Për një politikë normale në një Kuvend normal
Nga Rexhep Meidani, botuar në Panorama Online, 16 qershor 2014
Në një nga rubrikat televizive me shfaqje opinionesh e vlerësimesh nga qytetarët, më bëri përshtypje përdorimi i fjalës “llazore” apo “bëjnë si llazore” në karakterizim – klasifikimin e seancave parlamentare, sidomos atyre të ditës së enjte. Pas atij emisioni, ndoqa një seancë parlamentare të tillë të kohëve të fundit dhe mbeta tepër i zhgënjyer. Dominonte akuza e ndërsjellë dhe sjellja anormale. Qytetari kishte të drejtë, aq më tepër që mungonte konvergjenca minimale ndërmjet sjelljes individuale dhe asaj kolektive, midis personit publik dhe atij privat…
Personi privat dhe personi publik
Çdo grupim si objektiv të tij ka arritjen e rezultateve apo të mirave të përbashkëta. Në Greqinë e Lashtë, p.sh., këtë rol e ka luajtur polis (qyteti apo qyteti-shtet), ku ndikimin kryesor e kishin familjet më të kamura, asociacionet e tyre. Vetë polis, për Aristotelin, konsiderohej si komunitet natyror. Madje, sipas tij, në një shikim më organik, bazuar në idenë “që e tëra duhet të jetë parësore ndaj pjesës”, qyteti ishte parësor ndaj familjes; ndërkohë që kjo e fundit ishte parësore ndaj individit, anëtarit të saj. Po ashtu, sistemi politik konceptohej si një koleksion pjesësh, ku asnjëra pjesë nuk mund të ekzistonte pa të tjerat. Pra, ai shihej më shumë si një organizëm i gjallë sesa si një mekanizëm i thjeshtë. Për më tepër, synimi bazë i qytetit-shtet nuk ishte thjesht shmangia e padrejtësive njerëzore, por stabiliteti ekonomik dhe mundësimi, të paktën i disa qytetarëve (si drejtues zyrash publike e administrues të drejtësisë) për të garantuar jetë më të mirë për komunitetin, në përputhje me kushtetutën e vendit. Pikërisht, me atë kushtetutë lidhej vetë identiteti i qytetit-shtet, aq sa në raste revolucionesh, kur ndryshonte kushtetuta e qytetaria, ndryshonte dhe identiteti i vetë qytetit. Kjo e shtyu Aristotelin te përcaktimi: “njeriu sipas natyrës së vet është një kafshë politike”, që synonte të përmirësonte jetën e vet dhe të komunitetit, nëpërmjet një veprimtarie aktive, përfshi edukimin apo garantimin e drejtësisë. Në rrafshin ekonomik, Aristoteli mbronte institucionin e pronës private, por edhe pse e dënonte “kapitalizmin” e skajshëm, e “noterizonte” institucionin e skllavërisë. Gjithashtu, në qytetin-shtet grek, ideja e jetës private dukej pa vlerë, sepse aty të gjithë objektivat kryesorë në jetë, që nga debati politik deri në ushtrimet fizike, zhvilloheshin në sferën publike, relativisht larg konceptit të “personit privat”, të ndryshëm prej atij të shfaqur në sytë e publikut. Në këtë kuptim, për Aristotelin, interesat e individit dhe interesat e shtetit rezultonin të njëvlershme; edhe pse më tepër prioritet kishte komuniteti sesa individi. Po ashtu, pavarësisht konceptit të Aristotelit mbi drejtësinë shpërndarëse (“distributive”), me shpërndarje detyrash, nderimesh e pasurie sipas meritës: më të mirët – më të shpërblyerit, që pasqyronte orientimin e tij aristokratik, analiza aristoteliane mbetet me vlerë edhe në ditët tona, sidomos për politikën shqiptare, ku meritokracia e talenti, fuqia mendore e kapaciteti intelektual janë të fundit për t’u konsideruar e vlerësuar…
Jo llogoreve politike!
Në fakt, te ne, ka keqkuptime jo vetëm për konceptin e Aristotelit të “kafshës politike”, por dhe për atë të “drejtësisë distributive”. Madje, kjo e fundit ka marrë një ngjyrosje tipike nepotike e fisnore, një orientim klanor e krahinor, politik, ekonomik, ideologjik etj., larg meritës, talentit dhe aftësisë individuale. Veç kësaj, në drejtimin politik-partiak, gabimisht ka fituar një peshë parësore, si në rrafshin teorik ashtu dhe atë praktik, individi mbi bashkësinë në të cilën ai militon. E thënë ndryshe, ka fituar një terren të gjithanshëm termi i “personit privat”, që krijon llogoren e tij ndaj “personit publik”, grupit apo mjedisit kolektiv. Kjo llogore shfaqet në mënyrë akoma më domethënëse ndaj bashkësisë opozitare (kundërshtare) dhe drejtuesit të saj…
Vetë termi “llogore” në fjalorin e gjuhës shqipe nënkupton një hendek që hapet për t’u mbrojtur nga sulmi apo zjarri i armikut; një farë “istikami” për të qëndruar, rezistuar e luftuar. Pak a shumë, këtë kuptim ka në politikë edhe llogorja politike apo istikami politik. Madje, në jetën politike shqiptare, llogoret më tipike janë ato partiake; hendeku i skajshëm politik-parlamentar apo ai në nivelin vendor, që arrin deri atje sa të cenojë interesat e qytetarëve; bunkerizimi i veprimtarive kolektive dhe individuale midis forcave kryesore politike. Janë këto llogore, ky mosbesim i ndërsjellë partiak që ushqen tensionin permanent, përplasjen, konfliktin, mosbashkëpunimin midis këtyre forcave që, për fat të keq, në një mënyrë apo tjetrën, arrin të transferohet brenda vetë shoqërisë shqiptare, ta infektojë atë jo pak me “virusin” e vet partiak. Këtë “virus” apo dëm social-kulturor kanë parasysh miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë; kjo është arsyeja e këshillimit të pandërprerë europian për kapërcimin e kësaj situate të pakuptimtë. Aq më tepër që në mjaft raste një llogore e tillë mishëron thjesht pozicionin e drejtuesit (kryetarit) të partisë (në pozitë apo opozitë) apo të eminencës gri prapa tij.
Të shmanget pozicioni i “llastores” politike?
Brenda politikës, veç llogores politike, një pozicion tjetër është ai i “llastores” politike. Bëhet fjalë për një sjellje, veprim apo reagim që, në gjuhën shqipe, në pasqyrimin e tyre si përdorime të ngjashme ka, p.sh., termat: “llasticë”, “dhelatare”, “lazdore” etj. Por, pa u marrë më tej me aplikimet apo sqarimet e larmishme të natyrës gjuhësore, po ndaloj shkurtimisht te përcaktimi im për termin “llastore politike”, në këtë rast konkret. Ai, deri diku, sintetizon në thelbin e vet papjekurinë dhe lehtësinë në zgjedhje e përzgjedhje, jo modestinë, fryrjen dhe megalomaninë politike, teprimin e fjalës dhe jo të punës. Prandaj dhe përmbajtja e këtij termi bëhet mjaft shqetësuese në nivelin politik. Aq më tepër kur bëhet fjalë për individin politik në parti (pozitë, opozitë) apo në qeverisje që, duke shmangur tërësisht kolegjialitetin dhe konsultimin, gjykimin e specialistit, duke ushqyer vendimmarrjen politike autokratike, nuk e njeh tërheqjen, nuk i pranon zullumet e krijuara, e zgjat apo e zbukuron veprimin e gabuar, e zbukuron fasadën pa u interesuar për pjesën pas saj, mbulon dobësinë ideore me arrogancën, deri boshllëkun retorik. Pjesë e këtij veprimi apo e kësaj sjelljeje politike është dhe parapëlqimi, përkëdhelja, llastimi, miklimi, lazdrimi etj., në gjykime dhe veprimtari të ndryshme. Këto aspekte, në një ndërthurje midis tyre, me dashje ose pa dashje, e favorizojnë, e ushqejnë dhe e kultivojnë mediokritetin dhe paaftësinë, servilizmin dhe sahanlëpirjen, më shpesh në zonën rrethuese të personit publik, por edhe në zonën rrethuese të personit privat. Për fat të keq, në mungesë të një demokracie reale partiake, në mosrespektim të sistemit statutor dhe rregullator të partisë politike, këtë mundësi e ka më shpesh drejtimi i partisë, sidomos kryetari i saj, qoftë ai drejtues i pakicës apo i shumicës (qeverisë). Për më tepër, në rastin e fundit, në kushtet e një situate të favorshme numerike-parlamentare, pa hezitimin më të vogël, pse jo dhe me arrogancën e “të fortit”, mund të kalohet nga pozicioni i llogores politike tek ai i llastores politike…
Nga llastore politike te llazore kuvendore
Në kohë të vjetra, njeriu duke mos qenë i zoti për të kuptuar e shpjeguar dukuritë natyrore i ka lidhur ato me mjaft zakone pagane. P.sh., në kohën e thatësirës, në mungesë të kanaleve vaditëse, ai kërkonte ndihmë te magjitë apo marifetet magjike. E tillë është, p.sh., shfaqja e dordolecit dhe vargjet shoqëruese: “Dordolec – bjerna shi” ose “Rona rona peperona – bjer shi në arat tona”. Në një farë mënyre, në kushtet e një paqartësie apo “terri” financiar, ky lloj përafrimi po ndeshet sot në “oratorinë” dhe propagandën aktuale politike-ekonomike në Shqipëri. Por, më shpesh pa rezultat! Qytetarit shqiptar, sidomos atij me kostumin e konsumatorit, po i krijohet përshtypja, sikur asnjeri nuk po arrin të kuptojë se ç’po ndodh me financat shqiptare apo ç’duhet bërë në të ardhmen e afërt. Kështu, nga njëra anë, flitet për më shumë para të mbledhura nga doganat e tatimet, kurse, nga ana tjetër, marrja e huave të larta konsiderohet si sukses i madh qeveritar (!). Dhe ndërkohë janë të bllokuara apo po shtyhen në kohë investimet publike të planifikuara. Me fjalë të tjera, teza kryesore çudibërëse e qeverisjes (e financave) shqiptare ka mbetur “marrje borxhesh për shlyerje borxhesh”; aq sa para pak ditësh nisën të recitoheshin aty-këtu vargjet humoristike: “Rona rona peperona – bjer para në arkat tona”!…
Por, kjo është vetëm njëra gjysmë. Ka dhe një gjysmë tjetër, që po e lodh qytetarin shqiptar. Madje, tepër e bezdisshme po bëhet llazora (rrëmuja, shamata) parlamentare, aq sa disa ndjekës të saj kanë futur një term të ri: atë të “llazoreve kuvendore”!…
Në fakt, fjala “llazore” ndeshet në disa rrëfenja të qëmotit. Kështu, në disa zona, kur vjen pranvera, fëmijë të rritur shkojnë derë me derë, në mbrëmje, për të kërkuar vezë (ata në gjuhën popullore quhen “llazore”). Një nga vargjet që këndohet në raste të tilla është: “Llazoret ke dera; Dil se po vjen vera!; Llaxore, llaxoriska; Due venë qi t’ban lariska (pula pika-pika)…”. Ndërsa, në një material të grumbulluar nga studiuesja Anyla Saraci (Maxhe) flitet për festën e llazoreve një javë para Pashkëve (në ditën e shtunë apo ditën e Shën Llazarit). Madje, disa vargje shoqëruese të saj janë: “Llazore njëher në mot/ ju gjeçimgëzuar-o/ djem e çupa martuar-o/ moj e jëm e djalit-o/ pa na nxirrni djalën-o/ që t i krehim leshkat-o/ t ia vëmë festen-o/ festen-o për dhëndër-o,”. Duke i komentuar këto vargje, autorja e materialit sqaron se në një rit të tillë gratë shkojnë shtëpi më shtëpi në grupe dhe marrin si dhuratë vezë të bardha. Prej këtij riti kanë mbetur shprehjet: “ç’ më je bërë si llazore për dikë që shkon kohë e pa kohë në shtëpinë e të tjerëve”, “mbeti si llazore” apo “mbeti grua e vetme, pa përkrahje”. Sidoqoftë, mbetet për t’u kuptuar më mirë thelbi i kësaj fjale. Ndoshta, jo aq i goditur është dhe përdorimi i saj për shamatën pa frena apo natyrën plot tension të seancave parlamentare të ditës së enjte…
Duke diskutuar këtë çështje me një mikun tim gjuhëtar, ai pa menduar fare, por dhe për humor, dha interpretimin e tij. Dukej si një mesatare e asaj të ndeshur në popull! Sipas tij, bëhet fjalë për llazore, që kërkojnë, pëlqejnë e këndojnë për “vezët” e parasë dhe abuzimit, për “vezët” e korrupsionit politik dhe atij administrativ, për “vezët” e pushtetit autokratik dhe arrogancës politike të gjeneruar prej tij. Nuk e di sa të drejtë kishte gjuhëtari, por, ama, ngado që ta marrësh, një sherrnajë e tillë parlamentare e pajustifikueshme mund të klasifikohet edhe si punë llazoresh kuvendore!…