Presioni mbi bankat e pafuqia e politikës monetare
Nga Selami Xhepa, botuar në Panorama Online, 7 qershor 2014
Diskutimi dhe miratimi i rezolutës së Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për Bankën e Shqipërisë u fokusua në një plagë të rëndësishme të një prej segmenteve vitale të ekonomisë, siç janë bankat, duke kërkuar: të ndalohet dalja e kursimeve jashtë vendit në mënyrë që ato të investohen në ekonominë e brendshme. Duket se nuk ka asgjë të keqe në këtë qëndrim, madje është dhe patriotike si deklaratë. Çështja është se a e zgjidh problemin që ka ekonomia jonë sot një kërkesë e tillë? Po të shqyrtohen veprimet që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë për të stimuluar kredinë në ekonomi, me gjithë ndonjë vërejtje në raport me shpejtësinë e veprimeve të saj dhe agresivitetin e vendimmarrjes, ato kanë qenë në drejtimin e duhur dhe janë në linjë me instrumentet që përdorin edhe bankat e tjera qendrore të botës. Janë pjesë e instrumenteve që rekomandon literatura tradicionale mbi politikat monetare – ulje e normës së interesit në mënyrë që të ulet çmimi i parasë, gjë që rrit kërkesën për kredi dhe stimulon investimet dhe konsumin. Brenda një periudhe gati njëvjeçare normat bazë të interesit kanë rënë nga mbi 5% në 2.5%: janë përgjysmuar dhe efektivisht, duke faktorizuar dhe efektin e inflacionit, ato janë bërë pothuaj zero në terma realë. Operacionet e tregut të hapur kanë qenë të shpeshta dhe është ofruar likuiditeti që ka kërkuar tregu dhe sistemi. Në këto rrethana – norma të ulëta interesi të Bankës Qendrore plus likuiditet i mjaftueshëm në sistem, duhet të kishin rritur kredinë në ekonomi dhe të kishin stopuar prirjen rënëse të stokut të kredisë. Në fakt kjo nuk është provuar, përkundrazi, treguesit kanë shkuar drejt përkeqësimit. Ulja e normës së interesit ka ndikuar së pari në uljen e normës së interesit të depozitave të qytetarëve – sot ato janë afër 2% në lekë dhe nën 2% në monedha të huaja. Praktikisht qytetarët janë të dekurajuar të kursejnë dhe të depozitojnë paratë në sistem, duke bërë që depozitat në sistemin bankar të shënojnë rënie. Por, ky dekurajim i kursimeve nga ana tjetër, nuk ka prodhuar më shumë konsum – përkundrazi, kërkesa konsumatore ka vazhduar të jetë shumë e dobët, e provuar edhe me treguesit e importeve të dobëta në vazhdimësi. Bankat, nën presionin e huave me probleme në nivele të larta dhe nevojës së fshirjes së tyre nga bilancet kontabël, forcimit të kushteve të kreditimit për shkak të rregullave më strikte të adoptuara në rrethanat e kërcënimeve të krizës së stabilitetit të sistemit financiar, por dhe mungesës së kërkesës për kredi nga bizneset për shkak të pasigurive ekonomike dhe kërkesës akoma të dobët ekonomike, e shohin tërheqjen e depozitave si një kosto, prandaj dhe i kanë ulur interesat në nivele të tilla ekstreme. E vetmja alternativë investimi ka mbetur financimi i borxhit të qeverisë, duke i çuar normat e interesave (yield-et) e letrave me vlerë të qeverisë, sidomos ato me maturim afatshkurtër, në nivele shumë të ulëta. Qeveria duket përfituesja më e madhe e këtyre zhvillimeve monetare – dhe nuk ka asgjë të keqe sa kohë që kjo ndikon në zbutjen e problemeve të borxhit publik që është bërë dhe problemi më i mprehtë i vendit.
Bankat ndodhen në një situatë kritike: interesi i ekonomisë për kredi ka rënë, depozitat monetare në sistem janë të larta – në lek dhe në euro – duke e bërë kështu paranë një kosto për sistemin. Në rrethana të tilla, bankat kanë vazhduar të investojnë depozitat që kanë në euro dhe dollarë në sistemin financiar jashtë vendit, në mënyrë që të mbulojnë kostot e mbajtjes së depozitave dhe të sigurojnë dhe ndonjë fitim për dobësimin e aktivitetit ekonomik brenda vendit. Në këto rrethana, nëse Banka e Shqipërisë do t’i ndalonte ato të zhvillojnë biznes jashtë vendit, gjykoj se sistemi bankar do të rezultonte me tregues financiar ndoshta negativ, gjë që nuk do të ishte aspak e dëshirueshme për vendin – është një sektor legjitim i ekonomisë kombëtare dhe madje më delikati nga pikëpamja e rolit të tij. Ndalimi i daljes së parasë jashtë vendit do të ishte i justifikueshëm vetëm në rrethana të krizave bankare, por jo si një aktivitet normal investimi.
Sigurisht që bankat kanë shumë gjëra për të ndryshuar në politikat e tyre dhe mendoj sekëtu duhet të këmbëngulte edhe deklarata e Komisionit të Ekonomisë – që Banka e Shqipërisë të hartojë rregulla detyruese për bankat në mënyrën e vlerësimit të riskut të kredisë, në ristrukturimet e kredisë për projekte investimesh që kanë vështirësi likuiditeti për shkak të dobësimit të kërkesës, në mbrojtjen e interesave të konsumatorëve nga praktikat abuzuese të bankave qoftë në raport me qytetarët apo bizneset etj. Janë të shumta rastet kur bankat janë abuzuese me fuqinë e tyre që kanë në treg dhe ka një asimetri domethënëse në forcën e tyre negociuese dhe diktuese të kushteve të riskredulimeve të kredive apo dhe ndryshime kushtesh në kursin e aktivitetit ekonomik, sa herë që bankat gjykojnë se kushtet bëhen të pafavorshme për ta, ndërkohë që bizneset nuk sigurojnë të njëjtat përfitime simetrike nëse rast të rrethanave shqetësuese për aktivitetin e tyre. Nëse zgjidhen këto probleme serioze që janë krijuar në mënyrën e funksionimit të marrëdhënieve të bankave me pjesën tjetër të ekonomisë, nuk do të ishte e nevojshme të kërkoheshin masa, që në dukje janë nacionaliste dhe patriotike dhe tingëllojnë të mira, por që në thelb jo vetëm që nuk zgjidhin problemet që kemi, përkundrazi, e shtrijnë problemin e vështirësive të operimit të ekonomisë edhe te vetë bankat.
Kujtoni eksperimentin me magnetin: kur ai ngrohet në temperatura që arrijnë në pikën Cyrie, ai e humbet vetinë e tij tërheqëse, një veti që rikthehet kur ftohet dhe arrin në temperaturën e vet normale. Edhe temperatura e ekonomisë duket se ka arritur në pikën Cyrie, duke e humbur aftësinë e politikës monetare për të përmbushur në mënyrë efektive rolin e vet si stimulues i ekonomisë. Të paktën Banka e Shqipërisë ka humbur forcën e vet nëse do të varet nga instrumentet tradicionale të politikës monetare.
*Instituti Kanadez i Teknologjisë