Ëndrra europiane në një sfidë serioze

Nga Doc.Dr.Vasil Kureta, botuar në Balkanweb, 12 qershor 2014

Që nga marrëveshja e çelikut e deri më sot europianët nuk kishin një ëndërr, por një realitet, ndërtuan një strukturë e mekanizëm funksional bashkimi. Është fakt se, që në fillimet e ëndrrës europiane e deri më sot, kanë qenë përballë mes tyre si dy të kundërta:Optimistët dhe euroskeptikët. Të dy palët hodhën në treg të gjitha argumentet që posedonin. Dallgët e njërës dhe tjetrës ngriheshin e përplaseshin mes tyre,por traseja u shtrua me sukses të plotë dhe krijesa e re lindi e shëndoshë.
Udha nëpër të cilën ka ecur ëndrra europiane kishte shumë pikëpyetje e të panjohura, ngurrime për hapa vendimtarë dhe vendime të guximshme. Europianistët nuk kishin vetëm dëshirën e argumentet, por dhe vullnetin e vendosmërinë, profesionalizmin e përgjegjshmërinë e lartë, që mundësoi ndërtimin e krijesës europiane, që njihet si BE.
Krijimi i BE nuk ishte një akt, por një proces e rrugë e gjatë me kontradikta të llojeve të ndryshme. Kanë qenë përballë vendosmëria dhe lodhja. Nuk munguan edhe eksperimente të pasuksesshme, por dhe dyshimet e shqetësimet që vinin nga e kaluara. Përmes kësaj natyre kontradiktore ëndrra europiane shkoi drejt pasurimit të përmbajtjes së saj, fuqizimit e materializimit funksional të saj.
Gjatë gjithë kësaj periudhe euroskeptikët kanë qenë prezent e aktivë, megjithëse në minorancë e gjithnjë më të izoluar. Por, u shfaq kriza e fundit ekonomike botërore, e cila jo rastësisht, u cilësua si e ngjashme me depresionin e madh të viteve tridhjetë të shekullit të kaluar dhe ja euroskeptikët siguruan teren dhe bënë një avancim jo të vogël në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian. Teksa dëgjoja rezultatet e zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Europian, nuk mund të mos më tërhiqnin vëmendjen përqindjet e siguruara nga forcat ekstremiste dhe sidomos të atyre, që janë, jo vetëm skeptikë ndaj ëndrrës europiane, por dhe që kërkojnë ta varrosin atë. Vërtet janë prapë në minorancë, por që nuk lë shteg për nënvleftësim apo për mosreflektim serioz. Në zgjedhjet e fundit ekstremistët dhe euroskeptikët siguruan 30% të vendeve në Parlamentin Europian. Pra, ky avancim kërkon një lexim të mirë të arsyeve që i bënë qytetarët europianë të votojnë këto forca politike.
Ndodhemi realisht përballë një zhvillimi që nxit për një analizë të thellë e shumë serioze të gjithë problematikës që e krijoi këtë situatë. Ëndrra europiane e vetë BE ndodhen sot përballë një sfide shumë serioze, që me sa duket kërkon vendimmarrje të rëndësishme të cilat duheshin marrë më përpara. Kjo, për faktin se kriza ekonomike nxori në pah gjithë problematikën e njohur dhe të panjohur.
Gjykoj se është koha për tu përqendruar te shkaqet objektive, por dhe te gabimet apo te ngurrimet e shfaqura në vendimmarrje, për një vlerësim profesional edhe të zgjidhjeve që rezultojnë jo të suksesshme. Por të kthehemi te jorastësia. Depresioni i madh i shekullit të kaluar kishte në thelb një kolaps të rëndë të mekanizmit të funksionimit të modelit të kapitalizmit, që realisht ngeci e krijoi një problematikë të rëndë varfërie e krize komplekse.
Kjo situatë u dha frymëzim dy forcave ekstremiste:Nazizmit dhe fashizmit, që “ofronin” atë më thelbësoren që kërkohet në situata të tilla, mbijetesën njerëzore dhe dorën e fortë për vendimmarrje të shpejta. Parullat shpëtuese, nacionaliste e populiste u bënë të prekshme nga njerëzit që u dhanë realisht mbështetje këtyre forcave, të cilat kishin qëllime e projekte të tjera, që vështirësoi dukshëm ndaljen e tyre në fillim të aventurës që realizuan. Dhe realizimi i “projekteve” të tyre ishte Lufta e tmerrshme e Dytë Botërore me të gjitha pasojat e rënda që tashmë dihen mirë.
Nga ana tjetër, kjo situatë krize komplekse ekonomike, politike dhe morale, shpirtërore e ideore, shtroi përballë mendjes shkencore njerëzore kërkesën për një model të ri ekonomik e social zhvillimi. Mesa duket kërkohej pak kohë që të formësohej teorikisht, modeli i ri ekonomik e politiko-social i ekonomisë së tregut, duke bërë dhe rregullimet përkatëse në raportet shtet-treg. Kjo situatë i dha udhë fuqizimit të projektit të Marksit, të aplikuar leninisce në Bashkimin Sovjetik, që fitoi një element thelbësor besimi për shkak të kontributit të madh në mposhtjen e nazifashizmit, por edhe të ideve për një jetë më të mirë që përmbante, që i hapi rrugën krijimit të atij që njihet si kampi socialist.
Këto zhvillime lidhen ngushtësisht me thelbin, përmbajtjen dhe produktet që krijoi “depresioni i madh” për shkak të kolapsit të një modeli konkret të ekonomisë së tregut. Kjo është historia, që është e vlefshme shumë për të kuptuar se çfarë po ndodh sot me avantazhin e prekshëm të forcave ekstremiste euroskeptike dhe sidomos të atyre që kërkojnë të mos ketë BE. Kërkohet të shohim e të shkojmë përpara, por edhe të mos harrojmë mësimet e historisë, me synimin e vetëm që të lëvizet më përpara ëndrra europiane.
Kjo që po ndodh sot, dmth jo vetëm avantazhi i siguruar nga forcat ekstremiste, por sidomos problematika e akumuluar dhe e pazgjidhur në ecurinë e ëndrrës europiane, dëshmon se ka një përmbajtje të mprehtë sfide të ëndrrës europiane, që ka prirje të krizëzohet. Disa drejtues të politikës europiane, e kanë vlerësuar këtë hap të ekstremistëve si “një tërmet të madh”, por që më shumë e lidhin me fatin politik të tyre e partive që i përkasin. Ka vlerë shumë të veçantë reagimi dhe reflektimi i partive europianiste që siguron rezultate të dobëta në këto zgjedhje për parlamentin europian, por për mendimin tim është koha që të thonë fjalën e tyre shkencëtarët, ekonomistët, sociologët, filozofët, juristët e politologët. Një aleancë pune e tyre do të sjellë një produkt që i nevojitet fuqizimit të ëndrrës europiane, kapërcimit të problemeve dhe sugjerimit të zgjidhjeve të argumentuara. Kjo për faktin se përmbajtja e sfidës së sotme europiane është krijuar jo vetëm nga kriza ekonomike botërore, por edhe nga zgjidhjet e munguara, politikat jo efektive të aplikuara, sidomos nga ngurrimet për të bërë hapa vendimtarë përpara, që të mundësohet realisht funksionimi efektiv i gjithë ndërtesës së BE, në përputhje me doktrinat shkencore mbi shtetin dhe të drejtën. Për faktin se problemet që kërkojnë zgjidhje janë komplekse dmth edhe ekonomike e financiare, por edhe menaxhuese e organizative, drejtuese e politike.
Vend të rëndësishëm zënë problemet e marrëdhënieve mes organizmave mbikombëtare e kombëtare. Ëndrra europiane dhe e ardhmja e saj është pronë e të gjithë popujve e kombeve të kontinentit europian, por tashmë edhe një pasuri botërore që lidhet direkt me stabilitetin, sigurinë e paqen në botë. Kjo e bën më të rëndësishëm kapërcimin e sfidës së sotme aktuale të ëndrrës europiane, që mesa duket kërkon edhe ndryshime të modelit aktual të ekonomisë së tregut, por edhe të mekanizmit të funksionimit të ndërtesës së BE.
Është fakt që mekanizmi aktual i funksionimit të BE nuk është efektiv, madje krijon vështirësi e probleme në menaxhim. Zgjidhjet e derisotme e ndonjë rregullim i pjesshëm nuk mund ta kapërcejnë problemin. Krijohen goditje nga brenda në funksionimin e BE, që shoqërohen me fenomene negative, që ndikojnë te niveli i jetesës së qytetarëve europianë me dallime të ndjeshme në veri, në qendër dhe në jug. Prandaj dhe ka tërmete në vende të veçanta, por që ndikojnë në gjithë ndërtesën. Goditjet që morën partitë europianiste në Britani, France, Austri etj,janë vërtet shuplaka për partitë që drejtojnë aktualisht, por shkojnë përtej një vendi të veçantë, godasin ardhmërinë e ëndrrës europiane e të vetë BE. Megjithatë qytetarët europianë dëshmuan ndjeshmëri të lartë ndaj partive ekstremiste. Është domethënës pesha dhe roli i ndjeshmërisë ndaj këtyre forcave politike, fakti që në Itali dhe në Gjermani këto forca ekstremiste dështuan përballë atyre europianiste.
Optimistët realisht i kanë nënvlerësuar euroskeptikët dhe ekstremistët. Nuk kanë vlerësuar asnjë avancim të tyre në mjedisin social apo “argument” dhe kritikë të tyre. Kjo sjellje është favorizuar nga hapi i suksesshëm i ëndrrës europiane dhe funksionimi i BE. Euroskeptikët dhe ekstremistët nuk kanë lindur në një hapësirë bosh apo të izoluar. Po kështu ata kanë nënvizuar vështirësitë, problemet dhe fenomenet negative, janë ndalur më shumë në dështimet e mosrealizimet e programeve të partive qeverisëse, janë marrë me kostot e mëdha e pikëpyetjet për të ardhmen, për të siguruar mbështetje sa më të gjerë.
Kjo i ka bërë ata sot, në kushtet e krizës ekonomike e financiare, të jenë të besueshëm në kategori të caktuara votuesish mbi të cilat godasin më tepër efektet e krizës e fenomenet negative të korrupsionit, krimit etj. Nëse nuk reagohet, këto parti ekstremiste nesër mund të bëhen qeverisëse. BE dhe institucionet e saj janë përballur me problematikën që njihet si ‘mungesa e legjitimitetit demokratik’.
Kompleksiteti funksionues i BE dhe mendësia se BE konsiderohet e papenetrueshme për qytetarët e saj, sa vjen e bëhet serioze. Dilemat aktuale për zgjedhjen e presidentit të KE dhe fenomeni i “deficitit demokratik”, janë dëshmia më e fundit se BE duhet të zgjidhë probleme shumë të rëndësishme të drejtimit të saj, duke u orientuar nga doktrinat shkencore për shtetin, demokracinë dhe të drejtën. Për më tepër kjo dilemë aktuale shtron nevojën që të hidhet një hap i rëndësishëm përpara në fushën e drejtimit shtetëror të BE. Nuk duhet lejuar të kompromentohet ajo që është arritur deri më sot e sidomos e ardhmja e BE. Kjo e bën më të mprehtë nevojën për një reflektim të gjerë që të mundësojë ndryshime të rëndësishme e vendimmarrje të vështira. Është koha që klasa politike drejtuese europiane të bëjë ndryshime të rëndësishme në mendësitë e saj e që duhet të mësojë më shumë nga përvoja e SHBA e përtej hapësirës europiane. Vazhdimësia dhe e ardhmja e ëndrrës europiane nuk mjafton aspak që të qëndrojë vetëm në klasën politike, por sidomos te shumica dërmuese e qytetarëve europianë.
E ardhmja e ëndrrës europiane dhe BE ka rëndësi të veçantë strategjike. BE është aktualisht një aktor i rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo është në zemberekun e ekzistencës e garantimit të sigurisë, stabilitetit e paqes në botë. Ekuilibrat e krijuara nga krijimi e funksionimi i saj tashmë janë esenciale për rendin botëror. Çdo stakim apo lëvizje prapa do të trondiste rëndë rendin botëror e paqen në botë. Edhe zvogëlimi i rolit të BE në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare afekton rëndë paqen e sigurinë. Kjo rrethanë e bën më të rëndësishme nevojën e përballimit me sukses e më shpejt e sfidës aktuale që kalon ëndrra europiane dhe BE.
Kjo situatë ne shqiptarëve na gjen në pritshmërinë e gjatë para portave institucionale të BE. Vonesa jonë në integrimin në BE është përgjegjësi e madhe e klasës sonë politike, që u sajua pas rënies së komunizmit dhe që ka dëshmuar një kompleks vesesh e fenomene negative, që kanë penguar realisht plotësimin e standarteve, të cilat do të mundësonin integrimin e merituar në familjen europiane. Megjithatë ëndrra europiane ndër ne shqiptarëve është e ngulitur thellë me gjithë dëmin e rëndë të shkaktuar nga klasa politike drejtuese.
Me gjithë vështirësitë që kalojmë ne shqiptarët kemi dëshmuar besim të lartë ndaj ëndrrës europiane, por që nuk mund të jemi të imunizuar nga dukuria e zvenitjes ndaj kësaj ëndrre. Është pozitive që në realitetin shqiptar nuk ka parti politike antieuropiane e as ndonjë lloj opinioni negativ ndaj ëndrrës europiane. Mendoj se kjo cilësi e popullit shqiptar duhet të vlerësohet më shumë nga vendimmarrësit europianë.
Funksionimi dhe e ardhmja e sigurtë e ëndrrës europiane dhe BE është vendimtare për të sotmen e të ardhmen e ne shqiptarëve, por dhe për të gjithë ne popujve të Ballkanit. Po. Ne kemi nevojë reale për BE, por edhe BE ka nevojë për ne ballkanasit. Europa nuk mund të jetë e plotë dhe në ecuri pozitive pa integrimin e plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi