Tatime shtesë për Shqipërinë nga ekonomia gri
Nga Eduart Gjokutaj, botuar në Shqip, 1 qershor 2014
A ka ndonjë ndikim pozitiv sektori informal në zhvillimin e ekonomisë apo ndikimi është vetëm negativ në çdo drejtim? Në konkluzion të mjaft studimeve dhe në eksperienca të ndryshme, është theksuar se efekti i ekonomisë informale është i rëndësishëm për dimensionimin e ekonomisë formale, por moralit fiskal dhe qeverisës i vlen shumë më tepër efekti i kundërt.
Është një fakt që pranohet, se sektori informal, për shkak të mosmbartjes së një barre fiskale (rrjedhimisht janë më pak të taksuar se sektori formal) është më konkurrues dhe më efektiv në treg. Megjithatë, edhe bizneset informale kanë një pengesë të madhe që lidhet me mundësitë e kufizuara për t’u zgjeruar dhe rritur. Atyre u duhet që ta mbajnë në nivele të njëjta apo ta kufizojnë nivelin e operimit për të mos u diktuar nga “radarët” e qeverisë (gjithsesi varet nga radarët). Në të njëjtën kohë, fuqia punëtore që kontribuon në sektorin informal nuk arrin të jetë gjithnjë produktive dhe konkurruese në raport me fuqinë punëtore të sektorit formal.
Në gjithë këtë periudhë të dekadës së fundit, evazioni ka hedhur dhe forcuar rrënjët çdo vit pa asnjë kufizim të tij (shihni studimet për këtë temë). Informaliteti, si mbartës i evazionit, ka vijuar në të njëjtin nivel të pandryshuar, me produkt negativ në buxhet, ku tatimet e papaguara kanë mbajtur në “komë” buxhetet ndër vite, duke degraduar mundësitë për zhvillimin e ekonomisë (për aq sa ka rol) nga pak dhe për vit. Politika fiskale, e cila është referuar te kjo trashëgimi administrimi, deri më sot nuk ka ndikuar dot në konsolidimin e bazës tatimore të secilit tatim kryesor (TVSH, Tatim fitimi, TAP). Politikanët e mykosur, mbi 20-vjeçarë, janë autorët që kanë prodhuar sistemin aktual fiskal. Ky sistem sot mbahet në këmbë nga tatimpaguesit e rregullt, që janë kategoria që paguajnë “pa xhandarin fiskal te dera”, por që me kalimin e viteve edhe ata janë ndikuar negativisht për rritjen e pajtueshmërisë ndaj ligjit. Në këto rrethana duhet filluar konsultimi publik për nxitjen e vullnetarizmit në zbatimin e ligjit.
Ekonomia formale e ka ndier fort efektin nga konkurrenca më se e pabarabartë me ekonominë gri, e cila e ka blerë me të lirë korrupsionin në raport me taksat që duhet të paguajë, edhe pse shërbimet publike i përfiton njësoj si tatimpaguesi i rregullt. Mbajtja e ekonomisë informale ka qenë e shoqëruar gjatë gjithë periudhave nga një barrë e rëndë për tatimpaguesit e rregullt, e shoqëruar edhe me shtim të barrës nga ndërrimi i shpeshtë i rregullave të administrimit. Gjithashtu, për autoritetet fiskale ka qenë e vështirë zgjerimi i bazës tatimore, e cila është politika më e vlefshme për t’u filluar menjëherë, nisur nga fakti që duhej të ishte bërë kohë më parë.
Në ndihmë të informalitetit është korrupsioni dhe ndërgjegjja e politikës që e toleron këtë rrezik dhe sëmundje, që ka nevojë për kurim nga shteti dhe qytetaria e përgjegjshme.
Informaliteti dhe korrupsioni, edhe pse në hije, janë më të kërkuarit në periudhat kur ndryshojnë politikat fiskale. Por politika nuk duhet të mjaftohet edhe më tej me konstatime dhe përshkrime të realitetit fiskal. Ajo duhet të marrë në konsideratë kapacitetet e administrimit fiskal, që të vijojë përtej pranimit të faktit për informalitetin dhe korrupsionin me programe me terma konkretë. Në këtë drejtim, modeli që ka nisur të përçojë qeveria e re nëpërmjet “kapilarëve” institucionalë është një tendencë drejt konsolidimit të rregullave të administrimit për të bërë më efektive dhe refleksive politikëbërjen e sistemit fiskal.
Nëse nuk do të kishte evazion tatimor, nuk do të kishte ndoshta edhe një deficitbuxhetor. Nëse shikojmë se sa taksa të pambledhura i mungojnë buxhetit në një vit fiskal (shih Tatimet e munguara, 2012, al-tax.org), mjaftojnë për të mos marrë hua për disa vite rresht. Ngushtimi i boshllëkut tatimor është rruga më e vlefshme për të kufizuar mundësinë për deficitin buxhetor.
Në çdo këndvështrim, që të shikosh pleksjen e trinomit ekonomi informale-evazion-korrupsion, buxhetit i mungojnë përafërsisht 1 miliard euro për çdo vit. Kjo është fatura që fshihet në debatin për temën në fjalë.
Për daljen nga kjo situatë informaliteti dhe evazioni nevojitet bashkëveprimi i institucioneve, që kanë objekt të përbashkët antievazionin dhe luftën ndaj informalitetit. Në këtë kontekst shkon për shtat shprehja se “i vetëm mund të ecësh më shpejt, por me shokë mund të ecësh më larg”.
Unë pres, që logjikën e politikës fiskale në rritjen e të ardhurave ta shikoj të pasqyruar, si një harmonizim midis shpërndarjes së drejtë të barrës fiskale dhe në disfavor të evazionit dhe përmbushjes për nevojat në rritje të buxhetit për shpenzime, duke qenë se kërkesat për shërbime dhe investime vetëm rriten.