Demonopolizim për kualifikimet shkencore

Nga Përparim Fuga, botuar në Panorama Online, 9 qershor 2014

Në dy muajt e debatit për reformën e arsimit të lartë, një nga çështjet e diskutuara më shumë në mjediset akademike, por që thuajse anashkalohet në dokumentin paraprak mbi reformën, është ajo mbi kualifikimin akademik e shkencor pasuniversitar. Veçanërisht diskutohet mbi mënyrën se si në institucionet e arsimit të lartë dhe ato kërkimore-shkencore fitohet, ndonëse jo rrallë edhe jepet, titulli “Profesor”. Titulli “Profesor” dëshmon për një personalitet me angazhim të gjatë e të spikatur në fushën e mësimdhënies, me arritje konkrete në fushën e kërkimit shkencor, i shquar për studime origjinale me vlerë dhe nivel të lartë shkencor, të publikuara në revista shkencore prestigjioze të vendit dhe të huaja, monografi dhe libra, si dhe për një publicistikë të larmishme me ndikim të gjerë në formimin e opinionit publik përmes trajtimit të temave me rëndësi për vendin, rajonin dhe më gjerë. Përpara viteve 90, titulli “profesor” jepej në mënyrë shumë të kufizuar; numëroheshin lehtë personalitetet që mbanin këtë titull, në dhënien e të cilit edhe politika kishte ndikimin e vet, shpesh vendimtar. Më pas, për një periudhë disa vjeçare, procedurat për dhënien e këtij titulli u pezulluan, për t’u riaktivizuar në vitin 1994. Historia njeh “procedura” nga më të ndryshmet për mënyrën se si ky titull mund të fitohet, por edhe mënyra se si titulli mund t’u hiqet studiuesve të mirëfilltë. Kujtoj periudhën e revolucionit kulturor në Kinë, kur profesorët u dëbuan nga katedrat për t’u detyruar të pastronin ambientet e përbashkëta në institucionet ku kishin punuar me vite. E turpshme, por ka ndodhur realisht, për qëllime të caktuara, kryesisht politike. Për fat të keq, për heqjen e këtij titulli të nderuar ka dhe një mënyrë shumë të thjeshtë, dinake, tinëzare, po aq edhe cinike. E kam fjalën për shndërrimin e titullit “Profesor” në NUL, duke e “shpërndarë” te gjithsecili që e kërkon, pa respektuar asnjë lloj vlere, rregulli apo kriteri. Më duket se kjo është aplikuar jo rrallë në rastin e Shqipërisë, mbase jo në mënyrë të qëllimshme apo të organizuar, por thjesht si rezultat i presioneve të ushtruara: dikush për një karrierë akademike më të spikatur, dikush për një rrogë më të lartë, dikush tjetër për të qëndruar më gjatë në punë etj. Kësaj trysnie nuk i kanë rezistuar as departamentet, as këshillat e profesorëve, as senatet akademike, madje nuk i ka rezistuar as Komisioni përkatës i Vlerësimit të Titujve Akademikë (KVTA) pranë Këshillit të Ministrave. Aktualisht, në kuadër të reformës, mjaft zëra shtrojnë nevojën e liberalizimit të dhënies së titujve akademikë, ndonëse personalisht nuk e kam kuptuar thelbin e kësaj kërkese. A mos vallë është fjala që çdo institucion i arsimit të lartë të ketë të drejtën e promovimit të personelit të vet përmes dhënies së titujve akademikë? Nëse është fjala për këtë, nuk besoj se thjesht një hap i tillë do t’i shërbejë dhënies së merituar të titujve akademikë. Përkundrazi, nëse procedura dhe kriteret nuk forcohen, procesi rrezikon të përkeqësohet. Në këtë këndvështrim, do të propozoja disa hapa që duhen ndërmarrë, për të siguruar më shumë rregull, kualitet të lartë profesional dhe meritokraci në fitimin e titujve akademikë dhe shkencorë nga institucionet e arsimit të lartë dhe ato kërkimore në vend. Këto propozime kanë të bëjnë me kapacitetet akademike të institucioneve, kufizim të së drejtës për të aplikuar, rishikim dhe forcim të kritereve akademike dhe shkencore të vlerësimit dhe përmirësime të procedurës së vlerësimit të kandidatëve.

Së pari; për të fituar titullin “Profesor” kërkohet një ekspertizë e thelluar në një fushë konkrete, e cila zgjerohet dita-ditës me studime të mirëfillta, duke ndjekur arritjet më të mira të shkencës bashkëkohore. Padyshim, një nga vlerat e kësaj ekspertize është transmetimi i njohurive te studentët dhe studiuesit më të rinj, prandaj mendoj se titulli “profesor” mund të jepet vetëm nga ato universitete që ofrojnë programe studimi të ciklit të tretë, që njihen ndryshe edhe si studime të doktoraturës. Kjo e drejtë e universiteteve duhet të kufizohet në vetëm ato fusha, të cilat përputhen rigorozisht me drejtimet e programeve në fjalë. Përvoja shqiptare tregon se në shumë raste, një kërkesë e tillë nuk është respektuar.

Së dyti; vlerësimi serioz e profesional i aktivitetit akademik të çdo kandidati duhet kryer përmes një procesi “peer review”, ku rëndësi e veçantë i duhet kushtuar oponencës nga profesorë të shquar të fushës përkatëse, të cilët mbajnë prej kohësh titullin “Profesor”. Sigurimi i objektivitetit të një vlerësimi të tillë do të kërkonte që institucioni i arsimit të lartë të ketë personel akademik të mjaftueshëm, të cilët mbajnë titullin “Profesor”, të organizuar në këshilla profesorësh me së paku 7 anëtarë. Personalisht mendoj se këto institucione duhet të kenë në përbërje të tyre të paktën 4-5 profesorë me kohë të plotë për çdo njësi kryesore, të punësuar pranë tyre prej më shumë se një viti. Përvoja e deritanishme ka shtruar nevojën për të vendosur edhe një rregull tjetër, të karakterit administrativ, për të qartësuar se cili mund të aplikojë për të fituar një titull akademik, sidomos atë “Profesor”. Gjatë viteve të tranzicionit është bërë e modës që titullin “Profesor” ta kërkojnë dhe persona jashtë strukturave akademike universitare apo të kërkimit shkencor, të cilët janë larguar nga këto institucione për t’u angazhuar në veprimtari të tjera, kryesisht në politikë apo biznes. Është e papranueshme të legjitimohet kërkesa e këtyre individëve për marrjen e një titulli të lartë akademik, për të cilin duhet shumë punë, studime e kërkime të mirëfillta disavjeçare, që nuk realizohen kurrsesi nga zyrat e shtetit apo biznesit. Jam i mendimit se aplikime të tilla nuk duhen lejuar kategorikisht, për aq kohë sa këta persona nuk rikthehen për të punuar me kohë të plotë në institucion, dhe sigurisht pasi të kenë plotësuar kriteret përkatëse. Thënë shkurt, titulli akademik është atribut i personelit akademik të institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre kërkimore- shkencore. Por mendoj se vetëm një masë e tillë nuk mjafton. Në vijim të sa pozova më lart, do të shtoja se patjetër që modestia tipike akademike duhet të jetë e pranishme dhe të përmbajë këdo që mban një titull të lartë akademik, për të mos e përdorur atë si një “zbukurim” të vendosur përpara funksionit të tij shtetëror. Por, përtej të qenit vetëm një normë e moralit, rregulli duhet të ndalojë edhe përdorimin e titujve akademikë jashtë sferës së veprimtarive akademike.

Së treti; me rëndësi janë edhe kriteret, apo filtrat, përmes të cilave duhet të vlerësohet veprimtaria akademike e një studiuesi a pedagogu që kërkon titullin “Profesor”. Ka ardhur koha që këto kritere të rishikohen. Mes kritereve bazë, konsideroj ato që dëshmojnë për një cilësi të lartë në mësimdhënie, përgjatë një periudhe relativisht të gjatë kohe (do të thosha mbi 15 vjet), për një ndihmesë të theksuar jo vetëm në drejtimin e katedrës, departamentit apo dhe më gjerë, por së pari për ndikim të dukshëm në përmbajtjen e programit apo programeve që fakulteti apo departamenti ofron, duke reflektuar në to arritjet më të fundit të shkencës. Numri i viteve në drejtim të departamentit, fakultetit, universitetit, jo domosdoshmërisht tregon për nivel të lartë në mësimdhënie, ndërsa hartimi i programeve cilësore e bashkëkohore të studimit, tematika e përfshirë, literatura mbi të cilën mbështeten, metodat që përdoren në procesin e mësimdhënies dhe mënyra e komunikimit me studentin, janë kriteret kryesore që dëshmojnë një cilësi të lartë në drejtimin akademik. Duke pranuar se nuk ka mësimdhënie cilësore pa kërkim shkencor, duhet të forcohen kriteret që dëshmojë kapacitete të mirëfillta në fushën e thellimit të dijeve. Ndër këto kritere janë ato që tregojnë veçanërisht aftësinë për të drejtuar e koordinuar projekte shkencore kombëtare apo ndërkombëtare, të finalizuara me sukses dhe me rezultate të qarta, me impakt konkret në zhvillimin e vendit. Dhe lidhur ngushtë me të, do të vlerësoja nivelin e ekspertizës që një akademik ofron në fushën e tij, sa e si ajo vlerësohet dhe shfrytëzohet, sa vlen dhe kujt i vlen në shkallë vendi, rajoni e më gjerë.

Së katërti; përballja me bashkësinë shkencore vendase apo të huaj është një tjetër kriter efektiv i vlerësimit të arritjeve të çdo studiuesi, e cila realizohet përmes publikimit të arritjeve konkrete në periodikët shkencorë të vendit apo të huaj. Sigurisht që numri i publikimeve ka rëndësinë e tij, po ashtu edhe i shumekzagjeruari “faktor i impaktit” (për revistën apo dhe vetë artikullin), por personalisht mendoj se më shumë rëndësi ka vlera e shtuar që punimi sjell, dhe impakti i tij konkret për shoqërinë. Në këtë këndvështrim, do vlerësoja jo aq shumë numrin e publikimeve të raportuara, se sa një oponencë nga dy a më shumë profesorë për dy-tre artikuj që kërkuesi i titullit paraqet për të mbrojtur apo argumentuar kërkesën e tij. Normalisht, veprimtaria në fushën e kërkimit shkencor finalizohet para së gjithash duke kaluar rezultatet e saj në pronësi të një end user-i, në formën e një patente, inovacioni, metode të re apo edhe teknologjie të re, që vihet në jetë për vlerën e shtuar që i sjell shoqërisë. Në këto raste impakti është i qartë, dhe rezultati konkret shërben si një tregues i ekspertizës akademike. Pa dyshim që hartimi i këtyre kritereve nuk është punë e lehtë dhe as e thjeshtë, por nuk është e pamundur. Një eksperiencë tashmë ekziston. Ajo që duhet të ndryshojë sa më shpejt është procedura e ndërlikuar e dhënies së titullit që kandidati duhet të përshkojë deri në fitimin e tij. Dhe kur flas për ndërlikim, nuk e kam fjalën për rrugën e gjatë, të mundimshme në fushën akademike. Jo! E kam fjalën për ato lloj mundimesh, të karakterit thjesht burokratik, të vendosura me synim forcimin e kritereve, por që vetëm rrisin “mundimin” dhe aspak impenjimin e mirëfilltë shkencor në fushën akademike. 
Së pesti;
 një tjetër hallkë e tepërt në proces është KVTA. Nuk më duket e drejtë që vlerësimi i kandidatit, pasi ka kaluar filtrin e departamentit, të Këshillit të Profesorëve, të oponentëve ekspertë të fushës, si dhe Senatit Akademik (ndonëse ky i fundit me përbërjen që ka me personel administrativ e studentë mbase është i padobishëm për këtë qëllim), të “vuloset” nga KVTA, një komision i përzier profesorësh nga të gjitha fushat, që ndonëse mund të jenë ekspertë të shquar në fushën e tyre, me shumë gjasa janë profanë jashtë saj. Për pasojë, një gjykim i tyre jashtë fushës përkatëse nuk duket se ka vlerë. Rëndësi ka procesi i verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë në dhënien e titujve akademikë nga institucionet e arsimit të lartë dhe ato kërkimore shkencore, në përputhje me kriteret dhe procedurat e përcaktuara. Kjo detyrë gjykoj se mund të kryhet më së miri nga një njësi administrative që do të mbante edhe Regjistrin Kombëtar të Titujve Akademikë. Si përfundim, reforma e arsimit të lartë dhe shkencës nevojitet të ndalet dhe të shprehet qartë për reformimin e sistemit të kualifikimit akademik dhe shkencor të personelit akademik e atij kërkimor-shkencor. Kriteret dhe procedurat duhet të përmirësohen dhe forcohen për t’u rikthyer titujve akademikë vlerën dhe prestigjin që i karakterizon. Shpresoj që sa më sipër të mos keqinterpretohet si dëshirë për të penguar zgjerimin e rrethit të profesorëve në vend. Përkundrazi, kam qenë dhe mbetem partizan që titullin e nderuar të “profesorit” ta fitojë kushdo, pa dallim gjinie, race, feje, bindjeje politike dhe çdo dallimi tjetër, me kushtin që të “certifikohet” qartë se e meriton plotësisht atë.

*Prof. Dr. Prorektor i Universitetit Europian të Tiranës


    Thënie për Shtetin

    • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
      - Georges Pompidou
    • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
      - Otto von Bismarck
    • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
      - Jean Cocteau
    • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
      - Alcide de Gasperi
    • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
      - Montesquieu
    • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
      - Cardinal de Richelieu
    • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
      - Aristotele
    • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
      - Woodrow Wilson
    • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
      - Charles Maurras
    • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
      - Ruggiero Bonghi