Zgjedhjet evropiane do ta ndryshojnë kahun e BE

Nga Augustin Palokaj, botuar në Mapo Online, 5 qershor 2014

Është gabim të thuhet se në zgjedhjet evropiane ka fituar e djathta ekstreme, sepse partitë e këtij spektri, të gjitha së bashku, nuk do tëkenë më shumë se 15 për qind të vendeve në një Parlament prej 751 deputetëve. Në nivelin evropian ato nuk do të kenë kurrfarë roli me numrin e votave të tyre. Por fitorja e këtyre partive në Francë, në Britani të Madhe dhe në Danimarkë do të ndikojë që këto shtete të ndryshojnë politikat ndaj BE-së, partitë e qendrës të bëhen më skeptike ndaj emigracionit, zgjerimit dhe integrimeve të mëtejme brenda BE-së.

Ndryshimet dramatike në përbërjen e Parlamentit Evropian në mandatin e ardhshëm 5- vjeçar nuk kanë ndodhur. Nuk është shënuar ndonjë rritje e madhe e ekstremit të djathtë, edhe pse në analizat e tyre sipërfaqësore disa medie lënë përshtypjen e kundërt. Por funksionimi i BE-së nuk varet aq shumë nga përbërja e institucioneve në Bruksel,Strasbourg dhe Luxembourg, por më shumë nga konstelacioni i forcave politike në shtetet kryesore anëtare. E këto zgjedhje kanë dëshmuar se ka shumë dallime mes 28 shteteve anëtare dhe në disa prej tyre ka ndodhur vërtet një tërmet politik. E djathta ekstreme, e cila është kundër të huajve, por edhe kundër anëtarësimit të vendit të tyre në BE, ka fituar në disa shtete, duke dalë partia e parë. Por në disa tjera ka humbur.

Në përgjithësi pamja e Parlamentit të ardhshëm Evropian nuk do të dallojë shumë ngaajo në pesë vjetët e fundit. Partitë e spektrit të djathtë, të gjitha së bashku, nuk do të kenë më shumë se 15 për qind të vendeve në një Parlament prej 751 deputetëve. Në nivelin evropian ato nuk do të kenë kurrfarë roli me numrin e votave të tyre. Por fitorja e këtyre partive në Francë, në Britani të Madhe dhe në Danimarkë do të ndikojë që këto shtete të ndryshojnë politikat ndaj BE-së, partitë e qendrës të bëhen më skeptike ndaj emigracionit, zgjerimit dhe integrimeve të mëtejme brenda BE-së.

Zgjedhjet evropiane duhen parë në dy mënyra për nga karakteri dhe ndikimi i tyre. Një vështrim duhet bërë nga këndi i përbashkët evropian e tjetri ai nacional në vendet anëtare. Vetëm me një qasje të tillë do të mund të nxirret një analizë e duhur e rezultateve të tyre dhe do të mund të kuptohej se sa do të jetë ndikimi i rezultateve të zgjedhjeve në politikat e BE-së në të ardhmen, e sidomos qasjen ndaj procesit të zgjerimit, politikave të emigracionit, lëvizjes së lirë dhe thellimeve të integrimeve evropiane.

Shikuar me sytë e liderëve të institucioneve të BE-së, pra në prizmin e Brukselit, këto zgjedhje mund të konsiderohen si jashtëzakonisht pozitive. Së pari në to për herë të parë pas shumë vjetësh u arrit të ndalet trendi i rënies së numrit të votuesve. Mesatarisht në nivelin e BE-së kanë votuar 43,09 %, ndërsa pesë vjet më herët dalja kishte qenë 43 %. Edhe pse rritja është tejet simbolike ajo ka shënuar për herë të parë në historinë e BE-së ndaljen e trendit të rënies së daljes së votuesve që mund të konsiderohet edhe si rritje e interesit. Por në anën tjetër dalja ka qenë shumë më e vogël në shtetet e reja anëtare sesa në ato të vjetra. Pra del se „Evropianet e rinj“, siç quhen nganjëherë qytetarët e shteteve të reja anëtare, janë më pak të interesuar për punët e BE-së. Në Sllovaki kanë votuar vetëm 13 %, edhe pse ky shtet përmendet si njëri ndër përfituesit më të mëdhenj të anëtarësimit në BE. Në Belgjikë e Luksemburg, ku dalja në votime është obligim ligjor e jo vetëm qytetar, dalja ka qenë 90 %. Në Parlamentin Evropian besojnë se këto votime kanë ndalur trendin negativ edhe falë fushatës që është zhvilluar, por kanë pranuar se duhet bërë më shumë që qytetarët në BE ta kuptojnë se mbi 80 % e ligjeve që kanë ndikim në jetën e mbi 500 milionë qytetarëve të BE-së miratohen edhe përmes Parlamentit Evropian.

Element tjetër për kënaqësinë me rezultatin e këtyre zgjedhjeve në nivel evropian është fakti se mbi 80 % e deputetëve të cilët kanë fituar ulëse në Parlamentin Evropian vijnë nga radhët e partive proevropiane, të cilat nuk e vënë në dyshim ekzistimin e BE-së edhe pse kanë dallime ideologjike mes vete. Katër ose pesë grupet e para politike për nga numri i vendeve në përbërjen e re të Parlamentit Evropian janë të tilla.
Sipas rezultateve të para të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian janë grupimi i Demokristianëve, Partisë Popullore Evropiane, EPP, me 214 vende, edhe pse ka shënuar rënie, ka mbetur grupi më i fortë edhe në përbërjen e re të Parlamentit. Nga Kosova e lidhur me këtë grupim është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). I dyti grup kanë mbetur Socialistët dhe Demokratët (S&D) me 191 ulëse të fituara, vendin e tretë e kanë mbajtur Liberalët Evropianë ( ALDE) me 64 vende. Me grupimin ALDE është e lidhur AKR-ja nga Kosova. Partia e Gjelbër ka mbajtur pozitën e 4-t me 52 vende. Në pozitën e pestë janë Konservatorët (ECR), të udhëhequr nga Partia Konservatore Britanike e kryeministrit David Cameron me 46 vende. E Majta e Bashkuar Evropiane (Guele), e cila nuk është euroskeptike, por është kundër masave të kursimeve, është në pozitën e 5-të me 45 vende. Pas saj vjen grupi i të papërfshirëve që numëron 41 deputetë. Pason grupimi i euroskeptikëve „Evropa e Lirisë dhe Demokracisë (EFD) me 38 vende, ndërsa „të tjerët“ llogariten se mbeten 60 deputetë në mesin e të cilëve janë deputetët e së djathtës ekstreme, për të cilët nuk dihet nëse do të arrijnë të formojnë grup të veçantë. Pra në maksimum, edhe nëse i llogarisim të gjithë „të tjerët“ dhe EFD-në si „e djathtë ekstreme“ dhe „Euroskeptikë“ numri i tyre nuk arrin as në 100 në një Parlament, i cili ka 751 anëtarë. Në Holandë dhe Belgjikë ekstremi i djathtë ka pësuar humbje të rëndë dhe rënie të madhe, ndërkohë që tregon se sa të ndryshme janë skenat politike në vendet anëtare.

Dhe në bazë të kësaj llogarie do të mund të konstatohej vërtet se „gjithçka do të jetë sikur deri tash“ në Parlamentin Evropian. Do të mund të konstatohej se edhe procesi i zgjerimit, edhe liberalizimi i vizave, edhe ndihma për Kosovën dhe vendete Ballkanit, do të vazhdojnë në mënyrë të papenguar dhe të pandryshuar.

Por nuk do të jetë ashtu. Në fakt këto zgjedhje do të dëshmohen si një kthesë e madhe prapa në proceset e integrimeve evropiane. Froni Nacional i Marin le Pen ka fituar në Francë me mbi 25 %. Po aq në Britani të madhe ka fituar UKIP (Partia e Pavarësisë së Mbretërisë së Bashkuar), e cila kërkon dalje nga BE-ja dhe ndërprerjen e ardhjes së emigrantëve. Në Danimarkë ka fituar Partia Popullore po ashtu e ekstremit të djathtë.Në nivel nacional këto parti nuk kanë pasur ndonjë fuqi deri tash. Por me suksesin në zgjedhjet evropiane, u kanë dërguar një sinjal partive tradicionale, atyre të qendrës, se opinioni po ndryshon. Kështu Qeveria e Francës, ajo e Britanisë së Madhe dhe e Danimarkës tashmë kanë filluar të ndryshojnë qëndrimet ndaj BE-së. Ato do të bëhen edhe më shumë skeptike ndaj politikave të emigracionit, ndaj zgjerimit të BE-së dhe jo vetëm se do të kundërshtojnë thellimin e integrimeve në BE dhe dhënien e më shumë kompetencave Brukselit, por do të kërkojnë edhe kthimin e disa kompetencave që tash i kanë institucionet e BE-së në nivel të autoriteteve nacionale. Dhe ky do të jetë ndikimi më i madh që suksesi i së djathtës ekstreme jo në nivel të BE-së, por në disa shtete anëtare, do ta ketë në determinizmin e së ardhmes së Bashkimit Evropian.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi