Të paligjshëm dhe arrogantë

Nga Afrim Krasniqi, botuar në Shqiptarja.com, 5 qershor 2014

Kushtetuta e Shqipërisë (neni 9) detyron partitë politike të kenë organizim që përputhet me parimet demokratike. Ligji mbi partitë politike përcakton se këto parime janë:  “ndërtimi nga poshtë lart i partisë, zgjedhjet e brendshme demokratike për forumet e partisë, e drejta e shprehjes së mendimit nga çdo anëtar, liria e hyrjes dhe e daljes së tyre nga partia, e drejta e çdo anëtari për të zgjedhur e për t’u zgjedhur”.
Shkelja e tyre përbën një rast ligjor për ndalimin e partive politike. Rregullimi i praktikave të zgjedhjeve dhe funksionimit bëhet me statuset e partive, të cilat sanksionojnë votime periodike çdo 2 dhe 4 vjet në varësi nga niveli dhe institucioni zgjedhor.
Referuar Kushtetutës, ligjit të partive politike dhe dokumenteve ligjore të partive më rezulton se nga 66 parti politike që morën pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, 64 prej tyre nuk i respektojnë ato, dhe kështu, në një vend me kulturë ligjore dhe bindje ndaj ligjit, ato do të përballeshin me procese gjyqësore mbi legjitimitetin e tyre. Problematika bëhet edhe më shqetësuese kur nga gjashtë partitë parlamentare asnjëra prej tyre nuk ka bërë zgjedhje periodike të strukturave dhe lidershipit, dhe se organizimi i tyre politik vjen në kundërshtim direkt ose indirekt me nenin 9 të Kushtetutës.
Ligji i partive politike (neni 26) përcakton si rast shkrirjeje të një partie politike rastin “kur numri i anëtarëve të partisë ka mbërritur nën numrin minimal të caktuar me statut ose sipas këtij ligji”. E shprehur në shifra, kur numri i anëtarëve të një partie politike është më pak sesa 3000 anëtarë, aq sa kërkohen për krijimin e një partie politike. Për shkak se partitë nuk kanë anëtarësi të rregullt dhe të evidentuar, i vetmi mekanizëm kontrolli mbeten kuotat financiare dhe numri i votave në zgjedhjet parlamentare.
Referuar kuotave, pagesa e kuotave në partitë politike nuk arrin asnjëherë më shumë sesa në 10-12 mijë anëtarë tek partitë e mëdha dhe 300-500 tek partitë e vogla. Burimi tjetër mbetet numri i votave në zgjedhjet parlamentare, duke supozuar se në çdo rrethanë anëtarët e partive votojnë të paktën për partitë e tyre. Një parti që nuk merr as votat e anëtarëve të vet, ose nuk ka anëtarë realë, ose është fiktive, ose ka probleme të thella identiteti dhe përfaqësimi.
Referuar të dhënave zgjedhore 2013, kontrasti është i thellë. Nga koalicioni i majtë e kanë kaluar kuotën ligjore të votave – anëtarë PS, PSD, PDS, PSM, PDIP, PKD, AAK, PSV91, PBDNJ dhe AP. Mbi 27 subjekte të tjera politike pjesë e koalicionit të majtë kanë marrë më pak sesa numri minimal i anëtarëve që përcaktohet nga ligji, dhe për pasojë, janë subjekt i ligjit mbi partitë për rastin e shpërndarjes së një partie politike. Në koalicionin e djathtë nga 25 subjekte zgjedhore mbi 3 mijë vota kanë vetëm PD, PDIU, PR, PLL, LZHK, PDK, PBK dhe MEGA. Rreth 17 subjektet e tjera u bashkuan 27 subjekteve të majta që mbijetojnë në kundërshtim me legjislacionin mbi partitë politike në Shqipëri.
Në total, nga 66 subjekte elektorale më 2013, vetëm 20 subjekte kanë mbi 3 mijë vota në zgjedhje, kurse pjesa tjetër prej mbi 2/3 e numrit të partive aktive është nën kufirin minimal të votave / anëtarësisë. Për më tepër, rreth një e treta e të gjitha partive konkurruese kanë më pak sesa 1000 vota, madje 10 prej tyre kanë më pak sesa 500 vota nga 1.7 milion votues gjithsej.
Ashtu si në shumë raste të tjera të ngjashme, edhe në këtë rast ligjvënësi nuk ka përcaktuar mekanizmin sesi jetësohet zbatimi i ligjit. Konkretisht ligji mbi partitë nuk ka krijuar asnjë mekanizëm kontrolli mbi aktivitetin e partive politike, dhe kështu, asnjë mekanizëm që inicion dhe imponon zbatimin e ligjit prej tyre.
Në rastin konkret ligji i partive parasheh se vetë partitë politike, kur kanë më pak anëtarë sesa minimumi që kërkohet në themelim, merr vendim për shpërndarje dhe ku vendim depozitohet në gjykatën e shkallës së parë të rrethit të Tiranës. Më pas, kjo gjykatë vendos çregjistrimin e partisë dhe procedurat përkatëse për likuidimin e saj.
Çfarë vlere ka ky informacion krahasues dhe nxjerrja në pah e natyrës antiligjore të shumicës së partive politike shqiptare? Studimor? Publik? Informacion? Jo vetëm. Thelbi i sistemit tonë politik janë partitë politike, aktiviteti dhe vendimmarrja e tyre.
Ato kanë pushtete ekstra kushtetuese, zgjedhin presidentin, parlamentin, qeverinë, drejtuesit e njësive vendore, emërojnë drejtuesit kryesorë të institucioneve kushtetuese, drejtuesit në administratën publike e civile, emërojnë drejtuesit e enteve publike, administrojnë zgjedhjet, dhe kështu, përbëjnë elementin më të pushtetshëm në sistemin politik shqiptar. Më tej, partitë kanë kompetenca të gjëra faktike në administrimin publik dhe ekonomik, në privatizimet dhe zhvillimin ekonomik, në botën e biznesit dhe konkurrencës, në media dhe jetën publike, në çështjet e sigurisë dhe interesit shtetëror, pra në çdo sferë të aktivitetit shtetëror, publik e qytetar. Si të tilla, standardi i sjelljes së tyre përbën standard edhe për sjelljen institucionale të shtetit e shoqërisë.
Kur partitë janë demokratike, korrekte me ligjin, vende ku vlerësohen idetë, meritokracia dhe mbizotëron ndjenja e përgjegjësisë, atëherë vetë produkti i tyre shtetëror e publik është i tillë. Kur partitë janë jo demokratike, veprojnë e funksionojnë si oligarki apo rrethe klanore të mbyllura, personalizohen dhe injorojnë rregullat demokratike, bëjnë kompromise të heshtura ose publike për të shkelur konsensualisht ligjin dhe kushtetutën, atëherë produkti i tyre në shtet, institucione e shoqëri nuk mund të jetë më i ndryshëm sesa tiparet e brendshme të tyre.
Në këtë këndvështrim Shqipëria politike vijon të jetë një model tranzicioni pa shenja ndryshimi, e aftë të konsumojë energji për interesa ditorë të politikës dhe e paaftë të marrë vendime afatgjata, largpamëse dhe vizionare që bëjnë dallimin midis një shoqërie në tranzicion dhe një shoqërie të aftë të synojë njësimin me standardet e pjesës demokratike të Evropës. Ligjërimi i ashpër politik, retorikat inkriminuese, incidentet e dhunshme, grevat dhe anti-grevat e imponuara dhe natyra agresive e sjelljes ndaj palëve, – janë vetëm disa prej treguesve të një modeli politik që ka humbur sensin e masës dhe përgjegjësisë, sensin e orientimit dhe detyrës kushtetuese.
Tej kostumeve firmato dhe show mediatik, fjalëve të bukura dhe retorikës patriotike, liderët tanë politikë me ambicien e tyre të pushtetit me çdo kusht dhe denigrimit të tjetrit, me sistemin e dhuratave për shkak të postit dhe refuzimin e legjitimitetit përmes votës së fshehtë, konkurruese dhe periodike, më shumë ngjajnë me pashallarët sundimtarë abuzive e diktues të periudhës otomane sesa me modele civile të Evropës së qytetëruar. Një fakt që merr vlerë sidomos këto ditë kur BE do të duhet të marrë një vendim për Shqipërinë, – vendim që nuk ka lidhje as me ekstremistë nacionalë dhe as padije të eurodeputetëve sa ka të bëjë me vlerësimin nëse Shqipëria politike meriton ende një dhuratë tjetër, si shans tjetër për ndryshim dhe reflektim.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi