BB prezantoi raportin mbi “Rishikimin e Financave Publike”
2 qershor 2014
Banka Botërore prezantoi ditën e sotme raportin mbi “Rishikimin e Financave Publike”, në një aktivitet të mbajtur në hotel ‘Tirana’, ku i pranishëm ka qenë edhe ministri i Financave Shkëlqim Cani.
Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Tahssen Sayed ka deklaruar se rimëkëmbja e ekonomisë mundtë arrihet vetëm në sajë të reformave strukturore për rritjen e vendeve të punës si dhe asaj në fushën e pensioneve dhe të energjisë.
“Banka Botërore është e angazhuar t’i japë Shqipërisë ndihmë teknike. Do falënderoja ekipin e qeverisë dhe Bankës Botërore. Dua të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që do jenë të angazhuar në këtë projekt”, – tha Sayed.
Ndërkohë ministri i Financave, Shkëlqim Cani pasi falënderoi Bankën Botërore për këtë raport deklaroi se ai vjen në kohën e duhur kur sipas tij “menaxhimi i financave publike kërkon një përqasje të re, të cilat duhet të shohin konsolidimin fiskal”.
Cani u ndal veçanërisht tek reforma në fushën e energjisë e cila sipas tij është urgjente dhe me rëndësi të madhe për financat publike,
“Kjo reformë kërkon zgjidhje sot pasi nesër do të jetë shumë vonë. Na duhet t’i japim një zgjidhje sa më të shpejtë po aq madhore sa energjetika. Më shqetësuese, më problematike, më e thellë dhe më me dhimbje do të jetë reforma në energjetikë”, – tha ministri i Financave.