Marrëveshja e unifikimit të arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Kosovës
Shqipëri – Kosovë, 3 qershor 2014
Nënshkruhet marrëveshja e unifikimit të arsimit parauniversitar mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Lindita Nikolla dhe homologu i saj kosovar, Ramë Buja ishin firmëtarët e kësaj marrëveshje të quajtur historike.
Kryeministri Rama, i pranishëm në këtë ceremoni u shpreh se nuk mund të ketë kufij mes një kombi, për sa i përket bashkëpunimit, ndërsa sfidë, sipas tij, mbetet unifikimi me Europën.“Ka vetëm një kufi, atë që i vëmë vetes jo kufij që kemi mes vetes dhe tjetrit. Nëse nuk i vëmë kufi vetes, nuk do kemi kufij mes nesh për të realizuar atë që duam. Bashkëpunimi me Kosovën nuk ka kufij, sëbashku na mbetet si sfidë unifikimi me Europën”.
“Hapësirë kombëtare aktive”, kështu e cilësoi kryeministri Rama punën e bërë nga ministritë e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, për të arritur këtë marrëveshje të sotme.
“Kjo e fut këtë ditë në historinë e zhvillimit të arsimit, dita kur u vendos guri i themelit të bashkimit të arsimit mes dy vendeve. Kjo mundësi e artë për të bashkuar forcat drejt europianizimit të arsimit tonë si frymë dhe standard. Hapat nuk janë lëvizje drejt bashkimit mekanik këtej dhe andej kufirit, por një ecje e përbashkët për atë që duam nesër për gjeneratën e re. Lëvizja për unifikim do sjellë hapjen e shumë kantiereve të punës së përbashkët për lëndët mësimore”, tha Rama.
Kjo marrëveshje sipas kryeministrit, do të shërbejë edhe për të ruajtur dhe shkruar ashtu siç duhet gjuhën shqipe. Sipas Ramës periudha e tranzicionit u kthye në një kërcënim edhe për gjymtimin e gjuhës shqipe.
“Kjo marrëveshje nis në një kohë kur kambanat e alarmit bien fort për përdorimin e shqipes. Shqipja nuk mund të tretet. Ne ndajmë shkencën nga politika dhe rrugën e pasurimit të gjuhës shqipe nga varfërimi i shkencës. Të rikthejmë rëndësinë e saj në sistemin arsimor. Kjo marrëveshje është mjeti i ri gjithëkombëtar për vendosjen e një rendi të shqipfoljes dhe shqipshkrimit”, tha ai.
“Në këtë rrugë të bashkimit, duhet të synojmë dy gjëra nga njëra anë unifikimin nga ana tjetër modernizimin, të afrojmë praktikat e tjera në funksion të një modernizimi tërësor”, tha ai më tej.
Ndërsa ministri i Arsimit të Kosovës, Ramë Buja e cilësoi këtë marrëveshje si hapin më të rëndësishëm të ndërmarrë ndonjëherë në fushën e dijes.
“Ju them shpirtërisht se sot po bëjmë hapin më serioz të mundshëm në fushën e dijes. Në jetën time nuk kam bërë ndonjëherë nënshkrim më kuptimplotë për vendin”, tha ai.
“Kjo do të jetë një ditë historike për shkollën shqiptare dhe atë të Kosovës”. Këshu e cilësoi menjëherë pas nënshkrimit këtë marrëveshje të unifikimit të arsimit parauniversitar, ministrja Lindita Nikolla.
“Ajo çka nënshkruam sot nuk është kurorëzim i një detyre, jo thjesht dakordësi në parim, por një proces që falë bashkëpunimit dhe komunikimit ata sot na ftojnë dy ministritë për të startuar punën, për t’i dhënë jetë këtij unifikimi, kësaj kurrikule të re”, tha ajo.
Unifikimi i kurrikulave, siç tha ministrja, i përafrohet atyre të BE. “Një nxënës i Kosovës mund të vijojë të jetë nxënës në Shqipëri dhe Kosovë por edhe në BE pasi unifikuam një kurrikul zyrtare të vendeve të BE. Një erë e re cilësie fillon për arsimin shqiptar. Kurrikul e re në bazë të standardeve të BE.