Një reflektim mbi zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm

Nga Klodian Muço, botuar në Shqip, 17 qershor 2014

Personalisht nuk kam një simpati të pakushtëzuar për ndryshimet radikale. Historia na mëson se ndryshimet radikale janë të shoqëruara shpesh me çorientime, me probleme sociale dhe me vështirësi në rigjetjen e ekuilibrave, të cilat kërkohen mbi bazën e reformave shpesh utopike për një vend, të krijuara në tavolina kafenesh. Njerëzit kanë natyra kontradiktore dhe duket sikur ekzistenca humane nuk e suporton dot “planifikimin e përsosmërisë” dhe si pasojë ndryshohet rrënjësisht gjithçka për të mos ndryshuar asgjë.

Shumica jonë vlerëson arritjet shkencore, teknike, arritjet në spektrin e pasurisë dhe komoditetin e vendeve perëndimore përgjatë zhvillimit të lavdishëm të ekonomive të tyre, i cili nga një anë ka prodhuar kaq shumë përfitime, por nga ana tjetër ka lënë në rrugë për fat të keq edhe shumë “viktima”. Të gjithë e admirojmë zhvillimin dhe qeveritë e suksesshme, të cilat ndihmojnë në rritjen e mirëqenies ekonomike apo sipërmarrësit që prodhojnë mallra ose shërbime gjithmonë e më të reja apo njerëzit e suksesshëm, të cilët dinë të ngjisin shkallët sociale, në sajë të punës së palodhur dhe aftësive personale.

Ndërsa në realitetin shqiptar, edhe pse të gjithë e admirojmë apo dimë çfarë është e mira dhe cilat janë cilësitë e Perëndimit në momentin kur kërkojmë të realizojmë një reformë jetike, ajo që në nisje fillon të lëkundet. Një pjesë e madhe e qytetarëve ngelen të pakënaqur pasi jo gjithçka funksionon si në vendet perëndimore. Të gjithë janë dakord se ekziston një konsensus i gjerë ndërmjet studiuesve, që kapitali human është komponent primar në zhvillimin ekonomik të një vendi. Nëse inteligjencës humane i bashkëngjitet dhe formimi arsimor, kjo e bën atë një faktor strategjik për ndërmarrjen. Pra kualifikimi i burimeve njerëzore dhe investimi në to, do të ketë rol primar në produktivitetin dhe kapacitetin e një ndërmarrjeje për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.

Për këtë arsye, në parim po ndërmerret një reformë radikale në arsim, të gjitha universitetet do të kthehen në publike, kjo për të rritur cilësinë në arsim. Shumë e bukur si ide, por vallë a e përballojmë dot ne këtë, vallë mos po favorizojmë universitetet private, e mbi të gjitha a jemi kaq të pasur? Nëse 0.4% e PBB që shkon për arsimin e lartë është shumë pak dhe është e pamjaftueshme, pse duhet që kjo fetë e hollë të ndahet edhe me privatët, të cilët kanë taksa më të larta dhe një pjesë e tyre ofrojnë kuota doktoraturash jashtë çdo limiti? Ne duhet vërtet të përmirësojmë sistemin arsimor pasi është jetik për të ardhmen dhe ka një impakt primar në zhvillimin ekonomik të vendit por kjo gjë arrihet duke kërkuar si nga universitetet publike, po ashtu edhe nga ato private plotësimin e kritereve të qarta të cilësisë, ashtu siç ndodh edhe në vendet e zhvilluara apo në ato vende që kanë të aplikuar sistemin anglosakson që ne po përpiqemi të implementojmë. Një reformë arsimore cilësore nuk është ajo që nxjerr në pah problemet, por ajo që i zgjidh ato. Ndërsa reforma në fjalë nuk u jep zgjidhje problemeve të konstatuara.

Një zgjidhje do të ishte fillimisht kërkesa për rritjen e cilësisë, dhe vendosja e kritereve të forta për të qëndruar në treg; kjo gjë do të bënte një seleksionim vetë, këto po që do të ishin tiparet e një ekonomie tregu që sjell vërtet zhvillim dhe progres. Pra siç edhe e përmenda në fillim të këtij artikulli, reformat dhe ndryshimet radikale jo gjithmonë sjellin progres, shpesh ato krijojnë konfuzion, pakënaqësi e mbi të gjitha nuk i zgjidhin problemet, pasi një pjesë e problemeve është çështje vullneti dhe jo ligji apo reforme. Vendi ynë ka eksperienca të hidhura në këtë kontekst.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, shpesh kemi parë se zhvillimi konvulsiv i ekonomisë dhe obsesioni për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto me çdo kusht për të treguar që patëm rritje ekonomike apo zhvillim, ka provokuar probleme jo të vogla për ekonominë e vendit, të cilat riskojnë të transformohen në katastrofa, siç mund të ishte ajo e investimeve publike dhe mbështetja e rritjes ekonomike me anë të borxhit publik, duke e rritur çdo ditë e më tepër atë, pa marrë në konsideratë përballueshmërinë e tij, zhvillimi ekonomik në thelb nuk është vetëm rritje shifrash, apo “manipulimi” i tyre, zhvillimi është edhe rritje e mirëqenies dhe e sigurisë për të nesërmen.

Ndërkohë nëse do t’u referohemi modeleve të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ato kanë në fokus punësimin dhe orientimin e investimeve të huaja, pasi rritja ekonomike e një vendi vjen si rezultat i përmirësimit dhe orientimit të investimeve me qëllim rritjen e produktivitetit, uljen e importeve dhe rritjen e eksporteve. Për të bërë të mundur këtë, nevojitet që shteti të orientojë investimet në ata sektorë të ekonomisë në të cilët jemi deficitarë siç është sektori agroushqimor apo ai energjetik. Nevojitet një rishikim urgjent i koncesioneve të marra nga biznesi, të cilat kanë si qëllim shfrytëzimin e pafund dhe favorizim vetëm për ato lloje të cilat investojnë në teknologji, në rritjen e prodhimit, punësimit dhe produktivitetin dhe pse jo, ato që prodhojnë edhe për tregun vendas pra të stimulojë kërkesën agregate dhe të rrisë konsumin e produkteve vendase. Pasi nuk ka asnjë përfitim pozitiv, kur ne rrisim eksportin e lëndëve të para e në të njëjtën kohë, importojmë po ato produkte të përpunuara siç është p.sh. nafta. Nevojitet gjithashtu një rritje e performancës së eksporteve, të cilat për momentin janë zhgënjyese dhe të bazuara kryesisht në lëndë të para dhe në produkte të sektorit fason, të cilat kanë një impakt të papërfillshëm në ekonominë e vendit, pra duhet inkurajuar rritja e eksporteve të produkteve të përpunuara Made in Albania. Për të konkluduar, mendoj se një rritje e konkurrueshmërisë në tërësi do të ishte e domosdoshme. Iniciativa për të ndërmarrë hapa konkretë duhet të fillojë me publikimin dhe përpunimin e statistikave zyrtare të besueshme, për të parë qartë se ku jemi dhe për çfarë kemi nevojë. Një doktor i mirë, para së t’i japë diagnozën pacientit, sheh analizat dhe rezultatet e kontrolleve të bëra. Duhet vazhduar më vonë me administratën shtetërore: të gjithë ata që nuk kanë profesionalitet dhe produktivitet të largohen nga puna, pasi duhet të mbizotërojë parimi i meritokracisë. Gjithashtu duhet të jetë një prioritet më vete edhe nxitja dhe konsolidimi i produktit dhe markave vendase dhe mbështetja nga ana e shtetit në gjetjen dhe eksportimin e tyre në tregjet e huaja.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi