Në vijim të një debati për energjinë

Nga Zef Preçi, botuar në Shqip, 4 qershor 2014

Në rend të ditës: Reformimi i sektorit energjetik

Çështjet me të cilat përballet sot i tërësistemi i sektorit të energjisë elektrike, janë çështje që duhet të tërheqin vëmendjen, jo thjesht të ekspertëve të sektorit, por sidomos të administratorëve publikë dhe jo vetëm. Debati i hapur për këtë qëllim në faqet e “Shqip”, në këtë kontekst, është jo vetëm një vlerë e shtuar e debatit, tashmë profesional e shkencor, por edhe një domosdoshmëri, në kushtet kur sektori i energjisë elektrike paraqet një kompleksitet problemesh. Do të doja vetëm të shtoja disa opinione të miat në këtë debat, në të cilin besoj dhe shpresoj se do të marrin pjesë e do të shprehen ekspertët e fushës.
1. Rreth problematikës aktuale në sektorin energjetik shqiptar.
Tashmë opinioni publik, qarqet e hartimit dhe të zbatimit të politikave publike dhe më gjerë janë njohur me situatën problematike në sektorin energjetik të vendit. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), studimeve të Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë (MEI), Bankës Botërore, raporteve vjetore të BE-së për Shqipërinë etj., rezulton se në këtë sektor kemi një pleksje problemesh të natyrës teknike: infrastruktura e prapambetur në sistemin e shpërndarjes (CEZ) e shprehur në mungesë aparatesh matëse, linja të amortizuara të tensionit të mesëm dhe të ulët, kabina tejet të amortizuara, kapacitetet e pamjaftueshme në sistemin e transmetimi (OST) etj.
Grupi i dytë i problemeve janë ato të natyrës financiare (borxhet e akumuluara të institucioneve shtetërore ndaj OSSH, borxhet e këtij të fundit ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare [KESH], etj.). Një grup më vete janë problemet menaxheriale, performanca e dobët e CEZ, arkëtimi i kufizuar i energjisë së faturuar: abuzimi përmes mbifaturimit të përdoruesve fundorë (kryesisht të përdoruesve familjarë, duke shkurajuar kështu pagesën nga këta të fundit), parregullsitë dhe abuzimi nga ana e punonjësve të CEZ Shpërndarje të kontrollit (leximit) të aparateve matëse etj.
Gjithashtu, jo më pak të rëndësishme janë edhe problemet e natyrës institucionale-juridike (një model tregu i pazhvilluar dhe që ka ezauruar misionin e vet, mungesë e theksuar konkurrence në treg, si për prodhimin vendas dhe importin, rregullimi institucional i dobët dhe joefikas i tregut, kryesisht nën ndikimin e ekzekutivit dhe larg pritshmërive të parashikuara në dokumentet strategjike të sektorit të energjisë elektrike, një numër prodhuesish të klasifikuar me “fuqi të mesme” kanë përfituar nga rregullimi ligjor, si dhe nga mbështetja politike në kohën e licencimit të veprimtarisë së tyre, duke mundësuar kështu të shesin energjinë me çmim të garantuar, duke i shkaktuar KESH disa miliona euro humbje çdo muaj, ndërsa pagesat nga KESH kushtëzohen dukshëm nga ritmi dhe shumat që ky i fundit arkëton nga CEZ, importi (blerja) i energjisë shpesh kryhet me procedura emergjente dhe shumë herë të kontestuara në masmedia për transparencën e pamjaftueshme që çon në cenimin e interesave publike (blerje më të kushtueshme se kushtet e bursës), si dhe me dyshime të forta për përfitime korruptive nga ky proces.
2. CEZ pa licencë dhe kalimi i pronësisë

Në janar të vitit 2013, ERE i hoqi licencën e operimit në shpërndarjen e energjisë dhe në këtë mënyrë CEZ Pragë humbi edhe pronësinë mbi CEZ Shpërndarje që kishte privatizuar në vitin 2006, ndërsa procesi i kalimit në pronësi shtetërore të aseteve të kësaj kompanie nuk ka përfunduar ende, ndonëse janë shkelur të gjitha afatet ligjore për këtë qëllim. Procedurat e zgjidhjes së këtij konflikti, përmes arbitrazhit ndërkombëtar apo negocimit të drejtpërdrejtë midis palëve, nuk kanë ofruar ende ndonjë rezultat zyrtar, por cilado zgjidhje që të arrihet, për një numër faktorësh objektivë dhe subjektivë, politikë dhe të natyrës institucionale, në fund nuk mund të mos të jetë një faturë tjetër prej dhjetëra e ndoshta qindra milionë eurosh që rëndon për buxhetin e varfër të shtetit shqiptar.
Ndërsa në terma statistikorë, pa u futur në problematikën e secilit operator më vete, disa nga treguesit e pothuajse tërë viteve të dekadës së fundit, mund të përmendim për ilustrim në vijim të këtij komenti.

Kështu, pothuajse 100% e energjisë që prodhohet në vend është me bazë hidrike, d.m.th. vartësia nga kushtet e motit është tërësore dhe mundësitë e përdorimit të burimeve alternative janë praktikisht afër zeros, gjë që shton rëndësinë e importimit dhe të infrastrukturës së nevojshme për këtë qëllim. CEZ Shpërndarje arrin të faturojë çdo vit jo më shumë se 55%-65% të energjisë së lëshuar në rrjet nga prodhimi vendas dhe nga importi, ndërsa arkëton jo më shumë se 70%-80% të energjisë së faturuar. D.m.th. rreth 50% e energjisë ose 150-200 milionë euro është shuma vjetore e energjisë që nuk arrin të arkëtohet, sasi kjo që del çdo vit prej buxhetit dhe vidhet, shpërdorohet dhe humbet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike të vendit.
Rreth 270 mijë konsumatorë të energjisë elektrike ose rreth 1/5 e numrit të përgjithshëm të tyre, janë ende sot e kësaj dite pa aparate matëse në shtëpitë apo bizneset e tyre. Ndonëse vendi konsumon energjinë në mënyrë mjaft ekstensive (për shkak të zhvillimit të pamjaftueshëm të industrisë dhe nëndegëve të saj), më shumë se gjysma e energjisë shkon për përdorim familjar (54%, 2013).
Për një periudhë të gjatë kohe, ndoshta gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, një sasi energjie pothuajse e barabartë me sasinë e energjisë së importuar, e shprehur në vlerë, vidhet dhe humbet në rrjetin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu CEZ Shpërndarjes pamjen e një fondacioni bamirësie, pamje kjo që përforcohet më tej edhe nga emërimet e militantëve partiakë si në drejtimin qendror ashtu dhe në njësitë vartëse në rreth.

3. KESH, OST dhe reformat në sektorin e energjisë elektrike

Të dhënat e viteve të fundit tregojnë së përtej përpjekjeve për mirëmenaxhimin e burimeve energjetike, duke u përballur edhe me problematikën e shkaktuar nga çrregullimet e motit, KESH ishte dhe mbetet “viktima” e vërtetë e spirales negative të situatës në këtë sektor. Madje, kjo situatë vazhdon edhe mbas ndryshimit të mazhorancës qeverisëse. Kështu, ERE vazhdon të jetë në konflikt interesi (për sa kohë që luan rolin e Këshillit Mbikëqyrës të CEZ Shpërndarje), CEZ Shpërndarje vazhdon të jetë në një pozitë të privilegjuar në raport me KESH dhe OST (për sa kohë që, duke mos respektuar aktet rregullatore të ERE-s, vendos thuajse “arbitrarisht” për radhën dhe shumat e pagesave për detyrimet që ka, ndërsa KESH dhe OST janë në “mëshirën e fatit” përkatësisht për arkëtimet e energjisë së prodhuar dhe përcjellë në sistem dhe pagesës (fee) së transmetimit, sipas ligjit. Nuk po flas për përkeqësimin e performancës së CEZ Shpërndarjes (sipas ERE, me vitin 2013 energjia e faturuar ishte 83% dhe energjia e arkëtuar ishte më pak se 54%), por investimet kapitale me burimet e veta të KESH dhe OST janë afër zeros, pa folur për rënien e besueshmërisë së tyre në bankat tregtare, për shkak të detyrimeve kolosale të akumuluara në vite ndaj tyre. Në kushtet kur problematika e vjeljes së pagesave ndaj energjisë së konsumuar është një problem që kalon tagrin ligjor dhe kapacitetet menaxheriale të CEZ Shpërndarjes si kompani tashmë publike, mendoj se problemi i pagesave të kësaj kompanie ndaj KESH dhe OST duhet rregulluar përpjesëtimisht me arkëtimet e veta mujore, gjë që do t’u jepte mundësi të kryerjes së disa investimeve dhe të pagesave të domosdoshme në këto kompani, tashmë të rrezikuara seriozisht nga mungesa e likuiditeteve në veprimtarinë e tyre të përditshme. Kjo jo vetëm do të sillte veprimtarinë e saj në kushtet e ligjit (sipas përcaktimeve të mëparshme të ERE-s), por edhe do të evitonte presionet korruptive në radhën e pagesave, ndërhyrjet eventuale politike në këtë fushë etj.

Ndërkaq, rritja e mbështetjes shtetërore ndaj KESH dhe OST për vjeljen e detyrimeve të prapambetura, mendoj se i kontribuon shëndoshjes së të gjithë sistemit, së bashku me huat shtetërore që janë miratuar tashmë me fondet e Bankës Botërore. Po kaq e rëndësishme mendoj se mbetet rishqyrtimi i politikës rregullatore të shitjes me shumicë dhe fee-s së transmetimit të energjisë elektrike në kushtet kur është ngushtuar madhësia e sektorit publik në KESH, për shkak të privatizimeve të kryera vitin që shkoi, si dhe janë kryer një numër investimesh në këta dy operatorë që detyrojnë rishikimin në rritje të çmimit me shumicë të tarifës së transmetimit të energjisë. Kuptohet se kjo do të krijonte mundësi “për të vënë gishtin mbi plagë” edhe sa u takon veprimtarisë së operatorëve privatë me fuqi të mesme e të madhe, të cilët gjenden në një pozitë përgjithësisht të favorshme, për shkak të garantimit të tregut dhe të tarifës përkatëse, por që gjithsesi meriton të rishikohet për ta sjellë në parametra konkurruese brenda dhe jashtë vendit, si dhe përmes “certifikimit” të investimeve të kryera realisht. Gjej rastin të theksoj se shumat e investuara nga disa investitorë të huaj në sektorin energjetik, që përbëjnë edhe bazën përllogaritëse të çmimit të fiksuar në kontratat koncesionare të tyre, janë bazuar në evidencat operative të tyre dhe në disa raste janë të zmadhuara për arsye të ndryshme që nuk mund të provohen me dokumentacionin kontabël, përmes doganave, tatimeve, sigurimeve shoqërore etj. D.m.th. kemi të bëjmë me një situatë të ngjashme me raportimet e kompanive të nxjerrjes së naftës dhe verifikimet e rastit janë një mundësi e besueshme për qeverinë për negocimin e kontratave përkatëse, kur konstatohen pasaktësi në raportim, rritje artificialisht të volumit të investimeve të kryera etj., pa shkelur ligjin shqiptar dhe atë ndërkombëtar në drejtim të mbrojtjes së investimeve të huaja. Këto dhe hallka të tjera të politikave sektoriale në fushën e energjisë elektrike mendoj se meritojnë një debat të gjerë në rrethet e specialistëve, në radhët e hartuesve dhe zbatuesve të politikave publike, me qëllim kryerjen e vendimmarrjeve përkatëse. Kjo do të thotë që ato 150-200 milionë euro energji elektrike që shpenzohen nga buxheti për importimin e energjisë elektrike pothuajse çdo vit dhe që nuk kthehen kurrë më në buxhet, të mund të destinoheshin për nevoja publike, d.m.th. të përdoren për më shumë shkolla dhe spitale, për modernizimin dhe përmirësimin cilësor të shërbimeve publike, për forcimin e rendit publik dhe të sigurisë kombëtare etj. Kështu edhe qeveria nuk do të kishte nevojë të merrte borxhe të tjera (qoftë edhe në kushte të favorshme, siç po vepron aktualisht), por përkundrazi, krahas me përmirësimin e shërbimeve publike, do të përshpejtohej zhvillimi ekonomik e shoqëror dhe integrimi europian i vendit.

Thënie për Shtetin

  • Një burrë shteti është një politikan që e vë vehten në shërbim të kombit. Një politikan është një burrë shteti që vë kombin e tij në shërbim të tij.
    - Georges Pompidou
  • Në politikë duhet të ndjekësh gjithmonë rrugën e drejtë, sepse je i sigurt që nuk takon kurrë asnjëri
    - Otto von Bismarck
  • Politika e vërtetë është si dashuria e vërtetë. Ajo fshihet.
    - Jean Cocteau
  • Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme, një shtetar mendon për gjeneratën e ardhshme
    - Alcide de Gasperi
  • Europa është një Shtet i përbërë prej shumë provincash
    - Montesquieu
  • Duhet të dëgjojmë shumë dhe të flasim pak për të berë mirë qeverisjen e Shtetit
    - Cardinal de Richelieu
  • Një shtet qeveriset më mirë nga një njëri i shkëlqyer se sa nga një ligj i shkëlqyer.
    - Aristotele
  • Historia e lirisë, është historia e kufijve të pushtetit të Shtetit
    - Woodrow Wilson
  • Shteti. cilido që të jetë, është funksionari i shoqërisë.
    - Charles Maurras
  • Një burrë shteti i talentuar duhet të ketë dy cilësi të nevojshme: kujdesin dhe pakujdesinë.
    - Ruggiero Bonghi