtësonte punën e Qeverisë dhe të Kuvendit për këtë reformë kyçe në procesin e integrimit evropian të vendit.