Masat e Bankës Qendrore Europiane dhe ç’duhet të bëjë Shqipëria
Nga Prof. Anastas Angjeli. botuar në Mapo Online, 9 qershor 2014
Kur Danimarka në vitin 2012 aplikoi norma negative të interesit (për monedhën e vet u vendos -1% (minus 1 për qind) dhe vetëm kohët e fundit, pas më shumë se një viti (mbasi arriti rënien e duhur të kursit të monedhës së saj ndaj euros) ajo e ngriti normën e interesit nga -1 vetëm në +0,05% analizat dhe komentet ishin të ndryshme. Por, pavarësisht nga komentet, duket se rezultatet, efektet dhe përvoja e këtij veprimi, në finale ishin pozitive. Një paketë masash për të stimuluar ekonominë u miratua këto ditë nga Banka Qendrore Europiane, në thelb të së cilës qëndronin gjithashtu, në radhë të parë, ulja e normës bazë të interesit në 0.15% nga 0.25% që ishte më parë. Kjo në një përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike në eurozonë. Megjithëse analistët mendojnë se Banka Qendrore Europiane ka hyrë në një territor të panjohur më parë, si një përpjekje ekstreme për të mbështetur ekonominë në eurozonë, Mario Draghi deklaroi se këto masa kanë për qëllim të mbështesin rritjen ekonomike në bllok. “Këshilli Drejtues vendosi të aplikojë një paketë masash, – theksoi ai, – që synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë, në mënyrë të veçantë, nëpërmjet mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”. Po çfarë po ndodh me ekonominë e eurozonës? A po del ajo nga kriza? A e kanë dhënë efektin e pritshëm antikrizë masat e marra në fushën e unionit bankar dhe në politikat monetare, fiskale dhe ato të forcimit të mbikëqyrjes? A kemi të bëjmë me një “alarm të rremë të rrezikut të deflacionit”, apo ky është një rrezik real për eurozonën?
Deflacioni kërcënon eurozonën
Tremujori i parë i këtij viti shënoi ngadalësim të rritjes ekonomike në eurozonë, duke u shoqëruar me inflacion të ulët dhe papunësi të lartë. Ekonomia e bllokut me 18 anëtarë u zgjerua me vetëm 0.2% në tre muajt e parë të këtij viti, konfirmoi Zyra Europiane e Statistikave, Eurostat. Ekonomistët e anketuar nga ‘Reuters’ parashikonin se ekonomia 9.5 trilionë euro e eurozonës do të zgjerohej me 0.4% në periudhën janar-mars. Inflacioni në eurozonë po qëndron i mbërthyer në “zonë të rrezikshme”, poshtë 1%, që nga tetori i vitit 2013. Por i shoqëruar me një rritje të dobët ekonomike, paraqet një rrezik të madh për shërimin e eurozonës. Kryesisht, rritja në tremujorin e parë është mbështetur nga Gjermania, që ka kompensuar stanjacionin në Francë dhe tkurrjen e prodhimit në Itali, Holandë, Portugali dhe Finlandë. Ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ekonomia u rrit me 0.9% dhe kjo është rritja e dytë vjetore, pas rritjes me 0.5% në tremujorin e fundit të vitit 2013. Gjermania, ekonomia më e madhe e eurozonës, u rrit me 0.8% në tremujorin e parë, ndërsa ekonomistët parashikojnë se hapi i zgjerimit do të ngadalësohet në muajt në vijim. Në një raport tjetër, Eurostat konfirmoi se çmimet e prodhimit industrial, që është një matës i përafërt i inflacionit të çmimeve të konsumit, regjistroi rënie në linjë me parashikimet e analistëve. Çmimet në dyert e fabrikave në eurozonë ranë me 0.1% gjatë prillit, pas rënies me 0.2% në mars. Ky ishte muaji i katërt me radhë në rënie. Një shenjë tjetër e rimëkëmbjes anemike ishte dhe raporti mbi punësimin, i publikuar nga Eurostat, që tregoi se papunësia ndryshoi shumë pak, duke rënë në 11.7% në prill, nga 11.8% që ishte në mars. Por papunësia po qëndron pranë nivelit më të lartë historik prej 12% të regjistruar vitit e kaluar. Në prill, numri i personave të papunë në eurozonë ishte 18 milionë e 750 mijë. Por të dhënat dëshmojnë se situata vazhdon përkeqësimin.Inflacioni në Eurozonë shënoi rënie të ndjeshme edhe gjatë majit, duke rritur rrezikun e deflacionit në bllokun e monedhës së përbashkët dhe ka shtuar presionin ndaj Bankës Qendrore Europiane. Inflacioni vjetor në 18 vendet e eurozonës ra në 0.5% në maj, nga 0.7% që ishte në prill, njoftoi Zyra Europiane e Statistikave, Eurostat. Ekonomistët e anketuar nga ‘Reuters’, parashikonin që inflacioni të qëndronte i pandryshuar në 0.7%. Por tashmë që inflacioni ra në 0.5%, analistët mendojnë se Instituti i Frankfurtit do të përdorë të gjitha “armët” që ka në dispozicion, pasi blloku kërcënohet më shumë se kurrë nga deflacioni dhe stanjacioni. Ky është niveli më i ulët që nga nëntori i vitit 2009 dhe reflekton në mënyrë të veçantë rënien e inflacionit në Gjermani, që është ekonomia më e madhe e Europës e që inflacioni po qëndron në zonë shumë të rrezikshme, poshtë 1%, për shumë muaj me radhë. Banka Qendrore Europiane ka përsëritur vazhdimisht se është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të shmangur deflacionin dhe për të mbështetur ekonominë, por disa ekonomistë mendojnë se tashmë është tepër vonë. Ndërsa shume analistë janë të mendimit se, nëse nuk veprohet tani, Eurozona do të përballet me dekada të stanjacionit dhe deflacionit, siç ndodhi me Japoninë për 20 vite me radhë.
Banka Qendrore Europiane dhe stimulimi i ekonomisë
Ajo çka përflitej këta dy muajt e fundit (Ulja e normave të interesit, kredi më të lira për bankat dhe një program i blerjes së bonove sipas stilit të Rezervës Federale etj)në qarqet financiare të eurozonës ndodhi.
Banka Qendrore Europiane miratoi dhe vendosi të shpallë një paketë masash për të stimuluar ekonominë në eurozonë. Kjo paketë masash konsiston në:
-Uljen e normës bazë të interesit në 0.15% nga 0.25% që ishte më parë.
-Instituti Frankfurtit vendosi të ulë në -0.1% nga 0% që ishte më parë, interesin për depozitat (pra norma e rinumërimit që është interesi që Banka Qendrore Europiane u paguan bankave private për depozitat që ato vendosin pranë saj, u ul nga 0 në -0.1 për qind. Kjo do të thotë se bankat e nivelit të dytë, tashmë do të duhet të paguajnë interes për të depozituar paratë “cash” pranë Bankës Qendrore Europiane.
-Autoriteti qendror monetar në eurozonë miratoi edhe një paketë prej 400 miliardë eurosh, e cila do u jepet bankave private me interesa minimale, për të kredituar biznesin e vogël, kryesisht në Europën Jugore.
– Inflacioni do të vazhdojë të qëndrojë i ulët edhe në muajt në vijim, por do të rritet gradualisht sidomos gjatë vitit 2015, ku pritet të rritet në 1.1%.
– Gjithashtu, banka po monitoron nga afër zhvillimet e jashtme, sidomos tensionet gjeopolitike. Nga kjo situatë duhet të përfitojnë bankat, të cilat duhet të kreditojnë ekonominë me interesa të ulëta, pavarësisht risqeve që ka tregu”, tha Draghi.
Përmes një lëvizjeje të paprecedent në historinë e financave botërore, Banka Qendrore Europiane vendosi t’i zbresë normat e interesit për euron në territor negativ.
Këto masa synojnë:
- Të luftojnë rrezikun e deflacionit, çka mund ta rikthejë sërish ekonominë e eurozonës në krizë;
- Ulja e dy normave ka për qëllim që nga njëra anë të zhvlerësojë euron, forcimi i së cilës është një nga shkaqet kryesore të rënies së çmimeve dhe nga ana tjetër, të detyrojë bankat private që të mos mbajnë më likuiditet të lirë në Bankën Qendrore, por t’i investojnë në ekonomi;
- Mbështetjen dhe rritjen ekonomike duke ndërmarrë një paketë masash, duke kredituar SME-të;
- Nxitjen e kreditimit të SME-ve (nga Instituti i Frankfurtit u aplikua për herë të parë një normë interesi negative -1% për depozitat e bankave të nivelit të dytë pranë BQE.)
- Nxitjen e uljes së nivelit të papunësisë në eurozonë, e cila aktualisht është në nivelet më të larta historike rreth 12%, duke nxitur zhvillimin e SME-ve;
- Ndikimin në tregun financiar duke çuar në rritjen e vlerës së indekseve në bursë.
Reagimi i tregjeve
Reagimi i tregjeve ka qenë pozitiv. Bursat europiane janë hapur në rritje në sesionin e sotëm, të mbështetura nga pritshmëritë se Rezerva Federale do të vazhdojë të mbështesë ekonominë amerikane. DAX i Gjermanisë, për herë të parë në histori preku nivelin e 10 mijë pikëve. Në tregun monetar, euro u zhvlerësua ndaj të gjitha monedhave kryesore ndërkombëtare të tregtisë. Menjëherë pas njoftimit të vendimit, euro ra në 1.3530 në raport me dollarin, kundrejt 1.3615 që kuotohej përpara këtij vendimi.
Tregjet financiare europiane vazhdojnë të dalin me fitim për të dytin muaj rresht. Indeksi i Londrës FTSE 100, DAX i Gjermanisë dhe CAC 40 i Francës janë në rritje mesatarisht me 0.4%. Investitorët janë tërësisht të fokusuar tek mbledhja e Bankës Qendrore Europiane, që zhvillohet ditën e sotme. Analistët mendojnë se tregu do të jetë i qetë deri kur presidenti i BQE-së Mario Draghi do të dalë në konferencën për mediat. Ulja e normave të interesit, kredi më të lira për bankat dhe një programi i blerjes së bonove sipas stilit të Rezervës Federale janë disa nga mundësitë që analistët mendojnë se do të përdoren nga Banka Qendrore Europiane.
Samiti G7 pati ndikim edhe në tregjet financiare amerikane dhe aziatike. Indekset Dow Jones dhe S&P 500 u mbyllën në territor pozitiv në sesionin e së enjtes dhe prekën nivele të reja rekord, pasi Banka Qendrore Europiane uli normën e interesit në 0.15% dhe premtoi se do të bëjë më tepër për të luftuar rrezikun e deflacionit. Në mbyllje të punimeve, indeksi Dow Jones u rrit me 0.59%, S&P 500 fitoi 0.65% të vlerës dhe Nasdaq u rrit me 1.05%.
Tregjet financiare në Azi janë mbyllur në performancë mikse në sesionin e sotëm, pasi investitorët nuk reaguan me entuziazëm ndaj paketës së stimujve të Bankës Qendrore Europiane.
Ndërsa euro rikuperoi të gjitha humbjet e një dite më parë, madje zgjeroi fitimet në raport me dollarin amerikan. Investitorët janë treguar sërish të kujdesshëm, pasi sot do të publikohet raporti mbi punësimin për muajin maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Analistët mendojnë se ekonomia amerikane do të ketë krijuar edhe 218 mijë vende të reja pune. Në mbyllje të punimeve, indeksi i Tokios, Nikkei thuajse nuk ndryshoi fare krahasuar me mbylljen e një dite më parë. Ndërsa indeksi MSCI për Azinë e Paqësorit pa Japoninë ra me 0.3%.
Më shumë vigjilencë nga Banka e Shqipërisë
Zhvillimet e fundit në ekonominë globale, ato në eurozonë, masat për stimulimin e ekonomisë nga Banka Qendrore Europiane, janë një sinjal edhe për ekonominë dhe financat tona dhe veçanërisht për “rritjen e vigjilencës” nga Banka e Shqipërisë, sidomos për:
-Të minimizuar ekspozimin ndaj goditjeve dhe rreziqeve nga zhvillimet e deritanishme të brendshme, por në veçanti nga zhvillimet e jashtme, të mundësisë së ndonjë vale të paqëndrueshmërisë globale financiare dhe sidomos në eurozonë;
-Të përdorur më me kujdes dhe eficencë politikën dhe instrumentet monetare për rritjen e kredisë në ekonomi, për stimulimin e ekonomisë;
-Të rrisë më shumë rolin e saj mbikëqyrës, të thellojë reformën rregullatore për të frenuar rritjen e kredive me probleme, (të cilat në fund të tremujorit të parë të këtij viti vazhduan të rriten) etj.