Rriten të ardhurat në buxhet
Të ardhurat në buxhet për 5 muajt e parë të vitit u rritën me 145 milionë dollarë krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.
Ministria e Financave raporti se në fund të muajit maj të ardhurat totale nga taksat dhe burimet e tjera arritën në 144.1 miliardë lekë ose 11.1 për qind më shumë se vjet.
Të dhënat tregojnë se rritja ka ardhur e gjitha nga të ardhurat tatimore, veçanërisht nga ecuria e fortë e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Vetëm nga kjo taksë buxheti ka arkëtuar për periudhën janar-prill 110 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë me një rritje prej 28.2 për qind.
Rritje ka edhe për tatimin mbi fitimin, ndërsa të ardhurat nga akciza vazhdojnë të jenë me rënie, përkatësisht 3.1 për qind më pak se vjet. Por me gjithë rritjen e të ardhurave, në kahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve qeveria po mban një politikë të shtrënguar.
Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet totale të buxhetit për pesë muajt e parë të këtij viti ishin 140 milionë dollarë më pak se vjet. Zëri me rënien më të madhe janë investimet publike, të cilat janë ulur me 2.8 herë.
Për këtë vit qeveria ka programuar që investimet publike të jenë sa 5 për qind e prodhimit kombëtar. Por pjesa më e madhe e tyre janë planifikuar të financohen me kredi nga jashtë, të cilat kanë proçedura të ngadalta në disburim, çka duket se është dhe shkaku kryesor i ecurisë së dobët të investimeve.
Ulja e shpenzimeve e kombinuar me rritjen e të ardhurave ka bërë që për pesë muajt e parë, financat publike të jenë në trrend të fortë konsolidimi, çka konfirmohet edhe nga shifra faktike e defiçitit, që është gati 4 herë më e ulët se plani i periudhës.