Formalizimi i ekonomisë kërkon reforma…

Nga Zef Preçi, botuar në Panorama Online

Në faqen e saj zyrtare mbi ekonominë e vendit tonë, CIA shkruan se sektori informal dhe pjesa e paraportuar e ekonomisë llogaritet në rreth 50% të GDP-së zyrtare. Ndërsa në shtypin e sotëm, bazuar në një studim të Bankës Botërore mbi bazën e të dhënave të periudhës 2000-2010, bëhet me dije se ky nivel llogaritet në 680 milionë dollarë amerikanë, ose 4.87% e GDP-së, ose përndryshe, 1/3 e ekonomisë sonë kombëtare, d.m.th. buxheti shqiptar nuk arrin të grumbullojë afro 20% të të ardhurave vjetore të vij, d.m.th. aq sa ç’është edhe deficiti fiskal vjetor. Studiuesit e Bankës Botërore përmendin edhe disa drejtime ku shkojnë këto para: a) evazioni ose fshehja e taksave, që zë pjesën më të madhe; b) shmangien e taksave nga bizneset dhe individët duke shfrytëzuar hapësirat ligjore; c) mungesa e informimit për detyrimet fiskale që kanë qytetarët dhe bizneset, dhe të marra së bashku kanë një shkak madhor – dobësinë e administratës fiskale dhe të politikave tatimore që ndjek qeveria.

Mbas kësaj ekspozeje kushdo mund të arsyetojë se kjo është një situatë e njohur prej kohësh dhe që duhet ndryshuar sa me shpejt që të jetë e mundur. Por a mund të ndodhë kjo? Sipas vlerësimit tim, janë të gjitha kushtet që qeveria shqiptare, duke shfrytëzuar investimet e trashëguara nga qeveria paraardhëse në fushën e teknologjisë së informacionit, veçanërisht data-bazat e krijuara dhe që lehtësisht mund të integrohen me qëllim frenimin e evazionit fiskal. Së dyti, qeveria duhet të ushtrojë funksionet e veta dhe të bashkëpunojë ngushtësisht me bankat tregtare jo vetëm për mbrojtjen e interesave të këtyre të fundit, por edhe në dobi të mbarë shoqërisë shqiptare, siç mund të jetë lehtësimi i kostove të kryerjes së transaksioneve përmes kanaleve bankare, gjë që zvogëlon menjëherë përdorimin e cashit në kryerjen e pagesave/transaksioneve të ndryshme nga qytetarët dhe bizneset. Së treti, mendoj se për reduktimin e informalitetit nevojitet një ndërgjegjësim, edukim publik dhe transparencë më e madhe rreth sistemit fiskal, duke tentuar thjeshtëzimin e zbatimit të tij etj. Në këtë mënyrë, sipas mendimit tim, do të bëhej e mundur që të rendet për të marrë borxhe mbas borxhesh, por të përmirësohet performanca fiskale, të gjejnë zbatim ligjet në fuqi dhe të përsoset më tej kuadri ligjor dhe institucional në këtë fushë. Edhe adaptimi i përvojave të njohura më të mira botërore në këtë fushë, sidomos sa i takon futjes së metodës së rimbursimit të një përqindjeje të caktuar nga shpenzimet e kryera nga familjet shqiptare, do t’i kontribuonte dukshëm reduktimit të informalitetit. Natyrisht, ndërmarrja e reformave që përmirësojnë situatën në këtë fushë nuk mund të mos jetë një ndër sfidat realisht më të mëdha për ligjvënësit dhe vendimmarrësit e vendit tonë. Ajo lidhet ngushtë sa me kapërcimin e dilentatizmit të njohur tashmë të fillimit të qeverisjes aktuale, sidomos në mbledhjen e taksave, aq edhe në nevojën e një vullneti të qartë politik për respektimin e barazisë së bizneseve përpara ligjit, gjë të cilën shkalla e lartë e konfliktit të interesave të një numri përfaqësuesish politikë në Kuvendin e Shqipërisë dhe prania në të e një numri oligarkësh të njohur dhe të panjohur për publikun, duket se vështirëson çfarëdo nisme reformuese me këtë fushë. Gjithsesi, vazhdimi i kursit të marrjes së borxheve të reja nga qeveria për të shlyer borxhet e vjetra, apo më keq akoma, rritja e mëtejshme e tatime-taksave (edhe sikur kjo të reklamohet publikisht si rekomandim i FMN-së), është rruga më e gabuar që nuk çon në “shëndoshjen” e pritshme publike dhe më keq akoma në rritjen e mirëqenies së shqiptarëve, si qëllimi kushtetues dhe i deklaruar i politikave ekonomike të shtetit. Por, përkundrazi, rrezikon të nxitë më tej zgjerimin e “gërshërës” së polarizimit social në vend, deformimin e konkurrencës në tregjet kryesore të ekonomisë, që vjen nga një evazion fiskal kaq i lartë, si dhe gjenerimin e burimeve financiare të rëndësishme për segmente të caktuara të biznesit prej nga financohen edhe një numër paligjshmërish të tjera në vend, duke përfshirë edhe financimin e partive politike, blerjen e posteve të larta publike deri edhe të vendimmarrjeve në favor të interesave lobiste në Kuvendin e Shqipërisë… Ja përse përpjekjet për formalizimin e ekonomisë, edhe pse një nga sfidat më të mëdha të qeverisë “Rama”, janë të një rëndësie të veçantë për vetë legjitimitetin e shtetit, për ndërtimin e një demokracie më përfaqësuese dhe më funksionale të ëndërruar prej shqiptarëve prej më shumë se një çerek shekulli…

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi