Ku janë 13 miliardë euro?
Nga Emin Barçi, botuar në Panorama Online, 16 qershor 2014
Në 8 vitet e qeverisjes së demokratëve në ekonominë kombëtare janë hedhur rreth 13 miliardë euro shtesë, ndërsa PBB është rritur me vetëm 3,5 miliardë euro. PBB (Produkti i Brendshëm Bruto) është rritur nga 6,5 miliardë euro në 2005 në 10 miliardë euro në 2013. Është evidente se paratë e injektuara në treg nuk kanë shkuar për rritje të konsumit apo investimeve private dhe publike, e në thelb as për rritjen e mirëqenies së popullit më të varfër të Europës. Në analizë të fundit kjo do të thotë keqmenaxhim i resurseve kombëtare. Ndërsa Noli do shprehej: “pranë parasë dhe i varfër”. Fatmirësisht urinë zyrtarisht e kemi reduktuar. Historia ekonomike 2006–2013 tregon se paratë nuk kanë munguar, por efektiviteti i përdorimit të tyre ka lënë shumë për të dëshiruar. Nga dolën këta 13 miliardë euro që janë hedhur në ekonomi për 8 vitet e qeverisjes së djathtë? Nga FDI (investimet e huaja direkte – net inflows) sipas Bankës Botërore janë shtuar në vlerë nominale me 6,6 miliardë euro. Borxhi i qeverisë është shtuar me 3,2 miliardë euro dhe kredia për ekonominë është rritur me 3,2 miliardë euro. Pra, në total plot 13 miliardë euro.
Për çfarë përdoret paraja kur hidhet në treg? Në pjesën më të madhe shkon për konsum mallrash dhe shërbimesh. Së paku në Shqipëri rreth 90% e PBB përbëhet nga konsumi. Një pjesë shkon për investime private e publike, një pjesë shkon për të importuar mallrat për të cilat tregu ka nevojë, por nuk prodhohen në vend. Dhe një pjesë shkojnë për të larë detyrimet, borxhet, kreditë. Nga shifrat që kemi më sipër, duket se efekti i 13 miliardë eurove në PBB për 8 vite të qeverisjes së djathtë është vetëm 3,5 miliardë, duke lënë të kuptohet se pjesa tjetër (9,5 miliardë euro) ka shkuar për financimin e importeve dhe të borxheve të vjetra private apo publike. Duke parë dinamikën e deficitit të tregtisë së jashtme në këto 8 vite (2006–2013), del se është rritur me vetëm 1,5 miliardë euro. Duke supozuar se ky deficit është financuar krejtësisht, nga burimet që ne kemi në analizë mbeten ende për t’i gjetur destinacionin jashtë konsumit dhe investimeve publike e private të 8 miliardë eurove. Ose kemi probleme shumë të mëdha me statistikat, ose kemi probleme shumë të mëdha strukturore dhe makroekonomike, ose i kemi të dyja.
Nuk dua të futem në gracka statistikore, veçanërisht në metodologji dhe burime të dhënash, por e kam detyrim të sqaroj shifrat që u jam referuar në respekt të lexuesit dhe sidomos specialistëve. Në vitin 2005, PBB në vlerë nominale ishte 6,5 miliardë euro, ndërsa në 2013 ishte rreth 10 miliardë euro.
Në 2005 borxhi publik ishte 57% e PBB, ndërsa në 2013 ishte 70% e PBB. Në terma nominalë, shteti shqiptar për 15 vjet (1991 – 2005) kishte marrë 3,7 miliardë euro borxhe. Në vitet 2006 – 2013 u morën 3,3 miliardë euro borxh duke e çuar stokun e borxhit në 7 miliardë euro.
Në vitin 2005 kredia për ekonominë ishte 15% e PBB, ndërsa në 2013 ishte 38% ose me një rritje nominale prej 3,2 miliardë eurosh.
Në vitin 2005 FDI (investimet e huaja direkte) ishin më pak se 200 milionë euro. Ndërsa për 8 vitet e qeverisjes së djathtë net inflow në vlerë nominale rezulton 6,6 miliardë euro. Burimi që i jam referuar është FMN dhe Banka Botërore.
Është detyrë e specialistëve dhe politikëbërësve për të kuptuar se pse pjesa më e madhe e fluksit prej 13 miliardë eurosh nuk ka shkuar për rritjen e mirëqenies së popullsisë nëpërmjet financimit të konsumit dhe investimeve, rritjes së vendeve të punës dhe pagave të sektorit privat. Ajo që ka ndodhur në 8 vitet e fundit në ekonominë shqiptare, duhet analizuar në mënyrë jo partizane, për të kuptuar drejt deformimet me qëllim gjetjen e zgjidhjeve zgjidhje profesionale, që do optimizojnë përdorimin e resurseve kombëtare. Ndërsa mbështetja politike e zgjidhjeve duket të jetë me konsensus bipartizan, se po flasim për atdheun tonë të përbashkët.