Model anglosakson, apo filozofi reformash?

Nga Adrian Civici, botuar në Panorama Online, 11 qershor 2014

Në debatet për reformën e arsimit të lartë është shfaqur një pikëpyetje në lidhje me faktin se “duke mos qenë një vend me kulturë dhe tradita anglosaksone, çfarë garancie ka që implementimi i këtij modeli nuk do dështojë…? Që është një model që nuk na përshtatet dhe çdo kopjim jashtë kontekstit është formal dhe pa vlerë”. Ky mund të jetë një shqetësim objektiv, sidomos nga këndvështrimi se “po kërkohet të kopjohet një model”. Eksperimente me kopjime kushtetutash, institucionesh, ligjesh, receta zhvillimi etj., kanë treguar se rreziku i rënies në iluzion për suksesin e lehtë ka qenë real në shumë vende të botës, dhe natyrisht edhe në Shqipëri. Çfarë përgjigje mund t’i jepet dyshimit në rastin e reformës për arsimin e lartë, që qendër të saj ka pikërisht “kërkimin dhe propozimin e një modeli më të mirë dhe më eficient për universitetet tona”? Më shumë se një përgjigje me natyrë “bardh e zi” të tipit “modeli anglosakson është më i miri dhe pikë”, apo “shumë vende të botës po bëjnë të njëjtën gjë, prandaj nuk ka përse të bëjë përjashtim Shqipëria” etj., do ishte me vend që analiza dhe përgjigjja të kalonte nëpërmjet vlerësimit të evolucionit të 2-3 dekadave të fundit në sistemet universitare “klasike” europiane, ato britanike e amerikane etj.
Përveç “modelit amerikan”, përpjekjet ndërkombëtare për reformimin e sistemeve universitare janë grupuar në dy drejtime bazë: modelit të “decentralizuar” anglez dhe modelit “të centralizuar” francez, apo siç quhet, “modelit kontinental”. Modeli anglez bazohet në një qeverisje të fortë e të përgjegjshme nga “qendra drejtuese”, “këshilla administrimi” apo “borde besimi”. Edhe pse financimet publike jepen në mënyra selektive “sipas përparësive të zhvillimit apo nevojave sociale”, kjo formë “e lidhur më ngushtë me konkurrencën dhe tregun” e forcon më shumë rolin e shtetit dhe prezencën e tij në sistem, por si “hartues dhe zbatues i politikave publike që garantojnë një nivel të lartë cilësor e standarde të një shërbimi publik”, siç është arsimi i lartë. “Modeli kontinental”, si pasojë e administrimit të “centralizuar”, e ka të vështirë të “implementojë lehtësisht” reformat analoge britanike, pasi edhe kur flitet për nevojën e konkurrencës dhe pavarësisë së universiteteve, duket se ajo mund të vijë vetëm nga “terreni i përgatitur nga tutela shtetërore/qendra, sepse ajo është thjesht një shkallë pak më e lartë decentralizimi”. Përballë faktit se “modeli britanik i qeverisjes së universiteteve nga këshillat administrues, futja në konkurrencë të lirë akademike e menaxheriale dhe filozofia e liberalizimit të gjerë që ky model nënkupton” po përballet me një kulturë dhe mentalitet institucional që nuk e pranon apriori këtë lloj reformimi. Fakti që BE në shumë dokumente me natyrë strategjike e ka bërë të qartë se “mbetet e hapur për të ndjekur rrugën britanike në reformimin e sistemit universitar”, përfshirë këtu dhe kërkimin shkencor, nënkupton se në të ardhmen e afërt “futja në treg e institucioneve akademike duket e paevitueshme, rritja e nivelit të kompetitivitetit të universiteteve europiane në arenën akademike ndërkombëtare është domosdoshmëri, se konvergimi drejt një modeli me elemente britaniko-amerikane është rruga më e sigurt për të krijuar pole të fuqishme kompetencash akademike e shkencore me staturë ndërkombëtare në Europë”.
Skeptikë të reformës në sistemin universitar shqiptar përdorin argumentin se “po të ishte kaq i mirë dhe kaq i lehtë modeli anglosakson, përse nuk e zbaton edhe Europa kontinentale këtë model?”. Pyetja është sempliste, por përgjigjja nuk mund të jetë e tillë, dhe kjo për faktin se nuk bëhet fjalë për kopjim, por për gjetjen e një modeli sa më të përshtatshëm, për ndjekjen e një filozofie bashkëkohore, duke qenë njëkohësisht në përputhje me objektivat dhe kushtet konkrete të çdo vendi. Ka mbi dy dekada që Europa, veçanërisht vende si Anglia, Holanda, Franca, Gjermania, Italia etj., po realizojnë reforma strukturore në arsimin e lartë. Ajo që po ndodh në Europë me universitetet lidhet ngushtë me “ndryshimet e rëndësishme politike, ekonomike, sociale dhe demografike që po ndodhin në këto vende” këto 2-3 dekadat e fundit. Vendin e shtetit që financonte zhvillimin nëpërmjet buxhetit dhe financave publike po e zë “ndërtimi” i një lloj tjetër shteti, i cili e redukton ndërhyrjen në ekonomi duke e zëvendësuar me “krijimin e kushteve sa më transparente e eficiente që aktorët ekonomikë e socialë të ofrojnë shërbime cilësore publike”. Politikat e edukimit nuk mund t’i devijojnë kësaj lëvizjeje me përmasa globale, sidomos kur bëhet fjalë për kalimin nga logjika “shtetërore” në logjikën “publike”. “Public Choice Theory”, si një referencë bazë në politikat publike, argumenton se në kushtet kur burimet shtetërore janë duke u kufizuar ose të pamjaftueshme, shteti ka tendencë të çlirohet nga “mjediset dhe sektorët e mbrojtur, të sigurt e të garantuar 100%”, duke i vendosur këta sektorë në kushtet e presionit që ka sektori privat për të arritur performancë e eficiencë maksimale në mënyrë që të garantojë suksesin. Fjalë si “konkurrencë”, “autonomi maksimale apo pavarësi reale”, “objektiva të verifikueshëm”, “shpërblim sipas rezultateve” etj., po e pasurojnë fjalorin e sferës publike me elemente të sferës private. Qëllimi i kësaj lëvizjeje apo filozofie të re është “shndërrimi i fuqisë publike dhe orientimi i shërbimit publik në funksion të qytetarit-klient”, pra, kalimin e zgjedhjes nga shteti te qytetari. Në rastin e universiteteve, e gjithë fuqia (bazuar kryesisht te ndërgjegjja akademike dhe qytetare e pedagogëve/drejtuesve për të menaxhuar paratë publike), kalon te “studenti-klient”, i cili do ketë në dorë të kërkojë e zgjedhë shërbimin më cilësor universitar që dëshiron. Përballë kësaj logjike tashmë të ndërkombëtarizuar duket se po tentojnë të shkojnë edhe dy modelet bazë të arsimit të lartë.
Përse po kërkohet riorganizimi apo “rithemelimi i universiteteve”? Çfarë ka ndodhur me logjikat e zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë? Idetë, teoritë dhe politikat që synonin “mbrojtjen e sektorëve të dobët dhe jokonkurrues të ekonomisë”, “subvencionet në emër të mbrojtjes së ekonomisë kombëtare” etj., po zëvendësohen me idetë dhe politikat e “shtetit të vogël që nuk e rëndon ekonominë e vendit, por e lehtëson dhe orienton atë”, “hapjen e ekonomisë dhe përballjen e saj me konkurrencën e brendshme e të jashtme”, “mbështetja e reformave strukturore”, “stimulimi i investimeve në fushën e kërkim-zhvillimit, teknologjisë së informacionit dhe inovacioneve” etj. Qëllimi: të shkohet më shpejt drejt “shoqërisë së informacionit dhe ekonomisë së dijes”, baza e së cilës fillon te sistemet e edukimit dhe universitetet. Kapitali njerëzor që përgatitet në universitete po bëhet një nga burimet më të çmueshme të pasurimit dhe zhvillimit të çdo vendi. Studentët kompetentë në fushën e dijes dhe “profesionet strategjike” bëjnë që kërkesat ndaj “sistemeve universitare” të transformohen rrënjësisht. Modeli akademik “ideal” i tipit Humboldt-ian i shek. XIX-XX në të cilin “formimi akademik dhe kërkimi shkencor janë të lira” po përballet me një realitet të ri, sipas të cilit “universitetet duhet të jenë sa më të hapura dhe në funksion të zhvillimit ekonomik dhe nevojave sociale, se kërkimi shkencor duhet të shkojë sa më shumë në sektorët më nevralgjikë e produktivë të ekonomisë, në degët që përballen më shumë me konkurrencën”. Pra, e thënë ndryshe: “liria akademike dhe shkencore e universiteteve duhet të shndërrohet në një instrument eficient të politikave ekonomiko-sociale në ndihmë të zhvillimit”.
Sipas “teorisë institucionaliste”, institucionet akademike, modelet ekonomike apo menaxheriale, bile dhe sistemet politike, janë institucione që nuk krijohen me një të rënë të lapsit apo të kopjohen si të ishin receta mjekësore, sepse ato janë pjesë e rëndësishme e historisë, mentalitetit, psikologjisë e nivelit të zhvillimit të çdo shoqërie. Në këtë sens, debatet për reformën mbi arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor duhen kuptuar më gjerë se sa thjesht “kopjimi apo adoptimi mekanik i modelit britanik”. Kjo përputhet me faktin se të gjitha ato vende që përpiqen të reformojnë sistemet e arsimit të lartë, në radhë të parë fiksojnë objektivat, pastaj modelin më të mirë të evidentuar ndërkombëtarisht që garanton realizimin e objektivave dhe përcaktojnë arkitekturën e reformës që duan të bëjnë. Ky është momenti kur në lojë hyjnë institucionet, kultura politike, traditat historike dhe mentaliteti, të cilat duhet të merren në konsideratë gjatë hartimit dhe zbatimit të reformës së synuar. Reforma që po diskutohet gjerësisht në Shqipëri mendoj se e respekton këtë logjikë. Por, m.q.s. në Shqipëri debatet pro apo kundër i referohen krahasimit me modelin britanik dhe atë francez, është me interes të analizohen shkurtimisht trajektoret e reformave të këtyre dy modeleve referencë në 20-30 vitet e fundit. Arsyeja nuk është krahasimi i tyre, por kuptimi i elementeve strukturore dhe objektivave që në fakt po i bashkojnë në evolucionin e tyre këto dy modele në dukje e historikisht mjaft të ndryshme nga njëri-tjetri. Në këtë sens, mund të gjejë përgjigje dhe shqetësimi apo dyshimi se “në Shqipëri po kërkohet të kopjohet modeli britanik, apo se ne po bëjmë një eksperiment të ri me arsimin e lartë”.
Në vitet 1978-2000, me specifikat që paraqisnin qeverisjet konservatore apo laburiste, thelbi i reformave universitare në Britaninë e Madhe kishte të bënte me “shkëputjen e lidhjeve direkte të universiteteve me shtetin dhe detyrimin e tij për të financuar gjithë sistemin, me futjen në këto institucione të sjelljeve më agresive për tërheqjen e studentëve, futjen e koncepteve të marketingut dhe konkurrencës, me një hapje më profesionale të universit të mbyllur dhe të mbrojtur akademik”. Në tentativë për t’i bërë universitetet “aktorë/faktorë të rëndësishëm të zhvillimit dhe kërkimit shkencor, u fut dhe zgjerua praktika e shpërndarjes së financimeve publike mbi bazën e vlerësimit të cilësisë së mësimit dhe kërkimit shkencor duke futur kështu logjikën e konkurrencës dhe ndëshkimit për rezultate të dobëta”. Duke i konsideruar universitetet si “mbështetëse të rritjes ekonomike” ato u panë me syrin e “aftësisë që kishin për t’iu përgjigjur një detyre të tillë”, pra me mundësinë që të ishin mjaftueshmërisht të motivuara e financuara për të luajtur realisht një rol të tillë. Investimi për cilësinë e kapitalit njerëzor u bë prioritar më shumë se kurrë dhe politikat publike u përqendruan në cilësinë e tij, pra në favorizimin e studentëve të ekselencës. Pas vitit 1992 universitetet u vunë në garë/konkurrencë për të përfituar fonde publike në funksion të cilësisë së kërkimit shkencor dhe kapitalit njerëzor që ato ofronin, të përputhura me prioritetet e zhvillimit. Qeveritë laburiste që erdhën më pas shtuan edhe një objektiv suplementar: “krijimin e mundësive për kategoritë sociale më pak të favorizuara që të kishin akses në bursa e financime publike”. Pas viteve 2000 u forcua mendimi se “universitetet kishin nevoja akoma më të mëdha për të luajtur rolin e tyre, dhe për këtë arsye, një pjesë e studentëve që kishin mundësi financimi apo i siguronin ato në rrugë të tjera, duhet të paguanin për diplomimin e tyre, pasi u konsiderua e padrejtë që gjithë shoqëria të paguante për këtë qëllim. Pasojat e “modelit britanik”: universitetet u shkundën nga apatia dhe u bënë shumë agresive në tregun akademiko-shkencor; u rrit autonomia në vendimmarrje në kërkim të rritjes së cilësisë dhe standardeve të shërbimit; universitetet u diferencuan në sytë e publikut dhe studentëve duke bërë që zgjedhjet e tyre të shkonin proporcionalisht me këtë diferencim; një pjesë e studentëve iu drejtua financimit nëpërmjet kredive studentore apo mbështetjes nga biznesi për të siguruar financimet e nevojshme etj.
Franca, Italia, Gjermania etj., kanë pasur një trajektore të ndryshme nga Britania e Madhe. Rasti francez duket më tipik për të ndjekur evolucionin e reformave universitare në Europë. Në periudhën 1950-1980, periudhë politikash buxhetore ekspansioniste me frymëzim keynesianist, Franca i mbështeti gjerësisht me fonde shtetërore universitetet dhe kërkimin shkencor duke i dhënë dhe një dimension të fortë social. Në vitet 1980-1990, në kushtet e shtrëngesave buxhetore dhe nevojës që universitetet të bëheshin më cilësore e kompetitive, Franca tentoi reforma “liberalizuese të frymëzuara nga modeli britanik”, por që ndeshën në rezistencë nga organizatat studentore dhe akademike, duke bërë që rezultati më i dukshëm i reformave të ishte konsolidimi i strukturave elitiste, thellimi i masivizimit dhe orientimit profesional të studimeve, por jo rritja e synuar e cilësisë. Reformat arritën të futin tri elemente të reja: rritjen e autonomisë së universiteteve; rritjen e konkurrencës universitare dhe futjen e strukturave vlerësuese akredituese e rankuese të decentralizuara. Universitetet filluan të veprojnë në bazë të sistemit të kontratave me shtetin duke mos u financuar automatikisht në raport me numrin e studentëve dhe profesorëve, por duke u financuar në bazë të planeve të zhvillimit, rankimit, cilësisë akademike dhe rezultateve të kërkimit shkencor. Nënvizohet fakti se politikat e pjesshme për “zhdhjamosjen e mamuthit” dhe kultura e fortë republikane e protestës kundrejt reformave liberalizuese të sistemit, bëri që “reformat të mos shkonin aq larg sa ato britanike”.
Brenda BE mbizotëronte shqetësimi se si “mund t’i bëhej ballë cilësisë dhe konkurrueshmërisë së lartë që prodhonte sistemi universitar britanik dhe ai amerikan?”, si mund të krijohej në Europë një sistem universitar i “orientuar nga shoqëria e informacionit dhe inovacionit”? Një hap i rëndësishëm ishte “Karta e Bolonjës” në vitin 1999, që veç të tjerave, e vuri theksin tek akreditimi dhe vlerësimi i cilësisë së universiteteve, duke futur “logjikën e tregut, sipas së cilës studenti duhej të njihte cilësinë e produktit që i ofrohej, ndërkohë që shteti apo burimet e tjera të financimit duhej të vendosnin mbi bazën e performancës së universiteteve. Ku më shumë e ku më pak, universitetet u përballën me një dimension të ri në aktivitetin e tyre: konkurrencën në emër të cilësisë, standardeve dhe financimit. Modeli i “decentralizuar britanik” dhe ai i “centralizuar francez” në fakt po synonin të njëjtën gjë, autonominë, konkurrencën, cilësinë e standardet, ndërkohë që shteti, në dukje i tërhequr, në fakt merrte një rol të ri aktiv në orientimin e universiteteve, të cilin e realizonte nëpërmjet dy instrumenteve: financimit të orientuar dhe vlerësimit publik permanent. Ekspertë të edukimit shtrojnë pyetjen: “mos vallë reformat europiane nuk janë gjë tjetër veçse një zhvillim më i ngadaltë dhe më i vështirë në trajektoren e reformave britanike?”.
Çfarë ka të përbashkët me këtë sens reformash e objektivash britanike apo europiano-kontinentale reforma e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor që po diskutohet në Shqipëri? Së pari, po synon që në thelb të vlerësimit të universiteteve të vihet cilësia dhe standardet dhe mbi këtë bazë të bëhet “identifikimi” i tyre; së dyti, kërkon që akreditimi dhe rankimi të bëhen normë dhe të realizohen periodikisht; së treti, kërkon që studenti të vihet në qendër të sistemit si “klienti” që duhet të zgjedhë ofertën më të mirë akademike; së katërti, universitetet nuk duhet të financohen apriori bazuar vetëm në numrin e studentëve apo pedagogëve, por mbi bazën e treguesve të performancës; së pesti, të futet konkurrenca transparente në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor; së gjashti, shteti t’i orientojë më mirë paratë publike në funksion të prioriteteve të zhvillimit, sektorëve me interes kombëtar dhe mbështetjes sociale; së shtati, universitetet të jenë të hapura dhe të “fitojnë” vetë edhe burime të tjera financimi; së teti, studentët, shoqëria shqiptare, biznesi, pushteti lokal etj., të kontribuojnë më shumë për ta mbështetur dhe financuar këtë sektor jetik për të ardhmen e kapitalit njerëzor dhe zhvillimit afatgjatë; së nënti, universitetet bëhen më autonome në veprimtarinë dhe zgjedhjet e tyre; së dhjeti, rritet lidhja e universiteteve me tregun e punës etj.
*President i UET, anëtar i komisionit për reformën në arsimin e lartë


Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi