Raporti i FH: Shqipëria s’ka përmirësim në pavarësinë e medias dhe gjyqsorit
Freedom House
Organizata Freedom House ka publikuar raportin vjetor “Vendet në Tranzicion”, mbi proceset demokratike të 29 vendeve në zhvillim, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Euroazisë.
Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar, por ne Shqiperi evidentohen 5 fusha ku nuk eshte shenuar fare permiresim. Ky eshte perfundimi i Organizates Freedom House ne raportin e saj vjetor “Vendet në Tranzicion”, mbi proceset demokratike të 29 vendeve në zhvillim, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Euroazisë.
Për Shqipërinë, kanë ndryshuar pozitivisht vlerësimet për kategoritë e “Procesit elektoral” dhe “Qeverisjes demokratike në nivel qendror”. Të dy këta sektorë janë përmirësuar me 0.25 pikë, në një shkallë nga 1 në 7. Pesë fushat e tjera që Freedom House vlerëson në këtë raport vjetor dhe që në rastin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar janë: “Shoqëria civile”, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”.
Raporti shprehet se “Shqipëria arriti ndryshim pozitiv për herë të parë që nga viti 2008, falë zgjedhjeve parlamentare” të muajit qershor vitin e kaluar dhe “transferimit paqësor të pushtetit”. Vlerësimi për demokracinë në Shqipëri, që përbën mesataren e shtatë sektorëve të vëzhguar, është përmirësuar nga 4.25 në 4.18, në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7 nivelin më të ulët.
Në një intervistë në Nju Jork për Zërin e Amerikës, drejtoresha e këtij raporti, Sylvana Kołaczkowska, tha se “ka shenja të hershme se qeveria e re është e interesuar të ndërmarrë reforma, për të ndalur procesin e konsolidimit të pushtetit të vënë re gjatë mandatit të dytë të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Berisha.”
“Në këtë pikë është ende herët,” shtoi ajo. “Kemi parë jo vetëm retorikë, por edhe hapa konkrete, megjithatë mendoj se është ende herët për të festuar. Ajo që mund të them është se duket të ketë një vullnet politik më të madh në këtë qeveri sesa në atë të mëparshmen për të zgjidhur disa nga dobësitë kronike në vend, në veçanti në sistemin gjyqësor shqiptar.”
Drejtoresha e projektit “Vende në tranzicion” të organizatës Freedom House i tha Zërit të Amerikës se një nga problemet më të mëdha për drejtësinë në Shqipëri mbetet mungesa e llogaridhënies nga ana e zyrtarëve të lartë.
“Mbajtja e përgjegjësisë para ligjit ka qenë e ulët në Shqipëri. Ky problem nuk është trajtuar sa duhet dhe duket se nuk ka patur përmirësim përsa i takon llogaridhënies së politikanëve të lartë para drejtësisë. Pushteti ekzekutiv vazhdon të ketë shumë ndikim tek gjyqësori. Ka një ndjesi të përhapur se shteti ligjor nuk zbatohet në mënyrë të barabartë ndaj të gjithëve. Mendoj se kjo duhet të ndryshojë, që njerëzit të mund të kenë besim tek institucionet,”shtoi ajo.
Në lidhje me sistemin e qeverisjes vendore në Shqipëri, raporti “Vendet në Tranzicion 2014” shprehet se “qeveritë lokale mbeten të dobëta, të fragmentuara dhe subjekte të manipulimit politik nga qeveria qendrore”.
“Gjendja e pushtetit lokal është mjaft e keqe në Shqipëri. Qeveritë vendore nuk janë të financuara siç duhet dhe kanë shumë pak pavarësi. Një reformë territoriale është vërtet urgjente,” i tha Zërit të Amerikës zyrtarja e lartë e Freedom House, Sylvana Kołaczkowska.
Sa i përket korrupsionit në Shqipëri, zonja Kołaczkowska tha se ky fenomen mbetet mjaft i përhapur dhe ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas raportit, fushat që pasqyrojnë përmirësim në Kosovë, krahasuar me vitin e kaluar, janë “Procesi elektoral”, “Shoqëria civile” dhe “Qeverisja demokratike në nivel qendror”, të cilat janë përmirësuar me 0.25 pikë. Në katër fushat e tjera, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”, vlerësimi për Kosovën nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar.
Në raportin “Vendet në tranzicion 2014” organizata Freedom House vlerëson dhe përparimet e arritura në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. (VOA)