Kompanitë e huaja shtojnë transfertat jashtë të fitimeve
Sipas gazetës Shqip, 16 qershor 2014
BSH: Në tre muaj, 53 milionë euro; Financat: Do t’i kontrollojmë
Transferimi i fitimeve jashtë Shqipërisë nga kompanitë e huaja arriti në 53 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2014. Kjo rritje e menjëhershme mund të ketë bëjë edhe me përshpejtimin e përgatitjeve nga Ministria e Financave për aplikimin e masave të kontrollit dhe mbikëqyrjes së këtyre transfertave. Në fund të dhjetorit 2013, ministri Shkëlqim Cani firmosi një udhëzim të posaçëm për “Transferimin e Çmimit”, ndërsa në prill 2014 në Kuvend u dërgua drafti për ndryshimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, pikërisht për të vënë nën kontroll këto kalime të fitimeve nga filialet te kompanitë “mëmë”. Në fillim të vitit 2013, kompanitë e huaja i ulën dërgesat për shkak të efekteve të krizës në vend, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2014 kanë rritur transferimet e fitimeve. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë lidhur me bilancin e pagesave, për muajt e parë të vitit, zëri të ardhura nga investime dalëse, që mat kryesisht transferimet e fitimeve jashtë vendit, shënon një rritje prej 20 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke qenë një metodë e njohur për shmangien e taksave, Ministria e Financave ka përgatitur një paketë të plotë për këto lloj transfertash. Transferimi i çmimit ndodh sa herë që dy kompani të lidhura d.m.th, një kompani mëmë dhe një filial, ose dy filiale të kontrolluara nga një kompani mëmë e përbashkët – kryejnë tregti me njëra-tjetrën. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit transferimi i çmimeve është zhvilluar në një nga problemet më të rëndësishme tatimore ndërkombëtare me të cilin përballen qeveritë si dhe kompanitë shumëkombëshe. Problemet kryesore që lidhen me transferimin e çmimit në vendin tonë rritja e shpenzimeve, duke i transferuar nga shoqëri e lidhur në shoqëri që operon në Shqipëri, duke sjellë rënie të tatim-fitimit dhe mosdeklarim korrekt të çmimit të shitjes, të cilat i transferohen nëpërmjet eksportit shoqërisë së lidhur jashtë Shqipërisë, duke ulur në këtë mënyrë tatimin mbi fitimin dhe tatimet e tjera mbi të ardhurat. Me ndryshimet e bëra, për çdo transaksion midis dy kompanive, që do të konsiderohen subjekte të lidhura me njëra-tjetrën qofshin këto “nënë”, “bijë”, degë apo “motra”, sipas relacionit argumentues mbi draftin, duhet të zbatohet parimi i tregut. Pra, ato duhet të hyjnë në transaksione me njëra-tjetrën për efekte fiskale njësoj sikur të ishin kompani tërësisht të pavarura nga njëra-tjetra. Ndërkaq, është vendosur detyrimi ligjor për subjektet e lidhura për njoftimin apo deklarimin në administratën tatimore për transaksionet me kompanitë “mëmë”.
Transferimi i fitimeve, jashtë kontrollit – I pyetur nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë, zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, duke prezantuar paketën për ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, para pak kohësh deklaroi se, “praktikisht, transferimi i çmimit ka qenë i parregulluar ose ka pasur një nen specifik në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, por detajimi i tij mungonte plotësisht dhe e bënte vështirësisht ose thuajse të pazbatueshëm”.
Ligji – Parimi i Tregut i referuar në ligj është i njëvlershëm me parimin “arm’s length” sipas referimit në Udhëzuesit e Transferimit të Çmimit të OECD-së të vitit 2010.
Përkufizimi – Sipas përkufizimit ligjor, transaksionet e kontrolluara përfshijnë të gjitha llojet e transaksioneve që mund të ndikojnë fitimin e tatueshëm të një tatimpaguesi.