Lobingu dhe Presidentët

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 17 qershor 2014

Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi kanë qenë Presidentë të Shqipërisë përgjatë viteve 1997-2012. Ata përfaqësojnë prurje politike të ndryshme (një i zgjedhur nga e majta, një nga e djathta dhe një me konsensus politik) dhe kanë bilance të ndryshme të mandatit të tyre presidencial. Këto ditë ata hartuan dhe publikuan një letër publike drejtuar kryetarëve të shteteve të vendeve të Bashkimit Evropian. Një apel për mbështetje për Shqipërinë në fazën finale të vendimit mbi statusin.
Statistikisht kjo është hera e parë në historinë 100 vjeçare të shtetit kur tre kryetarë shteti bashkohen në një apel publik, në një nismë publike dhe në një mesazh të përbashkët drejtuar shoqërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Qoftë edhe për këtë arsye apeli i tyre meriton mirënjohje dhe vlerësim. Në brendësi të tij mesazhi ishte presidencial, një apel për Shqipërinë jashtë leximeve bardh e zi që bën politika në Tiranë, një lexim institucional dhe gjeopolitik i realiteteve të reja në rajon dhe pritshmërive shqiptare ndaj tyre, një konfirmim i orientimit perëndimor të vendit, si dhe një sinjal domethënës për brezat më të rinj, tek të cilët “Evropa” vjen shpesh me keqkuptime ose me mite tranzicioni. Parë në këto specifika mesazhi meriton dyfish vlerësim dhe mirënjohje.
Mesazhit të tre presidentëve i bashkua në mënyrë të pavarur dhe institucionale edhe Presidenti aktual. Në tërësi apeli presidencial nuk ka rol përcaktues në axhendën evropiane ndaj Shqipërisë, por mbetet një fakt më shumë në dosjen vlerësuese, dëshmon një sjellje të re institucionale dhe jep një sinjal se Shqipëria ka potenciale ndryshimi. Natyrisht praktika diplomatike e përcakton ecurinë e mëtejshme të mesazhit dhe reagimet që pritet të vijnë ndaj tij. Disa shtete aktive dhe prezent në problematikën shqiptare e vlerësojnë me prioritet, e konsiderojnë si zë të besueshëm dhe ndajnë pikëpamjet e tyre në komunikim direkt ose indirekt me nismëtarët. E njëjta praktikë ka nisur të ndodhë dhe pritet të vijojë të ndodhë edhe në këtë rast.
Tej këtij leximi lobingu presidencial nxjerr në pah disa probleme të “fjetura” shqiptare, përpara të cilave nuk ka arsye të mos reflektohet. Së pari, me standardet e lobingut. Qeveria e djeshme dhe ajo sot po lobojnë shumë në disa vende të BE, por sasia e vizitave, mesazheve, udhëtimeve, bisedimeve etj, rrallë përputhet me cilësinë e tyre. Sidomos në rastin shqiptar. Për shembull, qeveria dërgoi në Britani dhe disa vende me rëndësi në BE një prej ministrave të saj, një figurë e re politike, e cila njihet si emër vetëm nga momenti kur u emërua në postin ministror. Nuk ka të shkuar, nuk ka rrethe njohjeje brenda politikës evropiane, nuk ka përvojë lobingu, nuk përbën një figurë vendimmarrëse dhe me shumë mbështetje brenda vendit dhe se fjalët që thotë e fjalimet që bën janë aq rutinor e statikë sa rrallë zënë vend edhe në ndonjë cep gazetash.
Ka meritë se di anglisht dhe u gjend në vendin e duhur, me njeriun e duhur dhe në kohën e duhur. Kaq. Imagjinoni që një emër i tillë të dërgohet për të bindur Britaninë e Lordëve dhe standardeve të larta demokratike se Shqipëria meriton të jetë anëtare me të në BE! Fakti se e presin, flasin, e shoqërojnë, bëjnë ndonjë foto, nuk përbën asgjë më shumë sesa një rregull rutinor protokollar me lajmësin shqiptar. Ndaj edhe nuk përbën lajm fakti se në disa kryeqendra i dërguari ministror shqiptar u prit nga ndonjë këshilltar apo rangje të tjera dytësore, – shumë larg nevojës, rangut dhe interesit të vetë misionit dhe pritshmërive. Imagjinoni sikur shteti shqiptar tu kërkonte një, dy apo tre presidentëve të bëjnë lobing zyrtar në Londër apo Berlin, në Paris apo Romë, dhe kudo tjetër ku diplomacia e sheh të nevojshme.
Pritja e tyre do ishte shumë më cilësore, bisedimet në nivele më të larta, reagimi shumë më institucional dhe përfitimi ynë shumë më i madh. Përpara pak muajsh një zyrtar i lartë shqiptar pagoi fee prej 120 mijë euro për një ftesë, fjalim dhe takim në një kryeqytet perëndimor, – gjithçka në funksion të imazhit të tij dhe pa asnjë përfitim për vendin dhe lobingun drejt integrimit. Imagjinoni sikur shteti ti përdorte këto para për të organizuar një cikël prezantimesh p.sh, të Ismail Kadaresë në Holandë apo Britani, në Francë apo në Sllovaki! Impakti do ishte shumë më pozitiv, shërbimi ndaj vendit shumë më i madh, lobingu për Shqipërinë shumë më produktiv dhe elitar.
Problemi i dytë lidhet me hierarkinë e vlerave që ka një vend dhe përdorimin e tyre në dobi publike.
Shqipëria është i vetmi vend në kontinent ku kreu i shtetit nuk ka status pas funksionit, nuk ka ligj organik për institucionin dhe çdo zyrtar, ditën që mbaron mandatin, konsiderohet de facto i tepërt për vendin dhe jetën publike. Funksionarët e lartë (çdo mandat numri i tyre shkon nga 30 në 120) sapo mbyllin mandatin, pavarësisht përvojës së fituar, aftësive që mund të dëshmojnë, njohjeve që krijojnë dhe investimit që shteti bën për ta, – nëse nuk angazhohen në ndonjë parti politike konsiderohen të tepërt dhe ndërpritet çdo urë lidhëse me ta. Një praktikë që nuk e gjen në asnjë vend evropian dhe një tregues sesa e brishtë mbetet ndërgjegjja, kultura dhe ndjesia politike e shtetërore në Shqipëri!
Ata vetë nuk kanë ndonjë nevojë për shtetin dhe as politikën, është vetë shteti që ka nevojë për ta, dhe paradoksalisht, pushtetet politike më shumë interesohen për mendimin e militantit partiak në seksionin e lagjes sesa për mendimin qoftë edhe kritik të atyre që kanë drejtuar shtetin, qeveritë, parlamentin, politikën e jashtme, të mbrojtjes, financat, etj. Shteti ynë ende nuk ka mekanizma, përvojë, strategji dhe as vizion përdorimi pozitiv të aseteve të tij shtetërore e politike, publike dhe kulturore në funksion të axhendës kombëtare dhe nevojave të shtetit e shoqërisë. Për pasojë, miti i kalasë së Rozafës, nisja nga pika 0 vijon të jetë tipar i çdo mazhorance, dhe fatkeqësisht, edhe tipar i kulturës politike të turmave që krijojnë dhe ushqejnë mazhoranca dhe politika tranzicioni.
Së fundi, vetë partitë e mëdha, PS dhe PD, kanë në statuset e tyre struktura të “këshillit të urtëve”, ku bëjnë pjesë, të paktën formalisht, ish presidentë, ish kryeministra, ish kryetarë parlamenti, ish kryetarë partie, etj. Përmes tyre krijohet ideja e gjithëpërfshirës, por edhe merren asetet pozitive të individëve që i mbartin këto cilësi e funksione. Po vetë shteti, ai jashtë partive dhe interesave partiakë, përse nuk ka një instrument përmes të cilit të mbledhë të gjithë kontributet shtetërore në funksion të interesave të tij? Për shembull, përse të mos ftohej një president për të drejtuar konsultimet dhe përgatitjet për Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, një tjetër për reformën në strukturat e sigurisë, një tjetër për reformën në arsim, një tjetër për problematika specifike që lidhen në marrëdhëniet me fqinjët, etj, etj? Nuk u duhen? Nuk dinë? Nuk u besojnë? Nuk pranohen? Nuk kontrollohen nga interesat politikë të ditës? Nuk kanë ata vetë vullnet për angazhime publike?
Një numër pyetjesh që nuk kanë ende përgjigje, sepse shkojnë në veshë përgjithësisht të shurdhër. Ndaj apeli dhe lobingu presidencial krahas funksionit primar drejtuar homologëve dhe ish homologëve në shtetet e BE-së, përbën edhe një kujtesë politike, institucionale dhe etike për vetë shtetin dhe shoqërinë (jo partiake) shqiptare. Pala e parë e mori mesazhin, reagoi dhe po reagon, pala e dytë e zënë me komente apo selfie në facebook, twitter, batuta me drogë e baste sportive, ende nuk ka gjetur kohë dhe as motive të heqë dorë nga mallkimi i mitit të Rozafës.

    Thënie për Shtetin

    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi
    • Detyra e shteteve të mëdha është të shërbejnë dhe jo të dominojnë botën.
      - Harry S. Truman
    • Paul Valery
      - Nëse Shteti është i fortë, ai na shtyp. Nëse ai është i dobët, na zhduk.
    • Kur je jashtë vendit, je burrë shteti; kur je në atdhe, je vetëm një politikan.
      - Harold MacMillan