A janë institucionet europiane të drejtuara mirë?
Nga Philippe Gilvie, botuar në Mapo Online, 12 qershor 2014
Në rrëmujën e zgjedhjeve europiane të 25 majit, shumica e institucioneve të Bashkimit Europian do të ndryshojnë fytyrë: Komisioni, Këshilli, Parlamenti, Shërbimi i politikës së jashtme… Drejtuesit e rinj, nëse duan të mbajnë parasysh rritjen e euroskeptikëve ndër shtetet anëtare, do duhet të shkojnë drejt një menaxhimi dhe kostove të organeve të Bashkimit, me një ambicie të pashembullt. Nën këtë frymë, fondacioni Ifrap për studimin mbi administratën dhe politikat publik, i drejtuar nga Agnes Verdier-Moliniè, do të publikojë një studim të detajuar “Për një Europë të miradministruar dhe transparente”. Le Figaro shpalos këtu konkluzionet kryesore.
SA KUSHTON FUNKSIONIMI I BE?
Buxheti i Bashkimit Europian është rritur më 2013 në 132,8 miliardë euro; arrin në 135,5 miliardë euro për 2014 dhe do të rritet në mënyrë progresive për të arritur 156,3 miliardë euro në 2020. Komisioni, në dosjen “mitet dhe faktet” e buxhetit europian (2), nënvizon se kjo përfaqëson vetëm 2% të gjithë shpenzimeve publike të Njëzet e Tetëve, çka do të thotë më pak se 70 cent për qytetar evropian dhe për ditë, për një mori ndërhyrjesh që “kontribuojnë në favorizimin e prosperitetit në Europë”. Por Ifrap rikujton se buxheti i BE është “rritur vazhdimisht” që prej 2007-ës, natyrisht si rrjedhojë e zgjerimit (tre shtete të rinj, pas aderimit të dhjetëshes më 2004). “Në këtë kontekst buxhetor të vështirë në Europë, institucionet duhet të zotërojnë buxhetet e tyre dhe të japin shembull”, vë në dukje Agnes Verdier-Molinie.
Pjesa më e madhe e “kredive të pagesave” “Les crédits de paiement” (CP janë mbështetja për rregullimin e shpenzimeve paraprakisht të parashikuara) preket nga njëra anë nga politika bujqësore e përbashkët (PAC) dhe nga zhvillimi rural (44%), dhe nga ana tjetër nga fondet e kohezionit (33%), të destinuara për ndihmën ndaj shteteve që kanë mbetur mbrapa. Shpenzimet administrative të institucioneve përfaqësojnë vetëm 6% të totalit, ndryshe 8,4 miliard euro në 2013. Megjithatë, prezantimi zyrtar i llogarive lë mënjanë një numër të madh agjencish evropiane: sipas Ifrap, shuma e shpenzimeve të funksionimit të BE shkon në realitet në 9,6 miliardë euro. Një shifër kjo që fondacioni e gjykon “të lartë duke qenë se, në ndryshim nga shtetet, Europa nuk ka mësues, administratë fiskale etj”.
A ËSHTË FUNKSIONI PUBLIK EUROPIAN SHUMË I MADH NË NUMËR?
“Makineria e Brukselit është tepër e madhe, tepër pushtuese”, denoncoi kryeministri britanik, David Cameron, të nesërmen e votimit europian. Dokumenti buxhetor i BE identifikon 47 487 funksionarë më 2013. Kjo shifër supozohet të përfshijë të punësuarit përhershëm dhe të përkohshëm të Komisionit (24944), të Këshillit 83153), të Parlamentit (6713, të cilëve iu shtohen disa 4000 bashkëpunëtorë të 751 të zgjedhurve), Gjykata e Llogarive (891), po ashtu edhe “organizmat e decentralizuara” dhe të “agjencive ekzekutive” të Bashkimit. Megjithatë, vë në dukje Ifrap, nuk merren parasysh një numër i madh agjentësh kontraktualë: përafërsisht 5000 në Komision, 200 në BCE, po aq edh në BEI, rreth 2500 në agjenci… Në total “e vërteta do të anonte më shumë nga shifra 60 000 agjentë”, nënvizon fondacioni.
Brukseli mbështet idenë se reforma Kinnock, e ndërmarrë në fillimet e viteve 2000, “do të mundësojë kursimin e 8 miliardë eurove të kontribuuesve europianë deri në 2020”. Por, ndërsa populli i BE është rritur me 20% që nga viti 2004 (13 shtete të reja anëtare), numri i funksionarëve është rritur me 25%. Zyrtarisht, efektivat e institucioneve duhet të ishin ulur me 413 vende vitin e shkuar; për Ifrap, ato janë rritur në të kundërt me 309 persona. Nëpër agjencitë, inflacioni është prej 1227 agjentë (kundër 291 të parashikuar). Arsyeja? Një manipulim i shifrave, i posteve institucionale duke qenë se ” janë shtrirë drejt agjencive për të treguar uljen e pritshme nga reforma Kinnock”, pohon fondacioni.
Reforma ngre lart një ulje të efektivit në nivel prej 500 postesh për vit deri në 2018, çka do të thotë një kurë dobësimi prej 5%. Por Agnes Verdier-Molinie vëren se, në ndryshim nga Gjermania dhe vendet Skandinave, Franca nuk është shumë e zhdërvjelltë mbi këtë dosje, “sikur të mos dëshirohej që funksioni publik europian, i kopjuar mbi modelin francez, t’u jepte shembullin e mirë” shteteve.
ÇFARË FAVORE DO TË PËRFITONIN FUNKSIONARËT EUROPIANË?
Duke mos folur për pagat më të larta, agjentët publikë të BE-së janë veçanërisht të mirëtrajtuar. Një komisioner fiton rreth 20 000 euro në muaj, një drejtor i përgjithshëm 18 370 (janë 43 në Komision), një zëdhënës deri në 8 000 euro … Një numër i madh avantazhesh dhe shpërblimesh iu shtohen, në favor të të cilave një kuadër i martuar me tre fëmijë mund të shohë pagën e tij bruto të kalojë nga 7030 në 9716 euro. BE është gjithashtu shumë bujare në rimbursimin e shpenzimeve në misione- një buxhet prej 3,8 milion eurosh për Këshillin dhe 62,4 milion për Komisionin. Në 2009, presidenti Jose-Manuel Barroso ka shpenzuar 697000 euro për 66 zhvendosje, çka do të thotë mesatarisht 10 500 euro për udhëtim.
Ifrap vëren se kostot e personelit janë globalisht të kontrolluara, pjesërisht sepse shpërblimet për rekrutim janë ulur nga reforma Kinnock. Ky zë shpenzimi është ulur me 1% midis 2009 dhe 2014, rreth 4,5 miliardë euro. Mbetet se “për një numër agjencish të ngjashme me atë të Qytetit të Parisit, masa e të punësuarve arrin gati dyfishin”, nënvizon Ifrap.
Kësaj i shtohet edhe një sistem pensionesh shumë i favorizuar – dhe strukturisht deficitar. Të 28 komisionarët evropianë nuk kotizojnë asnjë gjë për pensionin, në ndryshim nga funksionarët normalë, që derdhin 10,9% të pagës së tyre bazë. Shuma e pensioneve mund të arrijë 70% të pagës së fundit. Mirëpo kotizacionet mbulojnë vetëm një të tretën e kostove të tyre (që shkojnë në 1,4 miliard euro në 2013), pjesa tjetër i ngarkohet buxhetit evropian. Kjo situatë do të përkeqësohet, numri i pensionistëve do të dyfishohet përgjatë tridhjetë viteve të ardhshëm, nga 18000 në 36000 përfitues, duke e çuar këtë zë shpenzimesh në 2,4 miliard euro në 2045. Ifrap sugjeron pra që të vendoset një tavan për pensionet në 60 % të pagës së fundit. Së fundmi, funksionarët e BE janë subjekt i një “takse evropiane” më të favorshme sesa shumica e fiskaliteteve kombëtare. Duke u shtrirë nga 8% në 45% sipas nivelit të të ardhurave, përqindja mesatare vendoset në 18% të pagesës bazë (pa shpërblimet dhe indemnites). I sjellin 688 milionë euro buxhetit evropian. Por, nënvizon fondacioni, për një pagë të barabartë me 4243 euro në muaj, një agjent publik i BE do të paguajë 6723 euro taksa vjetore, kundër 13673 euro për njëfunksionarfrancez.
A KUSHTON SHUMË SHTRENJTË PARLAMENTI EUROPIAN?
Deri në vitin 2009, deputetët evropianë paguheshin nga Parlamenti kombëtar. Kjo shkaktonte kontraste të mëdha, një italian merrte 11000 euro dhe një bullgar…1000 euro. Këtej e tutje, një i zgjedhur në Strasburg merr 7 665 euro para taksimit. Kësaj i shtohen shpërblimet për shpenzime të përgjithshme prej 4 202 euro në muaj, një shpërblim për praninë prej 300 euro dhe një zarf prej 17000 euro që mbulon pagesën e asistentëve parlamentarë. Përdorimi i këtij të fundit nuk është i detajuar në llogaritë e eurodeputetëve, duke e shtyrë Ifrap-in të urojë për sa më shumë transparencë. E njëjta gjë edhe për shpenzime misioni të 766 të zgjedhurve (numër që do të reduktohet në 751 në legjislaturën e ardhshme), që kanë shkuar nga 66.8 milion euro në 2009 në 72.2 milion në 2014, ndërsa shpenzimet e personelit të Parlamentit rriteshin me më shumë se 610000 euro në të njëjtën periudhë. Përveç kësaj, të zgjedhurit evropianë nuk janë të taksuar në vendin e tyre të origjinës, “një anomali që kontribuon në shkëputjen e tyre nga baza e tyre elektorale”, vlerëson Ifrap.
Problematika e Parlamentit është kryesisht e dominuar nga vendbanimi i tyre i dyfishtë: në Bruksel mbledhjet e komisionit, në Strasburg sesionet plenare dymbëdhjetë herë në vit. Këto shpërngulje të rregullta të mijëra personave përfaqësojnë një shpenzim suplementar për organizim prej 18 milion euro, të cilës i shtohet shpenzimi për infrastrukturat e Strasburgut, 33, 5 milion në vit. Kështu, vë në dukje Ifrap, të transformosh Strasburgun në universitet evropian, për shembull, do të lejonte të kurseheshin 51,5 milion euro në buxhetin e Parlamentit (1,756 miliard euro më 2014).
PËR ÇFARË VLEJNË AGJENCITË E BE?
Numërohen afro pesëdhjetë prej tyre, siglat e të cilave formojnë një inventar në Prevet: Ohmi, OCVV, Anisa, Cedefop, ETF…Krahas Europol-it, Zyra evropiane e policisë e vendosur në Hagë, Frontex-it, i ngarkuar për administrimin e kufijve (që prej Varshavës) ose të EFSA-s, Autoriteti evropian i sigurisë ushqimore i instaluar në Parmë, agjenci misionet e të cilave qytetarët mund t’i identifikojnë qartësisht, gjejmë për shembull një Fondacion evropian për formim në Torino, një Qendër për zhvillimin e formimit profesional në Selanik, një Agjenci për përmirësimin e kushteve të jetës dhe të punës në Dublin, një Agjenci për shëndetin dhe sigurinë në punë në Bilbao…
Duke qenë se çdo kryeqytet do të vetën, numri i tyre është rritur që prej dhjetë vjetësh (numëroheshin një duzinë në vitin 2000) dhe gjithashtu edhe buxhetet e tyre: nga 95 në 775 milion euro në 2013, shumë e çuar në 997 milion për periudhën 2014 – 2020. Në disa raste, lokalizimi i tyre është i dyshimtë, si zgjedhja e Polonisë për të trajtuar problemet e imigracionit që kanë të bëjnë kryesisht me vendet e Jugut. Kështu që, thekson Ifrap, janë të mundura racionalizime ose grupime, kjo vetëm për të shmangur disa dublime me administratat kombëtare.
Në një mënyrë të përgjithshme, studimi i fondacionit Ifrap nuk ngre një konstatim në disfavor të një qeverisje skandaloze evropiane. Ai nënvizon se janë ndërmarrë përpjekje të rregullta, nën presionin e shteteve anëtare dhe në emër të efikasitetit të politikave të përbashkëta. Por BE ruan një marzh progresi, që do të ishte me vend të shfrytëzohej nën dritën e mosbesimit që ai inspiron tek zgjedhës të shumtë evropianë.
*Marrë nga Le Figaro.